Loje ne celular kunder kancerit

Loje ne celular kunder kancerit
Shkencëtarët nga një organizatë bamirëse britanike kundër kancerit po bashkojnë forcat me ekspertët e teknologjisë nga kompani gjigande si “Amazon”, “Facebook” dhe “Google” për të dizajnuar dhe zhvilluar një lojë në celular që synon të përshpejtojë kërkimin për ilaçe të reja kundër kancerit, raporton “Reuters”.

Projekti i udhëhequr nga grupi bamirës “Cancer Research UK”, nënkupton se çdokush me një smart dhe pesë minuta kohë do të jetë në gjendje të hetojë mbi të dhëna të rëndësishme shkencore në të njëjtën kohë që është duke luajtur.

Hapi i parë për këtë është mbledhja e 20 programuesve kompjuterikë, lojtarëve dhe dizajnuesve grafikë për të marrë pjesë në një takim fundjave, ku të dhënat bazë të grupit kërkimor mbi kancerin, do të transformohen në një lojë elektronike.

“Ne po bëjmë progres në të kuptuarit të arsyeve gjenetike të zhvillimit të kancerit. Por arsyet se pse disa ilaçe funksionojnë dhe disa të tjera jo, janë fshehur në një sasi të stërmadhe të dhënash që duhet të analizohen nga syri i njeriut dhe kjo analizë mund të kërkojë shumë vite”, thotë Carlos Caldas, një shkencëtar.

“Duke shfrytëzuar fuqinë kolektive të qytetarëve shkencëtarë, ne do të jemi në gjendje të përshpejtojmë zbulimin e mënyrave të reja për të diagnostikuar dhe trajtuar kancerin në mënyrë më të saktë.

Loja pritet të ofrohet për shkarkim nga mesi i këtij viti.

Kanceri vret sakaq më shumë se 7.5 milionë njerëz në vit, ndërsa numri i njerëzve të prekur pritet të rritet me shpejtësi gjatë viteve të ardhshme.

Shkencëtarët po punojnë për të gjetur defektet gjenetike që sjellin zhvillimin e kancerit dhe për të identifikuar mënyra të reja diagnostikimi dhe trajtimi në mënyrë më të fokusuar, bazuar te profili i tyre gjenetik dhe lloji i veçantë i tumorit.

Disa kohë më parë, një studim i madh ndërkombëtar doli në konkluzionin se kanceri i gjirit mund të klasifikohet në 10 nënkategori të ndryshme, një zbulim që mund të sjellë edhe trajtime të dizajnuara më mirë në të ardhmen.

Studimi zbuloi edhe shumë gjene tërësisht të reja që krijojnë kancer në gji, gjë që nënkupton se këto janë gjenet që duhet të trajtohen nga llojet e reja të ilaçeve.

Megjithatë, ky lloj i ri kërkimi krijon sasi të stërmëdha të dhënash që duhet të analizohen, dhe për këtë do të shërbejë loja e re elektronike. Megjithëse zhvillimet në teknologji i lejojnë shkencëtarët të përpunojnë të dhënat më shpejt se kurrë më parë, ka shumë të dhëna që ende duhet t’i nënshtrohen syrit të njeriut dhe jo makinerive.

“Syri i njeriut mund të dallojë ndryshime të vockla, të cilat makineritë nuk janë të programuara t’i dallojnë – gjë që sjell zbulime të mëdha mbi çfarë e krijon sëmundjen”, thanë shkencëtarët.

“Me fuqinë kolektive të qindra mijëra njerëzve në të gjithë planetin në ndihmë të shkencëtarëve për të analizuar këto të dhëna ne mundemi që të rrisim në mënyrë dramatike shpejtësinë e zbulimeve shkencore”.

Philip Su, drejtor inxhinierik për “Facebook” tha se kompania e tij beson se kjo është mënyra më e mirë për të zgjidhur një problem, pra që njerëzit e zgjuar të mblidhen në kërkim të zgjidhjes.

“Kjo metodë pune është e vlefshme si në fushën e shkencave të jetës po aq sa edhe në inxhinierinë kompjuterike”, tha ai.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama