Liqeni artificial ose keneta e Tiranes

Liqeni artificial ose keneta e Tiranes
Duhet të shtyhesh pas në kohë të kujtosh sesi ka qenë dikur liqeni artificial i Tiranës. E megjithatë, në ditët tona, është e vështirë prej shumë njerëzve ta kujtonë si ka qenë. Ai, sot, i ngjan një kënete, rreth të cilës gjallon betoni, produkti i dorës së pamëshirshme të njerëzve. Uji është mbushur me barishte dhe është i rrethuar në gjysmën e tij nga beton. Në të gjithë planet e mëtonjësve të bashkisë janë shpallur projekte për të, por situata e tij mbetet fare e pashpresë...

Në pjesën që dikur njihej si Zadrat, një grup të moshuarish, vinë gjithnjë kur ngrohet koha dhe janë po ata që i ngrenë të fundit shtrojet e tyre të vjetra, kur ia beh vjeshta. Ata ikin e zëvendësohen nga të tjerë. Ai mbetet aty. Liqeni ka qenë në 50 vitet e fundit, vendi i pjekjes ideale të çifteve të dashuruar. Sot është braktisur disi prej tyre pasi Kupidi është më liberal. Në ditët tona, Parku është bërë më social dhe të gjithë familjet tiranase e kanë si një ogur të mirë të kalojnë pak orët e pushimit në fundjavë. Vrapohet dhe ecet masivisht. Për fat, prej pak vitesh, në akset kryesore janë vendosur bllokazhe betoni, që nuk i lënë makinat të futen brënda. Njerëzit kanë shpëtuar disi prej të rinjve dhe të fortëve që i shqetësonin paq aty me zhurmën dhe pluhurin, që linin pas makina allosoj. Gjithsesi, jo rrallë, ndonjë i ri ‘i fortë’ e bën ndonjë xhiro vetmitare mëngjezore drejt vashës së zemrës, që duhet të jetë atypari me ndonjë tufë lolitash të vogla. Por, pak më sipër, në aksin që shkon nga një prej daljeve të Pallatit të Brigadave në drejtim të monumentit të Debatikut, një rrugë e hapur disi tinëz mes pemëve u jep mundësi njerëzve që kanë klubet sipër të futen me makinat e tyre të mëdha kur t’ua dojë qejfi. Liqeni mbetet aty dëshmitar i heshtur dhe i pafuqishëm. Është plakur dhe tani është gati gjysmë i kënetizuar. Në orën 08.00, një burrë i vjetër nga fshatrat e Labërisë, ish-oficer afrohet me çantën e tij me ujë, molto dhe pak gjëra konsumi te ish-Kabina e Notarëve; tutje që në agim, një koleg i tij zë vend me peshoren e vjetër...Pse kaq vonë-i përsërit burri fjalinë që ia bën prej vitesh. Burri me kanatieren e leshit labërore, që ia ngjit frikshëm djersën i përgjigjet ndër dhembë: “Më çave b... Ma ka qejfi!”

Rruginat

Vetëm se qejfi i tyre shpesh nuk shkon me qejfin e vetë parkut. Këtu është një paqësi me vetë parregullin. Një ngut për të shtruar me beton të ornamentuar rruginat kryesore të liqenit qëlloi katastrofë. Ai u hap sërish dhe tani është rishtruar. Më shumë akoma forma dhe krisjet që mori dhe që janë tek-tuk sërish, tregojnë se kjo mënyrë s’ishte aq e përshtatshme. Në aksin që ngjitet nga Garda e Republikës dhe ndahet pak metra më tutje në degëzime, u realizua me ngut e ashtëquajtura ‘Rruga e Paqes’ në pllakat e të cilës duke filluar nga këmbët e shkallës, ku niset me emrin e presidentit aktual janë futur dhe pllaka me personazhe që njihen pak ose fare aspak. Presidentët e Botës së Tretë, në mos gaboj dhe mes tyre dhe Z. Mubarak, qëndrojnë në rregull pas pllakës së zbërdhulur, që ka të gdhëndur si të parë emrin e presidentit shqiptar Bamir Topi. Të tjerat rrugina, e pakta, kanë mbetur si dikur, ende me atë sharmin e mrekullueshëm dhe me asfaltin e keq. I vetmi segment i mrekullueshëm është pas Pallatit të Brigadave në një rruginë që të përcjell drejt klubeve poshtë Varrezave të Dëshmorëve. Është një rrugë kalldrëmi e rregulluar nga duar mjeshtrash, që e kanë prishur makina tonazhi, që nuk e di çkanë dashur aty. Janë prishur ndërkohë dy banjat publike. Njëra është fill para Kishës së Shën Prokopit dhe tani mban mbi vete një klub simpatik që në mëngjez shërben për pensionistët dhe mbasdite shndërrohet për të rinjtë. E të gjitha do ishin kot, po të mos përcillnin aty. Drejt liqenit. Në çdo orë të ditës do gjesh njerëz, që kanë muaj, vite që rrinë në të njëjtin vend. Ata janë pulsi i liqenit dhe ritmi i padukshëm i tij. Nga ana e Pallatit të Brigadave vjen gjithnjë një grua e huaj, që është martuar me një shqiptar. Ka një pamje Cezariane, të ftohtë dhe tejet të huaj.

 Duhet t’i ketë vdekur i shoqi sepse pak ditë më parë kish humbur ecjen e saj dhe nxinte prej rrobave. Nga përtej, një burrë i gjatë i paralizuar që s’flet dot ngjitet ngadalë me të shoqen. Ai ka ditë që s’duket. Të gjithë në të njëjtën orë. Dy burra që shërbejnë afër notarëve. Një me kanatiere leshi, poshtë një jeleku kostumi të trashë dhe tjetri ulur te i njëjti stol. Një shurdh-memec, ndan me vullnetin e tij gazetën “Agon”, thjesht të marrë një falenderim. Po të tjerët?

Të gjithë dihen shkojnë t’i hedhin një sy liqenit. Por ai s’është më si më parë. Ngjan me ato momentet e ndërmjetme kur një qënie merr udhën në jetën e pasosun dhe në fund ndër grahma komunikon gati në mënyrë metafizike me gjindjen përreth. Kështu është liqeni në ditët tona. Një i vdekur i pakallur. Kanalizimet jo të mira, ngritjet pa kriter të klubeve, madje njëri ka bërë një qendër sportive dhe klub fill pas vendit që njihej si Plazhi. Më e frikshmja nga të gjitha mbetet një masë barishte e frikshme që del deri në sipërfaqe dhe që stimulohet nga papastërtitë ka pushtuar hektarë të tërë uji. E sa për ngjyrën e ujit, ajo është një temë studimi për piktorët sepse ka një ngjyrë që nuk mund ta përcaktosh më dot.

Intermexo

Parku i liqenit artificial të Tiranës u realizua me goditje të përqëndruar në jug të kryeqytetit në vitet 50-të. Një nga projektuesit e tij ishte inxhinieri i njohur Nuri, i cili u përpoq që bazeni dhe pylli i sapombjellë në terma afatgjatë do të ishte mushkëria potenciale e Tiranës, por ndërkohë të kishte dhe atribute të mëdha argëtuese. Në vitet e socializmit, ai shpëtoi falë mungesës së njerëzve atje dhe kulturës së pakët për ta shfrytëzuar si duhet. Edhe fillimi i viteve ’90 e gjeti të paprekur, por ndërkohë si në të gjithë Shqipërinë u shfaqën dëndur njerëzit që filluan duke prerë drurët dhe vazhduan duke ngacmuar aksesorët e saj. Nga pak u larguan notarët, ata që i jepnin jetë ujit duke e humanizuar, filluan të rrallohen spiunët (tani s’kishte pse t’i ndiqnin të huajt e ambasadave, vizitorët më të rregullt të liqenit).

Për një kombinim të shkaqeve, kioskat që filluan kudo nuk e prekën këtë pjesë aq shumë, paçka se ato edhe këtu patën shumë përhapje. Dashnorët mbetën po ata, por tashmë pjesa më e pamundur. E reja u krijoi mundësi më shumë. Sot, vetëm në pjesën veriore dhe atë lindore ka mbetur pylli i bërë me punë vullnetare ndërsa pjesët e tjera janë të zhveshura kurse pjesa jugperëndimore: ajo ka dalë krejt jashtë kontrollit prej ndërtesave të shumta. Në parkun e liqenit artificial ndodhen de jure dhe kopshti botanik si dhe ai zoologjik i Tiranës. Por ndërsa i pari është thjesht koncept; i dyti është gati i pushtuar kudo prej ndërtimeve të pamëshirshme.

Zvogëlimi i parkut erdhi me keqpërdorimin e Kopshtit Botanik dhe më shumë akoma, rrethimit të frikshëm që i është bërë tashmë liqenit artifical prej blloqeve që po e mbysin Kurorën e Tiranës. Parku duhet thënë se ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 265 ha dhe sipërfaqe të gjelbër 211 ha ( kjo është referencë e dikurshme me kopshtin botanik dhe kopshtin zoologjik). Llogaritet se një pjesë e madhe e kryeqytetasve përpiqet të kalojë një pjesë të fundjavës ose ditës në këtë hapësirë.

Tiranasit, dikur shpesh, e bënin xhiron e tyre mbi digën 400 m e cila pak vite më parë mbyti pa mëshirë Tiranën e Re, kurse sot u ka mbetur thjesht të këqyrin muzgun e liqenit të tyre, që lëngon prej sëmundjeve të shumta. Insekte, papastërti, uji i munguar, tani janë më shumë burim sikletesh sesa argëtimi. Ai ka marrë një ngjyrë vdekëtari pas një lëngimi të stërgjatë, ku të gjithë luten: Ik më mirë.

Këneta në jug të qytetit

Kjo ngjyrë bëhet sepse uji po thithet frikshëm dhe përdoret anekënd, ndërsa ushqehet gjithnjë e më pak. Nuk qarkullon më si më parë, ndërsa rënia e nivelit të ujit e ka bërë liqenin t’i ngjaj më shumë një moçali. As më shumë e as më pak, ai është vetëm një vend i mirë vrapimi dhe ecje në agim përreth dhe vetëm kaq. Pak kush e mendon atë si vend pushimi disa orësh sepse Liqeni nuk ta jep këtë mundësi. Ata që e administrojnë prej kohësh kanë hequr dorë përveç punës së përditshme (me të cilën justifikojnë rrogat) që do të thotë një pastrim rutinor i rruginave dhe një kontroll i hapësirave për ndonjë vend ku janë prishur pemët. Fuqia e tyre për të apeluar dhe kërkuar mbrojtje nga kundravajtësit pothuaj as dëgjohet fare. Bashkia është e pamundur ta përmirësojë me kapacitetin e njerëzve teknikë që merren me të dhe puna e të cilëve është thjesht të ndajnë punëtoret e pastrimit.

 “Nuk mund të flas dot, më thotë njëri nga punonjësit që e kam parë prej kohësh në liqen. Lëre se me këta të pjell belaja”. Dhe, liqeni s’ka më nevojë të flitet ose të përflitet, ai është një realitet. Ujërat e zeza, që kanë vite që derdhen parreshtur në liqen, kanë bërë të rritet sedimenti poshtë duke e çuar fund-liqenin drejt një lloj pakësimi të frikshëm. Kur kësaj i shtohet dhe periudha e gjatë pa shira, atëherë liqeni artificial është vërtetë një kënetë. Nuk e kuptoj personalisht sesa do të vazhdojë kështu. Nëse liqeni do të kishte edhe abuzimin e disa viteve më parë, atëherë vërtetë duhet ta qanim këtë vend, që ka qenë vendi i ëndrrave të dhjetërave sportistëve dhe e dashamirëve të natyrës në 50 vitet e fundit.

Strukturat përkatëse të bashkisë jo vetëm nuk arritën që këtë vend ta kthenin në një mjedis të një pushimi të kulturuar, por më shumë akoma kanë krijuar përshtypjen se shqiptarët gjithnjë do e kenë të vështirë të bëjnë një vend si duhet. Pasi liqeni në vitet e fundit po jeton thjesht falë natyrës dhe rreshjeve të saj të mëdha mbi territorin shqiptar. Sa i përket atyre kinse specialistëve dhe parashikuesve të saj, ata më mirë është që tu harrosh emrin...

Na ishte njëherë liqeni

Vërtetë që shumë mjediseve të hapësirës së madhe që kapte liqeni tashmë u është harruar emri. Toponimet popullore që mbijetuan në dekada e humbën rëndësinë sepse liqeni u transformua në një vend të madh pa shumë rregulla. Për vite me rradhë, makinat kalonin nga rruga mbi Zadrat ktheheshin pak djathtas dhe kalonin mbi një asfalt shuvmë të keq që e shkatërruan më shumë deri te shkolla që u ngrit në një nga zonat më të bukura të liqenit, aty ku tiranasit dikur njihnin një hapësirë që e thërisnin me emrin e gruas së përdalë: Gjiri i Kurvave. Në fakt, për kohën kur flitet askush “s’guxonte” të kalonte aty. Po të kaloje aty do të thoje se i kishe kaluar caqet e moralit socialist dhe shkoje për seks, për një nga tabutë më të frikshme të komunistëve. Ata pak të huaj që kalonin aty me biçikleta sportive do të ndiqeshin gjithnjë nga disa punonjës të shërbimit të Sigurimit, që u dilte gjuha me biçikletat qesharake. Kisha që u ndërtua në vend të klubit me të njëjtin emër, bëri atë që kjo e fundit bëri me paraardhësin e vet kishë. Asnjëherë s’u bë një kishë prej vërteti. Autoritetet (kush prej tyre) e bënë dhe një “zgjidhje” këtu kur afruan një shkollë të ciklit të ulët, prindërit e të cilës i përcillnin me makinat e shtrenjta fëmijët, shpesh me targat zyrtare deri sipër mbi liqen.

Nga përtej, monumentet e Vëllezërve Frashëri u bënë objekt tallje e bredhësve nokturnë që i shkarravisnin paq me grafitet qesharake. Për fat, kjo e fundit, pas një apeli ngulmant u pastrua. Autoritetet bënë dhe një budallallëk: Konicën që përqeshte Naimin i vunë përballë. E harrojmë këtë. Çuditërisht varret afër të ushtarëve gjermanë dhe britanikë asnjëherë s’u prekën. Kompleksi kombëtar që me të huajin mos u kruaj i ruajti gurë-varret e luftëtarëve armiq. Pak më poshtë, veranda tek cepi përballë ish Gjirit të notarëve është katandisur si mos më keq, nxirrë nga zjarre peshkarësh amatorë dhe romësh, por më shumë akoma katastrofën e Liqenit e shikon në atë që njihej si gjiri i Lopëve (vend që vizitohet sërish nga lopët e fshatarëve të Saukut) ashtu si e njihnim atëherë dhe që sot e kësaj dite shërben sërish për lopët e ndryshme, që kanë sjellë banorët përreth. Për ta bërë më idilik të gjithën, që nga një shtëpi afër Stadiumit Kombëtar, dikush nxjerr delet duke kaluar i patrazuar të gjithë hapësirën e liqenit.

 E po arritëm të flasim për pjesën tjetër pas liqenit nuk ia vlen. Pas prishjes së rezervuarit, ai është kthyer në një vend vetëm për ndërtimet marramendëse që nuk dinë të përfundojnë dhe që kanë formuar një lagje të tërë në këtë zonë kaq preferenciale. Provincialët e pasuruar u bëjnë qesëndi nga pallatet e sistemuar tiranasve mbetur në shtëpitë e vjetra si kuvli. Jam pak konfuz për atë që dha lejet e para, por më duket se ajo fillon nga koha e qeverisë “Meksi”. Z. Rama me malin e propozimeve dhe me inaugurimet e pemëve s’arriti ta bëjë liqenin një vend që t’ia vlente. Shpjegimet e tij të gjata dhe pathosi gjestikultik nuk na çuan asgjëkundi, ashtu si projektet në erë të mëtonjësit të tij, z.Basha, që më shumë se projekte reale u bënë me një retorikë që s’thoshte asgjë. Më e dhimbshme ishte se politika e shfrytëzoi dhe materialisht seksionet e liqenit.

Të kujtojmë shumë aktivitete politike të bëra në Amfiteatër, që prej kohësh është duke u shkatërruar dhe me stolat që i rrënohen përditë, nuk i kujtuan asnjëherë politikanët për ta rivitalizuar atë dhe kuptohet me këtë rast edhe një nga aksesorët e liqenit. Paradoksi ishte se nga aty, që është vendi i shkatërrimit sepse të papërgjegjshmit kanë zhveshur gati të gjithë rrethimin dhe shpesh i heqin dhe prishin dhe stolat, u thanë parrulla e parrulla për atë që do të bëhej e që su bë asnjëherë. Rama anipse ka meritën se grishi që liqeni në një farë mënyre të mbetej një vend tërheqje për idealistët. Paraaardhësi i tij arriti të vinte vetëm dritat mbi digë, kurse ata përpara gati asgjë.

Të gjithë palët bëjnë të paditurin që dikush ka ndërtuar brenda Parkut të Liqenit, kurse një tjetër e shtoi dhe e shtoi banesën e tij e cila tani e stërmadhe dhe kaba fle shëmtuar fill e sipër mbi Gardën e Republikës! Duket se liqeni i ka shemëruar të gjithë me butësinë e tij ndaj e keqja ka dashur ta sfidojë me çdo kusht. Disa vite më parë “gojët e këqia” thonin se ekziston madje edhe një plan për parkun e liqenit për ta shuar. E vërtetë ndërtimet filluan që sipër shkollës “Petro Nini Luarasi” dhe u ngjitën ngadalë sipër. U prishën institute, vende sportive për ndërtime shëmtaraqe mbushur me klube me emra karamelesh. Njerëzit e thjeshtë, të hallakatur me paradokset shqiptare, janë të sigurt se gjërat këtu u bënë me qëllimin që mbi liqenin të përftohet, ndaj ndërtimet shkojnë që nga pallatet e reja te Garda dhe deri poshtë digës së Liqenit.

Parku i Liqenit, vetë, në fakt ka humbur sharmin e vendeve të saj. Sikur të flasësh me një njeri që e njeh liqenin do të thotë sesi u prishën kabinat e notarëve, sesi funksionon amfiteatri, që një mjedis i është dhënë një strukture sportive që s’bën asgjë; sesi po vjedhin stolat dhe sesi i sharruan paralelet, si është banja poshtë përballë “Plazhit” që tani s’ka zot; sesi u prishën verandat; si nuk ka sot asnjë mjedis sportiv veç një privati poshtë etj. Liqeni ka nxjerrë në një farë mënyre sesa të zotë jemi ne për të administruar një gjë tonën. Një gjë që punonjëset e bashkisë që e mirëmbajnë shpesh e bëjnë më të pakëndshme me plehërat që i lënë kudo. Kush nuk e ka provuar pluhurin e inatosur të tyre në kohën kur njerëzit vrapojnë apo argëtimin e njerëzve me qen që i lenë kafshët e lirë, sado të rrezikshëm të jenë...

Edhe kjo e bën ekzotik parkun e liqenit të kryeqytetit të shqiptarëve. Çtë thuash më? “Ç’mutin bën”, i thotë plaku oficer këtej me kola, mikut përtej me peshore. “Sytë e tu”, i përgjigjet tjetri. Ky dialog i fundit zëvendëson përshëndetjen korteziale mes miqve, që fshehin kartonat ku ulen përreth vjedhurazi. Ikin. Liqeni, i kthyer në kënetë, i përshëndet me gua-guatë e bretkocave.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama