Letersia autobiografike

Letërsia autobiografike

Lidhur me këtë çështje, Hamiti u shpreh se shkrimi letrar autobiografik në shqip është fenomen që lidhet kryesisht me shekullin 20, sadoqë shenjat e tij duken që te Mbasthënia e Mesharit të Buzukut, te parathëniet e veprave të Budit a te Parathënia e "Çetës së profetëve" i Bogdanit. Sipas tij, ky fenomen pati një zgjim intensiv në romantizëm, që rizbuloi subjektivitetin, për të arritur zhvillimin në vlerë letrare në shekullin e modernitetit. "Kur thuhet: po lexoj De Radën, Nolin, Koliqin, Kutelin, Kadarenë,

Pashkun a Rrahmanin, menjëherë emri lidhet me vepra letrare, madje me forma të veçanta, duke pretenduar një njësim të autorit me veprën. Ky fenomen bëhet më i veçantë kur ka të bëhet me autorët dhe shkrimet letrare biografike e autobiografike", tha Hamiti. Duke e bërë dallimin midis biografisë dhe autobiografisë, Hamiti theksoi se biografia është shkrimi i jetës të një personi, kurse autobiografia është shkrimi i jetës së autorit (vetvetes). "Pra, ky shkrim që në nismë ka pretendimin të jetë shkrim referencial (për një jetë reale), më tej bëhet shkrim autoreferencial (për një jetë të vetvetes), duke u ndërlikuar që kur vetvetja tani është shkrimtari. Ky pra, shkrimtari, duke shkruar vetveten rimerr fantazitë, qoftë edhe kur deklaron se sjell të dhëna, meqë edhe kur përshkruan veprimet nuk mund t'i ikën psikesë (shpirtit)", vlerësoi Hamiti.

Për të ilustruar tekstin e tij, Hamiti merr shembuj nga letërsia bashkëkohore shqipe dhe ajo e traditës, duke u ndalur me theks të veçantë në autobiografinë e De Radës dhe të Nolit, të cilat Hamiti i konsideron autobiografi klasike, e duke vazhduar te vepra e fundme e At Zef Pllumit "Rrno vetëm për me tregue" dhe ajo e Demaçit "Dashuria kuantike e Filanit", të cilat përshkruajnë apo dëshmojnë për situatat ekstreme të autorëve, siç janë llogori e burgu. "Në shkrimet që duhet të bëhet një sprovë e barazimit të jetës me shkrimin duhet pasur parasysh shkallët e gjendjes së krijuesit (autorit): mbijetesë, kujtesë, dëshmi, shkrim. Autori së pari duhet të mbijetojë vdekjen, që është një heroizëm nëpërmjet trajtave të flijimit. Mirëpo, mbijetesa nuk është vetëm akt personal, por edhe detyrë, mision për të dëshmuar", u shpreh Hamiti.

Në ligjëratën e tij, Hamiti u ndal edhe në vepra tjera me shenja autobiografike, siç janë ato të autorëve Haki Stermilli dhe Sterjo Spasse, të cilët e lëvrojnë ditarin, pastaj Ismail Kadare dhe Zejnullah Rrahmani, që merren me motivimin personal, Faik Konica dhe Anton Pashku, që merren me motivimin ideografik, dhe në fund Ernest Koliqi dhe Mitrush Kuteli, që paraqiten si autorë të figuruar.


Marre nga : Gazeta Shekulli



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama