Leja e drejtimit te mjetit si hiqen piket nese shkel Kodin Rrugor

Leja e drejtimit te mjetit, si hiqen piket nese shkel Kodin Rrugor

Në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë ekzistojnë dispozitat ligjore, të cilat sanksionojnë pikët e patentave. Gjithashtu, sipas një Vendimi të Këshillit të Ministrave nr. 543, datë 13.6.2013, janë sanksionuar me ligj edhe pikët që hiqen nga patentat në bazë të llojit të shkeljeve. Ndërkaq, për punonjësit e forcave të rendit, të cilët shkelin dispozita të Kodit Rrugor, heqja e pikëve do të jetë dy herë më e madhe se sa për qytetarët e tjerë. Duhet theksuar se qytetarët shqiptarë janë pak të njohur më dispozitat ligjore për sa i përket pikëve të patentave të tyre dhe gjithashtu këto dispozita nuk janë zbatuar ndonjëherë. Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës gjatë këtij viti ka bërë një punë kolosale për të vënë në eficencë Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë, duke propozuar ndryshime ligjore që rrisin sigurinë në rrugë dhe na afrojnë me normat e vendeve të Bashkimit Europian. Deri më tani nga ana e organeve të Transportit është bërë një punë e atillë, e cila ka dhënë rezultate rekord për uljen e numrit të aksidenteve, brenda një kohe të shkurtër. Një nga këto ndryshime është edhe neni i Kodit Rrugor që sanksionon patentat me pikë.

Sistemi i pikëve

Çdo qytetar i pajisur me një lejedrejtim ka një sasi prej 20 pikësh, sipas pikës 1, neni 120/1 i Kodit Rrugor. Çdo ndryshim i sasisë së pikëve u komunikohet të interesuarve nga ana e regjistrit kombëtar. Çdo drejtues mjeti mund të kontrollojë në kohë reale gjendjen e lejedrejtimit të tij, sipas modaliteteve të treguara dhe të përcaktuara nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR). Kjo sipas pikës 4, neni 120/1 i Kodit Rrugor. Përveç në rast të humbjes së plotë të pikëve, në rast se brenda 2 viteve nuk kryhet asnjë shkelje e normave të sjelljes që të çojë në humbje të mëtejshme të pikëve të patentës, atëherë rimerren pikët e plota. Në rast se mbajtësit e patentës, të cilët kanë pikë të plota dhe brenda 2 viteve nuk kryejnë asnjë shkelje të normave, që të çojë në humbje të pikëve, do të kreditohen 2 deri në 10 pikë plus. Kjo sipas pikës 5, neni 120/1 i Kodit Rrugor. Në rastin kur konstatohen njëkohësisht më shumë se një shkelje e normave të sjelljes, maksimumi i pikëve që hiqen është deri në 15 pikë. Kjo sipas pikës 2, neni 120/1 i Kodit Rrugor.

Rikualifikimi

 Me humbjen totale të pikëve, mbajtësi i patentës duhet t’i nënshtrohet një provimi të kualifikimit teknik sipas ligjit. Të njëjtit provim duhet t’i nënshtrohet edhe ai mbajtës i patentës , i cili pas njoftimit të shkeljes së parë, që përfshin një humbje prej të paktën 5 pikësh, kryen edhe 2 shkelje të tjera brenda 12 muajve nga data e shkeljes së parë, që kanë të bëjnë me një heqje me të paktën prej 5 pikësh secila. Kjo sipas pikës 6, neni 120/1 i Kodit Rrugor. Në rast të kundërt pezullohet leja e drejtimit.

Ndryshimet ligjore

Ndryshimet ligjore , të cilat priten të ndërmerren në Kodin Rrugor dhe të cilat do të mundësojnë zbatimin efikas dhe të vazhdueshëm të sistemit të pikëve të patentës, prekin pikën 1 dhe 2 të nenit 120/1 të Kodit Rrugor. Aktualisht në fjalinë e fundit të pikës 1 të nenit 120/1 thuhet: “Tregimi i sasisë së pikëve është i lidhur me çdo shkelje dhe duhet të rezultojë nga procesverbali i konstatimit të shkeljes i agjentëve verifikues”. Ndërkaq, sipas pikës 1, neni 18 i projektligjit për disa ndryshime të Kodit Rrugor, që tashmë ka kaluar në kuvend, u propozua që kjo fjali të ndryshojë si vijon: “Tregimi i sasisë së pikëve është i lidhur me çdo shkelje dhe duhet të rezultojë nga vendimi i komisionit të organit epror të agjentit verifikues”. Po kështu sipas projektligjit u propozua të shfuqizohet edhe fjalia e fundit e pikës 2, neni 120/1 i Kodit Rrugor, e cila vijon si më poshtë: “Dispozitat e kësaj pike nuk zbatohen në rastet, në të cilat është parashikuar pezullimi ose revokimi (heqja) e lejedrejtimit”. Ideja e këtyre ndryshime lë të kuptohet se heqja e pikëve nuk do të jetë më në varësi të agjenti verifikues, por do të jetë një procedurë e vazhdueshme e mbikëqyrur administrative, ku nuk do të ketë hapësirë për të shmangur detyrimet ligjore. Ndërkaq, ligji aktual sanksionon të drejtën e qytetarëve për të ankimuar çdo vendim, që ata e cilësojnë të padrejtë, në lidhje me heqjen e pikëve të patentës së tyre, por gjithmonë duke ndjekur procedurat ligjore.

Kur do të fillojë zbatimi i sistemit të pikëve

Me miratimin e ndryshimeve në Kodin Rrugor do të hyjë në funksionim sistemi i patentave me pikë. Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto gjatë një seance të Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, duke folur për sistemin e ri, u shpreh se, patenta do të ketë në total 20 pikë dhe për çdo shkelje do të ketë heqje të pikëve mbi bazën e shkallëzimit. Shqipëria do të përdorë të njëjtin sistem që përdor dhe Italia dhe në vendimin e Këshillit të Ministrave, janë përcaktuar se sa pikë hiqen për çdo shkelje. Kur pikët e mbetura shkojnë në zero, drejtuesit i hiqet patenta. “Menjëherë bëhet automatike aplikimi i sistemit të pikëve për patentat, që do të thotë me miratimin e këtyre amendimeve, fillojmë menjëherë sistemin e aplikimit të pikëzimit”, tha ministri Haxhinasto, ndërsa po diskutohej projektligji për ndryshimet në Kodin Rrugor. Të dhënat zyrtare tregojnë se mbi 60 % e aksidenteve në Shqipëri ndodhin për shkak të gabimeve njerëzore. Në kodin e ri, qeveria ka parashikuar ashpërsimin e masave ndëshkuese, veçanërisht rritjen e fortë të gjobave. Ndryshimet në Kodin Rrugor gjithashtu ashpërsojnë masat ndëshkuese për shkeljet e rregullave të qarkullimit të rrugore, gjë e cila ka hapur një debat të fortë edhe politik Kritikëve se këto masa janë të ekzagjeruara, kreu i Transportit dhe Infrastrukturës u përgjigjet duke thënë se, këto masa nuk kanë asnjë qëllim tjetër vetëm mbrojtjen e jetës së vetë qytetarëve. "Ndryshimet në Kodin Rrugor po bëhen për të rritur sigurinë dhe për të ulur numrin e aksidenteve. Të reduktosh numrin e vdekjeve, të themi 35 raste t'i reduktosh ato në vit, besoj që duhet ta shohim në këtë këndvështrim, kemi shpëtuar 35 jetë dhe kjo është shumë e rëndësishme për misionin që kemi”, - theksoi ministri Haxhinasto në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin. 

Piket Qe Hiqen Nga Patenta

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama