Legjenda e nje pianisti ne kerkim te anijes se jetes

Legjenda e një pianisti, në kërkim të anijes së jetës

Monodrama

Një anije transoqeanike me emrin e madh Virxhinian, bënte rrugën midis Evropës dhe Amerikës. Ishte periudha midis dy luftërave botërore, viti 1930 dhe anija luksoze transportonte miliarderë, emigrantë, apo njerëz të zakonshëm që mezi kishin siguruar një biletë të klasit të tretë për të shkuar në botën e ëndrrave, Amerikë. Brenda një anijeje njerëzit thoshin diku me pëshpërima dhe diku me zë të lartë se ndodhej një

pianist i jashtëzakonshëm, me një teknikë të habitshme, i aftë për të prodhuar një muzikë të mrekullueshme, të padëgjuar kurrë me parë. Thonë se historia e tij qenkësh absurde, se paska lindur në këtë anije dhe se nuk paskësh zbritur më kurrë prej saj. Dhe psenë askush nuk e dinte…

Kryevepra e Alessandro Bariccos, “Legjenda e pianistit mbi oqean” ka shërbyer si “burim frymëzimi” për trupën teatrore të Fierit, e cila ka ngjitur në skenën e “Bylis” një mbrëmje më parë këtë vepër. E mirërealizuar dhe e njohur botërisht si realizim filmik, “Legjenda e pianistit” vjen tashmë e interpretuar si monodramë nga aktori me origjinë fierake, Dritan Boriçi. Nën interpretimin virtuoz të pianistit të talentuar Gent Rrushi, muzika e përzgjedhur nga të gjitha rrymat muzikore, mes të cilave edhe Jazz e Bluz, ishte një nga elementët më të fortë të kësaj shfaqjeje, që ngriti peshë shijet artistike dhe estetike të spektatorit. Ideja e ekzistencës dhe identitetit njerëzor, që mbyt edhe talentin e mrekullueshëm gjenial, lindur në një anije, tregon edhe njëherë cinizmin e botës përreth me miliarderë kokëbosh dhe talentin e varfër.

Foshnja që lindi brenda në anije nga një dalldisje erotike, dhe u hodh në hollin e sallës së ballos dhe madje në kapakun e pianos, sikur donte të vuloste edhe talentin

e tij në fushën e muzikës. Ka qenë drama e pianistit, ku miliarderi që e gjeti i vuri një emër amerikani. Dhe përsëri i “ngjiti” pas emrin e një shoqërie limonash, e më pas vitin 1900. ”900”-ta (Noveçento, pianisti ‘legjendë’) ishte pra talenti në piano, që do të prodhonte gjithë këtë muzikë dhe “dramë psikologjike” për spektatorin.

Pianisti që nuk do të zbriste kurrë nga anija, pasi aty kishte tashmë botën e tij, natyrisht jo të vetëpërzgjedhur. Një “mikroklimë“ e njeriut që ishte ‘ndryshe’ nga të tjerët! Për të cilin, toka ishte... një anije tepër e madhe, një udhëtim tepër i gjatë, një grua tepër e bukur, një aromë tepër e fortë, një muzikë që nuk dinte ta luante.

Intervista

“Noveçento: Të tallesh me Zotin”

Ishin të dy pakëz “Noveçento”. Genti Rrushi, muzikanti që me muzikën e sjellë “rrëfente” një copëz pasazhi nga jeta e vet, ndërsa, Dritan Boriçi që për 1 orë e 20 minuta ishte ai që udhëtoi në “brendësi”, me duart tek ëndrra, gjurmë te fati dhe vetminë e pastërtisë. Aktor i Teatrit Kombëtar, interpretimi i këtij roli për Boriçin shënon një pikë të veçantë, për vetë atë që përfaqëson personazhi i Bariccos.

Pse Baricco dhe pse pikërisht kjo vepër?

“Legjenda e pianistit”, vepër e shkrimtarit Alessandro Baricco është ndër veprat më të mira të këtij autori italian, ndër më interesantet e viteve të fundit. Baricco ka botuar romane të cilat kanë pasur një sukses të madh dhe janë përkthyer në të gjithë botën. Në veprimtarinë e tij më të suksesshme janë dy librat me temë muzikore ”Il genio in fuga” kushtuar veprës së Rossinit dhe “L` anima di Hegel e le muçhe del Wosconsin”, romanet “Castelli di rabbia”, “Oceano mare”, “Seta”, “City”, etj. Me vepërn e tij “Legjenda e pianistit”, regjisori i njohur italian Giuseppe Tornatore ka xhiruar filmin “La leggenda del pianista sul oçeano”. Prurë në shqip si vepër nga Afrim Koçi, pasi e lexova, më bëri përshtypje si një nga veprat më moderne, më të ngrohta, të një talenti ardhur në jetë si një anonimat. Dhe që me groteskun e jetës së tij, pati

kurajën të tallet dhe me vetë Zotin. Është një gjeni i ardhur nga hiçi në kërkim të ekzistencës së vet. Kjo është dhe filozofia e veprës.

Thatë që është realizuar edhe një film. Cila ishte risia e monodramës?

Futja e muzikës Jazz, mendoj se ishte më e reja nga

gjithë monodramat e para deri tani. Dhe pianisti Genti Rushi është ndër talentet e rralla për muzikën Jazz.

Mendoni se vepra arriti të komunikojë vërtetësisht dhe sinqerisht me spektatorin?

Fakti që shpesh pata në çastet kulmore të monodramës duartrokitje të shpeshta, mendoj se po. Gjithashtu, suksesi i kësaj mbrëmjeje është arritur edhe në saje të muzikës së mrekullueshme të përzgjedhur nga Genti. Pa të, suksesi im nuk do të ishte i plotë.

A do të jepet edhe në vende të tjera kjo monodramë?

Besoj se po. Gjithsesi, monodrama që unë luajta ishte pjesë e Festivalit Ndërkombëtar në Apoloni, i cili është në edicionin e dytë të tij.

Pasazhe nga vepra e Bariccos

“Unë, që nuk kam qenë i zoti për të zbritur nga kjo anije, që të shpëtoja kam zbritur nga jeta ime. Shkallë mbas shkalle. Dhe çdo shkallë ishte një dëshirë. Për çdo hap, një dëshirë së cilës i thosha lamtumirë. Nuk jam i çmendur, vëlla. Nuk jemi të çmendur kur gjejmë mënyrën për të shpëtuar. Jemi dinakë si shtazë të uritura. S’ka të bëjë çmenduria. Është gjenialitet, ai. Është gjeometri. Përsosmëri. Dëshirat po ma zhvatnin shpirtin. Mund t’i kisha jetuar, por nuk munda. Atëherë i namatisa...”

“I thashë lamtumirë çuditjes kur pashë ajsbergët e përbindshëm të detit të Veriut që shembeshin mposhtur nga të ngrohtët, u thashë lamtumirë mrekullive kur pashë të qeshin njerëz që lufta i kishte shkatërruar, i thashë lamtumirë tërbimit kur pashë tek po e mbushnin këtë anije me dinamit, i thashë lamtumirë muzikës, muzikës sime, ditën kur arrita ta luaja të gjithën në notën e vetme të një çasti... E kam ç’armatosur lumturinë. E kam zhveshur jetën time prej dëshirave. Nëse ti do mund ta ripërshkoje udhën time, do t’i gjeje njëra pas tjetrës, të namatisura, të palëvizshme, të ndalura aty përgjithmonë duke shënjuar drejtimin e këtij udhëtimi të çuditshëm që askujt nuk ia kam treguar, përveçse ty....”

Pak për Bariccon

Alessandro Baricco është lindur më 1958, në Torino, ku edhe ka themeluar shkollën e shkrimit krijues Holden. Ka botuar dy libra me temë muzikore, Gjeniu në ikje. Mbi teatrin muzikor të Rosinit, 1998 dhe Shpirti i Hegel-it e lopët e Wisconsin-it, 1993. Romanet Kështjella zemërimi, 1991; Oqean det, 1993; Pasthënien e Zemër errësire të Joseph Conrad, 1995; Mëndafsh, 1996; City, 1999; Pa gjak, 2002; Novecento, 1994; Barnum 1-2 Kronika nga Grande Shoë, 1995-1998; një rrëfim për librin e Moreno Gentili, Në vijë ajrore, 1999; Next, 2002; e Homeri, Iliada-2004.

Irena Mertiri : Gazeta Metropol


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama