Laureta Meci Nje Shqiptare ne Hollywood

Laureta Meçi, Një Shqiptare në Hollywood

Shqiponja dykrerëshe përbri emrit të Laureta Meçit, në websitin e saj zyrtar tregon qartë prejardhjen e saj. Gjakun që rrjedh në deje, edhe pse larg, përtej oqeanit prej vitesh, ajo ka mundur të tregojë vlerat e saj si artistë: një aktore e talentuar dhe këngëtare plot energji. Brenda pak kohësh nga ikona e produkteve kozmetike në të gjithë Amerikën, Laureta Meçi hyn në cast-in e aktoreve më të vlerësuara të filmave dhe seriale aksioni “Shadow Kill”, “Stargate”, “Battle Star Galactica” apo “Andromeda”. Përpos projekteve të shumta që mbushin axhendën e saj të përditshme, në një intervistë ekskluzive për revistën MAPO, Laureta Meçi, flet edhe për ëndrrën e madhe: debutimin në skenën dhe kinemanë shqiptare, rrugën e vështirë që ka ndjekur për të shkelur në studiot e Hollywood-it, si u identifikua me talentin e saj në Amerikë, në vendin e mundësive të mëdha si dhe suksesi që vulosi së fundmi me filmin “Shadow Kill”.




Në fund edhe një tjetër surprizë, një projekt muzikor me disa këngë që Laureta Meçi do ti këndojë në gjuhën shqipe, të cilat pritet t’i përcillen publikut së afërmi.
Kush është Laureta Meçi, vajza që ka pushtuar aktualisht kinematë amerikane?
Unë jam lindur në qytetin e Kuçovës, ndërsa prindërit e mi janë nga Zagoria. Në Kuçovë kam kaluar fëmijërinë time, arsimin e ulët dhe atë të mesëm deri në qershor të 1995, pastaj lindi nevoja për të emigruar familjarisht në Greqi. Si të gjithë të rinjtë që kanë ëndrra, objektiva e synime për jetën dhe të ardhmen e tyre, kam ëndërruar që shpejt për të studiuar dhe për t’u angazhuar në fushën e artit, të cilat i kam bërë dhe po i bëj realitet.

Nga Greqia, si u gjendët në Amerikë dhe pse pikërisht këtu?
Sigurisht, për të realizuar këto zgjodha Amerikën, duke e parë atë si vend të mundësive të mëdha dhe fillova përpjekjet për të realizuar ardhjen aty. Në shkurt të 1998 mora vizën studentore në Ambasadën Amerikane në Athinë dhe u nisa për t’u stabilizuar në Nju Jork, ku jam edhe sot. Kujtoj që fillimisht, me gjithë përpjekjet për t’u integruar shpejt, përziheshin emocionet e gëzimit të fillimit të realizimit të ëndrrave të mia, me vështirësitë e shumta të ambientimit, aq më tepër që me duhej edhe të punoja edhe studioja njëkohësisht. Shkollës dhe punës i jam përkushtuar maksimalisht në 3-4 vjetet e para të qëndrimit tim në Nju Jork. Aty ekzistonin dhe ekzistojnë dritaret e integrimit për këdo që nuk i mungon përkushtimi.

Sa e vështirë ka qenë për një vajzë që vinte nga Shqipëria, për të arritur këtë karrierë që keni ju aktualisht në Hollywood?
Ne jemi të barabartë me të gjithë të tjerët për t’u përfaqësuar dhe për të bërë karrierë, pasi cilësitë intelektuale dhe artistike nuk mungojnë. Vështirësitë nuk vijnë nga vendi që vjen, por vijnë nga faktorë të tjerë si : theksi i anglishtes, paraqitja mesdhetare, mundësitë e stabilizimit dhe ato ekonomike të cilat herë-herë mund të jenë në disfavorin tonë si emigrantë.

Cila ka qenë sprova jote e parë për të hyrë në kinema?
Dërgoja pothuajse çdo muaj CV bardh e zi dhe shkoja në audicione të ndryshme, por shpeshherë nuk fitoja. Mundohesha të mos dekurajohesha dhe pas disa muajsh përpjekjesh u zgjodha për filmin fantastiko-shkencor “Shadow Kill”, të cilin sapo e kemi mbaruar së filmuari, plot 2 orë e 30 minuta dhe presim të dalë së shpejti.
Tani keni disa role mjaft të vlerësuar, a keni menduar ndonjëherë që edhe kinemaja shqiptare mund të ketë kontributin tënd?
E mendoj jo njëherë, por gjithnjë. Sinqerisht jam shumë e predispozuar që edhe kinemaja shqiptare mund të ketë kontributin tim. Mendoj e dëshiroj të mos mbetet shpresë kjo dëshirë e imja. Së shpejti dua të realizoj lidhje me organizatat e artit në Shqipëri.
A ndihesh e vlerësuar nga artistët amerikanë për prejardhjen tënde? A je ndier ndonjëherë e diskriminuar?
Të them të drejtën në më të shumtën e rasteve duhet t’u shpjegoj për Shqipërinë dhe prejardhjen time, pasi jo të gjithë janë të familjarizuar. Them me kënaqësi në përgjithësi, se të paktën në të gjitha ambientet ku kam zhvilluar aktivitete artistike nuk njihet fjala diskriminim.

Cilat kanë qenë bashkëpunimet e tua me aktoret e mëdhenj dhe si kanë reaguar kur u ke thënë që je shqiptare?
M’u dha mundësia në festivalin e madh të filmit në Florida të takoj dhe bashkëpunoj me aktorin Michael Bailey Smith, i cili luan në filmin “Men In Black” dhe kur ju prezantova nga Shqipëria pashë një reagim dhe qëndrim normal, asnjë simptomë nënvleftësimi gjatë bisedës time me të. Në përgjithësi, bisedat që kemi pasur kanë qenë tepër inkurajuese me sensin që këtu në Amerikë, gjithçka mund të arrihet dhe realizohet, pa dallim nga vendi që vjen dhe cili je!

Pas kinemasë keni provuar edhe këngën, ishte një pasion i yt apo donit të eksperimentonit me diçka ndryshe?
Ka qenë dhe është pasion, dëshirë dhe aspak një variant eksperimentimi. Është dashuria ime dhe ëndrra më e madhe.

Single juaj i parë u shoqërua me një videoklip që pati shumë sukses, mendoni se një variant i tij do të jetë edhe në shqip?
Kam punuar për këtë këngë dhe videoklip me artistin e talentuar Brian Rund i cili më dha mundësinë dhe besoi në talentin tim në këtë projekt i cili u shoqëruar nga kompozitorët Lisa Tan dhe Andy Avitabile. Varianti i këngës “Respect Me” për momentin do të jetë vetëm në anglisht, por ju premtoj që jam duke punuar me disa këngë të tjera në shqip.
A ju josh skena shqiptare për të kënduar?

Plotësisht. Kjo do të jetë kënaqësia ime më e madhe, pra që të këndoj në skenën shqiptare dhe vetëm për publikun shqiptar.
A keni kontakte me artistë të tjera nga Shqipëria që jetojnë në Amerikë?

Mund të them pak, ndoshta edhe nga largësia. Unë jetoj në Long Island dhe më tepër kam kontakte me gazetarët shqiptarë, sesa me artistët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në planet tuaja, çfarë vendi ze Shqipëria?

Zë vendin kryesor. Siç e përmenda edhe më lart, jam duke punuar me disa këngë në shqip dhe ndoshta kjo do të pasohet me veprimtari të tjera, të cilat do të mundësojnë dhënien e kontributin tim edhe në skenën shqiptare qoftë në muzikë apo kinema.
Keni prej kohësh një imazh dhe formë trupore të kënaqshme, cili është sekreti?

Formës trupore i përkushtoj një kujdes normal, marr disa orë kërcimi dhe me kryesoja është fakti që përdor shumë lëngje, sidomos ujë. Përsa i përket imazhit tim i kushtoj kujdes maksimal dhe mundohem të jem gjithmonë në kontroll total. Garderobën e përzgjedh vetë dhe nuk më pëlqen që të ndjek modelet e reja të veshjeve, por më pëlqen t’i krijoj vetë ato. Më pëlqen stili unik.
Aktualisht jeton e pavarur nga familja?

Sigurisht. Jetoj e pavarur nga familja pothuajse prej plot 9 vjetësh.
Cili është mashkulli yt ideal dhe a e ke takuar, atë tashmë?

Gjithmonë i shmangem kësaj pyetje, por mund t’ju them shkurt, që e kam takuar mashkullin tim ideal. Është një njeri që kërkon shumë nga vetja, i pajtueshëm me mua dhe me sens humori.
A i je dikujt mirënjohës për atë që ke arritur deri tani?

Mirënjohëse i jam menaxherit dhe producentit tim John Bailey, për oportunitetin, besimin dhe inkurajimin e tij gjate këtyre viteve.


Olsi Kolami - Revista Mapo


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama