Lac vendi ku shteti quhet kaos

Lac, vendi ku shteti quhet kaos

Vrasja e një simpatizanti partiak ‘kot më së koti’ ditën e votimit nxori në shesh sesa i paadministrueshëm është qyteti i Laçit. Të mendosh paradoksin që pak dhjetëra metra më tej është policia dhe vetëm disa qindra metra më sipër është Kisha e Shna Ndout, ku i falen simbolit të mirëkuptimit e që tërheq mijëra e mijëra pelegrinë, vërtetë habitesh. Por, ky është fati i qytetit të lindur në kohën e komunizmit dhe kthyer në një makth dhe burim lajmesh ‘bombë’ për mediat e ndryshme...


Burrat shkonin e vinin. Të gjithë në ankth. Numërimi pothuaj kish mbaruar ndërsa trendi nuk mund të kthente më asgjë. Të Majtët po fitonin.


Të gjithë qëndrojnë të ankthuar. Pyesim. Asnjë përgjigje. Kërkojmë. Nuk na flasin. Në fakt, nuk e dimë se pak minuta më parë ka ndodhur sërish vrasje. Por, në Laç kjo është e zakonshme. Dhe, si ndodh në qytet e vogla apo me personazhet e Markezit të “Kronika e një vrasje të paralajmëruar”, të gjithë e dinë atë që po ndodh, por nuk mund ta ndalojnë dot. Dy vëllezër janë vrarë. Edhe vrasësi ka vdekur. Një makinë policie ngarkon shpejt do policë forcash speciale, të shëmtuar dhe aspak profesionistë në pamje. Nguten por dembelisht. Të duket se je në një qytet milionësh. Në  fakt, je në një zgëqe urbane, ku distancat kapen brenda minutash. Një gjë dihet: policia është gjithnjë disa hapa pas krimit! Qyteti vazhdon i qetë, nëse kjo mund të quhet qetësi. A mund të flasim pak?-i drejtohemi kryetares së Partisë Socialiste.

“Jo. Nuk di gjë. Nuk kam kohë”. Si nuk di, ende nuk të kemi pyetur. “Jo, nuk di”. Shikon në një plazmë, inkastruar në mur News 24 dhe rrotullohet kot. E shkurtër dhe e veshur keq, thjesht baret. Askush nga burrat nuk duket i interesuar për të. Burrat ulur në kafenë, kthyer në shtabin elektoral të PS-së, afrohen më afër njëri-tjetrit, sikur dikush po i dëgjon. Një nga kandidatët për deputet rri pak më andej. Na refuzojnë. Të gjithë.  Dhe, ai nuk dëshiron të flasë. Të gjithë: jo. Afrohet një militant, që do të na identifikojë më qartë. Kur sqarohemi edhe ai përkulet si të tjerët e më tregon një histori të  çuditshme. Përpiqet të më ndihë, por më kot: “A doni të pini gja?” Jo. “Epo atëherë e ke kot me marr vesh gja më shumë. Këtu nuk ka shtet. A kupton apo jo? Nuk kena shtet”. Po. Nuk duhet shteti. Po pse e bëni këtë dreq vend shtabi elektoral? Pse votoni? Pyetjet tona shkojnë në ajri.
...
Kanë kaluar vetëm 48 orë, por një tjetër vrasje e bën Laçin kryeqendër të lajmeve që vinë për zgjedhjet shqiptare. Incidenti i parë i ndodhur pranë ambienteve të qendrës së votimit tek gjimnazi ‘At Shtjefën Gjeçovi’, i mori jetën Gjon Gjonit, simpatizant i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në vendngjarje pllakosën politikanë, deklarata. Policia erdhi gati gjysmë ore me vonesë! Sot e kësaj dite, ende nuk ka një ndërtim të ngjarjes. Ata që ishin afër, na e shpjegojnë me pak fjalë.

Shkëmbyen fjalë. Pastaj zjarr. Patë gjë? Kush e filloi sherrin? “Ke gjë me inçizu? Ah. Jo askush. Nuk e di”. Nga një gjendje në tjetrën. Një kolegia ime e huaj më tha atë ditë se pa gjakun dhe sesi njerëzit ecnin sipër dhe madje bën humor të zi, kur më tregonte situatën, teksa një nga komisionerët u thoshte: “Situata në kontroll. Është ok”. Kë quani ok?- ia kish pritur kolegia. Kë quajmë, vallë. Kur erdhi policia në vendngjarje, identifikoi gëzhoja të kalibrave të ndryshëm dhe një armë zjarri. Paradoksi është se bashkë me militantin plagoset dhe një kandidat për deputet...E kush do t’ia dijë këtu?!

Në ditën tonë janë vrarë edhe tre syresh. Jo për zgjedhje. Nuk bën përshtypje asgjë. Të gjithë e dinë kur ndodh. Është gjendje normale kur ndodh diçka. Policët rrinë të mbledhur te Komisioni i numërimit të votave. Njëri vjen nga tutje, me dorën përpara duke mbërthyer kopsat, pas një shurrimi potencial tek një nga cepat e shkollës. Na bën të qeshim deklarata e shefit të policisë: “Fakti që është plagosur një kandidat mund të ketë lidhje me zgjedhjet”. Fabula është fare e thjeshtë, militanti i gjorë, që sot është i ndjerë, shkoi të votojë i qetë. Por, nuk e lanë militantët kundërshtarë që e dinin mirë drejtimin e votës së vet. Ky ishte fati i keq i tij. Ky është edhe paradoksi i zgjedhjeve në këtë vend. Pas konfrontimeve fizike me mjete të forta mes viktimës Gjoni dhe personave të tjerë u përfundua tek armët. Dhe, jeta u mbyll këtu për viktimën dhe ata që kërkohen....e që kurrë nuk kapen.


Ishte burrë i mirë


Tani, historia vazhdon me invers. “I shkreti ishte burrë i mirë”, më thotë pak minuta më vonë një ish-mësues. Jemi larguar nga qendra e PS-së, ku vazhdojnë e rrotullohen më kot ngeshëm burra të papunë . Edhe në mjedisin ku gjendem me mësuesin flasin me gjysmë zëri dhe mjedisi më sjell ndërmend Tropojën e viteve më parë, kur qyteti ishte jashtë kontrollit. Burrin, që e kemi takuar rastësisht ka kohë që e kanë hequr nga puna. Çapitet me një mikun e vet, pasi ka bërë pak pazar. Të mjafton t’i shikosh qesen e vogël me blerjen të kuptosh varfërinë në këtë vend. Është gati pensionist. Pse? Përkatësia politike! Epo, kështu bëhen këtu, ma pret.

Ç’ti bësh?! Po kush do t’ia dijë vallë?!Ky qytet e ka historinë shumë të shkurtër dhe ndërsa dihet se për të bërë një histori duhen shekujt për këtë qytet nuk ka nevojë, atij i mjaftojnë bëmat. Të parët që erdhën në këtë vend kishin punuar në hidrocentralin e Shkopetit. Kuptohet se ishin dibranë dhe matjanë. Uzina e re që do të ngrihej kërkonte punëtorë. Dhe, siç ndodhte në atë kohë, nuk ishte problem. Duhej një numër njerëzish dhe vendimet të merreshin lehtë. Vendoste partia shtet. Ajo i shkonte Laçit. Subjekti urban që u bë prej nevojave të shtetit, i është kthyer tashmë në bumerang shtetit shqiptar. Kurse burrat, që po flasim erdhën më vonë në vitet ’70. Emrat ? Jo. Frika, sot, është të thuash emrin. Sepse këtu ta heqin jetën. Kështu ndodh dhe me burrat.

“Ishte burrë i mirë. Nuk e di sesi u vra. Por ishte i qejfit. Ai që pi është njeri i mirë”,ma pret mësuesi. Po si u vra? “Nuk e di. Por e kanë parë vrasjen, por këtu nuk flet njëri”. Kanë të drejtë. Ende policia s’ka dalë me një version të plotë ngjarjes, ndaj kjo e bën qytetin t’i ngjajë një qyteti meksikan nga ato që të ndalohet të shkosh nëpër manualet turistikë. “Dhe, turpi! Policia është vetëm 78 metra larg, më sqaron miku i mësuesit, një ish-shef policie profesionist . Po plot 78 metra, ose hapa deri më aty”. Burri, që u vra, nuk e përjetoi dot fitoren e formacionit të tij, por pasdite njeriu që e kish nisur si një person i zakonshëm, i vdekur do kthehej në një emër të njohur kudo në botë. Si personazhi i Kadaresë, të paktën, e i vetmi ngushëllim për shpirtin e vet. Ky është edhe paradoksi i Laçit, që bëhet i njohur për gjëra që nuk ia vlejnë. Më parë historia e tij ishte histori e vërtetë, histori industriale, kurse tani është histori bëmash. Një grua na e shpjegon pak më vonë edhe më qartë ndodhinë: “Kemi dëgjuar të shtëna jashtë qendrës së votimit. Ne që ishim afër u fshehëm sepse nuk po dinim se çfarë bëhej. Na përfshiu paniku. U mundumë me ikë”.

Teksa fotografoj plehrat në një vend, ku rrjedh pak uji i një përroi në mes të qytetit, batërdisur nga plehrat sakaq, ia beh nga poshtë një rom i xhindosur. Këtu të gjithë reagojnë kafshërisht. Më bën shenja me dorë që pse fotografoj. Ia bëj me shenjë: Dua dhe mbarova. Kjo e ndez, por e shikon se nuk ka çfarë të bëjë. Të gjithë e kanë irritimin pjesë të jetës, të varfërisë, që ka pjellë çdo forcë politike. Kurse në klub, ku gjendem me burrin, që ka punuar në polici, dhe që ka bërë shumë nga specializimet e fundit te Ministria e Rendit, ndjej krenarinë e ish-policit që sqaron se tashmë pret të rikthehet në punë. Në realitet. Më përmend menjëherë të gjithë certifikatat që ka marrë dhe vendet ku ka qenë. Beson se do më habisë. Në fakt më ka xhelozuar . I pyes për ngjarjet me mësuesin. Hiç.

E rrëshqasin muhabetin. Në fakt, ndodhinë e ka paralajmëruar Ilir Meta:”Në mesnatë kam qenë në qytetin e Lezhës dhe kam vizituar disa aktivistë dhe komisionerë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilat janë sulmuar me armën dhe me mjete të forta nga banditë të Partisë Demokratike në zonën e Laçit. Po dje kam takuar Drejtorin e Policisë së Lezhës së bashku me z. Spartak Braho dhe me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, z. Hysni Burgaj, ku i kam njohur me këto zhvillime dramatike si pjesë e një skenari të dhunshëm dhe i kam kërkuar që policia jo vetëm të distancohet, por të marrë masa për të ndaluar një gjakderdhje të mundshme për sot”. Por, asgjë. Të fortët e Laçit dhe Mamurrasit (Berisha njëherë kish thënë se me djemtë e Mamurrasit...) u kanë bërë gjithë kohën presion njerëzve me prirje të majta të mos votonin dhe më keq akoma gjithçka e bënin dukshëm nën syrin e policisë dhe segmenteve të policisë dhe madje nën kupolën e lartë të policisë së Shtetit.
 
Laçi


Po është e vërtetë, më konfirmon burri që ndërkohë është gjysmë-pensionist. Kur shkëputem nga burrat dhe vazhdoj të lëviz në qytet, e ndjej se jam ngatërruar më kot. Marr pak njohuri për vrasjen por të gjitha janë veçse fjalë të mira për viktimën që e humbi jetën fare kot. Një grua më thotë se e njihte dhe e pësoi prej fatit të keq. Ajo vetë nuk votoi sepse i mjafton biznesi i saj dhe asgjë tjetër. Të kërcënuan. “Ia fusin kot. Por edhe të kërcënojnë, ma pret, pse habitesh”.


Nuk habitem dhe nuk e di si jetoni, i pëshpërit vetes. Laçi, qendra e rrethit të Kurbinit, dikur njihej me emrin Sebastë, ndërsa vendosej në kodrën përballë kishës së Shën Ndoit, ku sot ndodhen rrënojat e kalasë së Sebastës. Regjimi komunist e shpalli qytet në vitin 1959 dhe që atëherë, vendi që ishte jo larg detit dhe shumë afër malit flladitej në kohë të mira edhe nga erërat e luginës së Matit. Por, pas vitit ’90 gjithçka përfundoi. Frynë erëra ndryshimesh. Mbaroi industria dhe vendit i mbeti në dorë kaosi. Këto i kujtoj të gjitha, ndërsa vrasjen e pak minutave më parë, e marr vesh në televizor. Të mendosh jam pak qindra metra nga vendngjarja. Një kolegia ime tepër e irrituar e rrëfen lajmin e fundit nga Lezha, sikur ta ketë parë me sy. Më habit më kompetencën e saj. Jam kthyer te PS-ja. Burrat i kthejnë kurrizin Tv dhe vazhdojnë të çuçurisin në vesh të njëri-tjetrit. Konfirmohet se vrasja është pak metra tutje qendrës. “Çfarë biznesmeni? Kish do dyqane!”-ma pret dikush Nuk dëgjojmë as zhurmë, as panik, as rrëmujë.

E dimë që policët kanë shkuar zdrug-zdruq. Burrat rrotullohen në konspiracionin e tyre të pakuptimtë, kurse gratë shesin në natyrë. Shesin. Gjithçka. Qirinj, plastika, rroba të vjetra, therren lopë, shiten çikërrima, perde, gjëra industriale etj. Këtu të gjithë janë të mësuar të bëjnë vetëm këtë: të sorollaten, të shesin dhe të flasin. Laçi është i çuditshëm dhe për një fakt tjetër. Ka policë pa fund, burra të murrëtyer, gra me veshje tradicionale, pensionistë, makina të viteve të fundit, flamuj partish, karroca që kalojnë ende në qytet por askund si këtu nuk e ke butaforinë e duhur që të bësh një film për tranzicionin shqiptar...E vetmja gjë e bukur që i ka ndodhur vendit është se pas ’90 në këtë vend u ringjall pelegrinazhi i Shna Ndout, në kishën e bërë nga misionarët françeskanë në Sebaste, nën hijen e një kështjelle të vjetër mesjetare. Komunistët e kthyen në repart ushtarak vendin dhe në pjesën më të madhe territori u rrethua me tela me gjemba. Kish që bënin pelegrinazhe aty. Fshehtas.
 
Intermexo


Shën Antoni i vërtetë thuhet se iku me këmbë nga Siçilia deri në Asizi, ku jetonte Shën Françesku i madh. Kur vdiq në shekullin e XIII ishte një subjekt i madh venerimi dhe çuditërisht një aset i madh shpirtëror edhe për shqiptarët . E kam të paqartë ende sesi është bërë në Shqipëri subjekt kaq i dashur, një individ shenjtor që nuk ka qenë. Një foto e Marubit tregon se pelegrinazhi shkonte në Itali në vitet ‘30, pasi bëhej rituali shqiptar në Shna Ndo.
...
Laçi u kthye në simbol të vërtetë vetëm me atë që bënë komunistët. Superfosfati me oxhakët vetmitarë në fillim të viteve ’70 bënë imazhin e ri. Qëllimi ishte i madh dhe mbetet ende i paarritshëm. Këtu prodhoheshin superfosfatet, plehra kimike që ndihnin prodhimin vendas bujqësor. Lënda e parë vinte prej Marokut, kurse transportohej në Durrës dhe në Laç, ku dikur do stacionohej një nga stacionet më të mëdha hekurudhore në vend. Pa asnjë mëdyshje oxhaqet e stërmëdha ishin bërë simboli i vërtetë i qytetit në vend. Brezi i ri, ose këta që rrotullohen sot me makina ultra të shtrenjta, as nuk e kuptojnë dot metamorfozën e vendit për syrin e një të huaji. Të parët e këtyre të rinjve ishin thjesht bujq të varfër, që u kthyen në punëtorë që kërkonin të urbanizoheshin dhe t’i shpëtonin maktheve të fshatrave nga vinin.

Dhe, ndodhi, që në këtë vend të mbinin bujqit që do ngrinin uzinat dhe ushtarakët, që vinin prej Burreli e Dibrës, por më pas i kishe nga e gjithë Shqipëria e Jugut dhe rrinin bashkë paqësisht mirditorë, korçarë e skraparllinj e shumë të tjerë. Sot, pinjollët e tyre janë kthyer në këmbësorët që të bëjnë gjëmën. Disa ikën, kurse në masë të gjithë janë kthyer në shitës, në një pazar që fillon nga rruga kryesore shëmtuar me dendurinë e flamujve pakuptim të partive dhe që vazhdon deri poshtë. Po pse u vranë?- i them dikujt sepse ende s’di asgjë. “Sepse gjithnjë do vriten”, më thotë një grua. “Varfëria ha koka”, më shpjegon e qetë. Është aty ku bashkohen shitëse, bjerraditës, blerës, kuriozë, kalimtare të rastit, këto janë të zakonshme...
...
Mësuesi dhe ish punonjësi i policisë kanë ngut dhe duan të ikin. Nuk i ngucim më. Kthehemi dhe njëherë në qendrën e PS-së, ku të gjithë janë bërë më të pa gojë. Rrotullohen në vend dhe tashmë fabula e Markezit është fare e gjallë. Të gjithë duket se e dinin, por nuk e ndalonin, mbase. Askush nuk na e var dhe as për kortezi nuk na japin muhabet. E dinë arsyen! Vrasja e fundit që ka ndodhur për një borxh dhe pak më parë ka marrë jetën e tre njerëzve, ka të ngjarë të sjellë vrasje të tjera në qytet. Laçi është kanun e kaos, kur zgjedhjet dhe normaliteti janë të dytët...Burri që na bën shoqëri di vetëm që të ngrejë supet. Sërish shkojnë e vijnë burrat. Largohemi. Ikim. Qershori i vitit 2013.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama