La belle musique Francaise ne nje mbremje ne TKOB

TIRANË, 13 Tetor / ATSH / - Teatri Kombëtar i Operas Baletit dhe Ansambli Popullor do të sjellë këtë të mërkurë, ora 19:00 një atmosferë franceze, në një koncert me muzikë të përzgjedhur nga kompozitoret Berlioz, Faure dhe Bizet, titulluar "LA BELLE MUSIQUE FRANÇAISE".

Në interpretimin e Orkestrës Simfonike të TKOBAP drejtuar nga mjeshtri Edmond Doko, "Le Corsaire, Ouverture" nga Hector Berlioz, "Pavane" nga Gabriel Faure, dhe "Symphonie No.1" (C major) nga George Bizet, do të jenë veprat që do të intepretohen gjatë koncertit.

Hector Berlioz - Le Corsaire, Ouverture

Kompozitori francez Hector Berlioz ka shkruar një sërë overturash, shumë prej të cilave janë bërë koncerte të njohura. Ato përfshijnë overtura të Operave të ndryshme por edhe si koncerte të pavarura.

Le Corsaire u kompozua kur Berlioz ishte me pushime në Nisë, në gusht 1884. Ajo u interpretua për herë të parë nën titullin La Tour de Nice (Kulla e Nicës) më 19 janar 1845. Më vonë, u quajt Corsaire Rouge, sipas romanit të James Fenimore Cooper, The red rover. Sot, kjo vepër njihet me emrin Le Corsaire, që vjen nga poema me të njëjtin titull e Bajron.

Gabriel Faure - PAVANE

Pavane Op. 50, është një simfoni e shkruar në vitin 1887 nga kompozitori francez Gabriel Faure. Fillimisht u shkrua si një pjesë për piano por është më shumë e njohur në versionin për orkestër dhe/ose kor. Versioni orkestral është realizuar për herë të parë nën dirigjimin e Charles Lamoureux më 25 Nëntor 1888. Më vonë ajo është realizuar duke përfshirë edhe korin dhe më pas edhe me koreografi. Që në fillim Pavane ka gëzuar popullaritet të madh e interpretuar me apo pa kor. Një shfaqje tipike e saj zgjat rreth 6 minuta

George Bizet - Symphonie No.1 (C major)

Simfonia No. 1 në C major është një nga veprat e para të kompozitorit francez Georges Bizet. Kjo simfoni është dëshmi e një talenti të jashtëzakonshëm të një studenti 17 vjecar. Bizet nisi të punojë për këtë simfoni në 29 nëntor 1855 dhe e përfundoi atë pas një muaji. Ai e shkroi në kohën kur studionte në Konservatorin e Parisit, dhe duhet të ketë qënë një detyrë shkolle. Bizet nuk shfaqi asnjë interes të veçantë mbi të dhe ky punim nuk u interpretua asnjëherë për sa kohë ai ishtë gjallë. Simfonia u gjet vite më vonë dhe u interpretua për herë të parë në Basel, Zvicër në 26 shkurt 1935.

Simfonia Nr.1 nga Bizet konsiderohet si një kryevepër rinore në të njëjtin nivel me overturën "Endrra e një nate vere" dhe menjëherë u bë pjesë e repertoreve standarte romantike. Ajo u rregjistrua për herë të parë më 26 nëntor 1937 nga Orkestra Filarmonike e Londrës nën drejtimin e Walter Goehr.

Edmond DOKO - Dirigjent

Pasi studion violinë e kontrabas, vazhdon studimet në klasën e dirigjimit të mjeshtrit M. Krantja dhe mbron diplomen me Orkestrën Simfonike të TKOB (Janar 1984) në ILA, sot Universiteti i Arteve duke u vleresuar maksimalisht. Drejton e kompozon këngë, muzikë për teatër etj. Dirigjent permanent për 10 vite i Orkestres dhe Korit të Bashkisë së Korfuzit, i Filarmonise S. Samara si dhe i Orkestrës Ionio Odio (Gr) duke zhvilluar me to aktivitet të dendur koncertor në Greqi, Francë etj. Pjesëmarrës në shumë festivale ndërkombëtare si dhe drejtues i Orkestrës Filarmonike Shtetërore të Athines (KOA) dhe të mirnjohurës "Camerata". Prej vitit 2000 është dirigjent permanent i TKOB. Njëkohësisht ka drejtuar OFFA, OF të Bashkisë Tiranë dhe ka qënë drejtor artistik i 6 festivaleve të orkestrave frymore. Aktualisht është pedagog i ftuar në Universitetin e Arteve, Tiranë. Përvec realizimit të shumë koncerteve me repertor të larmishëm, ka drejtuar mbi 30 vepra skenike si opera dhe balete.

/k.m/f.n/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama