LEspresso Xhihadistet e rinj vijne nga Kosova

'L'Espresso': Xhihadistet e rinj vijne nga Kosova

Qindra luftëtarë të nisur për Irak e Siri. Dhjetëra fundamentalistë të arrestuar. 16 viktima. Një kamikaz i hedhur në erë në Bagdad. Një lider i ISIS publikon në rrjetet sociale fotot e prerjes së kokës së dikujt tjetër. Gjashtë vjet nga pavarësia, Kosova është shndërruar në një terren ushqyes për terroristët.

Të fundit u ndaluan javën e shkuar në aeroportin e Tiranës. Mentor Zejnullahu, 24 vjeç, banues në Viti, ishte gati për të marrë avionin për në Stamboll, për të shkuar më pas në Siri, ku do të bashkohej me xhihadistët. Për ta gozhduar rekrutuesin shërbyen mesazhet e shkëmbyera me rebelët e Al-Nusra-s, grupit të lidhur me Al-Kaedën. Nga Viti ishte edhe 16-vjeçari i ndaluar më 5 gusht në aeroportin e Prishtinës, edhe ai kishte të njëjtin destinacion. Tri javë më parë, një operacion i policisë së Kosovës çoi në arrestimin e 40 personave të dyshuar si xhihadistë (17 të tjerë u shpallën në kërkim). Tre u arrestuan në qershor dhe 11 të tjerë në nëntor; më të rinjtë kanë lindur në vitin 1994 dhe shumica e tyre janë më pak se 30 vjeç. 

Masakrat serbe dhe bombat e NATO -s duken tashmë një kujtim i largët. Në republikën më të re të Europës, e shpallur si e pavarur në vitin 2008, kufiri i ri është radikalizmi islamik. Dhe armiku i ri nuk janë më paramilitarët serbë si në kohën e UCK-së, por të pafetë. Kështu, në një rajon ku islami i mësuar të bashkëjetojë me besimet e tjera fetare dhe që ka treguar gjithnjë anën e tij më tolerante, thuajse 20 vjet nga lufta që çoi në shpërbërjen e mozaikut etnik të krijuar nga Tito, fondamentalizmi po tregon se i ka lëshuar thellë rrënjët e tij. Aq shumë sa mund të numërohen, sipas burimeve të “L’Espresso-s”, të pakën 20 celula terroriste aktive në rekrutimin dhe stërvitjen e xhihadistëve mes Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjës, siç po tregon aksioni që çoi në arrestimin e 16 rekrutuesve, përfshirë këtu Bilal Bosnic-un, ish-imamin e qendrës islamike të Kremonës në Itali, i konsideruar si një nga rekrutuesit kryesorë të ISIS-it. Të financuar nga organizata joqeveritare islamike, nga Arabia Saudite deri në Angli, apo deri në Turqi, këto celula janë të formuara në disa raste me ish-luftëtarë (në Kosovë nga ata të UCK-së). Ndoshta po shërbejnë si vend kyç për ta orientuar drejt Europës luftën që po bëhet në Lindjen e Mesme.

Në Prishtinë, autoritetet kërkojnë ta minimizojnë të gjithë këtë situatë. Sipas qeverisë, vullnetarët të nisur në Siri e Irak janë 43. E vështirë për ta besuar këtë statistikisht, duke marrë parasysh se viktimat janë 16. Jo rastësisht, burime të ndryshme bëjnë të ditur se mes 11 mijë të huajve që luftojnë në Siri, (mes të cilëve 2 mijë janë europianë), 300 deri në 400 janë shqiptarë, kryesisht kosovarë. Pak a shumë, të njëjtë në numër me britanikët, por me ndryshimin e madh se Kosova arrin 2 milionë banorë.

Një dëshmi e treguar edhe nga Shteti Islamik i ISIS-it: fjalimi me të cilin komandanti Al-Bagdadi u vetëshpall Kalif, u përkthye në anglisht, frëngjisht, turqisht, rusisht dhe shqip. Për më tepër, xhihadistët kosovarë po japin kontributin e tyre në këtë luftë. Në mars, Blerim Heta, i lindur dhe i rritur në Gjermani, por i kthyer në Kosovë pas luftës, u hodh në erë në një atentat kamikaz në Bagdad, duke vrarë 52 policë.

Ndërsa në internet bëri xhiron e botës figura e Lavdrim Muhaxherit, i konsideruar si komandanti i “Brigadës Ballkanike”. Pasi u drejtoi bashkëkombasve një thirrje për të marrë pjesë në luftën e shenjtë, në një video të ISIS-it që po bën xhiron e botës, dogji pasaportën kosovare si “dokument i të pafeve”.

“Unë jam vetëm mysliman”, ka thënë ai.

Pak kohë më parë postoi në Facebook një foto ku shfaqej duke i prerë kokën një djaloshi, të akuzuar se ishte spiun. Ndërsa në një foto tjetër shfaqet duke fotografuar me celular një tjetër krim të ngjashëm të kryer nga një bashkëkombas.

Dhe është pikërisht kjo e reja e kësaj situate: lufta e shenjtë po zhvillohet edhe në internet jo vetëm me video e thirrje për xhihad, por xhihadistët e rinj, të rekrutuar në mënyrë të fshehtë, postojnë pa rezerva aksionet e tyre në rrjetet sociale. Në fakt, kjo mënyrë po i ndihmon shërbimet sekrete, sepse kështu arrijnë të zbulojnë kontaktet e tyre. Gjithsesi, kur kthehen në vendin e tyre, askush nuk mund t’u kërkojë llogari. Kosova nuk ka ende ndonjë ligj që i dënon rekrutimet e terroristëve apo ata që luftojnë jashtë vendit. Një projektligj që parashikon dënimin nga 5 deri në 15 vjet për këto kategori, nuk arriti të miratohej para zgjedhjeve të parakohshme të qershorit.

Këtij paradoksi i shtohet një tjetër paradoks: si Muhaxheri ashtu edhe Heta kanë punuar në Bondstill, baza kryesore amerikane nën komandën e KFOR-it, misionit të NATO -s në Kosovë, që ka mijëra ushtarë. Dhe pikërisht qyteti i Ferizajt, (ku gjendet Bondstilli), pranë kufirit me Maqedoninë, është shndërruar në një qendër nevralgjike e rekrutimit. Veç kamikazit, 11 nga 40 xhihadistët e arrestuar vinin nga Ferizaj.

Ndoshta jo rastësisht, në këtë qytet, në hotel ‘Lion’, siç thotë një raport i shërbimeve sekrete serbe i vitit 2003, për vite me radhë organizata joqeveritare ‘Islamic Relief’, kishte rekrutuar fëmijë jetimë për të kryer atentate kamikaze.

“Ai i vullnetarëve është një problem i njëjtë për të gjitha vendet demokratike të zhvilluara”, u shpreh pak ditë më parë gjenerali Salvatore Farina, në konferencën e tij të fundit për shtyp, si komandant i KFOR-it.

Sigurisht, përqendrimi i terroristëve në Kosovë është i frikshëm. Dhe ka vënë në alarm edhe shërbimet sekrete, pasi një agjent i shërbimeve të Prishtinës u vra në Siri në fillim të vitit. Dhe gjithçka ndodh kur në vend operojnë rreth 5 mijë ushtarë të NATO-s.

Kështu, Ballkani vijon të prodhojë më shumë histori sesa mund të tresë, siç do të thoshte Churchill-i. Në Shqipëri, ku ndodhen 60 xhihadistë të identifikuar, u arrestuan 2 imamë për nxitje të terrorizmit si dhe 6 xhihadistë të tjerë, të cilët u kthyen nga Siria për t’u mjekuar nga plagët.

Nga zonat serbe me shumicë myslimane besohet se janë nisur dhjetëra luftëtarë. Më e rrezikshme situata është në Bosnjë, ku sipas shërbimeve sekrete besohet të jenë rreth 3 mijë radikalë islamikë të gatshëm për të ndërmarrë aksione. Sarajeva ka pasur edhe kamikazin e saj në Irak. Emrah Fojnica, 23 vjeç, i përfshirë në sulmin kundër ambasadës amerikane në vitin 2011.

Tani, kur në fakt duket vonë, policia po kalon në sitë qindra organizata joqeveritare islamike, të shpërndara nëpër Ballkan që prej luftës në ish-republikën e Jugosllavisë. Shumica janë sauditë, që u bashkuan me krahun humanitar për ndërtimin një morie xhamish të reja, në të cilat do të predikohej Islami më radikal i frymëzimit, si një thirrje për martirizim. Një penetrim i heshtur, veçanërisht i lejuar nga një sërë faktorësh: institucione të dobëta, situatë politike e paqëndrueshme, korrupsion, papunësi e lartë.

Shumë xhihadistë kanë marrë edhe familjet me vete në frontin e luftës. Siç ka bërë boshnjaku Ismar Mesinovic, që mori me vete edhe djalin e tij 3-vjeçar, për të cilin nuk dihet tashmë asgjë, pas vrasjes së të atit. Apo si kosovari Arben Zena, që mori edhe djalin e tij 8-vjeçar, Erionin.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama