Ky nuk eshte Hamz Kazazi

Ky nuk eshte Hamz Kazazi

Fotografia e parë shqiptare nuk i përket Hamz Kazazit/ Studiuesi Besim Fusha bën një hulumtim mbi kohën dhe çastin e shkrepjes së fotos së njohur të Pjetër Marubit…duke vënë në pikëpyetje atë çfarë është thënë deri tani në historinë e fotografisë sonë



“Nuk është e vërtetë që emblema e fillimeve të fotografisë shqiptare, datuar më 1858, mbetet Hamz Kazazi. As Hamz Kazazi dhe as më 1858”. Studiuesi dhe fotografi Besim Fusha, nëpërmjet një studimi, sjell një tjetër tablo mbi fillesat e fotografisë shqiptare, duke hedhur poshtë ato çfarë Kel Marubi, shkroi në paskopertinën e fotografisë që mbante vitin 1858 “Hamz Kazazi i Shkodrës”. Burri me fustanellën e bardhë, në portretin e të cilit dallohen mustaqet e gjata, dhe vështrimi i ulur poshtë, të çon te një tjetër personazh, te konsulli italian Mançini, që në atë kohë ka qenë në Shkodër. “Hamz Kazazi, shkodrani rebel i paraviteve ’60 të shekullit 19, nuk është personi i ekspozuar në fotografinë e njohur deri tani. Ka krahasime që e përngjasojnë portretin me konsullin italian Mançini. Se përse Mançini gjendet në fotografinë e njohur, i veshur me kostumin e tabanit shkodran nuk kërkon shumë vramendje.

 

Thjesht edhe për faktin se mundësi të tilla, ngadalë-ngadalë, u bënë servirje të gatshme edhe në brendësitë e shërbimeve fotografike”, thotë Besim Fusha. Në studimin ku ndjehen rreshtat,veshur me ngjyrat e pasionit për shkrimin dhe fotografinë, ne shohim një kronikë të kohës, mbi të cilën do të niste jetën fotografia shqiptare. Dihet që Shkodra ka qenë vilajet, një ndër katër vilajetet e trevave shqiptare të kohës osmane dhe i vetmi, së paku si kryevilajet i mbetur brenda kufijve shtetërorë pas 1913. Nuk mungonin në atë kohë dhe konsullatat. Por Fusha nuk është i bindur se koha e fotografisë përkon me kohën e ushtrimit të detyrës në konsullatë në këtë qytet të Mançinit. Në analizën që i bën portretit, Fusha thotë se Kazazi aq i ri e “buçko” nuk ka qenë as pasi la mjeshtërinë e mëndafshpunuesit, as kur komandonte ushtrinë e rregullit të qytetit, as kur udhëhoqi kryengritjen qytetare të Shkodrës, deri në luftimet e 29 korrikut 1835.

 

Janë vite këto kur Pjetër Marubi ende nuk kishte lindur. Janë po ashtu mjaft kohë përpara shpikjes së fotografisë, që siç e dimë u pranua zyrtarisht nga Akademia Franceze, në gusht të vitit 1839. Hamz Kazazi vdiq më 1860 ose 1859, pra dy vjet pas vitit të fotos ku shfaqet me portretin aq rinor, datuar më 1858. “Aq më tepër në atë periudhë, Hamz Kazazi, rebel i pandreqshëm ndaj administratës turke, ishte i internuar në Stamboll. Tetë burra të njohur të kohës datojnë të jenë internuar më 22.10.1856. Katër prej të cilëve, ndër ta edhe Hamz Kazazi, janë kthyer të gëzuar nga Stambolli në Shkodër, në pragvitin 1860, saktësisht më 7.12.1859. I takon pas tre vjet e afro dy muaj, nga ku në meskohën që flitet, datohet fotografia e ashtuquajtur emblemë e fillimeve shqiptare”, – thotë Fusha. Në dokumentet e arkivave të Stambollit thuhet kështu: “Më 22 Sefer të vitit 1273 (22.10.1856) natën e së hënës në ora dy, myderizzizët e famshëm Sali efendiu i madh dhe Sali efendiu i vogël, Ahmet efendi Kalaja, Hysen Begu, Hamz Kazazi, Hasan Agë Hoti, dhe i vëllai Osman aga dhe Halil Spahi Podgorica, të shoqëruar me disa kalorës në formë internimi, u dërguan në Stamboll…”.

 

Sipas Fushës gjykuar nga dokumente të kohës dhe kohëvendosja e Pjetër Marubit në Shkodër lë shkas për dyshime. Thuhet se Pjetër Marubi u vendos në Shkodër në vitin 1848-1849 dhe diku gjetiu, thuhet edhe 1850. Por Fusha hedh dyshime mbi faktin e përmendur shpesh të përndjekjes së tij nga Garibaldi. Gjatë hulumtimit për këtë histori në Shkodër, Fusha tregon një ndodhi me historianin Zija Shkodra, i cili ishte i bindur se në foto, nuk ishte Hamzë Kazazi. Gjithë fotot e gjetura ndër vite që mund të vërtetonin këtë dyshim, u dogjën nga Sigurimi. Të njëjtin dyshim, Fusha ngre me analizën e tij edhe në foton e dytë në fillesën e fotografisë shqiptare, atë të Leonardo de Martinos. “Fotografia portret-profil i Leonardo de Martinos, poetit arbëresh e fsheh të vërtetën. Leonardo nuk do të vendosej si objekt dhe dëshmi në fillesën e fotografisë shqiptare”, thotë Fusha. Është fotografi e 1870-s. Botohet për herë të parë e plotë në studimin e Fushës. Nga kjo plotësi është shkëputur portreti i De Martinos dhe është ekspozuar me bujë si fillesa nr. 2 e fotografisë shqiptare më 1859. Shkëputja ndodhi së pari më 1982 në albumin ‘Gjurmë të historisë kombëtare në fototekën e Shkodrës’. Portreti është shkëputur nga fotokuadrati me princin e Mirditës, Preng Bibë Doda, lindur më 1860, që sipas asaj çfarë historia ka shkruar, i bie një të ketë lindur një vit pas fotos”.


Fusha i referohet fotografisë së hershme. Një negativ në formatin 12×16 me emulsion kimikat të ngjeshur në suportin e xhamtë. Në Fototekën Marubi, pozicionohet me nr. 239-kler. Brenda kuadratit me zgjatim së larti, figurohen dy njerëz nën rroba ofiqi të zeza të dy meshkuj në këmbë. Pozicionuar të bindur nën udhëzimin kompozicional, zakonisht të fotografit. Sipas Fushës ishte ende herët që fotografia të punohej me grupim apo stafe deri edhe me regjisurë. Asokohe e përgjatë në ecurinë e fotografisë nuk mendohej për një udhëzues mendor, por veçse për ndihmës fizik. Ngaqë pajisjet fotografike peshonin së paku 24 kg…Sipas Fushës në fotografi ndodhet edhe Preng Bibë Doda. Nga shumë burime ai bindet se burri djalosh ngjitur me Leonardo Martinon është djaloshi P.B.Doda. “Shqiptarët e shumtë nuk e njohin Leonardon. Nuk i njohin vlerat e tij jetësore. Vetë ai do të habitej po të dinte pasaktësinë që i ishte vënë emrit të tij. Ne jemi mësuar të ngatërrojmë dhe të qepim medalje e merita atje ku nuk duhet”, thotë Fusha.

 

Duke aluduar dhe mbi autorësinë e shkrepësit të fotografisë ai thotë se “shkrepja origjinale nuk i përket vitit 1859, as ndonjë viti para vitit 1873, edhe pse do doja shumë ta shihja si shkrepje fotografike të Pjetërit. Veçse në një mjedis të improvizuar jo në Studion e stërthënë deri tani”. Është një histori që e kalon një pasion që është gjithë jeta e tij, ky studim i Fushës. I realizuar me seriozitetin e një profesori që kërkon të çojë deri në fund dyshimin e tij. Por në Shqipërinë ku gjërat u bënë vrullshëm sipas metodave të kohës, dhe ku hapësirat për t’u thelluar në informacion ishin të pakta, ky studim hap një tjetër alternativë për rishkrimin e historisë së fotografisë shqiptare, duke e parë dhe në këtë kënd, e duke ecur mbi faktet që ofron Fusha. Padyshim që Pjetër Marubi është një nga personalitetet me një kontribut te fillesat e fotografisë shqiptare dhe zhvillimin e saj. Atelienë e tij të parë fotografike e hapi në Shkodër pas kthimit nga Italia më 1855, duke realizuar tre vjet më vonë dhe fotografinë e parë artistike shqiptare (1858, foto e luftëtarit Hamz Kazazi) me të cilin mendohet se zë fill arti i fotografisë në vend, dhe ku sipas Fushës ka pasaktësi në brendësinë e fotografisë dhe në datimin e saj.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama