Kuvend nis seanca per kutite. Mbreme nuk u arrit kompromisi

Kuvend, nis seanca për kutitë. Mbrëmë nuk u arrit kompromisi
Mazhoranca dhe opozita nuk kanë mundur të gjejnë dot sërish një kompromis për hapjen e kutive të votimit, si mundësia e vetme për të hetuar zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit. Pavarësisht se mbledhja e djeshme e seancës plenare iu kushtua tërësisht debatit për hetimin e zgjedhjeve, deri pas mesnate nuk pati asnjë rezultat konkret, veçse fjalime pa fund të deputetëve të të dyja palëve, ku janë konfirmuar në mënyrë të përsëritur qëndrimet e tyre të mëparshme qoftë për ndryshimin e ligjit për komisionet hetimore ashtu edhe për hapjen e kutive. Por, ajo që është vënë re qartë ka qenë pozicioni i pandryshuar i kryeministrit Sali Berisha, i cili disa herë gjatë ndërhyrjeve të tij në seancë ka pohuar në mënyrë të qartë se mazhoranca që ai drejton nuk do të pranojë hetimin e zgjedhjeve sipas kërkesave të opozitës, me argumentin se një hetim i tillë bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Nga ana tjetër përfaqësuesit e opozitës në Kuvend në mënyrë të vazhdueshme i kanë kërkuar prej tij që t'i bënte thirrje arsyes dhe për të miratuar projektligjin e paraqitur prej tyre, si mënyra e vetme për të bërë një hetim të plotë të zgjedhjeve të shkuara, si dhe për t'i dhënë fund krizës politike. Thirrje që të paktën deri në orët e vona të natës kur dhe ka vijuar debati në Kuvend kanë ndeshur në veshët e shurdhër të përfaqësuesve të mazhorancës, e cila nuk ka pranuar të lëshojë pe nga qëndrimi i saj.

Berisha: Kutitë nuk i hap

Megjithëse Kryeministri Sali Berisha gjatë ndërhyrjeve të tij (pas thuajse çdo fjale të mbajtur nga deputetët socialistë) tregoi gatishmëri në hetimin e zgjedhjeve përmes ngritjes së komisionit hetimor, ai e bëri të qartë se kutitë nuk mund të hapen përmes negocimit politik. "Të ulemi, ta ndërtojmë komisionin, ky komision do të ketë veprimtari të plotë në përputhje me Kushtetutën, me shtetin ligjor, që të bëjë hetimin e plotë, natyrisht çdo votë mund të numërohet, por, sipas Gjykatës Kushtetuese, nuk mund ta bëjmë ne, kur e ndalon gjykata", - tha dje Berisha. Në këtë mënyrë, sipas tij, ligjvënësit nuk mund të shndërrohen në prokurorë për të kryer hetimin e zgjedhjeve. Sipas kreut të qeverisë, nëse opozita disponon prova për manipulimin e zgjedhjeve t'i dërgojë ato në prokurori. Megjithëse Kryeministri u shpreh disa herë se ai është i gatshëm për zgjidhjen e krizës politike, Berisha ngulmoi në qëndrimin e mazhorancës se kjo zgjidhje duhet të vijë nëpërmjet mjeteve kushtetuese e ligjore. "Unë jam për të zgjidhur krizën, sepse po jetë e kundërta nuk ua kisha dhënë shumicën. E kam ofruar me ndërgjegje të plotë. Ju do të jeni shumicë në çdo votim. Ne bëjmë një ligj që të paguajmë 100 prokurorë për të hetuar. Jam edhe unë për transparencë të plotë, por mjetet janë Kushtetuese, ju i dini mirë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, e cila thotë që Parlamenti nuk mund të hetojë apo shqyrtojë vendimet e saj. Deputetët nuk mund të bëhen prokurorë. Është rasti për të bërë komisionin në të cilin ne nuk do të shkruajmë qoftë edhe një fjalë të vetme që të jetë në kundërshtim me Kushtetutën", - u shpreh ai. Berisha shtoi se opozita nuk duhet ta shndërrojë çështjen e transparencës në një gjyq publik, duke akuzuar komisionerët e saj për krim elektoral dhe manipulim të zgjedhjeve.

PS: Hetimi për proces verifikimi

Pas qëndrimit të Kryeministrit Berisha, opozita reagoi me anë të deputetit Pandeli Majko. Sipas tij, hetimi parlamentar nuk është njësoj si hetimi i prokurorisë dhe si i tillë, sipas Majkos, puna e komisionit synon vetëm të kryejë verifikimin e zgjedhjeve. Kjo kërkesë e opozitës, sipas deputetit socialist, bëhet me qëllim që të garantohet liria e zgjedhjeve të ardhshme. "Nëse ne do të vinim në diskutim Kushtetutën, atëherë ne nuk do të vinim për të diskutuar. Hetimi parlamentar nuk është i barasvlershëm nga ai i Prokurorisë, të dyja janë hetime, por nuk janë njëlloj. Hetimi parlamentar do të jetë vetëm një proces verifikimi. Ne po përpiqemi që të mos lidhim procesin hetimor me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Është prekur fondamenti i mirëbesimit ndaj njëri-tjetrit. Zoti Berisha ne nuk duam të penalizojmë askënd, nuk ka të bëjë me çuarjen në prokurori të askujt... ", - tha Majko. Por, sipas Berishës, transparenca nuk duhet të "lyhet" me bojë të zezë, duke shkelur vendimet e gjykatave. Qëndrimi dhe ndërhyrja e shpeshtë e kryeministrit Berisha duke replikuar me deputetët e opozitës, çoi në reagimin e kreut të grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçit. Sipas këtij të fundit, vendi është në krizë politike dhe për këtë mazhoranca duhet të tregohet e ndërgjegjshme, duke mos provokuar deputetët e opozitës.


Berisha - PS-së: Në '97-ën pushtetin ua dhashë unë

Gjatë replikave të vazhdueshme me deputetët socialistë, Kryeministri Sali Berisha i është adresuar edhe viteve të shkuara, konkretisht vitit '97, duke theksuar se kishte qenë ai që ua kishte dhënë pushtetin socialistëve, pasi ata nuk do ta merrnin kurrë nga votat e shqiptarëve. Ky reagim i Berishës erdhi pas apelit të deputetit të PS-së, Bashkim Fino, që mazhoranca dhe vetë lideri i saj t'i thërrisnin arsyes, sepse po e dërgojnë vendin si në vitet '97-të, duke i kujtuar Berishës se kësaj here nuk do të ketë ndihmën e socialistëve për të dalë nga situata politike që është krijuar. Fino vuri në dukje se fakti që nuk pranohet hapja e kutive vjen vetëm nga kundërshtimi personal i Berishës dhe jo i deputetëve të mazhorancës apo vendimeve të gjykatave. "Jeni përpara një humnere dhe kësaj here nuk do të mund të ta merrni me vete Shqipërinë. Nuk duhet të bëni shurdhin ndaj zërit të arsyes, mos e bëni këtë gjë, sepse nuk keni kohë që të lani mëkatin e radhës. Zoti kryeministër, ne e dimë se ju jeni arsyeja pse nuk hapen kutitë, nuk janë as gjykatat, as deputetët e mazhorancës. Hap kutitë që të shpëtosh nga kurthi ku ke rënë. Nuk kërkojmë të marrim pushtetin, por që nesër asnjë pushtet të mos ngrihet mbi korrupsionin elektoral... ", - tha Fino. Por, Kryeministri Berisha u kundërpërgjigj, duke sjellë në vëmendje, se ishte ai që ua dha pushtetin socialistëve në vitin 1997, pasi në të kundërt, sipas tij, opozita aktuale nuk kishte për të ardhur në pushtet. Berisha theksoi se ishte vetë Fino që braktisi detyrën. "Në kulmin e krizës desh ia mbathi, i dërgova rojet e mia për ta mbajtur... Pushtetin ua dhashë unë po ku merrnit pushtet ju, provoni '97-ën që nesër. Në '97-ën ua dhashë unë pushtetin, sepse ju nuk e merrnit kurrë. Ja ku jam dhe sot këtu. Ata që erdhën në pushtet shfrytëzuan të gjitha paratë e piramidave për t'u pasuruar. Pse besoni në marrëzitë e njëri-tjetrit dhe kujtoni se ju besojnë shqiptarët. Ku ke prapanicë të më thuash mua, harroje kohën e Gjolekës. Shqiptarët më duan se këdo tjetër. Ku e gjeni këtë urrejtje, një herë ua dhashë unë pushtetin, po ku e merrnit dot ju, kuptojeni mirë ua dhashë unë pasi shqiptarët nuk ju kanë votuar juve dhe nuk ju votojnë juve", - u shpreh Berisha. Por në replikën e tij, Fino i ka vënë në dukje Kryeministrit Berisha se ishte ai shkaktari i trazirave dhe rënies së shtetit më vitin 1997 dhe se nga gjithë situata e krijuar nuk dilte dot nga selia e Presidencës. Replika e Berishës ka vijuar dje edhe me kryetarin e PBDNJ-së, Vangjel Dule, sërish lidhur me zgjedhjet. Pavarësisht replikave dhe seancës maratone që vijoi deri pas mesnate, pozita dhe opozita mbetën në qëndrimet e tyre, sa i takon zgjedhjeve të 28 Qershorit.


Debati i djeshëm në Kuvend

Sali Berisha: ...Nuk keni nxjerrë edhe një komisioner të vetëm që të ketë thënë se është manipuluar.

Pandeli Majko: Zoti Berisha ne nuk duam të penalizojmë askënd, nuk ka të bëjë me çuarjen në prokurori të askujt. Ju e bëtë një herë "golin" me dorë, mos vazhdoni ta bëni sërish në zgjedhjet e ardhshme "golin" me dorë.

Berisha - Majkos: Kur nuk përmende këtu krim elektoral, duket që fjalimin nuk e ke të përgatitur. Të akuzosh për krim, kur ky proces ishte më transparent, është ta lyesh me bojë të kuqe.

Ruçi - Berishës: Mos bëni karagjozllëqe, e ta ktheni seancën në shfaqje të keqe, në vend të një debati. Të dua, apo s'të dua unë, të duam apo s'të duam ne, ne kemi kulturën të të drejtohemi zoti Kryeministër. Këmbët mbaji në tokë, mendjen në kokë, Shqipëria është në krizë dhe kjo përgjegjësi është tek ju, ne jemi këtu për të negociuar. Ju që do flisnit i fundit guxoni të flisni i pari për t'u mbyllur gojën socialistëve. Ne kemi ardhur për të diskutuar me seriozitet. Mungesa e zgjidhjes është vetëm mungesa e vullnetit politik. Jo pas çdo deputeti, ju të replikoni.

Jozefina Topalli: Në bazë të Kushtetutës, Kryeministri mund ta marrë fjalën kur të dojë. Më keni sjellë listën këtu me 56 deputetë, duke më bërë të shkel rregulloren. Kam futur 56 vetë këtu dhe të 56 do të flisni.

Valentina Leskaj: Është një e drejtë kushtetuese, është një e drejtë e përdorur në vitin 2005 dhe nuk e di se çfarë motivi do të ketë, nëse nuk bëhet në vitin 2009. Kemi edhe 9 qarqe që nuk kanë pasur punë me gjykatën. Në çdo qark do të gjenim nga një "Ruzhdie".
Sali Berisha: Juve ju ka mbetur ora tek kutia, kurse ora ime është tjetërkund. Pse doni të krijoni një realitet që nuk është? Unë jam këtu për të dëgjuar ju, por nëse secili del këtu dhe i bën gjyqin Kryeministrit, sigurisht që unë do të bëj avokatin.

Fino - Berishës: Jeni përpara një humnere dhe kësaj here nuk do të mund ta merrni me vete Shqipërinë. Nuk duhet të bëni shurdhin ndaj zërit të arsyes, mos e bëni këtë gjë, sepse nuk keni kohë që të lani mëkatin e radhës. Një vend që ka 20 vjet në liri dhe nuk ka mundësi të normalizohet. Mos shpresoni shumë në dashurinë afatgjatë. Shqipëria po qeveriset nga një parti që ka fshehur në votat e saj edhe kutitë e votimit. Sot është fillimi i fundit të pakthyeshëm. Sa më shumë të mbash peng votën e lirë aq më shumë do të mbetesh peng i asaj që ke krijuar vetë. Nëse nuk do ta bëni vetë do ta bëjë vetë populli.

Berisha - Finos: Lavdinë e pate në kohën time, po ia mbathe, ke nga ata që kanë ikur me rroba grash në kohën time... Urrejtja dhe fanatizmi janë në genet tuaja ideologjike. Përmende Enver Hoxhën, ti ke genin e tij. Nëse do të qëndrosh në skemën e urrejtjes, nuk mund të më impresionosh. I pari që do të dalë të kërcënojë këtu do të detyrohet që t'ia mbathë dhe ka nga ata këtu që ia kanë mbathur me rroba grash. Nëse mendoni se do ta zgjidhim me konfrontim, keni bërë zgjedhjen më fatale për veten tuaj... Në kulmin e krizës desh ia mbathi, i dërgova rojet e mia për ta mbajtur. E thirra unë, pse e lashë, pushtetin ua dhashë unë po ku merrnit pushtet ju. Provoni '97-ën që nesër. Në '97-ën, ua dhashë unë pushtetin, sepse ju nuk e merrnit kurrë. Pse besoni në marrëzitë e njëri-tjetrit dhe kujtoni se ju besoni se ju besojnë shqiptarët. Ku ke prapanicë të thuash mua, harroje kohën e Gjolekës. Shqiptarët më duan më shumë se këdo tjetër... Ku e gjeni këtë urrejtje, një herë ua dhashë unë pushtetin po ku e merrnit dot ju, kuptojeni mire, ua dhashë unë, pasi shqiptarët nuk ju kanë votuar juve dhe nuk ju votojnë juve. Dole këtu jo si Kryeministër, por sikur të ishe nipi i Enver Hoxhës, mos urre këtu. Parlamenti është tempulli i dialogut. Urrejtjen mbaje në skutat e ndërgjegjes tënde.

Fino - Berishës: Ishin shpifje dhe trillime për ato që the. Unë nuk urreva njeri këtu. Ju dilni i humbur këtu, në këtë debat. Pse unë e rrëzova shtetin? Unë e shkërmoqa shtetin? Ti e rrëzove për 24 orë. Bandat e kishin punën me ty dhe rrije mbyllur në presidencë, dhe kur qaje që të mbante kokën Spartak Ngjela. Unë kam gjuhën e bashkëpunimit dhe pajtimit kombëtar.

Vangjel Dule:Komisionet hetimore kanë qenë gjithmonë një histori dështimi për ne. Prej nesh sërish do të kërkohet ndryshim i Kodit Zgjedhor dhe ky është një detyrim nga raporti i OSBE/ODIHR-it. Doktor Berisha si do t'i jepnin ju recetën një pacienti pa e vizituar. Ndaj si mund të gjejmë ne cilat ishin problemet e këtij procesi zgjedhor pa hapur kutitë. Nuk kërkohet prej askujt ndryshim i rezultatit zgjedhor, nuk kërkohet nga askush rinumërim votash për shpërndarje mandatesh, nuk kërkohet të ndikohet në vendimet e gjyqësorit. Kërkohet të shohim të gjithë si dhe në çfarë mënyre u numërua keq dhe shumë keq, të shihet se në çfarë mënyre u tjetërsua vota e shqiptarëve...

Sali Berisha:Garantoj qytetarët se kjo mazhorancë është e vendosur për një transparencë të plotë në çdo qelizë, në çdo akt, në çdo proces të zgjedhjeve të 28 qershorit. Për këtë nuk asnjë dyshim. Sikundër mbetemi të vendosur për një transparencë totale, mbetemi po kaq të vendosur për një respekt të plotë ndaj Kushtetutës, respekt të plotë ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe pushtetit gjyqësor. Nëse mendojmë se ky parlament mund të marrë të gjitha atributet, të gjitha pushtetet kjo do të ishte një hata e madhe për këtë vend. Ajo që më çudit mua që në një kohë që ne ju ofrojmë rrugën e transparencës unë konstatoj që kjo nga ju nuk dëshirohet. U përdor transparenca vetëm si një motiv për të maskuar një qëllim tjetër që nuk ka të bëjë me këtë mazhorancë... Doni ju të hapni kutitë? Absolutisht nuk kam asnjë kundërshtim, por urdhëroni që të respektojmë Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ah, jo nuk mundet që pa pasur asnjë provë të akuzosh gjithkënd. A është parë kund kjo. Jua thashë edhe një herë më sillni një komisioner që të dëshmojë se nga kush është korruptuar dhe nga kush ka marrë lek. Ju keni shpërndarë nëpër botë shifra ku tregon se dhjetëra qendra votimi opozita ka marrë zero vota. Por unë ju them se ju mashtroni se rezultatet e KQZ-së japin një tjetër panoramë. Ju këto shifra i çuat në Strasburg, se kjo tabela, më erdhi nga Strasburgu...

Vangjel Dule: Është e qartë se transparenca duhet bërë dhe ajo nuk do bëhet për një palë dhe jo për një tjetër. Transparenca duhet ta provojë nëse PS-ja ka të drejtë. Ndaj, hajt ta bëjmë këtë transparencë për të mos rrahur ujë në hava. Prisja një përgjigje. Nëse ju jepni ilaçe pa bërë vizitën, nëse po atëherë hajt dhe ne miratojmë ligje si doni ju.

Sali Berisha:Nuk doja të flisja për mjek, por me që po ma kërkoni hajt se po ua them se simulanti nuk operohet kurrë.

Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama