Heye Osterwald është prift i Kishës evangjeliste luterane në Kaliningrad, dhe kujdeset për këtë projekt. "Në një qytet të madh si Kaliningradi problemet sociale vazhdojnë të jenë të njëjtat, edhe nëse vitet e fundit ka patur rritje ekonomike. Megjithatë çështja është se disa, dhe këta disa nuk janë pak, nuk përfitojnë prej saj. Çmimet rriten, ritmi i punës bëhet më e shpejtë, familjet nuk mblidhen më bashkë. Dhe të dobëtit mbeten në fund, në shumicën e rasteve këta janë fëmijët."
Babai pi, nëna vuan nga depresionet, fatet individuale të fëmijëve të Jablonkës janë të ndryshme. Por në këto salla të ngritura me kontanierë, në një fushë të vogël mes pallateve parafabrikate sovjetike, fëmijët kanë gjetur një vend ku të luajnë, të bëjnë detyrat ose të flenë, si për shembull nëntëvjeçarja Dascha. Ajo nuk ka prindër dhe mund të shkojë herë pas herë të flejë tek gjyshja. "Unë ndihem këtu si në shtëpinë time. Më pëlqen të rri këtu dhe merrem vesh mirë me kujdestaret."
Për Dashën dhe fëmijët e tjerë Jablonka është një vend i qetë në të përditshmen e zhurmshme të jetës së qytetit. Qyteti nuk i jep më ndihma financiare kishës. Organizatat joqeveritare, ndër të cilat bën pjesë edhe Jablonka, nuk do të përkrahen më në të ardhmen nga shteti rus për shkak të mungesës së ligjeve. Qyteti investon më mirë në institucionet shtetërore.
Alexander Musevich, është zëvendëskryetar i Këshillit të Qytetit të Kaliningradit. Ai thotë: "Ne kemi bërë një lloj pune atje, si me institucionet publike ashtu edhe me biznesmenët e Kaliningradit. Por familjet nuk mund të zëvendësohen as me ndihma të mëdha financiare për ushqimin, veshjen dhe shkollimin e fëmijëve. Prandaj guvernatori dhe qeveria vendosën vitin e kaluar uljen e numrit të fëmijëve jetimë duke gjetur për ta familje adoptive.
Kështu 170 fëmijë nga Kaliningradi jetojnë në prindër që i kanë adoptuar. Përvec kësaj qyteti ka ngritur një qendër rehabilitimi me 80 vende për të rinjtë e droguar.
I lëmë këto pamje të trishtuara të proceseve transformative dhe shkojmë aty ku ka shpërthyer gëzimi. Ky është viti i tretë ku vendet fqinjë Polonia, Lituania dhe Gjermania mblidhen në festivalin e muzikës Jazz në Kaliningrad. Jazzi është duke u luajtur në një fushë të lirë pas një kishe të vjetër, Kisha e Louisen. Drejtori i festivalit Andrej Karachinov është shumë krenar që ka krijuar këtë festival pa ndihmën financiare të Moskës. "Moska dha përkrahje, por jo financiare. Në këtë mënyrë ne përpiqemi të përshtatemi për grupet muzikore nga hapësira evropiane e Detit të Veriut. Ne duam të kthehemi në qytet evropian, edhe nëse nuk mund të arrijmë nivelin evropian? "
Nivel evropian duan të arrijnë edhe studentët e Institutit ndërkombëtar Klaus-Mehne. Mësimi zhvillohet në gjuhën gjermane dhe studentët kanë ardhur nga të gjitha anët e Rusisë dhe nga vende të tjera. Këtu mësohet për politikën evropiane, të drejtën evropiane, ekonominë dhe kulturën. Ne qendër ndodhen marrëdhëniet midis Rusisë dhe Gjermanisë. Studenti Igor Vidmyeh mendon se kjo është tradita e këtushme: "Në Kaliningrad ka më shumë liri se në Rusinë mëmë. Njerëzit këtu mendojnë më shumë si evropianët."
Kënigsbergu (Kaliningradi) ishte qyteti i parë gjerman që gjatë Luftës së Dytë Botërore u pushtua nga Ushtria e kuqe. Trashëgimia gjermane shihet ende në qytet. Shumë ndërtesa janë duke u shkatërruar, disa të tjera – si Katedralja e Kënigsbergut – janë restauruar. Për rusët e rinj, si Pavel Kuryatnikov, Kaliningradi është një vend i veçantë. "Eshtë interesante të shohësh ndërtesat e vjetra prusiane, si për shembull Bashkinë, krah parafabrikateve ruse. Ky është një kontrast që të bën të mendohesh. Çfarë arrijmë ne me historinë tonë dhe me veten tonë."
Daniel Scheschkewitz (DW)











