Kush ishin 14 pilotet e pare shqiptare

Kush ishin 14 pilotët e parë shqiptarë

I lindur në Leskovik, Xhelili përfundoi shkollën për pilot në Gjermani për interes të Turqisë. Gjatë Luftës së Parë Botërore ai ishte një nga pilotët më të mirë të aviacionit ushtarak turk. Ai u kthye në Shqipëri pas përfundimit të luftës dhe gjatë asaj kohe ai mbahet mend për fluturimet që kryente me 2 avionët italianë të mbetur në Vlorë që në vitin 1920. Por, me gjithë përpjekjet e Qukut dhe Xhelilit, aviacioni ushtarak nuk u ngrit dot pasi qeveria shqiptare e asaj kohe ishte shumë e dobët dhe nuk kishte mundësi për të krijuar as edhe një hangar ku mund të qëndronin avionët. Këtë fakt e tregon edhe një dokument zyrtar i datës 9 shtator 1921, ku ministri i Luftës, Selaudin Shkoza, shprehte shqetësimin se "tash për tash s'mundena me ble aeroplana...".

Krijimi i aviacionit shqiptar

Forcat Ajrore nuk arritën të krijohen faktikisht, kurse ligjërisht ato ishin krijuar. Pasi në vitet ‘30 Ahmet Zogu me anë të të tre dekretligjeve të u miratuar në vitet 1931, 1934 e 1937 kishte sanksionuar me ligj formimin e aviacionit shqiptar. Dita e parë e lindjes së tij u shënua 24 vjet më vonë, më 24 prill të vitit 1951, kur piloti shqiptar Peço Polena fluturoi me një avion të shtetit shqiptar. Sipas arkivave të Ministrisë së Mbrojtjes, reparti i parë ushtarak i aviacionit u krijua në Tiranë në vitin 1951, në Aerodromin e Lapurakes, dhe në skuadriljen e parë shqiptare ishin 14 pilotë shqiptarë, komandant i saj ishte piloti i famshëm Babaçe Faiku, i cili u bë më vonë edhe piloti i parë i avionit qeveritar të asaj kohe. Të gjithë pilotët e asaj periudhe u diplomuan në akademitë ushtarake në Bashkimin Sovjetik. Më pas në vitin 1955 u krijua në Kuçovë Regjimenti i Parë i Aviacionit Reaktiv. Ai u pasua më pas me krijimin e Repartit të Transportit Ushtarak në Tiranë, Regjimentin e Rinasit, Shkollën e Aviacionit, Regjimentin e Helikopterëve dhe Regjimentin e Gjadrit. Gjatë gjithë historisë së aviacionit shqiptar që nga krijimi i tij zyrtar në vitin 1951 kanë rënë në krye të detyrës 37 pilotë. Piloti i fundit i rënë është Jani Tarifa, i cili mbeti i vrarë pas rënies së avionit të tij luftarak MIG-19, në shtator të vitit 2004. Menjëherë pas vdekjes së Jani Tarifës, ministri i Mbrojtjes i asaj kohe pezulloi të gjitha fluturimet me avionët reaktiv dhe avionët e tipit MIG-19, të cilët më pas, në vitin 2005 dolën jashtë përdorimit.

Pilotët më të famshëm shqiptarë

Mes të gjithë pilotëve shqiptarë, dy mund të quhen më të famshëm. I pari është aktori i madh me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiu. Gjatë Luftës së Parë Botërore ai ishte ushtar i thjeshtë në ushtrinë austro-hungareze. Më vonë ai u bë pilot i një avioni zbulimi. Gjatë një fluturimi vëzhgues ai u rrëzua në territorin armik në Francë dhe u burgos. Por pas gjashtë muajsh ai arrin të arratiset nga burgu dhe kthehet në Gjermani. Kjo ishte edhe eksperienca e fundit e aktorit të madh me pilotimin e avionëve. Por piloti shqiptar që u bë i famshëm në botë dhe ngjiti të gjitha majat e karrierës së tij, është padyshim Shemsi Tahiri. I lindur në vitin 1914 në Tepelenë, Shemsi Tahiri u diplomua shkëlqyeshëm në Liceun e Gjirokastrës dhe arriti të fitojë të drejtën për të studiuar në Akademinë e Forcave Ajrore të Italisë. Pas mbarimit të shkollës, meqë në Shqipëri nuk kishte aviacion ushtarak, ai emigron në Angli ku fluturoi për shumë vjet deri sa mori titullin Pilot i Klasit të Parë. Në Luftën e Dytë Botërore ai ishte një nga pilotët më të mirë Forcave Ajrore Britanike, ku mori medalje të ndryshme dhe mori edhe dekoratën "Kryqi i Artë", me e larta kjo e dhënë në Britaninë e Madhe. Pas përfundimit të luftës ai kërkohet nga mbreti i Arabisë Saudite si pilot i avionit të tij personal.

14 Pilotet

komandanti babaqe faiku
komisari
vasil trasha
peco polena
thanas gjinkuri
elmaz hasanmataj
haki jupasi
masar aga
hektor lako
irakli grazhdani
hasan shyti
lulo musaj
vasil qeraxhi
sazan xhelo
refat kasimati

Aleksandër Moisiu
Aktori i madh me origjinë shqiptare gjatë Luftës së Parë Botërore ishte ushtar i thjeshtë në ushtrinë austro-hungareze dhe më vonë u bë pilot i një avioni zbulimi të po kësaj ushtrie. Gjatë një fluturimi të tij në Francë, avioni i tij rrëzohet dhe aktori i njohur kapet rob dhe burgoset për 6 muaj. Më vonë Aleksandër Moisiu arrin të arratiset dhe të kthehet në Gjermani.

Shemsi Tahiri
Lindi në vitin 1914 në fshatin Turan të Tepelenës. Shemsi Tahiri u diplomua në Akademinë e Forcave Ajrore të Italisë. Më pas ai emigron në Angli, ku gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte një nga pilotët më të mirë Forcave Ajrore Britanike, dhe për këtë iu dha edhe "Kryqi i Artë". Pas përfundimit të luftës ai bëhet pilot i avionit të mbretit të Arabisë Saudite. Vdiq në vitin 1967.

Faik Quku
Lindi në qytetin e Shkodrës, në vitin 1895. Në vitin 1918 diplomohet në Akademinë Ushtarake Harbie, Stamboll, Turqi dhe më pas në vitin 1921 vazhdon Akademinë Ushtarake të San Sirit në Paris të Francës për pilot. Pas përfundimit të akademisë kthehet në Shqipëri ku bën përpjekje për të ngritur aviacionin shqiptar, por pa mundur ta realizojë dot.

Stefan Xhaja
Lindi në Elbasan në vitin 1900. Pas përfundimit shkëlqyeshëm të shkollës së mesme në Selanik të Greqisë ai hyn në Akademinë e Aviacionit për pilot ushtarak. Pas diplomimit ai qëndron në Greqi, ku bëhet një nga pilotët më të mirë. Stefan Xhaja vdiq në një aksident ajror më 30 prill 1930, në Greqi.

Avni Xhaxhuli
Lindi në Leskovik në vitin 1890. Në vitin 1912 diplomohet në akademinë ushtarake për pilot në Gjermani dhe më pas deri në vitin 1917 piloton për forcat ajrore turke. Pas kthimit në Shqipëri, në vitin 1917, bëhet një nga nismëtarët për ngritjen e aviacionit shqiptar.

Hysen Borovina
Lindi më 19 maj 1922 në Prishtinë. Në moshën shtatë vjeçare familja e tij vendoset në Shqipëri. Në vitin 1943 diplomohet në Akademinë e Aviacionit në Itali. Hysen Borovina dha një ndihmesë të madhe në krijimin e aviacionit shqiptar pas çlirimit.

Aerodromet shqiptare

Aerodromi i Tiranës
U ndërtua pranë Kroit të Shën Gjergjit në vitet '30. Ai ishte një aerodrom modern, me dy hangarë të mëdhenj, konstruksion metalik për strehim të avionëve, me pistë betoni për ulje dhe ngritje, i elektrifikuar për fluturime natën dhe i kanalizuar në mënyrë të përsosur.

Aerodromi i Shijakut
Atë e quanin ndryshe Fusha e Belikut, u ndërtua gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndodhej në perëndim të qytetit, pranë fshatit Sleimaj. Ai përdorej për avionët bombardues. Aerodromi kishte një ofiçinë për riparime të vogla të rastit. Nuk kishte pistë betoni dhe fluturimet kryheshin në fushë.

Aerodromi i Shkodrës
Ndodhej në veri-lindje të qytetit, në Vukshqeraj dhe në livadhet e Sulçe Bej Bushatit, sot fusha e Shtojt. Aerodromi kishte një shesh të vogël të betonuar për vendqëndrim, ai u ndërtua nga italianët në vitin 1940. Nuk kishte asnjë ambient të nevojshëm dhe përdorej vetëm në ditë të caktuara për transport pasagjerësh.

Aerodromi i Kukësit
Ndodhej në mes të rrugës Kukës-Bicaj dhe të fshatit Shtiqen. Ulja dhe ngritja e avionëve kryhej në fushë të gjelbër. Ambientet e tjera mungonin tërësisht. Aerodromi i Kukësit u ndërtua gjatë Luftës së Dytë Botërore nga italianët.

Aerodromi i Korçës
Shtrihej në jug të qytetit dhe në perëndim të fshatrave Mborje e Drenovë. Ai përdorej kryesisht për transport pasagjerësh, por i mungonin ambientet përkatëse për këtë funksion. Ulja dhe ngritja e avionëve kryhej në fushë të gjelbër. Aerodromi i Korçës u ndërtua nga austro-hungarezët gjatë Luftës së Parë Botërore.

Aerodromi i Gjirokastrës
Ndodhej midis qytetit dhe fshatit Paleokastër, pranë fshatit Ronaj. Përdorej më shumë për transport. Ulja dhe ngritja bëhej në fushë të gjelbër dhe mjediset e tjera mungonin. Aerodromi i Gjirokastrës u ndërtua gjatë Luftës së Dytë Botërore nga italianët.

Aerodromi i Vlorës
Shtrihej në perëndim të qytetit. Mungonin mjediset e përshtatshme si dhe pista e betonit. Po në këtë qytet, pranë vendit të quajtur "Uji i Ftohtë" gjendeshin ndërtesat e aviacionit dhe ofiçina për riparimin e hidrovolanteve që bazoheshin në det aty pranë. Ai u ndërtua nga italianët në vitin 1920.

Aerodromi i Rinasit
Është një nga aeroportet më modernë në Shqipëri. Ai u ndërtua në vitin 1954, dhe funksioni i tij ishte si aerodrom ushtarak. Më pas Aerodromi i Rinasit u kthye edhe në aerodrom për uljen dhe ngritjen e avionëve civilë.

Aerodromi i Kuçovës
U ndërtua në vitin 1954 dhe është një aerodrom ushtarak. Në të u vendos komanda e Regjimentit të Parë të Aviacionit Luftarak Reaktiv. Komandant i parë i këtij regjimenti ishte piloti i njohur Niko Hoxha.

Aerodromi i Gjadrit
Aerodromi i Gjadrit është ndërtuar në vitin 1975. Ai është aerodromi më i ri i ndërtuar në Shqipëri. Aerodromi i Gjadrit u ndërtua për uljen dhe ngritjen e avionëve ushtarakë dhe ishte një nga më modernët e ushtrisë shqiptare.


Armand Jonuzi -TiranaObserver


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama