Kur motrat e Zogut kujdeseshin per sportin artet dhe turizmin

Kur motrat e Zogut kujdeseshin për sportin, artet dhe turizmin
Krahas strukturave përkatëse që ndodheshin në organikat e dikastereve kryesore të qeverive të asaj kohe, si dhe federatave e enteve të ndryshme që kishin si detyrë funksionale masivizimin, zhvillimin dhe përhapjen e sporteve, turizmit dhe arteve në përgjithësi, për mbarëvajtjen e tyre në atë kohë kujdeseshin dhe vetë motrat e Mbretit Zog, princeshat Myzejen, Maxhide dhe Ruhije. Madje jo vetëm kaq, por pas viteve ‘30-të ato u quajtën Patronate (kujdestare) të Larta të Sporteve, Turizmit, Automobilizmit dhe Arteve të Bukura, duke i ndarë përkatësisht në këtë mënyrë: princesha Myzejen kishte në kujdestari të gjitha sportet, princesha Ruhije, artet e bukura dhe princesha Maxhide, Entin Kombëtar të Turizmit dhe Automobilizmit të mbretërisë shqiptare.

Si rrjedhojë e kësaj kujdestarie që ato kishin marrë për sportet, turizmin dhe artet e bukura, gjatë periudhës së monarkisë së Zogut, bënë një punë të madhe për zhvillimin dhe përhapjen e tyre. Në saj të kujdesit të tyre, në atë kohë u zhvilluan mjaft aktivitete, manifestime dhe spartakiada të mëdha kombëtare, sidomos ato me rastin e jubileve të 28 nëntorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, apo themelimit të mbretërisë shqiptare. Jo vetëm që princeshat Myzejen, Maxhide dhe Ruhije ishin të pranishme pothuaj në të gjitha aktivitetet e mëdha kulturore, artistike dhe sportive që zhvilloheshin gjatë atyre viteve në Tiranë, por ato shpesh herë ndërmerrnin udhëtime edhe në rrethe të tjera të vendit ku kishte aktivitete, si në Durrës, Shkodër, Elbasan, Korçë, Vlorë, e deri në qytezat e vogla të vendit nga jugu në veri. Madje, motrat e Zogut në ato vite patën ndërmarrë edhe disa udhëtime jashtë Shqipërisë, për t‘u njohur dhe për të marrë përvojë nga shtetet më të përparuara të Perëndimit. Si rezultat edhe i kujdesit dhe punës së tyre në zhvillimin e përhapjen e sporteve, kulturës dhe arteve të bukura, në ato vite pati një hop të ndjeshëm në këto fusha dhe Shqipëria krahasohej, apo mund të konkurronte me dinjitet, jo vetëm me shtetet fqinjë të Ballkanit, si Jugosllavia, Greqia, Mali i Zi, Bullgaria etj., por edhe më gjerë, me shtete të ndryshme të Evropës. Në këtë drejtim, në ato vite sportet në përgjithësi patën një zhvillim të ndjeshëm, ku dalloheshin futbolli dhe atletika, që zhvillonin kampionate të rregullta. Madje jo vetëm kaq, por gjatë asaj periudhe kohe futbollistët dhe atletët shqiptarë zhvilluan një sërë takimesh, turnesh dhe aktivitetesh ndërkombëtare zyrtare dhe miqësore, si brenda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë. Janë të njohura tashmë takimet dhe ndeshjet ndërkombëtare të futbollit si në rang klubesh, ashtu dhe të përfaqësuesve së Tiranës dhe kombëtares shqiptare gjatë atyre viteve, që u ndeshën me mjaft ekipe të huaja nga Mali i Zi, Serbia, Italia etj., duke zhvilluar ndeshje mjaft të bukura.

Po kështu, gjatë atyre viteve disa futbollistë shqiptarë si: Naim Kryeziu, Riza Lushta dhe më pas Loro Boriçi, u aktivizuan me mjaft sukses në disa kampionate radhazi në ekipet italiane. Krahas futbollit vlejnë për t‘u përmendur edhe kampionatet ballkanike të atletikës, ku shquhej atleti dhe trajneri i famshëm me origjinë nga Shkodra, mjeshtri i madh Luigj Shala, apo dhe Abdyl Këllezi (ish-ministër dhe zv/kryeministër i Shqipërisë në vitet 1945-1975, i ekzekutuar me pushkatim në vitin 1976 si "armik i popullit"), i cili në kampionatin ballkanik të zhvilluar në Jugosllavi në vitin 1936 konkurroi me dinjitet në garën e 400 metrave, duke zënë vendin e parë. Krahas këtyre disiplinave sportive, gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut pati një zhvillim të madh edhe sporti burrëror i boksit, ku disa boksierë shqiptarë, si Refail Dishnica nga qyteti i Korçës, por edhe ndonjë tjetër, zhvilluan mjaft ndeshje ndërkombëtare si brenda, ashtu edhe jashtë vendit, duke konkurruar me dinjitet me sportistë dhe emra të famshëm të këtij sporti në arenën ndërkombëtare. Veç këtyre sporteve dhe sportistëve që cituam më lart, gjatë periudhës së monarkisë së Zogut patën një zhvillim edhe sportet e tjera, të cilat ishin nën kujdesin dhe mbështetjen e vazhdueshme të motrave të Zogut, princeshave Myzejen, Ruhije dhe Maxhide. Lidhur me këtë bëjnë fjalë edhe këto shkrime që po botojmë më poshtë në këto faqe të rubrikës sonë historike "Dossier", të cilat i kemi shkëputur nga revista "Diana" (me pronar dhe drejtor Medin Kamberin), një nga publicistët e njohur të periudhës së monarkisë. Në këto shkrime që po i botojmë pa asnjë ndryshim, flitet për kontributin e motrave të Zogut në zhvillimin e përhapjen e sporteve, turizmit dhe arteve të bukura gjatë kohës së monarkisë.

Patronesha e Lartë e Sportit: N.S.M. Princesha MYZEJEN Djalëria Shqiptare, në ndeshjet e saj sportive që zhvillohen për përgatitjen fizike të brezit të ri të vendit t‘onë, e ka pas gjithmonë pranë, inkurajuese, dhe nxitëse për suksese më të mëdha, Patroneshën e Lartë të Sportit, N. S. Mbrentonre, Princeshën Myzejen, qoftë kur duhet të thyehet nje rekord atletike të lehtë, ose kur lypet të triumfojsh në sporte më të rënda, në të cilat të gjitha energjitë duhet të shkruhen drejt qëllimit të vetëm që është fitorja e veprimtarisë fizike të fisit t‘onë, brenda kufivet t‘Atdheut, qoftë kur luftohet kundra kundërshtarësh më të fortë në fusha të ndryshme jasht Shqipëris, Rinija jonë, Rinjia e Mbretit ZOG, e ka gjithmonë parasysh gazin e ëmbël dhe fjalën burneshë të motrës së Shpëtimtarit të Kombit. N.S. Mbretnore, Princesha Myzejen e ndjen sportin jo vetëm si një mjet me të cilin triumfon fuqia e pashkueshme e fisit t‘onë , por edhe si një edukatë kalorësije që vjen për t‘u mprehur karakteret e ndryshme që duhet t‘u injektohen të rinjve dhe të rejave Shqiptare. Kështu mund të shpjegohet se si atletët Shqiptarë, kur ndeshen me çdo kundërshtarë për triumfin e një sipranije Kombëtare ose ndërkombëtare, tregohen gjithmonë të denjë për besimin dhe për nxitjen që Princesha Auguste Myzejen nuk kursen t‘i japë. Patronesha e Lartë e Sportit nuk mjaftohet vetëm me një inkurajim kuptim plotë në edukatën fizike t‘Atdheut, por ndërmerr shpesh herë marshime të rënda në krye të rejave Shqiptare për t‘i treguar botës s‘onë dhe botës së jashtme se Shqipëria e re ka vendosur që të bëjë hapa vigane në çdo shesh të veprimtarisë së saj fizike dhe kulturore. Në këto 10 vjet Mbretnije, rinija e jonë duke qëndruar në gatitu për të pershëndetur kohën e ardhme t‘Atdheut, epokat e reja që do të shtohen plot ngadhënjim në faqet ende të pashkruara të historis s‘onë, i drejton Patroneshës së vet të lartë një "Hero" që rrjedh nga gjokset e tyre të çelniktë.

Patronesha e Arteve të Bukura: N.S.M. Princesha Ruhije Duke ndërmarrë krijimin e një arti që të ketë gjurmën e thjeshtë Shqiptare, artistet dhe artistët t‘onë punojnë duke menduar tek N. M. S. M. Princesha Ruhije, Patronesha e Lartë e Arteve të Bukura. I gjithë trashëgimi i humbur mjerisht në kohë duhet të burrohet për t‘i dhënë vendit t‘onë një lavdi edhe në këtë fushë veprimi. Ishim një popull i stërvitun gjithmonë për të qëndruar në armë dhe, ndonëse në hijedritat e jetës s‘onë shoqërore, shkëlqente ndonjë visarë që na kujtonte një qytetërim të kaluar, jeta e jonë e lashtë nuk na lejojë që të bëheshim të denjë për shokët që na rrethojnë përtej kufive të shenjta t‘Atdheut. Arti, kjo frymë shpirtërore që e mban gjithmonë lart fisnikërinë e një Kombi, iu mohua vendit t‘onë. Kjo deri dje. Sepse, një ditë prej dite, një Motër e Mbretit ZOG, N. M. S. PrinceshA Ruhije, u vu në krye të djelmoshave artistë për të siguruar një gjurmë përjetësie në shekujt shqiptar. Kur sheshi i një piktori t‘onë dhe tablot që do t‘i dhurohen më vonë Atdheut, ose kur dora e fortë e skulptorit plasmon një bust ose një fytyrë e dëshmon një jetë shpirtnore, kur vegla e hollë e artizanit shqiptar qindisë vizat e holla që do të përbajnë një tanësi artistike, N. M. S. princesha RUHIJE ësht aty, pranë. Pranë në trup ose enë vegim. Por gjithmonë pranë. Udhëtimi i princeshave në vendet skandinave Udhëtimi i Princeshave jashtë Shqipërisë, sidomos në atë pjesë të Evropës veriore që quhet Evropa e lumtun ose Shtetet Skandinave, ka një rëndësi në kuptimin e zhvillimit shoqëror të Shqipërisë.

Mbasi, siç dihet, Lartësitë e Tyre (motrat e Zogut, shënimi ynë), e kanë pasur kurdoherë në zemër zhvillimin e vendit dhe kanë dhënë prova të shumta përpjekjesh për këtë çështje. Për këtë arsye duhet parë në udhëtimin e gjatë dhe të frytshëm në Shtetet Skandinave një udhëtim studimesh të çështjeve që kanë të bëjnë me zhvillimin e veprave lumirsije (lumturie), asistence shoqërore dhe organizimi e instituteve përkatëse në Shqipëri, ku mungojnë ende institute të tillë, por që tregohet një interesim i gjallë kohët e fundit për t‘i vendosur edhe ndër ne, brenda mundësive që dita ditës krijon regjimi Zogist. Udhëtimin e bukur të Princeshave e pat ilustruar në mënyrë të gjerë në një tok konferencash që dha Dr. Zoi Xoxa, të cilat u botuan në shtypin kombëtar dhe u ndoqën me vërejtje të gjallë prej gjithë publikut, që çmon thellësisht përpjekjet e Princeshave në lëmin qytetëronjës dhe përparimtar. Por rreth udhëtimit të N. M. Tyre (Naltëmadhënisë së Tyre), patëm shkruar edhe në "Shtypin" sidomos në një intervistë që Naltësija e saj princesha Myzejen, denjoi të na japë, dhe që është një sintezë e bukur e atij udhëtimi. Në gazetën "Shtypi", shkruejshim në lidhje me këtë udhëtim. Udhëtimi i parë n‘Amerikë ka qenë pa dyshim një ngjarje e gëzueshme për Shqiptarët e shumtë që rojnë në mërgim, të cilët panë në Naltësinë e Tyre Përfaqësuesit e Sovranit dhe të Shqipërisë së Re Zogiste që zhvillohet me shpejtësi nën udhëheqjen e Prijsit të vet dhe punon për gatimin e një të ardhme më të lumtur. Dheu i Ri qe për princeshat jo një udhëtim argëtimi të merituar, po më tepër një barrë delikate, pse motrat e Sovranit t‘onë e kaluan kohën në mes bashkatdhetarëve të largët, duke u treguar në personat e shquar të Tyre, shkallën e përparimit të Shqipërisë, sidomos të Gruas Shqiptare, duke bërë një propagandë të mirë jo vetëm, ndër shqiptarët por edhe te Amerikanët. Gjith kjo mund të thuhet edhe për udhëtimin e dytë të princeshave në Shtetet Skandinave, ose në atë pjesë të Shteteve Veriore t‘Europës, që me të drejtë janë quajtur "Shtetet e lumtur". Në këto Shtete ku njeriu modern ka arritur të ngrihet në shkallën e dinjitetit më të privilegjuar, ku përparohet në fushat mendore e lëndore nuk njofin kufi, dhe standarti i jetesës së popujve nuk ka barazim me popujt e tjerë, Princeshat t‘ona gjejnë një botë shumë të pasur, botën që kërkonin për të plotësuar vrojtimet e tyre në çështjet shoqërore. Danimarka, Norvegjia e Suedia, janë në këtë pikpamje vendet ideale; Shtetet që meritojnë të merren si model për sa u përket problemeve shoqnore që kanë arritur pikën e një zhvillimi të përsosurit. Prandaj Naltësitë e tyre që kanë ndihmuar vazhdimisht në zhvillimin e vendit duke patronuar të gjitha nicjativat përparim dashëse gjetën një kënaqësi krejt të veçantë n‘udhëtimin e dytë ndër vendet veriore të Evropës, që tregohet në këto deklarata që më bënë me rastin e soires (pritjes), së vitit të ri në Pallat.

Deklarata e Princeshës Myzejen "Mbas udhëtimit t‘onë në Amerikë, ku patëm një pritje të ngrohtë dhe të përzemërt, vendosën të vizitojnë edhe Shtetet e Skandinavisë të cilat na i kishin lavdëruar shumë, veçanërisht për çështje që i interesojnë më shumë vendit t‘onë; përparimet shoqnore dhe organizmin e jetës mendore e landore (materiale, këtu ka kuptimin e teknologjisë). Gjendja e vërtetë e këtyne shteteve nuk asht e mundur të përshkruhet me një kallxim të shkurtër përmbledhës. Pikë së pari është një detyrë të shprehim kënaqësinë t‘onë të madhe për pritjen sa më të kandëshme aq fisnike t‘autoriteteve të nalta në çdo qytet e qendër të rëndësishme që vizituam. Kalorësija dhe sjelljet bujare të zyrtarëvet dhe të popullit, mënyra e ftohtë dhe e perzemërt e këtyne popujve të japin përshtypjen e parë dhe bindjen se ndodhen në vende ku klima, temperamenti dhe natyra kanë formuar një tip njeriu të veçantë n‘Evropë që ka mundur me i sigurue vetes një jetë të vërtetë të lumtur mbi tokë". Princesha Myzejen flet me ngadalë dhe një kënaqësi e dukëshme i ndrit në fytyrë kur permend pritjet, shfaqjet e shumta e të tjera nderime. Por siç thamë, Priceshat Mbretënore janë të interesuara veçanërisht për institutet e ndryshme, shkolla, spitale, streha dhe shtëpi ndihmash për popullin e vobegtë etj, dhe këtu bëhet më interesant udhëtimi. E pyes Naltësinë e Saj të më tregojë nonjë Institut që i ka bërë më tepër përshtypje, dhe Ajo vazhdon: "Institutet që patëm rastin me vizitue janë prej atyne që nuk gjen ndër vende të tjerë, është vështirë me bamë një mendim të saktë mbi ta po nuk e pe vetë me sy. Për shembull vizituam një shkollë krejt moderne, ishte krejt e pajueme me të gjitha orenditë dhe veglat gjimnastikore.

Kishte pishinë dhe sipër një teracë (taracë), të posaçme me instalime për atë nga nxënësit që nuk janë dhe aq në gjendje të shëndoshë shëndetësore. Terca ishte e ndërtuar në një mënyrë që të merrte një sasi nxanësish që bëjshin nga dy orë në ditë kura dielli detyrisht. Në një shtëpi ndihme për të papunë ose të vegjel, jepeshin ushqime rregullisht çdo ditë, ushqime të pastërta, gjellë të shumta dhe ambëlsina, si në një restorant të dorës së parë". Ishte e tepërt t‘a lodhnim N. E. Saj për të vazhduar në përshkrime të jetës Skandinave. Kjo jetë ësht një privilegj n‘Europën e tronditur nga krizat e shumta ekonomike shoqnore, prandaj një ëndërr për ta dhe aq më shumë për ne. Por studimi i saj intereson në shkallë të gjerë vendit t‘onë që zhvillohet me shpejtësi çdo ditë, sidomos në fushën e një politike shoqnore t‘organizuar në të cilën është bërë një hap mjaft i mirë. Princesha Myzejen na tregon shkurtimisht disa nga vizitat interesante duke theksuar ndër sa të tjera atë në Upsala, kryeqytetin shpirtëror të Suedisë, qytetin të kulturës të Universiteteve, Bibliotekave të famshme dhe Katedrales ku varrosen Mbretërit e Suedisë. Këtu ku banojnë më tepër studenta dhe profesorë, Princeshave iu bë një pritje madhështore, prej studentave universitarë të cilët në shenj simpatie për vendin t‘onë nderuan Shqiptarisht me dorën e djathtë në zemër. Një udhëtim plot kujtime të këndëshme për Naltësitë e Tyre, por edhe një udhëtim tepër i dobishëm për vendin t‘onë në pikëpamje përfitimi nga organizmi i jetës në Shtetet veriore. Në pak fjalë, shkurtimisht, po me një zotësi përmbledhëse të çuditëshme, Nalëtistë e Tyre Mbretnore, shfaqin përshtypjet e vizitës ndër Shtetet e permenduna ku u pritën me një fisnikëri të rrallë prej autoriteteve lokale kudo dhe me nderime të veçanta e pritjet në nderin e Tyre qenë një provë e gjallë e stinës së shteteve veriore për vednin t‘onë dhe nderimit që kanë kundrejt Sovranit t‘onë August dhe Familjes Mbretnore.

Marre nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama