Kur Mehmet Shehu inspektonte fshehurazi uzinat

Kur Mehmet Shehu inspektonte fshehurazi uzinat

Si në të gjitha i shpejtë, befasues me kritika të ashpra dhe i kursyer në lavdërime. Kështu do të ishte edhe në vizitën që ish-kryeministri Mehmet Shehu bëri në NSHMN-në e Durrësit, një ndërmarrje ku prodhoheshin rimorkiot e tonazhit të rëndë, një novacion i inxhinierëve shqiptarë, që u krahasua pa frikë me prodhimet më të mira të industrisë perëndimore

Prodhimi i rimorkiove

Rimorkiot e rënda të transportit. Deri në fillim të viteve 70- të shekullit të kaluar, në Shqipëri përdoreshin rimorkio metalike për transporte peshash të rënda me origjinë nga shtete të ndryshme. Një sasi prej tyre përdoreshin nga ushtria për transportin e tankeve me mjetet e fuqishme të transportit “Volvo”- të prodhimit suedez. Po kështu, nga parqet e ndryshme të transportit automobilistik përdoreshin një sasi e kufizuar e këtyre agregateve mjaft të domosdoshme Për transportin e një objekti me gabarite të mëdha në kantieret e ndërtimit të hidrocentraleve me këto lloje rimorkiosh është bërë edhe një film, në qendër të të cilit ka qenë shoferi i transporteve të rënda, Heroi i Punës Socialiste, Met Delvina.

 Këto objekte mjaft të rëndësishme për ekonominë tonë para shume viteve, duke qenë se kushtonin shumë në tregjet ndërkombëtare, u gjet si zgjidhje në një ndërmarrje të qytetit të Durrësit që të prodhoheshin në vend dhe me shumicë në seri. Ishin disa tipa rimorkiosh, duke filluar nga më të lehtat që ishin me kapacitet transporti të ngarkesave rreth 20 tonësh, e duke vazhduar tek më të rëndat 40 tonësh dhe 60 tonësh. Kur këto objekte, që zgjidhen probleme të rëndësishme transporti, u bënë mjaft të njohura në rrugët e vendit sidomos në të gjitha kantieret e ndërtimit të veprave të pesëvjeçarëve, njerëzit u bënë kureshtarë se ku prodhoheshin. Të rëndat kishin edhe një emërtim të gdhendur mbi pllaka alumini, marka “Durrësi”. Kjo gjë s’do te kalonte pa rënë në sy të kryeministrit të asaj periudhe, Mehmet Shehut, i cili do të kërkonte që t’i shikonte vetë në një vizitë rrufe në ndërmarrjen e prodhimit të Durrësit N.SH.M.N.

Vizita e Shehut

 Mehmeti gjeti një rast të volitshëm për të bërë një vizite rrufe në mjediset e NSHMN-së, kur kishte shkuar në Durrës për të marre pjesë në punimet e Kongresit te 8- të të BGSH (Organizatës së Bashkimit të Grave të Shqipërisë). Ai shkon pa eskortë të zakonshme, pasi niset drejt për drejtë nga punimet e Kongresit dhe hyn drejtë e në oborrin e brendshëm të Ndërmarrjes se NSHMNsë, e cila e zhvillonte veprimtarinë e saj në një sektor të dikurshëm të ORMN-së, të ndërtuar që para luftës nga investitorët italianë. Në këtë vend kishte ushtruar veprimtari prodhuese investitori Armando Simonçini. Ishin ditët e qershorit të vitit 1978. Rojet e sigurisë personale të kryetarit të shtetit, rreth 4 vetë, hyjnë shpejt te dera e gjelbër metalike dhe zënë dyert kryesore të reparteve motoriste, xhenerike, kovaçhanat, torneritë, për të ndërprerë komunikimin me oborrin ku ndodheshin të parkuara një sasi prej rreth 20 rimorkiosh të reja, të cilat pritej që të kolaudoheshin dhe të dërgoheshin më pas në destinacionet përkatëse të kontraktuara.

 Dy makina të udhëheqjes ndaluan në mes të oborrit të boshatisur. Nga njëra prej tyre doli me një shoqërues Mehmet Shehu. Kryeministri, i cili erdhi pa asnjë lajmërim paraprak, ndiqej me kërshëri nga dera e reparteve. Një punonjës nga qyteti i Shijakut, Safet Osmani, i cili punonte si radiatorit, po hante bukën e marrë me vete në afërsi të rimorkiove të përfunduara. Safeti, tregonte më pas se nuk u largua qëllimisht kur e pa të hynte kryeministrin, pasi donte që ti shkonte afër dhe ta takonte me qëllimin që t’i kërkonte shtëpi se ishte ngushtë me strehimin.

 Mehmeti kaloi  me qetësi dhe kur u afrua te Safeti, iu drejtua shoqëruesit të vet, një oficert të ri në moshë, duke i treguar tegelat e saldimeve të bëra në rimorkio: “Këto qenkan si të prodhuara në Gjermaninë Perëndimore”! Dhe u nis drejt daljes shumë shpejt. Vizita nuk ishte si vizitat e bëra nëpër dokumentarët televizivë. Nuk u takua me asnjë nga punëtorët. Munguan duartrokitjet, lulet dhe shtrëngimet e duarve. Mehmeti, nga sa u pa, kishte shkuar në këtë kolektiv punonjës vetëm për të parë nga afër prodhimin, të cilin ia kishin raportuar. Më vonë u përfol se edhe në takimin me kuadrot drejtuese të Rrethit të Durrësit, siç ishte ndarja administrative në atë periudhë, ai kishte folur me superlativa duke i përsëritur këto fjalë lavdëruese për prodhimin e realizuar nga kolektivi i kësaj ndërmarrje.

 Fjalët e tija, edhe shume kohë më pas, lanë një jehonë se si kryeministri kishte “guxuar” të bënte këtë krahasim. Me Gjermaninë Perëndimore. Realisht Safeti, që qëlloi mjaft afër kur i tha këto fjalë Mehmet Shehu, nuk arriti që ta kapte esencën e krahasimit, por i vinte keq që në çastin që ai donte të shkonte e ta takonte për t’i qarë hallin e strehimit, atij nuk i ishin bindur këmbët. Madje, kujtonte ai më pas, edhe goja i qe vulosur... Shumë vite pas kësaj vizite, pasi fotografuam këtë rimorkio në Pogradec, u vërtetua mbase edhe krahasimi largpamës i Mehmet Shehut mbi cilësinë e prodhimit të kësaj rimorkioje. Vlerësimi që ai kishte dhënë në atë mesditë qershori të vitit 1978, kishte qenë realist dhe i kishte qëndruar kohës.

Si u prodhuan 140 rimorkiot e tonazhit të rëndë

 Ish-drejtori i kësaj ndërmarrje, Ramazan Ferra, tregon mbi këtë prodhim: “Kishim probleme për të bërë transportin e makinerive të rënda nëpër kantieret e vendit. Duke pritur që të transportoheshin me mjetet e Parkut të Mallrave shkonin shumë ditë dëm. Nga ana tjetër, ne kishim për të bërë lëvizje të shumta nëpër zona të ndryshme ku punohej në veprat e pesëvjeçarëve si të buldozerëve S. 100 e 120, ekskavatorëve të rëndë tip “Voronezh”, etj.

Kishte çaste kur këto duheshin lëvizur mjaft shpejt si në raste shirash dhe përmbytjesh, por edhe për transferime vendesh pune në kantieret e ndryshme. Ky qe dhe presioni që na bëri të mendojmë që të fillojmë eksperimentimin e tyre dhe që rezultoi i suksesshëm. Nga prodhimi i parë e deri në mbyllje të veprimtarisë së kësaj ndërmarrje, janë prodhuar gjithsej 140 copë rimorkio të tilla. Para disa viteve ishte realizuar prodhimi i makinerive të veçanta jashtë sistemit tonë të ndërtimit, për prodhimin e fabrikës së sallamit në Durrës, më pas ai i shoshave vibruese dhe patëm besim se edhe në këtë rast do të arrinim që të dilnim me rezultat të lartë. Patëm disa vështirësi për prodhimin e mocove të rrotave, por e zgjidhëm në bashkëpunim me disa ndërmarrje të fuqishme.

 Më pas, rimorkiot u futën në prodhim të planifikuar nga Ministria e Ndërtimit dhe kërkesat qenë vazhdimisht në rritje në shume sektorë të tjerë të ekonomisë. Prodhimet e tjera vijuan pas tyre duke filluar nga Vakum Presat e mëdha për fabrikat e tullave të vendit, te makineritë për fabrikën e plastikës në Durrës dhe në NISH-Goma, pasi ato të planifikuarat për të ardhur nga Kina u bllokuan pas prishjes zyrtare. Gjithashtu shtrohej nevoja për vinça ashensorë dhe vinça kullë për ndërtime banesash dhe shumë të tjera. Këto u arritën pas krijimit hap pas hapi të një grupimi të aftë specialistësh inxhieriko – teknikë. Me formim të një niveli mjaft cilësor e kulturor, teknik dhe profesional. Dhe të mendosh se e filluam në një mjedis të vogël, pa makineritë e nevojshme për të përballuar punën që kërkohej” - thotë Ramazani

Krenaria e Durrësit, një ndërmarrje mekanike

Ramazan Ferra e drejtoi NSHMN nga 1967 deri në vitin 1990. Dikur një ofiçinë e vogël, nën drejtimin e tij, ajo u bë nga ekonomitë më të fuqishme të vendit dhe krenaria e Durrësit. Ndërmarrja në fjalë u kthye në shkollë ku u përgatitën armata e mjeshtërve të shquar të mekanikës durrsake, ku riparimet e thjeshta u zëvendësuan nga prodhime jetike për ndërtime të veprave të mëdha të transportit siç ishin hekurudhat, në prodhime të transportit të makinerive të rënda dhe të stërmëdha që i duheshin veprave të fuqishme energjetike të vendit. NSHMN nën drejtimin e tij u kthye në një park të fuqishëm duke përballuar detyra delikate dhe shumë të vështira në të gjithë Shqipërinë.

 “S’e kishim të lehtë të prodhonim rimorkiot e para 20, 40 dhe 60 tonëshe. Heronjtë si Met Dervina me shokë, kishin marrë përsipër transportin e vështirë të turbinave për hidrocentralin e Fierzës. Edhe ne u angazhuam t’i krijonim lehtësira këtij transporti dhe ia dolëm. Bashkëpunëtorët e mi u bënë kuadrot dhe Gaqo Malaveci, Robert Huta, Ruzhdi Beqati, Bujar Kërtusha, Naun Xoxi, Eduart Gjoni, Fatmir Berisha, Gëzim Topi, Vilson Ibrahimi, Thoma Koroveshi, Petrit Koka, Koço Tatazi e shumë e shumë të tjerë. U prodhuan sitat e seleksionimit të zhavorrit” - tregon Ramazani

40 vjet prodhim shqiptar

Dy vite me parë, duhet të ketë qenë mesi i muajit tetor, kohë kur erërat e ftohta të liqenit të Pogradecit kishin filluar te frynin vrullshëm, ndërsa udhëtonim drejt qytetit te Korçës, ndalova papritur në anë të liqenit në zonën e Gurit të Kuq. Shkaku i ndalesës ishte një objekt që ishte parkuar në anë të bregut të liqenit lasgushian, të mbushur me një kallamishte masive dhe që përbënte një pamje mjaft piktoreske. Por në këtë rast, vëmendjen tonë do ta ngacmonte një rimorkio transporti e peshave të rënda, e cila ishte ç’takuar nga mjeti që e rimorkionte dhe ishte lënë buzë liqenit. Rimorkios i qe ndërruar tashmë ngjyra dhe i qe hequr pllaka e patentimit ku shkruhej marka “Durrësi”.

Megjithatë ajo ishte në gjendje mjaft të mirë, pas 30-40 viteve që mund të kishte në përdorim. Për koincidencë kishte ndaluar pikërisht në një vend kur vite me parë, atje me këtë objekt ishin transportuar me dhjetëra buldozerë dhe eskalatorë të ndërmarrjes, që e kishte prodhuar edhe vetë rimorkion, të cilët punonin ne objektin e përpunimit minerar të hekur nikelit ne Gurin e Kuq si dhe në ndërtimin e Dampës së derdhjes së mbeturinave të këtij minerali, përtej fshatit Hudenisht. Rimorkio e transportit të makinerive të rënda ishte një objekt që na solli në vëmendje vlerësimin që i kishte bërë në bazën prodhuese ish-kryeministri i asaj periudhe, Mehmet Shehu, në një vizitë “rrufe” dhe që e kishte cilësuar me superlativa si prodhim të njëllojtë me ato të Gjermanisë Perëndimore.

Verën tjetër, një objekt të njëllojtë me këtë rimorkion e Pogradecit, që nxituam ta fotografonim si pjesë të pandarë të historisë së industrializimit polivalent që ka pasur qyteti i Durrësit, e takuam në një lartësi kodrinore në fshatin historik të Mukjes. Edhe ajo, nëse do të merret parasysh mosha në përdorim, ishte në gjendje të shkëlqyer. Kishin mbijetuar falë cilësisë “Gjermano- Perëndimore” dhe ende nuk kishin përfunduar për skrap.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama