Kur Lasgushi perkthente Lenaun

Kur Lasgushi përkthente Lenaun

Maria rrëfen një nga shënimet e të atit, poshtë një poezie të Lenaut, në një prej 17 rradhonjve (kështu i quante Lasgushi fletoret) që ai i ka lënë dorëshkrim pas vdekjes. Për më shumë se 9 orë gjatë gjithë mbrëmjes, ndërkohë që gruaja bashkë me dy vajzat flinin, burri që i dha një tjetër dimension poezisë shqipe, punonte mbi poezitë e Nikolaus Lenaut. Për Marian (vajzën e poetit), këto dorëshkrime janë tepër të shenjta. Ajo nuk mund t‘ia besojë askujt këto 17 rradhonj, që për të janë si një lloj amaneti i të atit. Teksa na rrëfen përkthimet origjinale të poetit austriak nga Lasgushi, në 17 fletoret që tani janë pjesë e koleksionit të dorëshkrimeve të familjes Poradeci, Maria, tashmë një njohëse e mirë e punës së të atit, por dhe një adhuruese e letërsisë, tregon se gjithë këtë punë i ati e bënte gjatë kohës që ajo dhe motra flinin. Duhet të ketë qenë vetëm katër vjeçe në vitin 1962, kur i ati kalonte mbrëmjet mbi tryezën e drunjtë të familjes, për të sjellë në shqip poetin e njohur austriak. Për Lasgushin, përkthimi nuk ishte vetëm një mbushje norme sipas faqeve, për ta çuar më pas në shtëpinë botuese "Naim Frashëri", por përkthimi për të ishte një akt i ngjashëm me aktin krijues. "Ai e njihte mirë Lenaun dhe filozofinë e kohës në të cilën ky poet jetoi. Babai e sundonte gjermanishten dhe kjo jo vetëm për faktin se ai jetoi gati dhjetë vjet atje, por se e dashuronte vërtet poezinë", rrëfen Maria.

Mjafton të shohësh këto dorëshkrime dhe padashur nis të përfytyrosh Lasgushin në vitet ‘62-‘63, një burrë që sapo kishte kaluar të 60-at, nën petkun e hekurt të sistemit komunist, që gjente orët kur mund të përqafonte letërsinë e vërtetë në vargjet e Lenaut. Një lexues i kujdesshëm i këtyre përkthimeve mund të vërejë se Lasgushi jo vetëm që ka bërë një shqipërim të mirë të poetit të njohur, por ka dhënë në këto poezi diçka nga ndjesitë e tij prej poeti.

Nëse lexon Lenaun nën variantin e Lasgushit, të duket sikur je duke lexuar Lasgushin për nga ritmi dhe mënyra e ndjeshmërisë së vargut.

Maria, e cila i ka lexuar deri në detaje këto poezi, sheh në çdo varg diçka nga i ati. Por këto 514 vargje të përkthyera nga Lasgushi, me porosi të shtëpisë botuese "Naim Frashëri", do të refuzoheshin për botim nga kjo e fundit më 6 prill të vitit 1962. Nëse shohim datën e vendosur nga Lasgushi në dorëshkrimet që na tregoi Maria, ai e ka përfunduar këtë përkthim më 27 mars të vitit 1962. Dhe vetëm një muaj më pas ai ia ka çuar për botim shtëpisë botuese "Naim Frashëri", ku duhet të merrte dhe honoraret. Ishin vitet kur Lasgushi përkthimet i kishte si një mënyrë të jetuari (pasi dihet se ai rilindi si poet duke marrë meritat e vërteta si i tillë pas vdekjes). Por edhe pse ishte një mënyrë jetese, Maria rrëfen se ai kishte shumë përgjegjësi për to, pasi në fund të atyre përkthimeve do të vendoste emrin e tij. Në fakt, mjafton të shohësh këto vargje të Lenaut, për të kuptuar përkushtimin dhe dashurinë me të cilën poeti i njohur e shihte procesin e përkthimit. Lenau na sjell dhe një imazh tjetër të poetit tonë të dashurisë, atë të një përkthyesi të mirë.

"I papërshtatshëm, pesimist", kështu e kishin gjykuar përkthimin e Lasgushit redaktorët e "Naim Frashërit". Kjo pasi binte në kundërshtim me normat e moralit të ri, që në gjenet e tij kishte vetëm optimizëm për jetën dhe realitetin e bukur socialist.

Maria nuk mund të kujtojë tashmë trishtimin e të atit për refuzimin e këtij botimi, pasi në atë kohë ajo ka qenë vetëm një vogëlushe. Por duke pasur parasysh se gjithë jeta e tij nën sistemin socialist qe një trishtim i vërtetë, ajo e sheh këtë refuzim në vazhdën e gjithë refuzimeve që iu bë letërsisë së tij gjatë kohës që qe gjallë.

Por poetit iu desh t‘i merrte të gjitha meritat pas ikjes nga kjo botë. Teksa rrëfen për sistemimin që duhet t‘u bëjë dorëshkrimeve të lëna pas nga Lasgushi, Maria thotë se është vërtet interesante të bëhet një dokumentar mbi ngritjen e vlerës së letërsisë së tij pas vdekjes. Janë një mori çmimesh dhe vlerësimesh në adresë të Lasgush Poradecit, tashmë kur në nëntor shënohen 20 vjet nga vdekja e tij. Për vajzën e poetit, këto vlerësime e bëjnë disi më të lehtë kujtimin për jetën e tij, pasi në fund të fundit edhe pse nuk e gjejnë më në atë cepin e tij të punës, ajo mund ta shohë të atin e saj në një vëndin e më të vlerësuarve të letërsisë shqipe.

Por le të kthehemi te Lenau. Çfarë ndodhi me këto përkthime? Në vitin 1988, profesor Hasan Ulqini nga qyteti i Durrësit boton dy poezi të këtij cikli përkthimesh në gazetën "Adriatiku": "Kujtim" dhe këngën e katërt të ciklit "Nga këngë e kallamishteve", duke i shoqëruar me këtë shënim të shkurtër: "Ruaj si relike të vyer një kujtim të vogël, një fletore me 514 vargje të Nikolaus Lenaut, shqipërim isometrik prej Lasgush Poradecit. Në këtë shqipërim të këtij poeti të njohur austriak, Lasgushi e tregon veten mjeshtër të vërtetë të fjalës poetike. Ai arrin të na japë në shqip hijeshinë dhe bukurinë, elegancën dhe delikatesën për të cilën shkruan Lenau", shkruan Ulqini. Ndërsa 61 vjet më pas, në vitin 1993, revista kulturore "Brezi 9" në Maqedoni, bën të mundur botimin në një libër të këtyre përkthimeve, me titullin "Dritare e hapur". Por ky libër përmban vetëm një pjesë të përkthimeve. Teksa sheh dorëshkrimet që tregon Maria, aty ndodhen një sërë vargjesh të tjera të Lenaut, të cilat presin botimin. "Dritare e hapur", një libërth i botuar me kujdes nga "Brezi 9", bën të mundur të shohim përmes një tjetër dritareje Lasgushin tonë të njohur, ku nëpërmjet Lenaut, këtij poeti "të dhembjes së bukur", ashtu siç e cilëson kritika gjermane, ne shohim një prerje tjetër të poetit tonë.

20 vjet pas vdekjes, detajet mbi jetën dhe punën e Lasgush Poradecit vijojnë të mbushen me momente të tjera interesante, që e bëjnë poetin të vijë me dimensione të ndryshme te ne, por të gjitha këto dimensione nuk bëjnë gjë tjetër veçse na rrëfejnë se sa e bukur dhe e trishtë ishte rruga e tij drejt letrave.

"Çfarë dashurie kishte për to", do të thoshte Maria, vajza që ka zbuluar një tjetër dimension të fjalës dashuri, sa herë që ulet të shfletojë dorëshkrimet që ai ka lënë pas.


Box

Nikolaus Lenau

Nikolaus Lenau është pseudonimi i Nikolaus Niemsch Streh Lenau. Fëmijërinë e kaloi në fshat dhe u edukua nga nëna e tij. Nisi të shkruajë poezi në mënyrë intuitive që në moshë të hershme. Më pas mbaroi studimet për filozofi dhe mjekësi. Në shtator të vitit 1844 i shfaqen shenjat e para të sëmundjes së mushkërive. Kurohet në Baden, Frankfurt, Vjenë, Monako. Është e njohur dashuria e tij me Sofi Lovental dhe me këngëtaren Karolina Unger, të cilave u ka kushtuar shumë poezi. Poezia e Lenaut shquhet për nota trishtimi dhe dhembjeje dhe jo rastësisht kritikët e kanë cilësuar atë si interpretin më të madh të poezisë gjermane, të ashtuquajturën "poezi e dhembjes". Në vitin 1836 boton me një sukses të madh poemën filozofike "Savonarola". Ndërsa në vitin 1844 kishte mbaruar poemën "Don Zhuani", që u botua pas vdekjes së tij. Është e njohur gjithashtu edhe poema "Faust". Baladat e tij, "Dy ciganët" dhe "Dy indianët", janë shumë të njohura dhe i gjen të botuara nëpër antologji të ndryshme. Por ai shquhet për këngët e tij që u botuan në përmbledhjen lirike "Gedichte". Poezitë e vëllimit "Dritare e Hapur", Lasgush Poradeci i ka zgjedhur nga përmbledhja lirike "Dirika" (Berlin 1920). Nikolau Lenau vdiq më 22 gusht 1850 në Obdewling, pranë Vjenës.


Box

Dashuri e heshtur

H, sikur të desh një fat

Të më linte pranë teje,

Të më shkrihej shpirt‘ i ngrat

N‘atë lumturim hareje;


Si kandili shpresëtar

Që shndrin ndaj asaj kore,

Ndaj tiparit shkëlqimtar

Të madorës qiellore!

(poezi e Lenaut, përkthyer nga Lasgush Poradeci)

Lenau nuk pati fatin të lexonte Biblën

Lenau nuk e pati fatin të lexonte Biblën, të ishte një numër më shumw në marramendthin njerëzor të kohërave moderne. Poeti që i pëlqente të mbante mustaqe, ashtu si burrat aristokracisë austro-hungareze, shkroi i frymëzuar nga femrat që njohu dhe mundi të derdhte në vargje revoltën nën formën e dhembjes për kohën që jetoi. Poeti nga Kosova, Ali Podrimja, fitues i çmimit me emrin e këtij poeti në vitin 1999 në Stutgart, në fjalimin e mbajtur me këtë rast rrëfeu diçka më tepër për lidhjen e tij me këtë poet. Ashtu si të gjithë shqiptarët që e kanë lexuar Lenaun, edhe ai e kishte njohur përmes përkthimit të Poradecit. "Takimi i parë me Nikolaus Lanaun ndodhi rastësisht. Ndërmjetës u bë një poet i papërsëritshëm shqiptar. Ai quhet Lasgush Poradeci dhe në bibliotekën time zë një vend meritor. Në mes dy luftërave botërore shkroi dhe disa tekste diskursive. Pas Luftës së Dytë veten e shpalli për të vdekur shkaku i lirisë krijuese në vendin e vet. Diktatura nuk kurseu as vlerat. Mbasi ishte mjeshtër i fjalës dhe i tekstit, kulturën shqiptare e pasuroi edhe me tekste të shkrimtarëve që i respektonte. Në vitin 1962, një libërth prej 514 vargjesh ai e përktheu edhe nga vepra e Lenaut. Fati i tij ishte i dhembshëm", thotë Podrimja.

Libërthi i botuar nga "Brezi 9" ishte në morinë e librave të zgjedhur të familjes Podrimja, të cilën ai ia besoi, ashtu siç rrëfen edhe vetë, vetëm çelësit në kohën e luftës në Kosovës. Teksa largohej nga banesa ku linte një bibliotekë që kapte gati një gjysmë shekulli jetë, i hodhi dhe një sy Lenaut, duke besuar se serbët nuk do të bënin me këtë libër të njëjtën gjë që diktatura komuniste bëri ndaj përkthyesit të tij. Por çelësi që poeti i vuri banesës nuk kishte mundur të ndalonte serbët të hynin në bibliotekë dhe të zhduknin bashkë me të edhe Lenaun.

"Serbët janë mjeshtër të çelësave. Ishte derdhur edhe biblioteka ime. Sapo mësova për çmimin ‘Nikolaus Lenau‘, kujtova atë edhe këndin e Lasgushit, aty ku gjendej edhe vëllimi fatkeq i poetit", thotë Podrimja.

Për vite të tëra, ndërsa endej në këtë vëllim të sjellë në shqip nga Lasgushi, ashtu si çdo njeri që i bie në dorë ky vëllim poetik i Lenaut, edhe Podrimja kërkonte të gjente arsyet si një kureshtar i lindur se përse Lasgushi do të merrej me këtë poet. "Kërkoja ekuivalentet në kohën e romantizmit shqiptar, bile edhe në traditën e hershme, që kap afro pesë shekuj e që mëndja e errët serbe bën çmos ta linçojë e të na e paraqesë para botës në dritën tjetër. Unë hulumtoj shkakun e përkthimit të Lenaut. Mos kishin diçka të përbashkët poezitë e tij me të Budit, ose me sibilat e famshme të Pjetër Bogdanit, që i çmonte shumë Lasgushi..."?
Por kureshtja e tij do të kristalizohej sapo të mësonte se kush ishte dhe nga vinte Lenau. Njëra nga arsyet pse Lasgushi e kishte përkthyer një vëllim të Lenaut ishte se poezia e tij ngërthen shqetësime të mëdha njerëzore, të thëna përmes një gjuhe të afërt me poetikën shqiptare. Ndarjen nga vendlindja Lenau e kishte përjetuar rëndë. Në hapësirën gjermanofone, ky hyri me imazhin gri të vendlindjes me një ndjeshmëri të mahnitshme. Mbyllja e jetës së tij dëshmon se ishte një shpirt i trazuar. Një jetë të tillë kishte pasur edhe poeti shqiptar gjatë studimeve në Grac të Austrisë dhe në Bukuresht.

Podrimja mundohet të gjejë të përbashkëtën mes tij dhe Lenaut, duke u nisur nga depërtimi nga Ballkani. Dy shekuj bëhen që kur poeti braktisi Banatin në rrethana ende të panjohura. Të njëjtën gjë bëri dhe Podrimja, kur i duhej të braktiste vendin për shkak të luftës. Por ndryshe nga Podrimja, Lenau nuk pati fatin të jetonte kohërat moderne. Por, traumat e jetës së tij, sado klasike, ngjasojnë me traumat e kohërave të reja. Lenau vinte nga monarkia austro-hungareze me një qytetërim dinjitoz, ku kihej kujdes edhe për kujtesën. Ndërsa në vendin e Podrimjes ndodhi gjenocidi.

Për poetin kosovar, marrja e një çmimi me emrin e Lenaut ka një domethënie të veçantë, dhe kjo sipas tij sepse mban emrin e një poeti të deportuar nga e njëjta hapësirë, ku u tentua në mbarim të shekullit XX të shkulnin me rrënjë edhe popullin dhe kulturën shqiptare. Në bibliotekën e tij është sërish një tjetër libërth i Lenaut. Fqinjët pushtues nuk mund të zhdukin kurrë librat. Nuk mjafton vetëm një hapje dere për t‘i zhdukur ato. Lasgushi e ndjente se letërsia e shkruar nga ky poet nuk mund të thyhej nga vitet, ndoshta kjo ishte arsyeja përse ai i solli në shqip me aq dashuri ato.

Per me shume informacion rreth Lasgush Poradecit klikoni ketu

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama