Kupola e Policise drekon me Frrokun dorehiqet nga hetimi

Kupola e Policise drekon me Frrokun, dorehiqet nga hetimi
Kupola e Policisë tronditet nga disa foton të harruara pa kujdes në FB nga Tonin Vocaj në faqen e vet. Fotot skandal flasin për një miqësi një miqësi të pamoralshme të drejtuesve të Policisë së Shtetit me një biznesmen që më pas do të dyshohej për vrasjen e kolegut të tyre, Dritan Lamaj. Një drekë në një restorant të njohur të periferisë fiksuar në disa foto miqësore të shkrepura në tavolinën e krerëve të Policisë së Shtetit me njeriun e akuzuar prej katër ditësh si ekzekutor i Shefit të Komisariatit nr. 6, kanë përmbysur jo vetëm kupolën e policisë, (moralisht ajo nuk mund të drejtojë më policinë), por edhe grupin e hetimit të vrasjes së komisarit.  

Fotot

Në fotot e gostisë së zyrtarëve të policisë që ishin hedhur në faqen e FB të Tonin Vocajt duken qartë Agron Kuliçaj, Tonin Vocaj, Muhamet Rrumbullaku dhe Nikolin Bala. Janë në një tavolinë duke drekuar me biznesmenin Arben Frroku dhe po konsumojnë një pije alkoolike pa ngjyrë, që ka shumë mundësi të ketë qenë raki. Agron Kuliçaj, ish truproja e kryeministrit Berisha, aktualisht me detyrë Drejtor i Departamentit të Hetimit dhe zëvendësdrejtor drejtorisë së policisë dhe Tonin Vocaj, Drejtor i Drejtorisë së Krimeve të Rënda në Departamentin e Hetimeve të Krimit drejtojnë hetimin ku Frroku së bashku me disa të tjerë dyshohet se kryen atentatin ndaj ish-shefit të komisariatit numër 6, Dritan Lamaj.

Në të njëjtën foto, ndodhen gjithashtu edhe Muhamet Rrumbullaku, nëndrejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit për çështjet e rendit dhe sigurisë publike dhe Nikolin Bala, drejtor i Njësisë Operacionale. Menjëherë pas publikimit të fotove Tonin Vocaj dhe Agron Kuliçaj kanë dhënë publikisht në media (live) dorëheqjen nga drejtues të hetimeve për dosjen e vrasjes së Dritan Lamaj. Met Rrumbullaku dhe Nikolin Balaj, pasi pranuan ekzistencën e fotove deklaruan se Frroku u ka ardhur rastësisht në tavolinë për të bërë një foto me ta teksa po drekonin në një restorant në Dajt. Koincidenca është se lokali i zgjedhur nga zyrtarët është i një mikut të Arben Frrokut.

Personazhet e kësaj fotoje e pranojnë të gjithë praninë e Arben Frrokut në tavolinën e tyre, i cili thuhet se është afruar bashkë me të zotin e lokalit dhe iu ka ofruar nga një pije krerëve të Policisë. Ndonëse nuk pranojnë të kenë miqësi me të akuzuarin kryesor për vrasjen e kolegut të tyre, ata mësohet se pranojnë faktin se në kohën kur janë bërë fotot, Arben Frroku nuk ishte person me precedentë penalë. Edhe kjo rezulton të mos jetë e saktë. Arben Frroku, sipas të dhënave të fundit ishte nën gjurmimin e policisë. Fotot janë bërë rreth dy vite më parë.

Dorëhiqet Kuliçaj

Drejtori Agron Kuliçaj deklaroi se fotoja ishte rastësore, pasi Arben Frroku i kërkoi zyrtarëve të policisë të bëjë një foto me ta teksa këta të fundit ishin në një drekë shoqërore. Kuliçaj duke folur për A1Report tha se pas publikimit të fotove do të heqë dorë nga hetimi për vrasjen e Kryekomisarit Lamaj. Megjithatë Kuliçaj dhe se nga puna hetimore e kryer deri më ta ka prova të forta që fajësojnë Arben Frrokun për vrasjen e Kryekomisarit Dritan Lamaj.

“Që kur ka ndodhur vrasja kam qenë pjesëtar i grupit hetimor...kemi kryer punë intensive dhe kemi bërë veprime të shpejta deri në gjetjen e provave të rëndësishme për Arben Frrokun që e fajësojnë...ne kemi dyshime të forta që Frroku është i përfshirë në vrasjen e Lamaj”, tha Kuliçaj.

Heshtja e Policisë

Pas publikimit të fotove ku katër vartësit e kryepolicit të vendit, Hysni Burgaj gjendeshin në një tavolinë me Arben Frrokun, i cili akuzohet për vrasjen e Dritan Lamajt, Policia e Shtetit nuk ka bërë një dalje publike për të “pastruar” imazhin e saj. Kreu i Policisë së Shtetit ka vendosur të sqarojë opinionin publik nëpërmjet telefonatave për fotot e vartësve të tij, ndërsa për sa i përket dijenisë mbi kërcënimet me jetë të të ndjerit Dritan Lamaj, kryepolici i vendit ka bërë me dije se nuk ka patur asnjë lloj shkrese për këtë fakt, ndërsa mbi sms-në kërcënuese që i kanë shkuar ish-numrit dy të këtij komisariati A. Arapi, Hysni Burgaj theksoi për mediat se është vepruar konform ligjit dhe po punohet për të zbuluar të vërtetën.

“Dorëhiqem se jam në konflikt moral me opinionin”

Fotot e publikuara ditën e djeshme janë hedhur prej shumë kohësh në faqen personale të FaceBook të Tonin Vocajt, i cili në kohën kur ka postuar këto foto, por edhe në momentin kur janë bërë, ka qenë drejtues i Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit. Bashkë me Agron Kuliçin ata do të viheshin në krye të hetimeve për vrasjen e Kryekomisar Lamajt, pra kanë hedhur natën e 24 shkurtit në letër si autori i dyshuar, emrin e mikut të tavolinës, që kanë fiksuar fotot. Fotot e drekës janë titulluar “Te J. Mema”, vijonin të ishin në profilin e tij bashkë me dhjetëra foto të tjera familjare dhe miqësore. Pas publikimit, Kuliçi dhe Vocaj tërhiqen nga grupi i hetimit dhe pranojnë se Arben Frroku është personi në foto, por që ky fakt nuk ka ndikuar dhe as nuk mund të ndikonte në hetimin për vrasjen e Dritan Lamajt. “Shekulli” foli pikërisht me Tonin Vocajn, jo vetëm për faktin se fotot janë marrë në faqen e tij të Facebook, por edhe për faktin se Vocaj ka drejtuar Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe ka patur vartës për një periudhë kohe, viktimën e sulmit me armë në “Vasil Shanto”, Dritan Lamajn.    

Tonin Vocaj

“Jap dorëheqje për shkak se jam në konflikt moral me opinionin publik. Shkak janë ato foto. Kanë qenë në faqen time të Facebook dhe besoj se i ka parë kushdo që më ka patur mik mua në rrjetin social. Jap dorëheqjen dhe s`merrem kurrë më me atë çështje, pavarësisht se kemi punuar dhe besoj kemi dhënë gjithçka i duhet Prokurorisë për atë çështje, për kaq kohë sa patëm në dispozicion të punonim. Në lidhje me fotot dua t’ju them se s`kanë ndikuar dhe as që mund të ndikonin. Janë bërë diku nga fillimi i 2011-ës besoj. Kemi qenë në një drekë me kolegët, te lokali i J. Memës.

Eshtë afruar Arben Frroku në tavolinë, sepse ishte në një tavolinë tjetër me miqtë e tij. Ka ndenjur me ne nja pesë minuta dhe më pas është larguar për tek tavolina ku ishte. Kemi bërë foto ashtu si ishim dhe siç na keni parë edhe më parë dhe asgjë më shumë”. Ndërsa në lidhje me konfliktet e Dritan Lamajt me Arben Frrokun dhe grupin e biznesmenëve, që u bë publike në shtatorin e vitit të kaluar, ashtu siç më vonë edhe kërcënimet që iu bënë Lamajt, Vocaj thekson: “Nuk di të flas për kohën e konflikteve mes Dritan Lamajt dhe Arben Frrokut sepse ka qenë kompetencë e tjetër kujt të merret me atë çështje. Duhet të dini se Dritan Lamaj nuk ka qenë thjesht koleg i imi. Ka qenë mik i familjes sime dhe anasjelltas. Kemi hyrë në shtëpinë e njëri-tjetrit. Kam punuar me të në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe ia kam ditur mirë vlerat. Fatkeqësisht ai nuk rron më, por nëse do ta kisha patur kompetencë atë çështje, sigurisht që do të merresha me të. Tani unë dorëhiqem nga hetimi, paçka se kemi dhënë ndihmën tonë, besoj, për prokurorët që po punojnë me dosjen” 

Kërcënohet me vdekje krahut i djathtë i Dritan Lamajt

Ish shefi i Krimeve i Komisariatit nr.6 merret në mbrojtje dhe mbahet i fshehur nga policia

 Në kohën e përplasjeve dhe denoncimeve publike për “dhunën” e ushtruar nga policia e Komisariatit nr 6 mbi biznesmenët, parullat flisnin për vënie gjobash. E ndërsa krerët e këtij komisariatit lihen të vetëm në përballjen me biznesmenët, paçka se edhe në media u fol pak për këtë konflikt, në krah të Dritan Lamajt, gjendet një oficer policie i cili ishte në sektorin e krimeve. A. Arapi pas ikjes së Dritanit nga Komisariati nr 6 dhe emërimit të tij në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, emërohet në një rreth të vogël të vendit shef Komisariati. Të dhënat, jo zyrtare bëjnë me dije se natën e vrasjes së ish-eprorit të tij, në aparatin e tij celular, në numrin e policisë që ai posedon i ka mbërritur një sms kërcënuese për jetën. Numri dërgues është po numër policie, por grupi i hetimit ende nuk ka përcaktuar se kujt personi i përket ky numër, paçka se nuk është e vështirë të paktën të përcaktohet vendi se nga është nisur mesazhi kërcënues. Përmbajtja e tij sipas të dhënave është e qartë, ndaj tij do të ndërmerret i njëjti akt si ndaj Dritan Lamajt.

Për këtë fakt Policia e Shtetit nuk jep detaje, por pranon se një drejtues policie ka marrë një sms kërcënuese dhe se po punohet për të mësuar identitetin e personit që e ka nisur atë sms. Mësohet se ndaj shefit të kërcënuar tashmë janë marrë të gjitha masat mbrojtëse, ndërkohë që Prokuroria e Krimeve të Rënda, Policia e Shtetit dhe një sërë komponentësh të tjerë vijojnë të punojnë për dokumentimin e plotë të atentatit ndaj Dritan Lamajt. Grupi i prokurorëve, krahas vrasjes kanë në dorë tashmë edhe sms-në kërcënuese ndaj Arapit, automjetin BMW me të cilin është kryer vrasja, dëshminë e njërit prej grabitësve të mjetit, se tjetri ende nuk është kapur, si dhe një mori dëshmish mbi momentin e vrasjes. Prokuroria e Krimeve të Rënda mësohet se ka mundur të sigurojë një dëshmitar mjaft të vlefshëm të momentit të ekzekutimit, dëshmia, identiteti dhe gjithçka tjetër në lidhje me këtë person mbahet sekret.

Jakajt mbahen në burg pa afat për armë pa leje

Arrest me burg Ndue Jakut, 21 vjeç, vëllai i Jak Jakut, i cili u vu në pranga në Selanik bashkë me Arben Frrokun. Ai akuzohet për posedim armësh pa leje dhe mbajtje të një sasie të lëndëve narkotike të kushtueshme. 21-vjeçari Jaku është njohur me masën e arrestit ditën e djeshme në Gjykatën e Tiranës, ndërsa nuk ka dhënë asnjë shpjegim në lidhje me masën. Gjithashtu në të njëjtën gjykatë është dhënë masa edhe për Jak Jakun, personin që për më shumë se 48 orë u konsiderua si bashkautor i sulmit ndaj shefit të Komisariatit nr. 6, por që Prokuroria e Krimeve të Rënda në të vërtetë, këtë vrasje deri orëve të vona të mbrëmjes së djeshme ia ka faturuar vetëm Arben Frrokut. Tashmë pritet që Interpoli të sjellë drejt vendit tonë dy të arrestuarit e policisë greke

Hysni Burgaj: Do të caktojmë dy drejtues të rinj për hetimin

I kontaktuar me telefon nga “Shekulli”, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, pas publikimit të fotove të biznesmenit Arben Frroku me krerët e Policisë së Shtetit, tha se gjendej në një mbledhje për këtë çështje. Siç mësuam nga burime të tjera mbledhja analizonte rezultatet e hetimit të vrasjes së Lamajt dhe caktimin e dy vetave të tjerë në krye të hetimit të ngjarjes. Më herët ai garantoi publikisht se pavarësisht dorëheqjes nga hetimet të zv/ Drejtorit të Përgjithshëm, Agron Kulicaj dhe Tonin Vocaj, Drejtor i Drejtorisë së Krimeve të Rënda, Policia e Shtetit do t’i shkojë deri në fund zbardhjes së ngjarjes, duke shtuar se mirëkupton vendimin për dorëheqjen e tyre.  Ndërkaq, Burgaj konfirmon se fotot janë bërë 2 vite më parë dhe nuk cenojnë hetimin, pasi nuk ka lidhje me ngjarjen. Burgaj nënvizon se po punohet për dokumentimin e plotë të vrasjes së Dritan Lamajt.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama