Kumbaro apelon per anetaresim te Kosoves ne UNESCO I merituar kultura nuk ka kufij administrative

"Rrugëtimi i vështirë i Kosovës drejt UNESCO-s-

TIRANË, 20 Tetor / ATSH-Klajdi Musabelliu / - Komiteti ekzekutiv i UNESCO-s ka vendosur që kërkesën e Kosovës për "Njohjen dhe pranimin në UNESCO", ta bëj pjesë të axhendës së punimeve dhe rendit të ditës, ku gjatë të enjtes së 22 tetorit, pasi të diskutohet dhe debatohet kërkesa e Prishtinës zyrtare, do të relizohet dhe votimi për anëtarësimin e mundshëm të sajë në UNESCO.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi dhe dikasteri i të cilit ka qenë edhe iniciatori kryesor i aplikimit të Prishtinës për në UNESCO, është shprehur dhe më pare se ky veprim i tij, ishte një "fitore e vogël", duke e konsideruar procedurën e ofertës për realizimin e anëtarësimit si një hap mjaft të rëndësishëm për vendin.

Por, që Kosova të lëvizë më pranë anëtarësimit për në UNESCO, duhet që shumica e komitetit, pra 58-të votat e anëtarëve të Bordit Ekzekutiv, të votojnë në favor të kërkesë së Prishtinës zyrtare në seancën e 22 tetorit.

Nëse në hapin e parë oferta e anëtarësimit arrin të marrë 58 votat pro të anëtarëve të bordit ekzekutiv, atëherë një tjetër hap dhe një tjetër votim përfundimtar do të realizohet në konferencën e përgjithshme të UNESCO-s në nëntor, ku dy të tretat e 195 anëtarëve të saj, duhet të votojnë në favor të kërkesës për antarësim, që Kosova të lejohet t'i bashkohet UNESCO-s.

Ndërkohë që gjatë njërës prej seancave të Bordit Ekzekutiv(këshillit), Rusia, Kina, Argjentina dhe Kuba, shtet e konsideruara si "aleatët e Beogradit" dolën kundër përpjekjes së Kosovës për t'u bashkuar me trupin e OKB-së.

Nga Tirana zyrtare, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro nuk ka hezituar të shpreh hapur dhe publikisht mendimin dhe qëndrimin e saj zyrtar, lidhur me rrugëtimin dhe kërkesën e shqiptarëve të Kosovës drejt UNESCO-s.

"Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO, jo vetëm duhet të bëhet i mundur, por është edhe i merituar", është ky qëndrimi zyrtar i Ministres së Kulturës Mirela Kumbaro, e cila e ka shprehur publikisht qëndrimin e saj edhe në adresën zyrtare në internet.

"Kosova me territorin, banorët, historinë, monumentet dhe kulturën që mbart është një pjesë e mozaikut kulturor të rajonit të Ballkanit", shprehet ministrja Kumbaro.

"Të gjitha shtetet e Ballkanit janë në UNESCO dhe është absurde, madje qesharake, që një pjesë e këtij rajoni të mos jetë formalisht brenda, ndërsa është tashmë pjesë e saj me ndërlidhjen organike që ka me historinë e kulturën materiale dhe jomateriale të të gjithë rajonit" shton ministrja.

"Kultura nuk ka kufij administrativë, e aq më pak luftarakë, dhe kultura nuk mbrohet duke përjashtuar por duke përfshirë dhe shkëmbyer reciprokisht, dhe kjo qendron në vetë thelbin e organizatave si UNESCO", vijon Kumbaro.

"Jo vetem Kosova, por edhe Serbia, edhe Shqipëria, edhe Maqedonia e Mali Zi, përfitojnë nga anëtarësimi i Kosovës në UNESCO, sepse secili nga vendet tona ka identitetet e veta të mirëfillta kulturore por edhe ndërthurje të tyre, nuk mund të ruajmë, mbrojmë, promovojmë trashëgimitë tona kulturore pa mbrojtur dhe ato të komshiut", shprehet Kumbaro.

"Duke qenë brenda organizatës së UNESCO-s, çdo vend mbron më mirë jo vetëm vlerat e veta por edhe ato të Tjetrit, dhe në këtë kuptim trashëgimia që kultivon trualli dhe shteti i Kosovës do të përfitojnë nga konventat e UNESCO-s në metodologji, në përvojë e në zbatim, do të përfitojë përvojën më të mirë të vendeve të tjera anëtare të UNESCO-s, do të jetë nën kujdesin profesional dhe ndërkombëtar të organizatës ku Kosova jo vetëm merr por edhe jep, dhe Kosova ka shumë për të dhënë", përfundon Kumbaro.

/a.g/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama