Kukesi pikepyetjet e nje transformimi

Kukesi, pikepyetjet e nje transformimi
Për të mbërritur në qytetin verior u deshën vetëm dy orë e tridhjetë minuta. I vetmi ngadalësim i ndjeshëm ndodhi në hyrje të tunelit, ku duke qenë se ende nuk është përfunduar njëri nga të dy tunelet, kolona e makinave që shkonin drejt Kukësit u ndal në pritje, që të kalonin makinat e anës tjetër; ato që shkonin drejt Jugut, në drejtim të kryeqytetit. Vonesa tjetër, më pak serioze, erdhi kur makina hyri në rrugën e vjetër, duke qenë se një pjesë e kalimit drejt Kosovës nuk është përfunduar ende. Përveç kësaj, gjithçka tjetër shkoi mirë dhe mbi të gjitha, shumë shpejt. Kukësi është një qytet i qetë dhe relativisht i pastër, me lokale të mbushura nga banorët e udhëtarët, që duke shkuar drejt Kosovës, ndalen për një fare kohe në Kukës. Qielli është i lartë dhe dielli djeg aq sa të gjithë kalimtarët mundohen të ecin përgjatë ndonjë shtegu të ndërprerë hijesh që formohen nga ndërtesat e vjetra të qytetit.

Petrit Palushi, drejtor i Radio Kukësit dhe autor i një sërë veprash letrare, thotë se rruga e re i ka sjellë frymëmarrje qytetit dhe lidhjet me pjesën tjetër të vendit janë intensifikuar. “Ende ka shumë diskutime për rrugën - kryesisht lidhur me koston e saj - por duhet të udhëtosh personalisht për të kuptuar sesa e rëndësishme është ajo, jo vetëm për Kukësin, por për të gjithë vendin dhe në forcimin e lidhjeve tona me Kosovën”, -thotë ai. Palushi vëren se edhe në aspektin ekonomik rruga ka rëndësi të dorës së parë, duke qenë se fluksi i njerëzve që vijnë apo kalojnë mes qytetit është shtuar dhe se biznesi lokal tashmë po përfiton nga kostot e reduktuara të transportit, të cilat përbënin një barrë të rëndë.

Gazmend Hoxha, distributor i një kompanie produktesh ushqimore aprovon se shkurtimi i distancës me Tiranën i ka kursyer shumë punë dhe në përgjithësi ka ulur kostot e transportit të kompanisë së tij për të furnizuar Veriun e vendit. “Më parë ishte shumë e vështirë dhe dorëzimi i porosive brenda afateve të kërkuara shpesh bëhej i pamundur dhe si rrjedhojë tregtarët grumbullonin stoqe, për të shmangur mungesat”, -shpjegon Hoxha. Ai tregon se diçka e tillë shkaktonte probleme me kordinimin e punës, duke qenë se kishte periudha me aktivitet të pakët, ose me bum kërkesash. “Tani qarkullimi i mallrave bëhet normalisht, çka sjell më pak stres për sektorin tonë dhe krejt procesi është pothuajse tërësisht i planifikueshëm”, -thekson Hoxha.

Më shumë shanse për zhvillim

Kukësi është një qytet prej rreth 30 mijë banorësh, numër i cili ka pësuar luhatje të vazhdueshme përgjatë tranzicionit, si rrjedhojë e emigrimit jashtë vendit dhe migrimit të brendshëm. Vetë qyteti i Kukësit vazhdon të shfaqë një rritje graduale të numrit të popullsisë, kryesisht si pasojë e banorëve që vijnë nga rrethinat dhe vendosen në qytet. Ky fluks njerëzish ka bërë që, në dekadën e fundit, çmimi i apartamenteve në qytet të dhjetëfishohet. Për shembull, në vitin 1998, një apartament, dy dhoma e një kuzhinë kushtonte rreth 400 mijë lekë, ndërsa aktualisht, çmimi luhatet në afro 4 milionë lekë.

Megjithatë, është interesante që asnjë pallat i ri nuk është ndërtuar në Kukës. I vetmi i tillë ka mbetur pa u përfunduar, ndonëse mund të jetë plotësuar mbi 80 për qind e ndërtimit. Sektori i ndërtimit në qytetin e Kukësit - thuajse joekzistues - duket sikur shkon krejt kundër ligjeve të ekonomisë së tregut, ku raporti kërkesë-ofertë, është faktori parësor që dikton dinamikat ekonomike. Në rastin konkret, edhe pse kërkesa nga publiku për apartamente të reja është e lartë, ndërtime të reja nuk ka. Arsyeja kryesore që ngrenë vetë kuksianët, janë problemet me pronësinë, por Kukësi nuk bën përjashtim nga pjesa tjetër e vendit, ku ndërtimet vazhdojnë pavarësisht kaosit të pronave.

Por, Rruga e Kombit mbetet shpresa kryesore e zhvillimit të qytetit, ndonëse kur ajo të ketë përfunduar tërësisht, udhëtimet drejt Kosovës do t’i bëjnë bypass Kukësit dhe vështirë të thuhet se sa do të të ndikojë kjo te zhvillimi i qytetit dhe nëse ai rrezikon të ketë një fat të ngjashëm me Laçin, ku sot nuk ndalet më askush.

Musli Lleshi, i cili zotëron dhe njëherësh menaxhon Hotel “Amerika”-n, thotë se Kukësi është një ndër qytetet me më shumë perspektivë aktualisht dhe rruga e re është një mundësi shumë e mirë, për të vënë në lëvizje burime të fjetura të zonës, si dhe për t’i dhënë një shtysë të fortë zhvillimit ekonomik të zonës në tërësi. Numri i vizitorëve në hotelin e tij është rritur sakaq. “Duhet të kemi parasysh se Kukësi është krejt i veçantë për mundësitë që ofron. Ka burime minerale jo mirë të shfrytëzuara, si krom, bakër, hekur-nikel; ka aeroportin, liqenin dhe pikën doganore më Kosovën”, -shpjegon Lleshi.

Ai vetë është një nga sipërmarrësit e parë të zonës dhe i ka hyrë biznesit që në vitin 1991. Ndonëse ka në pronësi hotelin më të madh dhe luksoz në qytet, kush nuk e njeh mund ta marrë shumë kollaj si një nga punëtorët e hotelit, sepse është e zakonshme ta gjesh duke u marrë personalisht me punë fizike nga më të thjeshtat. Sipërmarrësi vëren se edhe zona turistike e Shishtavecit është ende e pashfrytëzuar si mundësi turistike, por sakaq po ndërtohet edhe rruga e re që do ta bëjë këtë zonë malore më me akses për vizitorët. “Me hapjen e rrugës (Rruga e Kombit) shtohet edhe interesi i investitorëve dhe unë vetë kam zhvilluar takime me një numër njerëzish të interesuar për të investuar në Kukës”, -sqaron Lleshi, i cili nuk ngurron të thotë se me lehtësimin e lëvizjes, si rrjedhojë e zhvillimit të infrastrukturës rrugore, “Kukësi ka hyrë në Europë”.

Ndërkaq, problemi i pronësisë mbetet në qendër të problemeve që ai rendit, si më akutet për zhvillimin e investimeve në zonë.

“Kostot e biznesit më janë ulur ndjeshëm, kryesisht në kursim kohe, mirëmbajtje automjetesh dhe lehtësim në qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve, të cilat janë të domosdoshme për mbarëvajtjen e biznesit tim”, -tregon ai. Në këtë moment, kur mundësitë e investimit janë rritur ndjeshëm, Lleshi thekson se duhet krijuar edhe një mjedis miqësor për të mirëpritur partnerët e mundshëm në biznes. “Është shumë e rëndësishme të gjendet ngrohtësi e bashkëpunim dhe nëse sigurohet edhe kjo, atëherë mundësitë për përfitim shumëfishohen për të gjithë”, -përfundon Musli Lleshi.

Aeroporti letargjik

Aeroporti i Kukësit mban emrin “Zajed Bin Sulltan Al-Nahyan”, në nder të Presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, qeveria e të cilit mundësoi ndërtimin e aeroportit përmes një ndihme bujare, e cila, kombinuar me financimet e shtetit shqiptar, arriti një shumë totale prej 22 milion dollarësh. Por prej vitesh, në qiellin përmbi të nuk dëgjohen uturima avionësh, ndërsa mbi pistën tashmë të pluhurosur, ulen veç era e shiu. Aty gjen veç një roje, i cili çapitet në “një vetmi prej qielli e toke”, siç thotë poeti e as rreket ta fshehë mërzinë e skajshme që e kaplon në atë fushinë të zbrazët mes malesh. Aeroporti i Kukësit u projektua gjatë krizës së Kosovës në vitin 1999, i argumentuar si një mirënjohje për atë që bëri Kukësi në ndihmë të refugjatëve të luftës, ndërsa ka nisur së ndërtuari në vitin 2003.

Por, aeroporti nuk ka gjasa të nisë funksionimin, për shkak të një marrëveshjeje të koncesionit të lidhur mes qeverisë shqiptare dhe shoqërisë “Tirana Aeroport Partners”. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, qeveria shqiptare merr përsipër që të garantojë se gjatë afatit të koncesionit nuk do të licencohet, autorizohet dhe as operohet asnjë aeroport tjetër për fluturime ndërkombëtare tregtare në Republikën e Shqipërisë, me përjashtim të uljeve emergjente. Kjo marrëveshje është bërë që në vitin 2004 dhe gjithçka është përcaktuar në Ligjin 9312. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, Aeroporti i Kukësit nuk mund të presë fluturime për të paktën për 20 vjet. Ndërkaq, qeveria shqiptare pritet të rifillojë negociatat me shoqërinë koncesionare që “zotëron” përveç aeroportit “Nënë Tereza” edhe gjithë hapësirën ajrore shqiptare. Firma është shprehur se janë të hapur për negociata, por deri tani askush nuk e di kuptimin e kësaj fjale.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama