Kujtese e shkelqyer per te moshuarit

Kujtese e shkelqyer per te moshuarit
Nëse keni gjyshër të cilët kanë probleme me kujtesën, atëherë bëni mirë t’u hapni një profil në “Facebook” dhe t’ua çoni atje recetën e ilaçeve. Studiuesit thonë se ka 25 për qind më shumë mundësi që ta mbajnë mend.

Facebook”

elderly-people-on-computerShpesh “Facebook” dhe rrjetet e tjera sociale konsiderohen si shpërqendrime, të cilat nuk i ndihmojnë aspak personat që i përdorin. Ndodh që të shkëpusim aktivitetin ditor për të kontrolluar se çfarë të reje ka në “Facebook”, apo se kush na komentoi në ndonjë foto. Një studim i ri mendon se disa lloje të veçanta shpërqendrimesh, ku futen edhe rrjetet sociale, janë pikërisht ato për të cilat të moshuarit kanë nevojë për të përmirësuar kujtesën. Universiteti i Torontos ka zbuluar faktin befasues se kur të moshuarit shpërqendrohen nga një punë, në mënyrë të pavetëdijshme ata mbajnë mend më shumë informacion sesa personat e rinj. Për të arritur në përfundime të sakta studiuesit kryen një eksperiment të projektuar posaçërisht për të testuar kujtesën e pjesëmarrësve.

Në kërkim u përfshinë të moshuar nga mosha 68- 69 vjeç dhe të rinj nga mosha 18-19 vjeç. Në disa eksperimente, grupmoshave iu kërkua të mbanin mend një listë me 20 fjalë duke u testuar direkt pas kësaj. Më pas, atyre iu tha se do t’i bënin një test të dytë 15 minuta më vonë.  Gjatë kësaj kohe, pjesëmarrësve iu tregua një vizatim dhe iu kërkua që kur të shihnin një foto të ngjashme me këtë vizatim ndër shumë foto të tjera, të shtypnin një buton. Disa nga vizatimet kishin disa fjalë nga lista në përmbajtje të tyre, ndërsa disa të tjera kishin fjalë të pakuptimta.

Pjesëmarrësit u këshilluan të mos u kushtonin rëndësi fjalëve, por vetëm të identifikonin ngjasimet e fotove. Vetëm 10 nga fjalët e listës u përsëritën aq shpesh sa kërkuesit të arrinin në përfundimin se këto fjalë kujtoheshin më shumë, sesa fjalët që nuk u përfshinë në fotot e paraqitura. Nuk ishte surprizë fakti se të rinjtë arritën të kujtonin më shumë fjalë, por të moshuarit mbanin mend më shumë nga fjalët që ishin shfaqur në ekran së bashku me fotot e vizatimeve. Kjo kujtesë nuk vihej re për fjalët që nuk ishin shfaqur në ekran. Përfundimet shprehin se truri i të moshuarve mund të ketë një mekanizëm të ndryshëm të kujtesës dhe se mund të jetë frytdhënëse përsëritja e gjërave, edhe kur kjo përsëritje shfaqet si diçka jo e rëndësishme.

Kërkuesit nënvijëzojnë se paraqitja e informacionit te të moshuarit si diçka çlodhëse dhe e rastësishme rrit mundësinë e eliminimit të harresës për shkak të moshës. Do të ishte frytdhënëse që studiuesit dhe klinikat të punonin me natyrën e njohjes te të moshuarit. Në veçanti është interesant fakti sesi truri i një të moshuarit i regjistron informacionet e rëndësishme ose jo. Rrjetet sociale ku shumë njerëz përpiqen të largojnë vëmendjen, mund të jenë një rrugë e mirë për të testuar hipotezat e reja të studiuesve. Një mënyrë e mirë për të arritur rezultatet e kërkuara mund të jetë duke e hedhur në “Facebook” kontekstin e gjërave që të moshuarit duhet të kujtojnë.

Ndaj nëse dëshironi që gjyshërit tuaj të mbajnë mend diçka, hapini një profil në “Facebook” dhe dërgojini që atje mesazhe për recetat e ilaçeve që duhet të pinë apo edhe për takimet që mund të kenë në axhendë. Shoqëria Ndërkombëtare e Neurologëve mbajti një takim në Havai për të diskutuar sesi mund të kontribuojë “Facebook” në rritjen e kujtesës te të moshuarit. Aty u krye edhe një studim ku u përfshinë 42 të rritur të moshës 68 – 91-vjeçare. 14 të moshuarit që kishin akses në “Facebook” arritën një performancë 25 për qind më të lartë të kujtesës, krahasuar me grupin tjetër të personave të cilët nuk e përdornin “Facebook”. Më në fund shpenzimit të aq shumë kohe në rrjetet sociale i doli një anë pozitive, ato arrijnë të na japin shpërqendrimin e duhur që kujtesa jonë të arrijë të regjistrojë informacione që në gjendje normale do t’i kishte të pamundur t’i kujtonte.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama