Kujdes nga pishinat burim infeksionesh

Kujdes nga pishinat, burim infeksionesh
-Ka vetëm dy javë që sezoni veror ka hapur dyert për frekuentuesit e pishinave. Por, jo të gjithë i gëzohen këtij fakti. Jo pak individë që duan të freskohen në këto ditë të nxehta vere, stepen kur mendojnë se uji që iu hyn në gojë apo në hundë është vetëm ujë. Pishinat mbartin rrezikun e tyre, pasi pronarët e lokaleve me pishinë nuk respektojnë rregullat e mirëmbajtjes dhe dezinfektimit të ujit. Duke i parë si një biznes i mirë përfitimi, ata i mbipopullojnë pishinat duke mos respektuar në asnjë rast parametrat 1 pushues për 3-4 metër katror hapësirë.

Këto tregues janë rezultat i një studimi që po kryen aktualisht Instituti i Shëndetit Publik. “Shekulli” ka arritur të sigurojë një raportim paraprak të këtij studimi mbi riskun e pishinave për përdoruesit e tyre. Specialistja e ISHP-së, Drita Mema tregon se cilësia e ujit në pishina është shumë e ulët. Sipas saj, pishinat në vend janë të mbipopulluara dhe me problem higjieno-sanitare, referuar këto në rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Për të shmangur rrezikun e prekjes nga infeksione të ndryshme, specialistja Mema sjell në vëmendje disa rregulla që duhet të zbatohen si nga frekuentuesit dhe nga ata që mirëmbajnë këto biznese. Nëse nuk zbatohen rregullat e pastërtisë, pushuesit rrezikojnë të marrin infeksione dhe të sëmuren kryesisht nga lëkura, por edhe nga infeksione të tjera me pasoja më të rënda. Këto dhe të tjera problematika bëhen me dije në studimin e plotë të ISHP-së i cili pritet të dalë në përfundim të studimit të plotë.

Ku është përqendruar kryesisht studimi juaj?

Duke u bazuar ne rekomandimet e OBSH per pishinat, Departamenti Shendetit dhe Mjedisit po realizon një studim 2-3 vjeçar për të parë nëse pishinat kanë faktorë risku për përdoruesit. Këto faktorë vlerësohen mbi treguesit fiziko-kimik, mikrobiologjik të ujit të pishinave , tregueseve të mirëmbajtjes dhe menaxhimit të tyre. Cilësia e ujit në pishina krijon kushte për pishina të shëndetshme dhe të sigurta. Në këtë fillim sezoni disa rekomandime për menaxheret e pishinave dhe përdoruesit e tyre janë të domosdoshme për të ulur ndotjen, pasi disa prej tyre kanë tregues të ndotjes.

Çfarë problematikash kanë dalë në pah gjatë kësaj kohe?

Problematikat janë disa, por do të veçonim mënyrën e dezinfektimit të pishinave.

Thuajse të gjitha pishinat funksionojnë me sistem klorinimi të tipit manual, gjë që nuk çon në realizimin e një klorinomi të plotë. Ndërsa, do të jepja një këshillë për ata që mirëmbajnë pishinat që të kalojnë nga ky sistem në atë automatik të klorinimit, në mënyrë që të realizohet një klorinim më efektiv. Po ashtu, problematike shfaqet mbipopullimi i pishinave, mbi kapacitetet e saj. Kjo do të thotë që numri i pishinave është në përpjesëtim të zhdrejtë me sipërfaqen e saj. Shpesh na ka rënë rasti të shikojmë që një pishinë e caktuar frekuentohet më shumë se disa të tjera bashkë. Një pishinë me një kapacitet të caktuar nuk mund të mbajë një pafundësi personash. Ky është një tregues që shërbimi në pishina është i pa menaxhuar. Nga ana tjetër, standardi kombëtar dhe rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë japin një normë sipërfaqe për një person 3-4 metra katror dhe kjo nuk duhet të shkelet. Zbatimi i rregullave është një tjetër problem që lë shumë për të dëshiruar në pishinat tona. Që në hyrje, personat duhet të informohen për zbatimin e disa rregullave, kryesore për qëndrimin në komunitete të tilla. Ata duhet të jenë të vetëdijshëm për disa rregulla strikte. Frekuentuesit, së pari duhet të bëjnë dush përpara hyrjes në pishina. Në pishinat e hapura shumë pak persona bëjnë dush para se të hyjnë në pishin. Në asnjë mënyrë nuk duhet të urinohet brenda në pishinë. Kjo për arsye se ulet sasia e dizinfektantit që përdoret në pishina.

Si mund të ulim ndotjen nga amoniaku?

Klori që përdoret si dezinfektant, shkatërron amoniakun që ndodhet në ujin e pishinave,duke formuar disa produkte kimike që quhen kloramina. Këto produkte japin erë të pakëndshme, mbytëse dhe janë edhe irrituese, sidomos në pishinat e mbyllura. Duket sikur kemi një përqendrim të lartë të klorit, por kjo erë është nga kloraminat. Kloraminat bëjnë irritimin e lëkurës dhe shkaktojnë infeksione në lëkurë. Duhet bërë kujdes në pishinat ku ka shumë fëmijë, pasi fëmijët janë më të predispozuar për të urinuar në ujë. Duke ulur sasinë e amoniakut ne ulim edhe sasinë e kloraminave, pra ruajnë përqendrimin e klorit në ujë. Gjithashtu përdoruesit e pishinave duhet të kenë parasysh, që të shmangin sa të jetë e mundur përdorimin e kremrave si një nga ndotësit e ujit të pishinave.

Ka ndotës të tjerë në pishina?

Ndotësit e tjerë në pishina janë: ndotësit mikrobiologjikë dhe ndotësit kimikë. Klori shkatërron gjallesat mikrobiologjike, të cilat shkaktojnë infeksione të ndryshme. Klori shkatërron këto gjallesa dhe kloraminat. Duhet theksuar që pas përdorimit të pishinave, në kohën e sezonit banjator, kur frekuentimi është i lartë dhe sidomos gjatë fundjavës, menaxherët e këtyre pishinave, duhet të bëjnë superklorinim të pishinave në varësi të përqendrimit të klorit të kombinuar (kloraminat) . Superklorinimi është procesi i shtimit të klorit në nivele të larta afërsisht sa 10-fishi i nivelit të kloraminave. Ky veprim kryhet, por jo në mënyrën e duhur, pasi bëjnë thjesht hedhje të klorit, pa matur nivelin e kloraminave. Në këto momente pishina duhet të jetë e mbyllur për banjatorët.

A kanë trajnimin e duhur personat që merren me cilësinë e ujit në pishina?

Pishinat kanë operatorë, të cilët kryejnë trajtimin e ujërave të tyre, por është e nevojshme që të bëhet trajnimi i tyre në lidhje me cilësinë e ujit të pishinave dhe rëndësinë e ndikimit që jep ai në shëndetin e përdorueseve. Prandaj e theksoj që duhet të ketë operatorë ekspertë dhe të mirëtrajnuar.

Kontroll pishinave në kryeqytet

Gjatë muajit maj do të bëhen kontrolle për klorinimin, filtrimin dhe standardet e punimit

Këtë vit ka hyrë në fuqi një rregullore e re për mirëmbajtjen e pishinave, në bazë të së cilës këtyre bizneseve do t’iu kërkohet plotësimi i disa kritereve si sterilizimi, higjienizimi i ambienteve sipas standardeve evropiane, vendosja e masave për ata që ndotin brenda pishinës, duke përdorur teknika të veçanta. Së fundmi, edhe Ministria e Shëndetësisë dhe tatimet kanë vendosur këtë vit të kontrollojnë pishinat rrethe qark Tiranës nëse këto biznese i kanë licencën dhe të drejtën për të hapur një biznes të tillë pushimi. Ky kontroll ka lindur, pasi shumica e pishinave kanë rezultuar të jenë bare apo restorante, krahas shërbimit të pishinës. Do të kërkohet që për pishinat e mbyllura të zbatohen masa më të rrepta të higjienës, si pajisja me dushe, vendosja e kapelës në kokë, pajisja e ambienteve me dollapë dhe sirtarë për secilin pushues. Kushte të tjera që do të duhet të plotësojnë pishinat lidhet me qarkullimin e ujit në të, parashikimi i sipërfaqeve të caktuara për fëmijë, pajisja me personel shëndetësor, infermieror ose mjekë, të cilët duhet të japin ndihmën e shpejtë në rast aksidentimi apo dehidratimi të pushuesve. Kriter tjetër që do të duhet të përmbushin subjektet që zotërojnë pishinat është edhe pajisja me dushe për secilin resort. Pjesa më e madhe e pishinave në vend janë të hapura, ndërkohë që numërohen pak subjekte që ofrojnë pishina të mbyllura edhe për sezonin e dimrit. Sipas Shëndetit Publik, në raste të mossterilizimit dhe klorizimit të pishinave, nëse nuk zbatohen rregullat e pastërtisë pushuesit rrezikojnë të marrin infeksione dhe të sëmuren kryesisht nga lëkura, por edhe infeksione me pasoja të rënda.

Këshillat e specialistëve

Të gjitha pishinat duhet të kenë rregullore për përdoruesit e pishinave, të cilën duhet ta vendosin në vende të dukshme për frekuentuesit. Menaxheri i pishinës duhet të kontrollojë zbatimin e kësaj rregulloreje

Nevojitet menaxhim i mirë i cilësisë së ujit të pishinave nga operatorët e pishinave, si dhe një trajnim më i mirë i personelit që merret me mirëmbajtjen e pishinave

Duhet më tepër promocion dhe edukim për përdorimin e shëndetshëm të pishinave (dush para se të futemi në pishinë, shmangia e urinimit apo përdorimit të kremrave që ndotin ujin etj)

“Sarsi i ri”, OBSH: Rrisni vigjilencën

Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka kërkuar

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama