Krisma tek Ura e Tabakeve

Krisma tek Ura e Tabakeve
Shtator 1926/ Ngjarja që tronditi qetësinë e muzgut të Tiranës së vjetër
Si e përse u vra Osman Bali nga Myslym Peza e Lam Leka

Ura e TabakeveAtë, Myslym Pezën, të gjithë e thërrisnin “Babë”. Kishte lindur në 1897 në familjen e një shehu të njohur të tarikatit Saadi në Pezë, fshat i madh dhe i njohur i rrethinave të Tiranës. Ishte njeri me influencë të madhe. Kundërshtar i vendosur i monarkisë, u arrestua dhe u internua disa herë deri në një moment që i ndryshoi jetën, kur vendosi të vriste Osman Balin, majorin komandant të rojave të Ahmet Zogut, njeri me influencë nga Baldushku, i akuzuar nga të gjithë si vrasësi i Ahmet Riza Pashës, komandantit osman që mbrojti Shkodrën përballë malazezëve deri në 1913.

Osman Bali kishte pasur një jetë të ndërlikuar. Në fillim kishte qenë nën urdhrat e Esad Pashës, njeriut më influent në Shqipërinë e Mesme, pastaj kishte marrë pjesë në përplasjet e armatosura në 1920 e 1922, duke iu kundërvënë Ahmet Zogut. Pastaj i la shokët e tij të vjetër dhe u lidh sërish me Zogun. Ky i riktheu gradën major dhe e emëroi komandant të rojave të veta personale. Gjatë kryengritjes së armatosur të qershorit 1924, Osman Bali ishte strehuar në pyjet e tij rreth e rrotull Baldushkut. Me kthimin e Legalitetit, Osman Bali doli sërish në skenë.

Historia që do të lexoni më poshtë ka edhe një personazh tjetër, më pak të njohur: Shyqyri Pezën, vëllain e madh të Myslym Pezës, ushtarak dhe dëshmor i Luftës së Dytë Botërore. Shyqyriu, në prill të 1926, i shpëtoi jetën në një atentat në Bari, Shefqet Korçës, ish-komandant i xhandarmërisë në kryengritjen fanoliste. Shyqyriu dëshmoi në gjyq dhe kjo bëri që ai të mos kthehej për dhjetë vjet në Shqipëri. Myslymit i mbeti barra e shtëpisë.

Historia e ngatërruar e një pele

Armiqësia e parë, me sa duket nuk ka qenë vetëm politike. Të dyja familjet njiheshin mirë, madje kishin edhe disa pika takimi krushqie. Vetë “Baba” rrëfen se gjithçka nisi me historinë e një pele të lakmuar. Shyqyriu me largimin e austriakëve pat blerë një pelë austriake nga një bashkëfshatar i tij. Pagoi 25 napolona flori, një shumë e majme për kohën. Mirëpo, kur Myslym Pezës dhe familjes iu sekuestrua pasuria më 1920, pelën e nxorën në ankand. Atëherë, me forcë e thirrën në gjyq të zotin e parë të pelës dhe e detyruan që ta riblinte po aq sa e kishte shitur. Për këtë historinë e pelës u ngrit një tjetër çështje gjyqësore, sepse ndërkohë, i zoti i vërtetë i pelës ishte kthyer në Pezë. Maratona e pelës me shumë zotër vazhdon gjatë, këtu ngatërrohen edhe kushërinj, personazhe të tjera, vendime gjyqësore dhe e këmbyer me një kalë, ajo përfundon tek Osman Bali, por në fund të fundit, kur në qershor të 1924 fitoi krahu që përkrahnin dy vëllezërit Peza, pela u kthye në shtëpi. Osman Bali e pat mbajtur për disa kohë, por ai tashmë ishte në arrati në pyjet e tij prej dushku. Dy vëllezërit i kishin marrë pelën që ai tashmë e pretendonte si të tijën. Kjo për atë kohë nuk ishte një “llaf goje”. Vëllezërit mësojnë se Osman Bali, i nxitur edhe politikisht, po ngrinte prita për të vrarë Shyqyriun. Për këtë arsye, në 1926, para se të largohej për në Itali, vëllai i madh e porosit të voglin që të qëndronte i qetë. Pela e sherrit ndërkohë kishte përfunduar në një fshat të largët të Martaneshit.

Ismaili që s’ishte për atë punë

Tregon vetë “Baba”: “Unë isha njoftue me kohë nga Hallë Xheja që të ruhesha prej Osman Balit. Ai kishte fillue me u interesue mbi lëvizjet e mia. Kështu që unë e ndava mendjen që t’i përgjigjesha pritave të tij me pritat e mia. E gjithë puna ishte se kush do t’ia kallte i pari njeni-tjetrit”. Dhe kështu Myslymi hedh sytë rreth e rrotull për të gjetur një bashkëpunëtor për vrasjen e Osman Balit. I pari që i shkon ndër mendje ishte një Ismail që strehohej në Pezë për punë hasmërie. “Ismaili ishte burrë i pashëm – rrëfen ‘Baba’ – trupmadh, me musteqe të mëdhaja e të zeza që i përdridhte nalt. Unë ia kallxova Ismailit fije e për pe të gjitha krimet që kishte ba Osmani dhe ndjekjet që po bante kundër Shyqyriut dhe kundër meje. Ismaili pranoi menjëherë”.

Një javë të tërë të gushtit të 1926 Myslymi dhe Ismaili vigjëluan në kodrat e Arbanës në pritje të Osman Balit. Por ai nuk po dukej. Pastaj nisi shiu i vjeshtës. Në kujtimet e tij “Baba” kujton pa e fshehur humorin: “Ditën e njëmbëdhjetë filloi me ra shi. U futëm në Rrugën e Elbasanit dhe po ecshim rrazë Pallatit të Zogut: unë para Ismaili mbrapa. ‘Or ti, – ndigjova zanin e Ismailit. – Këtu nuk ecet ditën e jo ma natën’. ‘Bo, bo, – thashë me vete. – Çka ka ky hajvan që bërtet?!’. ‘Ec, ec, leni llafet, – i fola nën za. – E zgjidhim ma poshtë këtë punë’. Tek Ura e Lanës ndalova kambët dhe e kapa Ismailin për supesh. ‘Mor Ismail, pse nuk thue se u lodha, por bërtet në mes të xhadarëve?’. ‘Kohë e keqe bre!’. Unë nuk i fola ma asnji llafe. Ismaili nuk ishte për atë punë”.

Lom Leka

Në gjuhën letrare duhet shkruar Islam Leka. “Tironsit” e vjetër e njohin me emrin Lom Leka. Ky ishte një fshatar i varfër nga një lagje e Ndroqit. Kishte mbetur jetim nga i ati që i vogël. Fati e kishte dashur që të vriste një bashkëfshatar që kishte guxuar të ngrinte dorën mbi të ëmën. Në 1922 kishte qenë dënuar me dhjetë vjet burgim për pjesëmarrje në kryengritje. Më pas ishte arratisur dhe jetonte pyjeve. Pikërisht me Lom Lekën e zëvendësoi “Baba” Ismailin që “s’bante për atë punë”. “Nji shoku im, Hazis Hakrama – rrëfen vetë ai – e kishte Lamin çun tezeje. Unë iu luta Hazizit të ma gjente kushërinin e vet dhe ai ma solli në shtëpi. Lam Leka kishte trup mesatar, po të lidhun mirë, sy të zinj, të mëdhenj, zhbirues.

Krisma pranë urës

Një ditë fillimshtatori dy atentatorët, pasi kishin vëzhguar disa ditë më parë lëvizjet e Osman Balit, u shtruan në breg të Lanës duke ngrënë bukë, djathë e ullinj dhe duke e kthyer nga një gotë raki. Në të errur teksa një plak po ndizte ndriçuesit publikë, duket silueta e Osman Balit, i shoqëruar nga një ordinancë që mbante një tavë me mish të pjekur. Tentativën e parë për të shkrepur “dhjetëshen” e bën Myslym Peza. Atentatori shtanget, ndërsa Osman Bali ka kohë që të nxjerrë pistoletën e tij dhe të bëhet gati për mbrojtje. Myslymi shtang, por një plumb i qëlluar nga Lam Leka ia thërrmon kyçin majorit. “Osman Bali qiti patllaken e vet nga brezi dhe do të më kishte lanë të vdekun në vend – kujton ‘Baba’ – po të mos kishte gjuejtun Lami me nji plumb që ia thërrmoi kyçin e dorës dhe ia rrëzoi patllaken përtokë. Fytyra e Osman Balit u ngërdhesh nga dhimbja dhe tmerri i vdekjes. Ai ngriti dorën me u mbrojt me dëshpërim. Lami gjuejti për së dyti dhe për së treti. Unë arrita ta ndërroj fishekun në gojën e patllakes. E gjithë kjo, punë sekondash. Plumbat e katërt e të pestë i shtimë bashkë. Trupi i randë, i shtrimë poshtë nesh, tundte kambët dhe thërriste në kupë të qiellit: Aaaaaaaa… Osman Bali e dha shpirtin para syve tanë. Mbasi ordinanca e tij ia mbathi kambëve bashkë me tavën e mishit. Për atë vrap ordinance u arrestua si ‘pjesëmarrës në vrasje’ dhe, kur e vërteta doli në shesh, i hangri afro dy vjet burg”.

Dy atentatorët u fshehën për disa kohë në një lagje të Saukut. Vetëm disa ditë më vonë shtëpisë së vëllezërve Peza iu vu flaka nga forcat e xhandarmërisë, gratë e mbetura në shtëpi u burgosën, ndërsa e gjithë pasuria u konfiskua.

Që nga kjo kohë, Mylsym Peza qëndroi në arrati për katër vjet me radhë. Më 1930 kaloi kufirin jugosllav ku kërkoi strehim politik. Jetoi deri në 1939 në Resnjë të Maqedonisë së sotme, prej nga u kthye pas pushtimit italian të Shqipërisë. Ishte një ndër figurat kryesore të Frontit Nacionalçlirimtar dhe komandant i çetës së njohur partizane të Pezës. Pas Luftës së Dytë Botërore (1946-1982) ishte nënkryetar i Kryesisë së Kuvendit Popullor. Vdiq qetësisht në pleqëri të thellë më 1984. I vëllai, Shyqyriu, ra dëshmor gjatë luftës. Lom Leka, që u nda nga grupi i Myslymit pak kohë para se ata të largoheshin për në Jugosllavi, u vra për shkaqe banale në një fshat mes Tiranës e Durrësit. Për fatin e pelës së lakmuar, askush nuk ka dëshmuar deri më tani.

(Të gjitha citimet e fotot në këtë artikull janë marrë: nga Hazis Gjergji, Myslym Peza, dëshmitar dhe protagonist, 1912-1939, Tiranë 2008).

 

Krisi pushka në Pazar

Krisi pushka në Pazar,
paskan dal-o dy firar,
dy firar-o me rroba t’zeza,
asht Lam Leka e Myslym Peza.
Myslym Peza në tahtaben,
Me Lom Lekën e bani mend:

Ta msojm Monin kur t’na vij,
që ç’do me thon m’e u zhyt m’tradhti.
Nji major si ky Osmoni,
Bab’ Myslimi moll s’e boni,
Myslim Peza i fortë si lisi,
Qeverinë s’e begenisi.

-Mos qaj ti moj nonë,
marrim hakun e popullit tonë.
M’paç më qaf’, moj dhetçja shkretë,
mos t’qe Lomi, m’shtive m’dhetë!
Ty moj dhetçe t’puthsha çarkun,
Sa me t’shpejt e more hakun.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama