Një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh kanë krijuar simulimin vizual më të plotë të mënyrës si ka evoluar Universi. Modeli kompjuterik tregon sesi janë formuar galaksitë e para rreth një substance misterioze dhe të padukshme, të quajtur materia e zezë. Kjo është hera e parë që Universi është modeluar në mënyrë kaq të plotë dhe me një rezolucion kaq të madh.
Një nga autoritetet drejtuese në botë për formimin e galaksisë, profesor Richard Ellis nga Instituti i Teknologjisë i Kalifornisë (Caltech) në Pasadena, e ka përshkruar simulimin si “mahnitës”.
“Tani do të kemi një pamje të mënyrës sesi janë formuar yjet dhe galaksitë dhe do ta lidhim atë me materien e zezë”, tha ai për BBC News.
Kozmologët kanë krijuar modele kompjuterike të evolucionit të Universit për më tepër se 20 vjet. Ato kanë përfshirë futjen e detajeve rreth përbërjes së Universit menjëherë pas Big Bang-ut, në një program kompjuterik që funksionon në përputhje me teoritë kryesorë të kozmologjiisë. Universi i simuluar që krijohet është një përafrim i madh me atë që shohin astronomët në të vërtetë. Mirëpo, simulim i fundit, përbën një krijim shumë të ngjashëm me Universin real.
Për rikrijimin e Universit virtual, është përdorur një fuqi kompjuterike e jashtëzakonshme, duke përdorur një program të zgjuar, të quajtur “Arepo”. Një laptopi normal do t’i duheshin 2 mijë vjet për ta krijuar simulimin, ndërsa “Arepo-s” i janë dashur vetëm 3 muaj.
Simulimi do të përbëjë një testim për teoritë kryesore që shpjegojnë formimin e Universit. Kërkimi është publikuar në revistën “Nature”.