Kozma Dushi Kompozitoret e papergjegjshem huazuan krijimtarine dhe demtuan kengen shqiptare

Kozma Dushi: Kompozitoret e papergjegjshem huazuan krijimtarine dhe demtuan kengen shqiptare

Edicioni i 54 i Festivalit të Këngës në RTSH sjell këtë vit në skenë dhe këngëtarin e njohur Kozma Dushi. Një nga zërat më të vlerësuar të këngës shqiptare, këtë herë në konkurrim vjen me këngën “Një kafe”, kompozim nga Vladimir Kotani dhe tekst nga Jorgo Papingji. Me një këngë ritmike këngëtari Kozma Dushi shënon pjesëmarrjen e 34 në Festivalet e RTSH. Në intervistën dhënë për gazetën, këngëtari Kozma Dushi flet për rikthimin e tij në garën e këngës së lehtë shqiptare, ndërsa vlerëson shumë dhe bashkëpunimin me kompozitorin Kotani dhe autorin e tekstit Papingjin. Biseda rreth krijimtarisë muzikore ka në vëmendje dhe problemet që has sot kënga shqiptare, që për këngëtarin Kozma Dushi problemet erdhën jo vetëm nga huazimet, por dhe nga tekstet e dobëta të këngëve. Sipas tij, një festival këngë quhet i tillë sepse është live para publikut, dhe këngëtarët profesionistë janë ata që përballen në këtë skenë.
 
Jeni rikthyer në Festivalin e Këngës në RTSH. Në skenë ju do të këndoni natën e parë, jeni i 13 konkurrues. Numri 13 për ju?
 
Është e çuditshme. 13 disa thonë është ters, dhe disa thonë është mbarësi. Për mua është mbarësi, është fat. Në datën 13 shtator jam martuar në qytetin tim të lindjes, Beratin. Edhe festivali që është i 54 që zhvillohet në RTSH, unë jam datëlindje 1954, kështu që përkojnë këto data. Megjithatë unë ndjej shumë kënaqësi, që jam pjesëmarrës në festivalin e këngë në RTSH.
 
Me këtë konkurrim në skenën e edicionit të 54, sa festivale bëhen që ju jeni në skenë?
 
Ky është festivali i 34 i këngës në RTSH, që unë konkurroj në skenë. Për herë të parë kam qenë si konkurrent në edicionin e 15 të tij. Atë kohë isha në konkurrim me këngën “Përshëndetje nga furrnalta” dhe ishte dhjetori i viti 1975.
 
Dhjetori i vitit 1975. Pas kaq vitesh si e kujtoni bashkëpunimin me krijuesit e kësaj kënge, që ju çoi për herë të parë në festivalin e RTSH?
 
Ishte një bashkëpunim me kompozitorin fierak Nikollaq Vulo, dhe poezia ishte e autorit Zaho Puci nga Saranda. E kujtoj atë këngë me shumë nostalgji, ka qenë një bashkëpunim me një këngë, që për herë të parë u prezantova në skenën e Festivalit të Këngës në RTSH.
 
Këtë vit ju jeni në skenën e festivalit me një krijim, që mban emrin e autorit Vladimir Kotani dhe poezi të Jorgo Papingjit. Për këtë këngë është një bashkëpunim i emrave të njohur të krijimtarisë muzikore. Me kompozitorin Valdimir Kotani ju keni pasur dhe bashkëpunime të tjera vite më parë, por këtë herë si u bë e mundur që ju të jeni me këngën e tij si konkurrent në festival?
 
Kënga e këtij viti vjen me muzikë nga kompozitori i njohur Vladimir Kotani, teksti nga Jorgo Papingji, poet shumë i mirë dhe i dashur për mua. Unë i vlerësoj të gjithë poetët, por unë tekstet e këngëve të mia i kam pasur krijime më shumë me poetët Jorgo Papingji dhe Arben Duka. Por dhe Vladimir Kotanti është një kompozitor i njohur për krijimtarinë e tij muzikore. E kam mik të vjetër Vladimirin. U lidha me të me telefon. Vajta në Korfuz, dhe ai kishte bërë disa materiale të reja muzikore. Unë zgjodha njërën prej tyre, që ishte një këngë ritmike, e cila titullohet “Një kafe”.
 
Ju në skenë vini me një këngë ritmike, nën ritmet e kësaj kënge kujt i këndon Kozma Dushi?
 
Është një këngë ritmike, që ka nostalgjinë. Janë dy të dashuruar dikur që takohen. Dhe në vargjet e këngës thuhet, që megjithëse jemi të martuar, le ta pimë bashkë një kafe. Vijon me fjalët:
-sa do doja të takoja në një natë me yje,
-në një kafe të të thoja gjithë ato që s’ti kam thënë....
 
Si e shikoni këtë vit konkurrencën në edicionin e 54 të këtij festivali, që sjell në konkurrim këngën e lehtë shqiptare?
 
Nuk e di se si mund të jetë konkurrimi. Këngët do ti dëgjojmë në prova, por mua më pëlqen festivali dhe mendoj se kanë dhe këngë të bukura. Por si çdo vit stafi i festivalit dhe këtë vit do të bëjë një punë akoma më të mirë, do të ecin një hap më përpara me Festivalin e Këngës në RTSH.
 
Çfarë përfaqëson për ju Festivali i Këngës në RTSH?
 
Për mua Festivali i Këngës në RTSH është më i madhi dhe më i arrituri, është aktiviteti më i madh. Unë kam jetuar dhe në kohën që kaloi dhe sot, por për mua Festivali i Këngës në RTSH është më i bukur, është dalvivo. Kemi koncerte apo festivale, që këndojnë me playback, por në RTSH është festival me këngëtarë që këndojë live, dhe është aktiviteti më i madh i vitit. Unë e vlerësoj shumë RTSH, sepse është dhe shtëpia ime, e brezit tim, e kolegëve të mi ndër vite që kemi kënduar në skenën e këtij festivali dhe kemi marrë nj emër.
 
Por ndër vite festivali është përballur dhe me shumë probleme. Ajo që cilësohej si skena më e madhe e këngës së lehtë shqiptare, në edicione të ndryshme ka sjellë shumë diskutime mbi krijimtarinë?
 
Në kohën e demokracisë festivali në RTSH u përball me shumë probleme. Di që nga vitet 1992-‘93 festivalet filluan me superpozim, këngëtarët nuk e hapnin gojën. Merr nga rruga dhe fut në festival dhe jo profesionistë, kjo e dëmtoi festivalin. Kjo gjë u bë 5-6 vjet. Por nga viti 2000 gjërat u përmirësuan. Orkestra luante live, këngëtarë kush ishte i zoti  këndonte dalvivo. Festivalin për mua e dëmton ajo që këngëtarët nuk këndojnë dalvivo, kjo e dëmtoi dhe para disa vitesh festivalin në RTSH. Kur dëgjon një këngë në radio ti mund të jesh dhe një këngëtar i dobët, zëri yt rregullohet në studio, por ama kur del në skenë që je live, atëherë ata këngëtarë nuk paraqiten, ikin sepse nuk këndojnë  dot. Tekstet ato vite që folëm më lart patën probleme, sepse nuk u thërritën profesionistët, kompozitorët ishin të rinj, merrnin si këngëtarë çfarë donin, madje bënin dhe vetë tekstin, dhe dolën dhe shumë kantautorë. Të gjitha këto probleme erdhën sepse festivalet ishin me superpozime, dhe jo vetëm ai në RTSH. Një festival kur është me superpozim nuk mund të quhet festival, por koncert.
 
Këngët e festivaleve para më shumë se dy dekadash kanë mbetur në publik, një krijimtari që vijon të vlerësohet?
 
Jetojnë, sepse kanë qenë këngë shumë të bukura, krijime muzikore dhe poezi të bukura. Festivalet e atyre viteve, nuk vijnë më kurrë për mua dhe për këngëtarë të tjerë të brezit tim. Ishin me këngë të bukura, poezi të bukura, melodi të bukura dhe do jetojnë dhe sot, sepse kompozitorët janë mbështetur në tabanin popullor. Agim Krajka është nga Dibra, dhe këngët i merrte nga ajo zonë, mbështetej në vallen dhe këngët e tyre, ndaj këngët e tij ishin të gjitha ritmike të bukura. Aleksandër Lalo po ashtu mbështetej kur shkruante muzikë, Peçi nga Labëria, etj. Ishin kompozitorë që kishin emër, si Tish Daija shkodran më këngët jare të Shkodrës. Pra janë bërë këngë të bukura se u mbështetën në tabanin popullor. Pas viteve 1990 kjo humbi, sepse të gjithë kompozitorët, që ishin të papërgjegjshëm merrnin një refren jugosllav, strofë spanjolle dhe thoshte kam bërë këngë, por ishin të huazuara, pak ishin këngë të mira që ishin këngë shqiptare.
 
Ndër vite kanë munguar dhe shumë emra të njohur të këngës?
 
Ato vite i larguan, sepse një këngëtar i mirë profesionist nuk mund të garojë me një këngëtar që këndon me superpozim.
 
Pra problem në këngën shqiptare sipas jush janë huazimet dhe tekstet, që shumë herë ngjallin diskutime për këtë krijimtari?
 
Në këngën shqiptare ato kam parë si probleme, por megjithatë po të rinjtë po ndërgjegjësohen, nuk po merren më me huazime. Edhe juritë janë profesionistë dhe arrijnë të vlerësojnë profesionistët. Janë drejt shuarjes këngët me huazime.
 
Por këtë vit ju pohoni se do të jetë një festival i mirë?
 
Këtë vit festivali do të jetë hapa përpara. Do të ketë këngë besoj të bukura, sepse ka pasur një staf që i ka dëgjuar më parë, një komision që ishte profesionistë.
 
Pretendon çmim në këtë konkurrim?
 
Jo nuk pretendoj. Unë dua që të lë një këngë të bukur për adhuruesit e mi, për njerëzit e mi dhe shqiptarët kudo që janë. Të lë një këngë të bukur, në repertorin tim.
 
Dekada me këngën, në repertorin tuaj të krijimtarisë veçoni ndonjë prej tyre?
 
Këngët për mua janë si një baba që i ka fëmijët të gjithë njëlloj. Por po përmend këngët si “Lot me ty o djalë se ta di merakun” e Vladimir Kotanit, që është kënduar më 1987 dhe është vlerësuar me çmim të dytë, “Të më vini pa trokitur” po e këtij kompozitori, “Kënga që do ti” e Alfons Balliçit, “Kur çelin trëndafilat” e Valentin Veizit. Tërë jetën në aktivitetin tim artistik gjithmonë kam marrë çmime të dyta dhe të treta, por rëndësi ka që kënga të mbetet në popull.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama