Kotori i Ilireve pushtohet nga ruset

Kotori i Ilirëve, pushtohet nga rusët
Për shkak të një pozicioni të papërsëritshëm gjeografik, që i jep mundësi Kotorit që të zhvillojë një turizëm të zgjedhur, të izoluar natyralisht gati nga e gjithë pjesa tjetër e Mesdheut, qindra të huaj kanë filluar të blejnë prona të paluajtshme, por i gjithë ky “pushtim” përcillet me indiferencë nga popullsia vendase. Në mini-portin jashtë mureve të Kështjellës, syri të kap varka me vela të ankoruara përkohësisht dhe jahte super-luksoze mbi 20 metra të gjatë, ndërsa nëpër qytet dëgjon histori romantike të banorëve që duan të jetojnë të qetë dhe të kujtojnë dashuritë e tyre teksa fitojnë me zor të ardhurat e pakta mujore.

Dashuria me serbet…

Joani, 41 vjeç e tregon dashurinë e tij të jetës teksa nget një taksi nga Kotori drejt Budvës. Eshtë ora 2 pas mesnate dhe në rrugët e vogla në miniaturë si çdo gjë tjetër në këtë republikë 2 vjeçare me vetëm 600 mijë banorë, nuk ka pothuajse asnjë makinë tjetër. Taksia gjarpëron në rrugën e shtruar malore me 50 km/orë, ndërsa Joani kujton ditën kur 12 vjet më parë njohu në bregdetin e Gjirit të Kotorit një vajzë serbe. E dinte se serbet, përgjithësisht, me të dashurin e parë as nuk bëjnë seks as nuk martohen. Por edhe kur ndodh që me të parin të kenë përfunduar në shtrat, sipas paragjykimeve në formë humori, i dyti mund të jetë fatkeq, pasi nëse atyre nuk u ka pëlqyer përvoja e parë mund të refuzojnë ta përsërisin... Kur Joani kuptoi se për serben e bukur që e njohu teksa ajo po bënte banjodielli në qytetin e tij të lindjes, ai do të ishte as i pari, as i dyti, por i dashuri i katërt, nuk vonoi dhe e pyeti: “A do të martohesh me mua…?”. Vajza pranoi përnjëherë, pasi i dha një buzëqeshje vrasësë! “Kështu nisa të jetoja në Beograd , por ime shoqe donte të shkonte përnatë në pub apo në ndonjë club, donte të ndihej e re gjithmonë, ndërsa mua më mungonte deti, më mungonte peshkimi… U divorcuam… Nuk e ndiqja dot çdo natë sepse më pëlqen të jem i lirë, të punoj dhe të pushoj pranë detit tim; nuk shtyhet jeta pa peshkuar”, thotë ky përfaqësues tipik i popullsisë që jeton prej shekujsh në Kotor, vetëm 250 km larg Tiranës. I dashur marrëzisht nga gjithë popullsia e ish Jugosllavisë, sidomos asaj serbe, ky qytet është një prej atyre vendbanimeve me shumë histori të ngatërruar e me teori ende të pazgjidhura në Ballkan. Vendasit deklarojnë me forcë se shkencëtarët nuk kanë mundur ende të zbulojnë fillimet e jetës në këtë qytet ndanë bregut të Gjirit që hyn deri thellë një vargmali shkëmbor me ngjyrë gri, të zhveshur nga bimësia. Në tekstet e shkollave fëmijët mësojnë se Kotori u pushtua fillimisht nga Ilirët, pastaj nga romakët, pastaj nga osmanët e venedikasit gjithashtu. Këta të fundit, lanë ndoshta gjurmët më të bukura: një qytet përsosmërisht të ngjashëm me arkitekturën veneciane brenda mureve të fortifikimit antik, mure që ngjiten në formë zigzage në majë të malit shkëmbor, derisa përfundojnë në një kështjellë pompoze e cila natën, falë ndriçimit nga të gjitha këndet duket se zotëron gjithë Gjirin. Në sheshin e luleve, një prej shesheve të vogla më të bukura të kësaj pjese veneciane të Kotorit, mund të pish një kafe të shijshme, duke soditur fasadën e bukur të shtëpisë muze të një familjeje me emër në qytet, pinjollët e të cilit ishin të gjithë poetë. Të rinj të qeshur kalojnë aty pari për të shkuar tek pub-i ngjitur me shtëpinë, ndërkohë që në rrugicën përbri dëgjon tingujt e një pianoje dhe të një violine brenda shkollës së muzikës. I rrethuar nga Kisha e manastire ortodokse, nga rrënoja antike e nga një arkitekturë e veçantë kryesisht venedikase, Kotori është pjesë e Pasurisë Botërore të mbrojtur nga UNESCO por së fundmi, po përballet me një luftë të ashpër mes nevojës për të mbrojtur pasurinë kulturore të trashëguar që nga kohët të cilat historianët ende nuk i kanë identifikuar (!), dhe rreziqeve që vijnë nga zhvillimi i pakontrolluar urban apo nga dëshira për të ndërtuar pa respektuar elementët e arkitekturës e të historisë. Njësoj si në shumë qytete turistike ballkanike, ku zhvillimi i së tashmes zor se po ndërthurret suksesshëm me vlerat e së kaluarës.

Alarmi i aktivisteve te kultures, edhe per Shqiperine

Një rrjet organizatash ballkanike e aktivistësh që mbrojnë trashëgiminë kulturore të rajonit (SEE Heritage), duke e konsideruar këtë trashëgimi si një vlerë të përbashkët përtej kufijve, zhvilloi në këtë qytet një takim ku vuri alarmin e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore në të gjithë rajonin, rrezik që vjen jo vetëm nga zhvillimi urban, por edhe nga keqmenaxhimi, nga indiferenca e strukturave shtetërore, nga korrupsioni apo dhe mania për të ndërtuar sa më parë e sa më shpejt. Pjesë e kësaj trashëgimie konsiderohen sot edhe rrënojat industriale apo dhe ato ushtarake. Vetëm 5 km larg Kotorit, për shembull, ndodhet një prej bazave dikur më të rëndësishme për perandorinë jugosllave, prej nga ku mund të niseshin disa nëndetëse njëkohësisht për të dalë në Mesdhe. Sot, ajo bazë është mbyllur, por askush nuk duket se ka ndonjë vision të qartë për të. “Kudo në botë sot, baza të tilla po rishikohen si një potencial I jashtëzakonshëm turistik”, thotë një ish marinar kroat në pension, I apasionuar pas teknologjisë së vjetëruar ushkatarake. Sipas tij, baza të tilla, si edhe ajo e Pashalimanit në Shqipëri, mund të jenë tepër fitimprurëse nëse shndërrohen në muze. Në takimin e rrjetit për Trashëgiminë Kulturore, merrnin pjesë nga Shqipëria aktivistë të Lëvizjes MJAFT!, përfaqësues të Fondacionit Butrinti, të Qëndrës Ndërkombëtare për Arkeologjinë Shqiptare e një përfaqësuese nga Albanian National Trust. Pjesëmarrësit publikuan një apel drejtuar edhe qeverive ballkanike, përfshirë atë shqiptare ku argumentonin se “nuk mund të ndërtohet e ardhmja, duke shkatërruar të kaluarën”. Ndërtimi i Petroliferës në Vlorë, mundësia e ndërtimit të një autostrade mbi rrënojat e Bonjakëve në Apolloni, etj, ishin disa nga rastet konkrete në Shqipëri që sipas këtij rrjeti unik të trashëgimisë kulturore të Europës Juglindore kërkojnë ndërhyrjen e shtetit. Por, jashtë mureve të hotel Sind , në distriktin Muo të Kotorit ku u zhvillua ky takim që përfundoi me këtë apel drejtuar qeverive të rajonit për të ruajtur trashëgiminë kulturore, banorët e thjeshtë të veçuar nga gjithë pjesa tjetër e botës, pak duan t’ia dinë për politikat rajonale të kulturës! Ka diçka shumë tërheqëse në jetën e tyre të përditshme. Duken indiferente ndaj pranisë së çdo të huaji, sikur të jenë mësuar tashmë të jetojnë “të pushtuar” me bindjen se një ditë të gjithë ata të huaj do të largohen për t’i lënë në qetësinë e tyre përrallore. “U ktheva në Kotor pasi u divorcova”, kujton Joani, “dhe vendosa se nuk kishte vend më të mirë për mua. Sot takoj dy apo tre herë në vit vajzën time Sara, 11 vjeç dhe përpiqem të kursej diçka me punën si shofer taksie, pasi kam vendosur ta jetoj pleqërinë buzë detit”… Ekonomia e këtij qyteti që rreth vetes ka disa nga fshatrat turistike më të bukur në Mesdhe, është e varur krejtësisht tek turizmi dhe peshkimi. Në verë popullsia dyfishohet për shkak të turistëve, ndërsa gjatë dimrit, banorët jetojnë me kursimet e verës. “Këtu njerëzit nuk janë të pasur, të ardhurat mujore fillojnë nga 50 euro për ata që marrin ndihmë ekonomike dhe përgjithësisht nuk i kalojnë 300 eurot për ata që janë të punësuar diku gjatë gjithë vitit”, thotë një punonjëse e hotel Sind, një ndërtesë e vogël kjo, e transformuar në hotel në vitin 1999 pas rrënimit që kishte pësuar si pasojë e braktisjes nga të zotët. Jashtë atij hoteli buzë një limani të vogël ndodhet një varkë e vjetër me vela, e cila në të vërtetë gjatë dimrit nuk lundron, por shërben si shtëpi për të zotin e vet, një banor i Kotorit, rreth të 30-tave. Brenda varkës së vogël mund të ketë qindra libra dhe fare pak orendi. Libra nga ato që shkruajnë për historinë e pafund të këtij vendi dhe për legjenda si ajo e dy themeluesve të Kotorit. Dy udhëtarë te ngjashem me legjendat e Mujit dhe Halilit, të cilët pas viteve të tëra ecejakesh nëpër Mesdhe, ndalen befas në majën e malit të Kotorit, të rraskapitur e pa asnjë shpresë. Shikojnë një kuti të ndritshme mbi të cilën shkruhej: ecni 100 këmbë djathtas, ndaloni dhe gërmoni një metër nën dhe… Të çuditur vendosin të bëjnë atë që shkruhej në kuti dhe pasi gërmuan 1 metër nën dhe gjetën një tjetër kuti magjike e cila u sugjeronte: shprehni një dëshirë çdo natë përpara se të flini dhe ajo do realizohet. Kërkuan atë natë një kështjellë dhe dy vasha të bukura. Panë brenda nje sekonde te vetme si u ndertua Kështjella. Nga dritaret e saj, dy vasha po i përshendesnin me dorë… Cdo natë, para se të flinin kërkonin të ngrihej ndonjë shtëpi prej guri të bardhë. Shtëpitë u ngritën njëra pas tjetrës, derisa formuan Kotorin…


Pseudo-folk ne Budva

Kur mbërritëm në Budva, në të vetmin club të hapur atë të dielë në 2 të mëngjesit, Joani, shoferi I taksisë që na kishte treguar gjithë historinë e tij me vajzën e bukur serbe që i kishte lindur Sarën, na këshilloi të mos vonoheshim dhe na premtoi se do të na priste për të na kthyer sërish në Kotor. Ai pub i vogël ndërtuar në periferi të Budvës, të ngjante me një nga ato ambientet e natës në qytetet e vogla shqiptare, me disa drita të kuqe acaruese, në fasadat false që imitonin gjasme brendësinë e një shpelle dhe me një muzikë aspak të këndshme, të ngjashme deri në vdekje, sipas Ardiolës një të reje nga Saranda, me këngët pseudo-folk që transmetohen çdo ditë edhe në disa nga televizionet dytësore shqiptare. Aq i mërzitshem ishte ai ambient dhe ajo muzikë në gjuhën sllave, saqë Alexa, një italiane e lindur në Nju Jork vendosi kufjet e Ipod-it të saj dhe u struk në një cep të pub-it me sy të mbyllur. Kur po ktheheshim me Joanin në Kotor, ai na pohoi se kishte qenë 8 herë në Tiranë dhe se e adhuronte kryeqytetin shqiptar: “Njerëzit vishen bukur, qyteti ka aq shumë vende të mira për jetë nate, mua më duket atje sikur jam në ndonjë qytet europian”. Ky pohim mund të jetë ndoshta edhe ndonjë lajkë marketingu, një tip falenderimi që bregdetari na bënte pasi zgjodhëm taksinë e tij dhe pasi e ndihmuam disi të siguronte jetesën në këto muaj të plogësht dimri, deri në ditët e para të verës, atëherë kur Kotori do të pushtohet sërish nga serbet e bukura…

Shkruan : Kristi Pinderi : Revista Mapo

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama