Kostoja per rikonstruktimin e Mozaikut 350000 euro

Kostoja per rikonstruktimin e Mozaikut 350,000 euro

Drejtoresha e Institutit të Monumenteve, Arta Dollani, thotë se ndërhyrja parashikon rikonstruksionin e plotë të fasadës…Dëmtimi i rrjetit të shkarkimit të ujit në godinë, ka dëmtuar më shumë mozaikun…

“Dëmtime të konsiderueshme paraqet rrjeti i shkarkimit të ujërave, tubacionet e së cilës përshkojnë në brendësi fasadën jugore të Muzeut, në faqen e së cilës është pozicionuar Mozaiku. Depërtimi i lagështirës në brendësi ka degraduar suportin në të cilin mbështetet mozaiku, duke i shkaktuar plasaritjen e sipërfaqes dhe shkëputjen e teserave”

350.000 euro është kostoja që duhet për rikonstruksionin e mozaikut “Shqiptarët” në ballinën e jashtme të Muzeut Historik Kombëtar. Një kosto e dalë pas konsultimeve të bëra me autorët e veprës dhe restaurues nga më të mirët, thonë burime pranë Muzeut Historik Kombëtar. Ky projekt duket se do të qëndrojë gjatë në sirtarët e institucionit, pasi mbështetja me një fond të tillë, as që është parashikuar në buxhetin e vitit 2015 nga ana e Ministrisë së Kulturës. Duke u dhënë përparësi problemeve të brendshme të muzeut, siç është rikonceptimi i linjave muzeore, apo bërja e politikave që do të ofronte më shumë vizitorë, vetë drejtuesit e muzeut e kanë parë si “luks” kërkesën për të vënë në jetë një projekt të tillë. Por kushtet atmosferike, kanë nxjerrë në pah sërish problemet me mozaikun, që duket sikur u kaluan pas një ndërhyrjeje të lehtë që pati gjatë verës së shkuar.

Rënia e gurëve apo plasaritja e hapësirës ku shtrihet mozaiku, bën që me një sy të lirë të shohësh një pamje aspak dinjitoze për një institucion kombëtar. Duket sikur bashkë me gurët e rënë do të agravohet dhe gjendja e tablosë që më shumë se 30 vjet është kthyer në një shenjë identifikuese për kryeqytetin. Drejtoresha e Institutit të Monumenteve, Arta Dollani, shprehet se nuk është në dijeni që është hartuar një kosto e tillë për rikonstruktimin e mozaikut.

 

Sipas saj, gjendja në të cilën ndodhet kjo vepër është kritike. Në verën e vitit të shkuar një grup pune nga Instituti i Monumenteve diagnostikoi një sërë problemesh në mozaikun e Muzeut Kombëtar. Problemet sipas Dollanit janë më të thella se ato që duken në sipërfaqe, pasi rikonstruktim nuk kërkon vetëm mozaiku, por dhe rrjeti i shkarkimit të ujërave të institucionit”. Dëmtime të konsiderueshme paraqet rrjeti i shkarkimit të ujërave, tubacionet e së cilës përshkojnë në brendësi fasadën jugore të muzeut, në faqen e së cilës është pozicionuar mozaiku. Depërtimi i lagështirës në brendësi ka degraduar suportin në të cilin mbështetet mozaiku, duke i shkaktuar plasaritjen e sipërfaqes dhe shkëputjen e teserave”, thotë Dollani.

Sipas saj, ndërhyrja parashikon rikonstruksionin e plotë të fasadës së muzeut, përfshirë këtu dhe mozaikun. “Ky është një nga prioritetet e ndërhyrjes në objektin e Muzeut Kombëtar”, thotë ajo. Sipas Dollanit, pas evidentimit të problemeve u morën masa për evitimin e dëmtimit të mëtejshëm. Dollani thotë se është duke u punuar për hartimin e projektit se si do të ndërhyhet në fasadë, pasi është një proces që kërkon kujdes për të ruajtur autenticitetin e veprës. I ndërtuar në vitin 1981, ky mozaik është vepër e pesë artistëve: Vilson Kilica, Aleksandër Filipi, Agim Nebiu, Josif Droboniku dhe Anastas Konstandini. Mozaiku është 400 m katror, 40m x 10m. Vetë autorët e veprës që kanë punuar gati 1 vit e gjysmë për të krijuar këtë vepër frymëzuese të së shkuarës, janë shprehur kundër degradimit të mozaikut. Ata kanë ngritur zërin shpesh në media duke kërkuar ndërhyrje që kjo vepër të mbetet si pjesë e një kujtese historike.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama