Kosove Viti I

Kosovë, Viti I

George Clooney ishte çuditur, por tek e fundit ishte e vërtetë. Ai së bashku me Sharon Stone do të protestonin krah disa miqve të saj, me origjinë serbë, kundër pavarësisë së Kosovës. Në luftën e madhe virtuale, serbët në Gjermani dhe SHBA kishin mundur të përcillnin helmin virtual.
Njësoj, në të njëjtën ditë, një grua e re qëndron si e tulatur në Hotel Grand. Zëvendës-ministrja e jashtme Edith Harxhi, aq e përfolur në Shqipëri, ka shkuar dhe një hap më tej. Burime të besueshme të qeverisë së Kosovës, i pohuan “Kohës Ditore” sesi zyrtarja kërkoi që presidentit të vendit të saj, mos t’i akordohej titulli honorifik “Honoris Causa”. Ka qenë Hajredin Kuqi, njeriu, që i është kërkuar kjo. Por kosovarëve pak u bën përshtypje. Në diellin e dimrit, gjithçka kotet. Ato feksin billboard-et, mbetur aty nga koha e zgjedhjeve, që garojnë me tabelat e rrugës. Politikanë të ngrefosur: Të pakrahasueshëm, Me Ramushin kryeministër... Tahir P., 67 vjeç, ka nxjerrë nipin e vogël në lulishten pranë Bibliotekës së Prishtinës. Ndërsa të dy i hedhin një sy ngrehinës, e cila qëndron e braktisur nën pushtetin e një radhe telash. Kisha e madhe ortodokse e qytetit, epet nën kryqin e saj. Shëtisin.

Matanë rrugës, prishtinasit baresin të qetë. Pavarësia prej muajsh është arritur në kokat e tyre. Më saktë, që kur Ahtisari i zgjidhi spangon kutisë së tij. Tashmë, një deklaratë ininciuese, që do të jetë në ditët e para të shkurtit dhe pak ditë më vonë festimet, ku do të jenë të ftuar të gjithë miqtë e Kosovës, është e gjithë procedura. Flamuri? Stema? Himni? Theksohet akti, sepse duhet të ketë një tekst preliminar. Kjo deklaratë do të jetë politike, por me elementë kushtetues. Ajo do të deklarojë Kosovën si sovrane dhe të pavarur njëkohësisht dhe do të bëjë thirrje për njohje ndërkombëtare. Deri këtu mirë. Politikanët kosovarë, këta të fundit, ia kanë dalë të gjejnë mënyrën sesi të justifikojnë votën e popullit. Me një sintaksë gati të njëjtë, por me shqipe bash të keqe, lëçisin të njëjtat gjëra. Plaku i ul pantallonat të nipit, që shurron në një zgëqe afër kishës. Nuk afrohen.

Institucionet frikë
Djali i vogël, teksa fotografojmë, e pyet të gjyshin se pse qesh Rugova: A nuk ka dek? Burri, që na thotë se quhet Tahir, mundohet t’i shpjegojë allahile diçka. Fëmija nuk bindet. Më thotë se zbret nga Kodra e Diellit. Djali e pyet për një stemë. Heshtje. Në Kosovë, përgjigje nuk ka. Ndaj Hajredin Kuqi ka detyrën më të vështirë se të gjithë. Ai ka kryesuar komisionin e simboleve dhe në pozitën e zëvendëskryeministrit i duhet që të japë një përgjigje. “Ani e kemi flamurin tonë kombëtar, por do na duhej dhe flamuri, por edhe vendi dhe eventet se kur duhet të përdoret”, thotë kryetari i komunës së Mitrovicës, për MAPO, Bajram Rexhepi. Askush nuk di të thotë asgjë për simbolet. Me një gjuhë ezopiane, por që e kupton se është i varur nga tjetërkush, Kuqi thotë gjëra të qarta por që nuk kuptohen. Duket se fle gjetiu. Njerëzit indiferentë dëgjojnë pak lajmet. Pastaj mbajnë frymën në bastore. Më të vjetërit përtypin ditën me njëri-tjetrin. Nxënësit me kufjet në vesh, bëjnë kinse. Paçka se ditën e ardhjes së presidentit shqiptar, Bamir Topi, duhet të ishin në rrugë. Me flamuj. Si qëmoti. Të përzemërt, bashkë me policinë kosovare, që sheh gjithkah, janë më të pafajshmit. Ndryshe nga vëllezërit e këtej kufirit, nuk bëjnë shumë potere. Ata të qarkullimit edhe nuk ndihen. “Aj, e kanë dorën e randë. Të kpusin për rripin”, më thotë Milazim G., 40 vjeçar nga Prishtina, që flasim shpesh në pasdite. Policia e di mirë se më e shumta, do mbesë në kurriz të tyre. Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, shpjegon sesi ai me autoritetet e NATO-s dhe SHPK-së është i aftë për të mbajtur nën kontroll situatën- ditën e shpalljes së pavarësisë. Por druhet. Nuk parashikon se ç’mund të ndodhë. Por të gjithë ndiejnë diçka. Presin sinjale. Kosova të duket se komunikon me jashtë-tokësorë. Gjeneralmajori i SHPK-së Reshat Maliqi ka deklaruar se SHPK-ja është duke pritur sinjale nga qeveria për të futur në veprim operacionin “Statusi”. “Shpresojmë që ata, të cilët do të shpallin duhet dhe të na informojnë. Ne deri më tani nuk e dimë datën. Ne dimë atë që dinë të gjithë në Kosovë, që po thonë herë disa ditë dhe herë disa orë”. Në fakt, SHPK-ja ka nevojë për disa ditë para, në mënyrë që të dihet sesi do të veprohet. Sipas “Statusit” flitet për ngritje të vigjilencës dhe angazhimin e gjithë potencialit. I druhen diçkasë, derisa flitet për plane sekrete të UNMIK-ut dhe KFOR-it për ruajtjen e situatës në pjesën veriore të Kosovës. Vetëm se të bëhet kjo duhet veç idealizmit dhe mundësi. Dhe një polic që merr vetëm 170 Euro e ka të vështirë. Më tepër kolegët serbë të SHPK-së flitet se do të braktisin detyrën, në rast se Kosova shpall pavarësinë. “ E kush pyet për ta? Por asht pak siklet”-më thotë Milazimi. Veç uniformës së tipit amerikan, policët e Kosovës, në vende më larg qendrës- i shikon të shkalafitur. Në doganë marrin racionin e tyre. Sipas ngarkesës së furgonave, shqiptarët që bëjnë pazarin nga Kukësi duhet të paguajnë 10 deri më 25 euro në euro. “Disa i lanë të tjerët jo”, më bën me pezm, një kuksian, që i ka sjellë një shishe raki doganierëve. Në këtë karusel të madh, të gjithë mbulohen pas statusit. P.sh. vendorët ua lënë policisë, këta lokalëve. Populli- politikanëve. Këta statusit. Të tërë bashkë- të huajve. Flitet për reforma, por puna me krimin çalon. Dhe, krimi sipas një postulati godet ku strukturat janë të dobëta. Pajaziti e ka marrë qetë. Ka lyer zyrën dhe tash mendon vetëm për çastin e pavarësisë. Edhe për krimin dhe korrupsionin...mendon?! “A ban me të thanë se t’tanë vetëm bajnë. Çdo të bajnë pas pavarësisë”, më thotë një mësues...Ndaj opozita ka goditur ashpër. “Qeveria nuk ka punuar mirë për statusin, për të mos thënë fare, është shprehur nënkryetari i AKR-së, por presin që pavarësinë tua sjellin ndërkombëtarët. E nëse pas ditëve të para shkurtit do të vazhdojë, institucionet do të zbehen dhe më tej”, parashikon Ibrahim Makolli. Dy data janë më të pranishme dhe ato janë 17 shkurti dhe 9 marsi, ditë të diela, që përkojnë me mbledhjet e rregullta të Këshillit të Përgjithshëm dhe ministrave të BE-së. Për amerikanët duhet ditë e dielë sepse rusët duhet të mos kenë kohë të veprojnë...në Këshillin e Sigurimit.

Pa organizim
Dita e dielë në Kosovë është e vdekur. Njerëzit, sipas një rregulli shumë civil, pushojnë. Rruga qendrore në Prishtinë, që tashmë është e bllokuar dhe shërben si shëtitore, heshton. Nga Hotel “Grandi” dhe deri te monumenti i Skënderbeut, mund të ecet lirisht me këmbë. Djathtas, në një fasadë muri, janë të vendosur bashkë posterat e Rugovës, Mulliqit, Çavdrbashës etj. “Parakalojnë përpara liderëve”, tallet mësuesi, me të cilin ndërrojmë pak fjalë. Rugova është dhe pak më tej: “Jeni në rrugë të mbarë”, i thotë ai nga transcendenca elektoratit të LDK-së, që tash është ndarë keqazi. Nga njerëzit që baresin, askush nuk di më shumë. Ka të ngjarë dhe kjo është më e pranueshmja që fillimisht të shpallet deklarata e pavarësisë, që t’i paraprihet njohjes ndërkombëtare dhe pastaj të bëhet diçka, kur do të jenë të ftuar zyrtarët të ndryshëm të vendeve. “Kur të kena punë do të mendojmë...edhe për ftesat”, më thotë me ironi një djal i ri, barist. Por askush nuk di gjë për ceremonialin. Ministria e Kulturës nuk ka asnjë plan. E vetmja përgatitje thuhet se është bërë nga ansambli “Shota” dhe kaq. Dhe, kjo, për televizion. Duke patur frikë se pavarësia do të ishte ditë më parë, kanë përgatitur një shfaqje. Në fakt ka qenë dhe një parti me fishekzjarr, por tash nuk i hyn në punë askujt, sepse duhet të jenë lagur që nga qershori kur janë marrë. “A t’kahit janë ato zjarret, që do t’më sjellësh”, i thotë fëmija plakut, që i gjej çdo mbrëmje në të njëjtin vend. Duket se një manifestim mbarëpopullor, që do të duket spontan, do të jetë zgjidhja. Burimet e shtypit të Ministrisë së Kulturës thonë se aktivitetet nuk janë në dorë të tyre. Bajram Rexhepi, që do të ketë punën më të vështirë, pohon njësoj. “Do të presim sugjerime nga pushteti qendror. Po do të bëjmë diçka simbolike. Për mua më shumë është që po realizohet pavarësia. Kjo pritje e gjatë dhe zvarritja për më shumë se tetë vjet..dhe tash me shpalljen e Pavarësisë, nuk e ka peshën që e kemi menduar më parë”...

Ekonomia
Vërtetë nuk është më si më parë. Rrugët pastrohen në qendër, por plehrat kanë mbirë kudo. Rrugët janë të pambajtura, por shumë më mirë se në Shqipëri. Periferitë e qyteteve janë shumë keq. Varrezat janë buzë rrugëve dhe hapen ngado. Ato bashkëjetojnë me plehrat. Vdekja e humbet sublimen këtu. Por shtëpitë janë pa gardhet tona të frikshme. Mungon energjia rreth katër orë në ditë në qytet, ndërsa ka vende dhe më shumë. Zonat rurale nuk paguajnë. Pas lufte ka qenë një borxh te KEK-u 20 milion, që po ta falesh nuk do të kapte shifrën marramendëse prej 300 milion Euro, që është më tash në Kosovë. Për fat nuk ka problemet me pronat. Vetëm se ka pasur abuzime në procesin e privatizimit. Milazimi më tregon sesi u shit Ferronikeli 30 milionë, por ajo vlente sipas sindikatave shumë më tepër...Kurse një koleg i “Express” na tregon sesi bëhet kontrabanda më e fuqishme në Gazivoda me naftën, cigaren, alkoolin. Barka e vetme, të cilën e posedon Shërbimi Doganor i UNMIK-ut (SHDU), nuk është e mjaftueshme për t’i stepur barkat e kontrabandistëve, të cilat qarkullojnë qetësisht nëpër liqenin më të madh të Kosovës. Shërbimi Policor i Kosovës ndihmon sipas rastit. Mbi 80 për qind të kontrabandës së pa doganuar, realizohet nëpër pikat kufitare më Serbinë. Ndërsa liqeni pranë pikës kufitare të Zubin Potokut, është rruga më e madhe kontrabanduese. Kosova është vendi i cili eksporton më së paku nga të gjitha vendet e rajonit. Eksportin më të madh që e ka bërë vendi ynë, përveç mbeturinave të hekurit, janë paratë të cilat shfrytëzohen nga organizata financiare ndërkombëtare. Mbi 300 milionë euro të mbledhura nga procesi i privatizimit, këto mjete për kosovarët janë të paprekshme, madje madje, janë ta paprekshme edhe për punëtorët e atyre ndërmarrjeve që janë privatizuar, të cilëve u takon 20 përqindëshi i tyre, ka shkruar Express. Kosovarët kanë se të kqyrin me indiferencë. 150 euro, që është rroga mesatare, ku 180 euro është për mësuesit, 200 euro për doktorët është pak për të gjykuar. Marrin një pension prej 45 euro bujqit dhe të tjerët që janë mbi 65 vjet. Kurse problem janë pensionet me Serbinë, që tash pretendohen se i zgjidh një shoqëri, që bën reklamë kudo...Pensionet tash po shkojnë deri 75 euro, por që janë pak në një vend ku një kilogram mishi është 5 euro, lakra 1,5 euro, domatja 1,30 euro, patatet 7 kg -dy euro...Banorët tash u ka ulur kohën kjo periudhë e gjatë tranzicioni.. Në rrugë është ndryshe. Prishtina është e mbushur me bare edhe pse dyqanet nuk janë si në Tiranë. Por ndryshe nga Tirana në Prishtinë ka shërbime më të mira dhe njerëz më të edukuar. Shërbimi Publik duhet të jetë shembull për Bashkinë e Tiranës. Por papunësia është e frikshme ajo ka kapur pjesën më të madhe të rinisë. Ndërsa burimi kryesor mbetet emigracioni. Për fat të keq, censusi dhe në këtë vend mungon. Shqipëria dhe Kosova janë si vëllezërit siamezë për të keqen. Plehrat, rrëmujën, tollovinë e kanë njësoj...

Serbët
Edhe këta nuk bëjnë ndryshim. Pak kilometra tutje Prishtinës serbët janë duke turfulluar. Më saktë po përgatiten. Kur zbresim në Graçanica, tërheqim vëmendjen e të gjithë njerëzve. Është e pamundur që një shqiptar të ketë më punë aty. Serbët kanë mbetur edhe më pas. Kurse politikanët me planin e tyre të hershëm, ndarë në katër faza, janë drejt finales. Në Graçanica dominojnë dy billboard të Nikoliç. Por, ato janë gjëja më moderne në këtë vend. Gjithsesi, serbët i kanë shkuar planit të tyre: Në fillim ishte krijimi i komunave me shumicë serbe, krijimi i shumë komunave; krijimi i një unioni të komunave serbe, pastaj një referendum dhe ndarja. Me këtë të fundit do të luajnë me këtë kartë. Disa prej liderëve të saj, ekstremistët, kanë deklaruar se nëse Kosova do të shpallë pavarësinë dhe ata do të shpallin në veri pavarësinë. Shqiptarët duan që serbët të luajnë topin e parë pas shpalljes së pavarësisë. “Aj..nanën keni me ua ki...”, më thotë një i ekzaltuar. Por kolegia mjeke e Rexhepit, Rada Trajkoviç, që e takojmë pas pak- një nga lideret e serbëve të Kosovës në Graçanica, është e qetë. Po shikon një ndeshje hendbolli. Ndërsa më thotë e qeshur se serbi Xhokoviç ka dalë në finale me Federer. “Fillojmë kur të duash, më thotë, shërbeji vetes me shlivë”. “Dua t’ju them se ne serbët prej tetë vjetësh po jetojmë shumë armiqësi. Ndjehet që kur shkojmë në rrugë. Kemi dhe diskriminim nga institucionet e Kosovës, ndërsa komuniteti ndërkombëtar u kushton më shumë vëmendje institucioneve me bazën shqiptare. Hapësira e Kosovës dhe Metohisë ka ndryshuar dukshëm. Na kanë prishur më shumë se 150 kisha dhe manastire dhe në këtë kohë janë rritur dhe ndërtuar një numër pafund xhamish që për fat të keq rrëfen se kjo hapësirë ka vetëm fytyrën e asaj që të huajt duan.... Fati i serbëve tash është në dorë të shqiptarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare. Nëse do të ketë pavarësi, serbëve do u shtohet dhuna, ndërsa komuniteti ndërkombëtar është indiferent para kriminelëve shqiptarë që kanë vrarë”. Bën pauzë. E pyes se çfarë do u këshillojë serbëve, kur të vijë pavarësia. “Unë i them të gjithë bashkësisë serbe se nuk është hera e parë në historinë tonë që jemi gjendur në këtë vështirësi, por serbët do të vijnë gjithmonë, sepse këtu janë në gjërat e tyre dhe e drejta jonë do jetë përsëri. Nuk do të reagojmë në mënyrë radikale, do të kalojë shpejt dhe e keqja te shqiptarët. Duhet t’i ruhemi asimilimit dhe kur të jetë e vlefshme ne do të ndjekim një linjë të tretë, për identitetin serb ku të respektohet rezoluta 1244”. Por, nuk është kaq e lehtë. E di. Heshtim. Më përcjell. Pak minuta më vonë jam në manastir, ku sytë e një murgeshe plakë më ndjekin keqazi. Një e shpërngulur serbe më kërkon euro. Ia jap. Më pëlqen lehtësia e një murgeshe, që më afrohet dhe më ndalon të fotografoj. I bindem. Kurse “izbeglica” ikën blen qumësht në pak dyqanet e varfra në vend. Iki. Të pres, më thotë qyqarja. Askush nuk më merr në makinë në kthim. Në Prishtinë kthehem vonë, me një autobus të vjetër të serbëve, që ikin në Fushë Kosovë.
Veteranët
Një ditë më vonë. Në Deçan, komandantin e veteranëve të Dukagjinit, Abdyl Mushkola, e gjen kollaj. Është bash në ish-pallatin e kulturës së qytetit pas monumenteve të Haradinajve dhe gjeneralëve të UÇK-së. Është shumë i thjeshtë dhe megjithëse tip emotiv dhe i pamësuar me median, nuk përton të flasë hapur. “Gjendja e bashkëluftëtarëve, që tani janë shndëruar në veteranë të luftës nuk ka qenë e mirë sepse kanë mbetur pa mbikëqyrje dhe sot e kësaj dite nuk e gëzojnë statusin e tyre, si e gëzojnë veteranët në të gjithë botën. Në vitin e kaluar statusin e kanë fituar vetëm familjet e dëshmorëve dhe ato të luftës. Statistika është te 30,000 veteranë dhe ne këtë vit presim që të zgjidhet statusi i veteranëve. Nuk e kemi pritur të mbesim kështu si kemi mbetur sepse kategoritë e dëmtuara nga lufta respektohen më së shumti në të gjithë vendet e botës, ndërsa këtu nuk e kemi hasur një gjë të tillë se pas lufte ajo na nxori të djegur, me shumë probleme ekonomike, të sakatuar, të vrarë..Kjo ka ndikuar të mbesim pa mbështetje”. Këtu vjen era e Kosovës, që ne kemi parë dikur në filmat tonë patetikë. Këtë ma zgjidh burri, familja e të cilit jeton në Zvicër: “Zgjidhja e statusit të Kosovës nuk do të thotë se janë zgjidhur problemet e Shqiptarve në përgjithësi...Për ne veteranët është një problem më pak statusi i Kosovës. Probleme të tjera është se kemi bërë betimin në kohë lufte dhe kemi thënë se do të vazhdojmë luftën dhe punën deri në bashkimin e të gjithë trojeve shqiptare. ...Ne nuk ndjehemi mirë. Unë në Deçan jam i lirë, por vëllai im në Preshevë, Mal të Zi, Çamëri nuk është mirë”, më thotë Abdyl Mushkolaj, brenda një interiori që ka dhoma, që i ngjan një pavioni muzeu. Ka flamur shqiptar, ka flamur të UÇK, një manekin me uniformën e UÇK-së, dosje dhe libra. E ngacmoj për AKSH-në. E hedh kategorikisht lidhjen dhe thotë se nuk bashkëpunojnë me ata që rrinë të maskuar.

Ndryshe
Në darkë jam sërish në Prishtinë. Një ditë më parë media kosovare ka folur sesi kancelari i Ipeshkvisë së Kosovës, Shan Zefi, duket se i ka fryrë pak zjarrit të religjionit. “Po të mos ishit ju katolikët e Kosovës, po të mos ishit ju që e keni mbrojtur në shekuj këtë vend dhe keni dëshmuar se jeni para gjithë të tjerëve, që e shkelën këtë dhe, a mendoni se do të kishte pavarësi”, është shprehur ai në një meshë në “Shën Masjan në Malishevë. “Kurrë”- është përgjigjur dhe vetë. Por myslimanët e tulatur nuk e kanë kapërdirë. Ka pasur shumë reagime . Kuptohet se kancelari është mbuluar pak më vonë, kur ka thënë se deklarata ka qenë në një kontekst historik. Në fakt nuk është kaq e thjeshtë. Shpejt do nxjerrë krye dhe ajo. Kishë në mes myslimanësh?! Gjysmëhëna e ka të vështirë të qëndrojë me kryqin.
...
Kosova është e tulatur në mëngjes. Një pikërrim bore i është shkëputur qiellit. Plaku sot është pa fëmijën. Nuk e di ku shkon. Më tregon një “Koha Ditore” dhe se çfarë shkruhet. Sytë me mbesin te një lajm. Clooney ka mohuar kategorisht që të jetë marrë me Kosovën. Shikoj një nga anëtarët e delegacionit shqiptar, që po e lë më vonë Prishtinën. Më kujtohet se Edith Harxhi e ka mohuar të ketë bërë lobing kundër presidentit Topi. Prishtina zgjohet vonë këtë ditë janari dimri të ftohtë të 2008...pa pavarësi. Plaku ikën të nxjerrë djalin. “Do të zgjohet, bash tash”, më thotë, sikur ti ndjejë frymëmarrjen.

Ben Andoni : Revista Mapo

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama