Kosovaret... na mbeti vetem hajnia

Kosovaret,... na mbeti vetem hajnia
Ndërsa partitë kosovare luftojnë për t’i marrë terren njëra-tjetrës, varfëria në Kosovë shtohet dhe qytetarët e saj po vuajnë përditë e më shumë në kurriz babëzinë e të zgjedhurve të tyre. Mungesa e një qeverie dhe gati tre muajt pa qeveri duket se do të ndikojnë shumë në Kosovën 2011. Papastërtia; i ftohti; amullia; Veriu i Mitrovicës, që vazhdon të jetë autonom, janë disa nga veçoritë që e dallojnë për keq Kosovën e sotme...

Ironia e titullit të një artikullshkruesi tek “Zëri” është pak a shumë edhe simbolika e Kosovës së ditëve të fundit. “Na mbeti vetëm hajnia”, shkruante ai, pasi në të njëjtën ditë pas referendumit në Sudanin Jugor, Kosova s’do të gëzonte më atributet e shtetit më të ri të Kosovës. Veç hajnisë, nuk kemi për çfarë të krenohemi, shtonte, dhe ironia në fakt ishte qëlluar e saktë, ngaqë zyrtarët kosovarë janë përherë e më shumë nën akuza direkte. Së fundi, për ta shfaqur sa më multinacionale Kosovën, korrupsionit vendas i është shtuar dhe korrupsioni i përfaqësuesve të pakicave. Ish-Ministri i të Ardhurve dhe Pakicave Petkoviç, sëbashku me dy patriotë të tij dhe nëntë shqiptarë janë në bankën e të akuzuarve.

Në të njëjtat ditë, EULEX-i është kthyer te rasti Limaj me akuza të tjera, ashtu si shumë akuza vazhdojnë të rëndojnë e rëndojnë mbi zyrtarë të tjerë politikë. “A e din, që ma mirë kena ken në kohë të shkjaut dhe kta t’sodit po bajnë shumë e ma keq”, më thotë burri i vjetër, ku blej gazetat ditore. “Nuk ka punë. Vjedhin dhe e gjithë Kosova asht tue vujt se nuk ka shtet”. Ka të drejtë për pezmin, por në gazetën që blej, shikoj një lajm, që gjërat dhe në Kosovë funksionojnë. Janë quajtur heronj, inspektorët urbanë Fehmi Ahmeti dhe Shaban Huruglica, që për dy vjet me radhë kanë inspektuar çdo ndërtesë në Prishtinë me më shumë se katër kate. Ata kanë konstatuar mbi mijëra mbindërtime, qindra ndërtime ilegale, e po aq uzurpime të pronës publike dhe më 27 prill të vitit të shkuar nëpërmjet drejtorit të tyre Agim Gashi ia kanë përcjellë një kërkesë autoriteteve kompetente për inicimin e procedurës ligjore. “Ky quhet shtet”, i them dhe ia shpjegoj lajmin. “Ajjj, asgjë s’ka për të ndodh”, më thotë i bindur burri. Duhet të ketë një farë të drejte, sepse në ditët e Kosovës do të ndjej se ka të vërtetë. Asgjë nuk ndodh më në Kosovë. Mua më duket se i ngjan shumë Shqipërisë dhe tash realisht bashkimi më duket si domosdoshmëri. Jemi dy gjysma gati identike. Serbët, nga ana tjetër, nuk i lënë ngacmimet. Këtë e kanë provuar me targat provuese të Republikës së Serbisë, që kanë shtuar edhe inicialet e qyteteve të Kosovës.

Për fat, targat nuk janë lejuar në Kosovë dhe së fundi është gjetur një mirëkuptim, ku qytetarët që kanë këto targa, kur të vinë në Kosovë, do t’u jepen targa falas nga policia kufitare e Kosovës dhe këta janë të detyruar t’i kthejnë. Pakti u gjet: serbët nuk do të lëshojnë më targa të tilla, por edhe kosovarët nuk do të konfiskojnë ato targa që tashmë janë. Një marrëveshje e heshtur, që kosovarët e mohojnë, por që në fakt ekziston. Për ata, që e njohin Kosovën, Veriu s’është më thjesht problem i Kosovës: Ai është realisht gangrena, që po e ha për ditë. Kjo ka bërë që të ngjallen më egër bandat serbe, dhe së fundi ai që e pësoi ishte vetë një serb. Zëvendëskomandanti i Leposaviqit, Zoran Radunaoviq, kish konfiskuar dy ditë më parë një palë targa të reja serbe dhe si “shpërblim”, bashkëkombasit ia hodhën makinën në erë...

Në Prishtinë

Një orë më tutje udhëtim me autobus, era, që fryn në këto ditë janari në Prishtinë, nuk mund të heqë duhmën e rëndë të qytetit dhe papastërtitë që janë të shpërndara kudo. Banorët e saj nuk mërziten dhe në një kafene përballë GRAND-it, qëndrojnë të gjithë jashtë, duke folur. Një mini-fidel Tirane. Prishtina është një nga qytetet shqiptare më të pista sot dhe po aq kaotike. Vozitësit për dit’ e më shumë bëhen të parregullt, ndërsa harroje se do të respektojë njeri te vizat e bardha. Ka shumë aksidente, por më shumë probleme parkingjesh në qytetin që administrohet gjithnjë e më keq. Ndërsa po e lexoj këtë në një nga mjediset e ish-pallatit të madh multifunksional, pak nga pak bëhemi shumë veta. Katër veteranë të UÇK-së, që i kemi në tavolinë, i kërkojnë Bislimit, njërit prej shefave të degës së luftëtarëve të Prishtinës, një dokument. Kanë ardhur me kom, ata i thonë kështu furgonit, dhe janë diku nga Keqakolli. Bajrushi, 62 vjeçar, një komandant lokal në zonën e tij, që ka qenë prita e parë ndaj serbëve prej Prishtinës dhe dy fshatarë motër e vëlla, po ashtu luftëtarë fqinj me të, presin diçka prej zyrtarit. Në fund, kemi rregulluar një takim me ta dhe ky është shumë i volitshëm, për misionin tonë lidhur me veteranët. Bisedojmë pak për peticionin sesi janë mbledhur gati 100.000 firma kundër Dick Marty, si shkon e përditshmja dhe sesi janë lënë sot veteranët. Bislimi është me këmbët në tokë dhe më shpjegon sesi shkojnë punët por edhe pse është gjithnjë e më vështirë.

Kryesorja dihet: Kapitalizmi nuk pyet. Shpesh vinë djem të rinj, që kërkojnë ndonjë dokument. Largohen. Kokëulur. Janë shumë të rinj dhe shumica të papunë. Nuk ankohen, por me pak fjalë të thonë jetën e tyre, kur u kërkon ndonjë hollësi. Janë pak të ashpër. Jeta? Pamundësia. Tre fshatarët luftëtarë gëzojnë shëndet të mirë, por mundësitë financiare për ditë e më shumë po u bien. Askush s’gjen fjalë prej tyre për atë që po ndodh në Kosovë, por më shumë tollovinë dhe panginjen e të zgjedhurve të tyre. Para kësaj, mali me papastërti, që ti e has ngado është asgjë. Vezela dhe Ruhani, motër e vëlla, i drejtohen me fjalën komandant Bajrushit dhe i hapin udhë. Ky i fundit, ish-refugjat në Gjermani, ka ardhur në kohë të luftës dhe është kyçur në luftë, si e thonë ata me zhargon. Largohemi sëbashku dhe pak minuta më vonë jemi në periferi të Prishtinës, duke marrë udhën drejt Keqekollit, ku pranë ka qenë një nga vendet e Luftës së UÇK-së, por edhe të një masakre të madhe serbe ndaj banorëve të pafajshëm. Në përkujtim është një monument që ka martirë të dy luftërave. E paraqitur në formën e një libri, ajo ka nga një anë heronjtë e fillimshekullit dhe në anën tjetër, heronjtë e ri. Një varrezë, jo shumë larg, i kushtohet masakrës.

Jeta

Vetëm se të gjitha vuajtjet, muhabetet e UÇK-së, tashmë kanë kaluar në kalenda. Të rinjtë, gati e shikojnë si të harruar këtë luftë! Muharrem Xhemali, shefi i veteranëve të UÇK-së dhe që ka drejtuar një formacion në Drenicë, më thotë se tash janë duke u përpjekur për ato që i presin. Kanë besim te qeveria, se e shikojnë të lidhur me ta, anipse e di se ka shumë të pakënaqur me të. Në këto ditë, si shpata e Demokleut, mbi të gjithë rri deklarata e ambasadorit amerikan për gjendjen politike në vend dhe të ardhmen. E në Kosovë, mund të thuash pa frikë se ai është gati një guvernator: “Njerëzit të cilët janë marrë në pyetje ose të cilët janë bastisur duhet të diskualifikohen nga qeveria. Çdokush, i cili hyn në qeveri dhe ndaj të cilit hapet ndonjë rast, atëherë duhet që të qëndrojë anash. Nuk është me rëndësi nëse jep dorëheqje apo suspendohet. E rëndësishme është se nuk mund të kryejë funksion...”, ka thënë z. Dell. “Ani, asgjë nuk ndryshon. Po punojmë me sa kemi mundësi, por jeta po bëhet gjithnjë e më e vështirë”, thotë Bajrushi. I duhet që të mbajë jetën me drunjtë që shet, ku metri kub është 35 Euro, dhe falë klientëve të tij të besueshëm në Prishtinë. Njësoj jeton dhe Ruhani pak më tej bashkë me të motrën, që ka mbetur ende e pamartuar. Ruhani është nxjerrë prej punës nga KEK-u, dhe tash i duhet të menaxhojë pak ato para që i dalin nga shitja e drunjve. Çuditërisht, asgjë s’është marrë parasysh për të. Harroje se ka qenë i UÇK-së. Më rrëfen sesi i ishte bashkuar luftës, sesi i ati u ka shpëtuar serbëve, por gati në zgrip të jetës, si fshati është djegur, etj. Por, sa i përket mirëqenies së tyre, është shumë e habitshme. Edhe pse nuk e konsiderojnë mirë kanë shtëpi të mëdha, traktorë të vegjël për punët e tyre dhe bajagi kafshë shtëpiake. Nuk qahen si shqiptarët e përtej kufirit, ndërsa bëjnë një jetë më të mirë në të në gjitha drejtimet. Nga përtej duket qyteti i Prishtinës zhytur në një smog, që i ngjan qytetit të Tiranës. Për një moment, kur kemi mbaruar nga të folurit për të gjitha, na kaplon heshtja. E kapim veten në heshtje, teksa e vigjilojmë të gjithë Prishtinën nga sipër...Pa folur.

Prishtinë

Shumë poshtë, qytetarët po vuajnë muajt dhe bezdinë nga tollovitjet e politikanëve, që gjithnjë e më shumë duket se imitojnë anën më të keqe të Shqipërisë. Grupe të ndryshme, shkojnë nga një parti në tjetrën, sikur të shkojnë drejt ndonjë aktiviteti sportiv. Akuza dhe kundërakuza ndaj njëri-tjetrit dhe papunësi e pamatë. Kjo e fundit duket se vetëm shtohet. Pensioni prej 80 Eurosh jo vetëm se është torturues dhe i papërballueshëm, por madje edhe i pamjaftueshëm për ekzistencën e tyre. Ndërkohë pritet hyrja në fuqi e ligjit për pensionet, i cili sipas kryeministrit Hashim Thaçi, është premtuar të rregullohet. Ndryshe nga pensionistët shqiptarë, që përfunduan deri duke e provuar rrugën, pensionistët kosovarë mundohen të administrohen me ato që kanë. Për fat, se kanë vuajtur shumë problemin e pronësisë. Dhe, kjo s’është pak. Kosovarët e respektojnë pronën dhe ndryshe nga ne kanë koncepte më të drejta. Kuptohet se po bjerrin shumë e më shumë nga kultura urbane dita me ditë. Kjo është çështje tjetër. Tollovia dhe pamundësia për t’i angazhuar njerëzit e ka bërë shtetin evropian me popullsinë më të re, që të stërhallet më kot. Shumë taksi vërtiten udhëve, por taksistët ankohen se këto të rejat që janë futur (janë këto makinat klasike britanike taksi), kanë prishur shumë punë. “Janë të birit të Fatmir Sejdiut dhe ai na ka prish shumë punë, më thotë me pezëm një taksist. Ka shënuar dhjetë dhe këto janë dyzetë. Këtu korrupsioni është i pamend”. Ndërkohë, rrugët e mbushura me njerëz dhe të papunët që mblidhen afër tregut shtohen nga dita në ditë. Ata, që kanë më pak katandi, luftojnë të mbajnë punët, ndërsa baret vazhdojnë të popullohen më shumë me meshkuj.

Muhabetet që tirren? Çfarëdo. Krejt pa lidhje, por e ke vështirë të parkosh, ndërsa mungesa e parkingjeve nëntokësore dhe mbitokësore ka bërë që kufizimet të jenë një mekanizëm i mirë për Komunën e Prishtinës që të vjelë taksa .. Ka pasur premtime nga komuna për 900 vende të reja, ku do ketë parkingje, por asgjë. Tani parkohet në trotuare dhe ti e ndjen teksa duhet të ecësh pas godinës së teatrit, brinjazi. Gjoba është plot 35 euro për parkim në trotuar dhe janë mbi 200 gjoba, që janë të përditshme. Dhe, për këtë ia vlen të flasësh në kafe. Pse jo dhe të shfrysh. Prishtina me mbi 500.000 banorët e saj tollovitet dhe ngatërrohet me të gjitha vështirësitë ditore. Për ta bërë më të lehtë jetën e banorëve të saj, së fundi, Ministria e Ekonomisë ka rritur planin e të hyrave të doganave të Kosovës për të mbuluar vendimet e Kryeministrit në largim për rritjen e pagës së shërbyesve civilë deri më 50 për qind. Pra, gjatë vitit 2011 duhet të grumbullohen deri 840 milion Euro apo 138 milion euro më shumë më shumë, por ekspertët e Kosovës në ekonomi thonë se tre muajt pa buxhet do të ndikojnë për investime kapitale dhe nuk mund të kryhen pagesat në kohë. Kjo do të ndikojë në rritjen ekonomike, papunësinë dhe varfërinë. Madje, rrezikohen deri edhe pagat e buxhetorëve nëse marsi fillon pa institucione të reja... . Kuptohet se në të gjithë këtë, ka lulëzuar krimi dhe një lajm për kapjen e dikujt me 7 kilogram marijuanë, nuk përbën ndonjë veçanti të madhe. Ashtu si lajmet për grabitje me armë apo arratisjen e një të paraburgosuri nga Vushtria?!!!

Në fshat-intermexo

...Që nga udhëtimi më ka mjaftuar që duke u ngjitur në vendin ku janë banorët, ish-luftëtarë të UÇK-së, të flasim dhe njihemi më mirë. Nuk flasin shumë motër e vëlla, por Bajrushi na del shumë miqësor. Nga atje, duket Prishtina si në pëllëmbë të dorës. Fshati kosovar, gjithashtu, është duke vuajtur paralizimin e prodhimit dhe njësoj si në Shqipëri mungesën e shitjes së prodhimit. Një dorë “e kujdesshme” ka bërë që bujku kosovar mos të ketë ku ta shesë prodhimin e tij. Siç ndodhi në Shqipëri, ku u prish gjithçka, dhe tash vendi ynë importin prodhimet nga jashtë, ashtu po bëhet dhe Kosova me ato resurse të pamata. Burrat kanë qejf të flasin dhe të tregojnë me pezëm, por shpesh bëhen dhe cinikë. Çuditërisht ende i shikojnë shqiptarët si të varfër. Hamdi Sopjani, një pesëdhjetëvjeçar, që e gjej te dera do të më qesëndisë, fillimisht dhe pastaj do më shfrehet me forcë. Ka qenë dhe ai i UÇK-së dhe nga ajo ka i kanë mbetur vetëm disa tipare shumë të mprehta. Është tejet i dobët dhe kur përpiqet të flasë me pezëm i merret goja...Ndahemi dhe tash e tutje ndjehemi miq. Bajrushi më përcjell në qytet... Më shpjegon këtë pezëm. Askush se ka pritur këtë për Kosovën, por...

Qyteti

Pezmi është kudo në Kosovë. A po dështon Kosova?-shtronte një pyetje Blerim Shala dhe pastaj e drejton gishtin e fajtorit, jo vetëm te kosovarët, por edhe të huajt, që pas Ahtisarit, duhet të tregonin më shumë kujdes. Administrata e huaj është e kufizuar vetëm me të drejtat e pakicave dhe asgjë më shumë. Vërtetë apo dështon Kosova? Nuk besoj, sepse ky eksperiment nuk mund të hidhet kaq lehtë poshtë. Kosova po vuan nga luksi i pavarësisë! Këtë e ndjen te politikanët dhe njerëzit që bëjnë ecejake nëpër parti të ndryshme. LDD-ja e Vushtrrisë shkrihet në LDK. AKR i vardiset PDK-së, por që është e papranueshme, ndërsa AAK-ja e Haradinajt, po luan me numrat e saj ...”Take it or leave it”,i është drejtuar Beqë Cufaj, pak ditë më parë Thaçit, që nga ana e tij ka një rebus të vështirë me qeverinë e re, ku duhet të lerë mënjanë veç Limajt dhe shumë e shumë të tjerë. “Që përparimi të arrihet duhet një qeveri e fokusuar, e ndershme, efikase, që respekton ligjin, e cila do të përqendrohet në rritjen ekonomike dhe në sundimin ligjit në katër vitet e ardhshme”, ka thënë Dell në një prononcim që është lakuar gjatë nga kosovarët.

Përditshmëria dhe korrupsioni

Dhe, kosovarët e ndjejnë se është vështirë. EULEX-i, në vend që t’u afrojë siguri të tjerëve, pjesëtarët e saj janë në hall për vete, sepse në veri të Mitrovicës sulmohen dhe askush s’kujtohet për ta dhe madje as nuk i duhet askujt imuniteti i tyre. E nëse qasja e tyre nuk ndryshon, thonë analistët, misioni i tyre është i mbaruar...Shërbimi Informativ i Kosovës është i kënaqur se ka shtrirë agjentët e saj edhe në Veri, sipas Zërit, por edhe kjo nuk mjafton. Ndërkohë, EULEX-i, ka fuqi, që t’u tregojë dhëmbët kosovarëve. Ajo ka bastisur katër kompani që lidhen me rastin e MTPT-së dhe dy kompani të tjera në një hetim për korrupsion në Giljan. Ato kryejnë punime me asfaltimin e rrugëve në Prishtinë, regjionin e Pejës dhe atë të Prizrenit. Bastisjet e kryera ndërlidhen me rastin e hetimit që ka nisur nëntë muaj më parë ndaj Ministrisë së Transportit dhe Post-Telekomit, në të njëjtën kohë më parë, kur edhe u bastis banesa e ministrit Limaj dhe shefit të protokollit Nexhat Krasniqi...

Në korrupsion tashmë janë bashkuar dhe serbët. Dhe, bash në të kanë gjetur gjuhën e duhur me shqiptarët. Sllavisha Petkoviq dhe 10 të akuzuar të tjerë janë akuzuar së fundi me përvetësimin e 1.1 milion eurove. Ish-ministri i Kthimit dhe Komuniteteve, Petkoviq, kinse u bë keq kur donin t’i lexonin, aktakuzën, megjithëse gjeti forcë që me dy serbët e tjerë të mos e pranonte shtetësinë kosovare. Ky kompetent ka ndërtuar një shtëpi ku jeton prej 95 mijë eurosh, ka rinovuar klubin e tij në Çagllavicë dhe me dy serbë dhe nëntë shqiptarë janë të akuzuar për shtatë vepra penale të kryera për “ndërtimin dhe meremetimin” e shtëpive të kthyera... Kanë bërë 209 kontrata fiktive për ndërtimin e shtëpive të të shpërngulurve.

Mos prit më shumë, më kujtohen fjalët e Bajrushit, ndërsa gazetat e fundit që blej tek fqinji im në Pazar, shoqërohen pa fjalë. Burri ka pezëm, sepse dikush i ka ardhur dhe i ka kërkuar para për një gjobë...

...Kjo është kronika e ditëve të mia të Prishtinës dhe kjo tollovi më përzihet, kur largohem një mbrëmje të ftohtë drejt qytetit tim, Tiranës. Kosova në gjurmët më të këqija të Shqipërisë apo mbetur te hajnia. Nuk e di. Janar 2011.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama