Kosova viti dymbedhjete pas Krishtit

Kosova, viti dymbedhjete pas 'Krishtit'
Dymbëdhjetë vjet më vonë, pasi NATO-ja i zhvendosi nga vendi serbët, Kosova ka marrë udhën e vështirë drejt shtetbërjes. Anipse, një rrugë strapacuese për një shtet-fëmijë, që kujtonte se pavarësia do t’i rregullonte të gjitha. Megjithatë, edhe pas zhgënjimeve të shumta, kosovarët duhet të jenë të kënaqur me ndarjen nga serbët. Përpos momenteve të vështira, kur korrupsioni që ka mbytur gjithçka, i bën që të ofshajnë...për at’ kohë

Për kosovarët, që duket se nuk jetojnë dot pa mite, Shkëlqesia e tij Sali Berisha është një mit i gjallë. I trand ëndrrat e tyre kur del për ndonjë deklaratë të zakonshme mllefore në televizion, por edhe për këtë e kanë një zgjidhje. Ai na ka sjell Shqipërinë për dy orë dhe tash jemi të lumtur. Ndërkohë, që këto patetizma na vijnë nga pas sedijes, në udhën e Kombit, kur një kohë e mugullt ndriçon nga vetëm pak makina në autostradë.

Por burrat patetikë që kërkojnë muhabet me zor nuk pushojnë. “Eu rroft bre...”, ofshan njëri herë pas here, dhe e cyt dhe tjetrin të flasë kot. Pa ta, udha e kësaj dite do të ishte e mërzitshme ndaj kur do jemi në Prishtinë me linjën e rregullt të autobusëve pas plot pesë orësh, më duket se humbas një gjë të madhe që s’do kem muhabetin e tyre kombëtar pas veshit. Në lajmet, që më në fund i çliron shoferi nga radioja e tij (deri më atëherë kemi dëgjuar këngët e zvargura kombëtare të modës), një spiker flet për Baroneshën Ashton dhe ardhjen në Kosovë...

Prishtina në mbrëmje

Afër stacionit të autobusëve, në Prishtinë, pak pa u futur tek Ura e Madhe, që të përcjell më duket në Fushë-Kosovë, në një qoshk presin taksitë. Më së shumti janë taksitë e larme pa licensë, se Kosova ashtu si Shqipëria ka një garë të pafundme të pandershme taksish. “Aj, po me’t fol, nuk po dun me qit t’keqen”, më thotë shoferi, kur rehatohemi në makinë dhe e pyesim për shëndetin. “Ai kolegu, atje, që donte me iu marr asht pa licensë”, më thotë, duke nxjerrë mllefet e tij. Nuk ka qenë në luftë, por këtë po e paguan tani, sepse njerëzit e luftës në shumicën e rasteve, që janë në pushtet janë t’pangishëm, shprehet. E kalojmë me humor, paçka se shqipet tona, rrinë si kokat e shqipes së flamurit. Anipse, njeriu i thjeshtë është i mirë, sepse t’flet qetë dhe dora-dorëz me maturi. Në pak minutat, që mund të përshkosh trafikun e ngarkuar, më tregon sesi përballon jetën dhe më tej akoma sesi po mundet në kohë “të sodit, kur senet ikin veçse lart”. Nga jashtë tufa të rinjsh kalojnë në baret ose pabet e natës, ku kosovarët e kalojnë Tiranën me ritmet e bandave të tyre muzikore. Dyqanet mbyllen në orë të caktuara dhe ndryshe nga Tirana, gazetat shiten më me klas, në shitoret e zakonshme.

 Në një të tillë, ku blej gazetat ditore, burri i vjetër, me të cilin njihemi prej kohësh, më sqaron se Kosova është duke vuajtur këtë kohë nga papërgjegjshmëria. Se e ardhmja është Shqipëria e bashkuar dhe se ministri i Shqipnis (fjala është për Haxhinaston, ministrin e Jashtëm, që atë ditë ka artikuluar sloganin e zakonshëm të Tiranës: të dyja vendet bashkohen në Bruksel), ia ka fut kot. Është e paimagjinueshme për brezat mbi 35 vjeç që Kosova dhe Shqipëria të jenë të ndara, veç kuptohet njerëzve të administratës që u duhet të flasin me fjalët e ndërkombëtarëve për Kosovën, në mënyrë që ta mbajnë atë punë. Kryetari i Bordit të Klubit për Politikë të Jashtme, Veton Surroi në një ligjëratë, në një Universitet, thekson atë që më së shumti është në kokat e intelektualëve kosovarë: Brukseli dhe Beogradi mund të dinë se ç’do të fitojnë me këto bisedime, por kurrsesi Kosova. Ka një të vërtetë të madhe në gjithë këtë. Deri më tash, kosovarët janë marrë me andrallat e zgjedhjeve dhe bisedimet kanë ardhur në një kohë disi të papërshtatshme. Për më tepër, Kosova, është e mbushur me mllefe të çdo lloji. “Epilogu i bisedimeve për Serbinë do të rezultojë me marrjen statusit të kandidatit në BE, kurse Kosova nuk do të përfitoje asgjë”, shton në media ai. Për hir të së vërtetës, jo thjesht për faktin që Mitrovica e Veriut është e paadministrueshme, por edhe fakti i mosnjohjes nga disa shtete potenciale e bën Kosovën të frikohet. Anipse këto ditë në Kosovë është festuar dita e fillimit të bombardimeve, me të cilën ka filluar procesi i pavarësisë. Këtë e ndjen kudo në mbrëmje nga mjedisi festiv dhe përgatitjet, që duhet thënë se me kalimin e kohës janë zbehur disi.

12 vjet pas, UÇK-ja nën akuza

E, ndërsa Kosova feston sipas mënyrës së saj 24 Marsin, serbët e Mitrovicës hakërrohen andej Urës. Kush ka sy e shikon që Mitrovica e Veriut s’është më pjesë e Kosovës shqiptare. Një trupan del me flamurin e Serbisë deri afër Urës dhe bërtet me të madhe, por askush s’ia vë veshin. Të tjerët bëjnë avazin. Pak ditë më parë, ose më qartë të enjten në mesditë, në përvjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 mbi kokat serbe, u mbajt mitingu me sloganin “Së bashku për Serbinë”.

Mesazhi mbetet i qartë dhe Radenko Nedeljkoviq, i ashtuquajturi shef i Qarkut të Mitrovicës, rrëfen me patos se serbët e veriut të Kosovës nuk duan të integrohen në institucionet kosovare. Dhe, qesëndia e tyre është më e madhe ndaj shqiptarëve kur mëtojnë se s’janë pjesë e institucioneve paralele, sepse janë pjesë e Serbisë. Në Sheshin “Shumadija”, të Mitrovicës, arena e gjithë këtyre, serbët e thjeshtë janë thjesht të detyruar të shkojnë. Njësoj si shqiptarët e pjesës tjetër të Mitrovicës, kanë një gjë të përbashkët: Jeta është gjithnjë e më vështirë.

Për këtë Radenko patetik s’ka përgjigje mbas urës, njësoj si politikanët shqiptarë. Vetëm si kamerdare shërben lufta dhe kremtimet e saj. Serbët si zakonisht festojnë me lavd humbjet e tyre të turpshme, ndërsa shqiptarët realisht heqjen e zgjedhës, falë bombave të NATO-s. Më trishtueshëm të vjen për luftëtarët e thjeshtë të UÇK-së që tash u duhet të mbajnë mbi shpatulla dhe akuzat e EULEX-it ndaj tyre. Ndaj Kryesia e Vullnetarëve po bën çmos këto ditë që veç protestave në mbrojtje të arresteve të EULEX-it për 12 anëtarë të Luftës, të tregojë se UÇK-ja luftoi me nder. E megjithatë, EULEX-i vazhdon. Ish-ministri i Transporteve, Limaj, dorëzon imunitetin dhe, për burrin që më shet gazetën dhe nuk do të ma thotë asnjëherë emrin, gjërat janë të qarta. Pa përcaktuar gjësend më thotë se: “Shumë nga këta janë të panginjur dhe besoj se tan’ kta hajna, duhet me e pagu”. Gjatë luftës, Limaj drejtoi Brigadën “Kumanova”dhe pas arrestit nga Haga, në ditët e fundit është një nga 12 e ndaluarit e EULEX-it.

 Prokurori i special, Maurizio Salustro, ka arritur të ngrejë padi penale ashtu si ndaj tij edhe kundër Hajdar Hoxhës nga Rahoveci, Ukë Gegajt nga Suhareka, Shaban Shalës nga Kleçka e Lipjanit, Fatmir Limajt nga Banja e Malishevës, Naser Krasniqit nga Rahoveci, Besim Shurdhajt, Arben Krasniqit nga Caralluka e Malishevës, Behlul Limajt nga Banja e Malishevës, Nexhmi Krasniqit nga Tërpeza e Drenasit, Naser Shalës nga Banja e Malishevës, Sabit Shalës nga Kleçka dhe Refki Mazrekut nga Malisheva. Ka qenë spektakular arresti i tyre dhe ai e ka lëvizur pak nga letargjia e ditëve Kosovën. Është bërë me një aksion të nisur herët në ag në disa lokalitete të Malishevës dhe Lipjanit, ku janë prangosur 10 nga 12 të dyshuar. Nexhmi Krasniqi, shefi i Policisë së Prizrenit, ka bërë rezistencë prej shokëve të tij. Kurse Z. Limaj, është mbrojtur me statusin e tij. Paçka se një nga bashkëpunëtorët e tij, që tash, është me siglën X, ka pranuar të bashkëpunojë.

Ekonomia dhe korrupsioni

E bashkëpunimi është në zgrip. Të gjithë akuzojnë në Kosovë. Kamerieri që të shërben në mëngjes, taksisti, i papuni dhe politikani. Përfaqësuesit amerikanë në Prishtinë, edhe pse vazhdojnë të jenë mbrojtësit kryesore, nuk kanë harruar tu kujtojnë vendasve, me anë të ambasadorit të tyre Christofer Dell se: “Kur amerikanët dëgjojnë kosovarët duke përgojuar qeverinë, sepse ajo nuk është mbështetur nga shumica e deputetëve shqiptarë të Kuvendit të Kosovës, ne jemi më se të fyer. Ne pyesim veten: “A për këtë kemi luftuar në Kosovë?”. Kjo është e vërteta e dilemës së madhe të njerëzve të thjeshtë: A na shërbeu lufta? Një patjetër është e përgjithshme, por nga ana tjetër kjo s’e mbyt dot frymën e hajnisë që mbizotëron kudo.

Një koleg te Koha Ditore, që mbulon kulturën, më thotë se këtu hajnia s’ka kufij. Rastet e paraqitura të medias janë aq të shpeshta, saqë pak nga pak po përsëritet Shqipëria, ku askush nuk i bën më përshtypje e keqja. Në raportin që ka dalë këto ditë nga Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK), flitet për një dëm prej disa milionë eurosh ndaj shtetit. Drejtori i saj, në një dalje për shtyp, ka lajmëruar se institucionet më të korruptuara mbesin ndërmarrjet publike, qeveria, pushteti lokal dhe gjykatat. Dhe, nuk ka sesi të ndodhë ndryshe. Monitorimi i kostove të zgjedhjeve ka nxjerrë që kostot e subjekteve politike s’janë aspak transparente.

Ndër to, theksohet nënvlerësimi i shpenzimeve, mosdeklarimi i pasurive, deklarimi gjysmak i të hyrave dhe shpenzimeve totale, apo edhe mosdeklarimi fare i këtyre të fundit, mosparaqitja e donatorëve privatë, mungesat e dëshmive për të vërtetuar shpenzimet, mungesa e dokumentacionit që tregon gjendjen e xhirollogarisë bankare, dorëzimi i deklaratave financiare pas mbarimit të afatit të paraparë me ligj, si dhe tejkalimi i limitit të shpenzimeve të lejuara me ligj. Sipas raportit të KDI-së, PDK, që i fitoi zgjedhjet, është edhe subjekti i parë që ka tejkaluar këtë limit. Në këto kushte kuptohet vetë se ç’mund të thuash. Autoritetet për shembull mbyllin sytë para abuzimeve të “Termokos” edhe pse ajo ka dështuar me ngrohjen në dimër, apo ka marrë afro 1 milion euro nga institucionet për të afruar ngrohje dhe nuk ua ka ofruar atë edhe një ditë të vetme.

Një koleg gazetar më thotë se kjo është thjesht maja e Ajsbergut. Ai më përmend një skemë të tërë nepotizmi në këtë institucion, që s’bie më poshtë se të tjerët. Dy të rinj, që takoj në një nga libraritë e fisme të Prishtinës, më tregojnë një strukturë të tërë mashtrimi. Shumë entuziastë, ata shpresojnë se arrestimet bëjnë mirë, që koha e re tu takojë të rinjve. Në fakt, janë më shumë ngazëllime sesa realitete. Me EULEX-in te koka gjërat e hidhura shpesh po na dalin në shesh Dhe, në Kosovë gjërat vërtet janë të trishtueshme. Hashim Rexhepi, ish guvernatorit që është arrestuar pak muaj më parë, në bashkëpunim me kolegë të tij të huaj, i kanë shtuar veç disa akuzave dhe falimentim të qëllimshëm të Bankës Kreditore të Kosovës.

Arsyetimi i padisë është se gjithçka është bërë për marrjen e parave të deponuara, ku llogariten edhe 15 milionë euro të Postës dhe Telekomit të Kosovës. Emrat e Donat Branger, ish-drejtor i përgjithshëm i Autoritetit Bankar dhe i Pagesave, David Weatherman, ish-drejtor i Bankave dhe i Sigurimeve në ABPK, Thomas Turula, ish-drejtor i Sigurimeve në ABPK, si edhe Hashim Rexhepi, ish-drejtor i Sigurimeve në Kosovë, kishin plan sipas Koha Ditore për falimentin e gjithë bankave komerciale të Kosovës dhe të kompanive të sigurimeve.

Dhe, do të mbështeteshin vetëm dy banka me kapital të huaj, që operojnë shumë edhe në hapësirën e Shqipërisë. Dhe, në gjithë këtë qerthull, ajo që dëmton më shumë mbetet kontrabanda në veri. Në portalet 1 dhe 31 ose në pikat kufitare në Leposaviq dhe Zubin Potok nuk kalojnë të gjithë mallrat për zhdoganim. Më thjesht: Pikat kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës shërbejnë si pika hyrje të mallrave në Kosovë, vetëm se zhdoganimi i tyre bëhet në terminalin doganor në Mitrovicë. 200 milion Euro në vit mendohet se janë dëmet nga kjo lloj kontrabande, paçka se të ardhurat krahasuar me ato të vitit 2009 janë rritur për afër 65 milionë euro. Jo më kot, Mimoza Kusari-Lila, zëvendëskryeministre, në Baltimore në një samit investimesh për Ballkanin, shprehet se Ekonomia, dhe jo imazhi, është problemi i Kosovës.

Imazhi

Por Kosova e ka kaluar dhe imazhin. Shtuar me njohjet e pakta, Kosova duket se është duke punuar që me veprimet e saj të tregojë se nuk po pyet shumë. Në një rast të fundit, pasi buxheti është vonuar pafund, qeveria e Kosovës as nuk e përfill fare FMN-në. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi me atë qetësinë e tij të zakonshme shprehet se Kosova është shtet i pavarur dhe askush nuk mund t’ia diktojë se a duhet apo jo ta miratojë një ligj të caktuar. Imazhi është i dhunuar disi. Kolegia e tij me emrin e frikshëm Mimoza Kusari-Lila nga Baltimora shprehet se: “Kundërthëniet dhe akuzat të cilat prekin presidentin dhe kryeministrin e Kosovës nuk do të zbehin interesin për investime në shtetin më të ri të Ballkanit”. I cili, me anë të presidentit të saj, një nga emrat më të suksesshëm të biznesit shqiptar, Behgjet Pacolli, tregon se ndryshimi do fillojë tamam nga ekonomia.

Përpjekjet nga një post, që nuk ka shumë në dorë, duken pak si të sforcuara, kur ai u bën thirrje biznesmenëve shqiptarë për nevojën e tregut të përbashkët Shqipëri – Kosovë. Me kujdes u kujton se të dy vendeve u mungon hapësira e veprimit dhe se tregu është shumë i vogël, ndaj u duhet të sajojnë një hapësirë më të gjerë tregtare, përpos dhe të dy vendet duhet dhe do t’i heqin disa barriera doganore formale që kanë mbetur ende, të cilat pengojnë deri më tashmë një bashkëpunim më të madh. Një përpjekje të njëjtë, e bën dhe në Maqedoni (kur pritet me shumë nderim), ku ndërsa e shikoj me një djalë të ri kosovar ai e qesëndis për hapin e tij në paradën e nderit. “Aj, boll bukur po ecka ky njeri”, më shprehet djali, që e kujton se posti është i lehtë për tu arrirë. Shqipëria dhe ato makinat e pakta më sjellin ndërmend se Kosova dhe Shqipëria janë ende shumë larg me njëri-tjetrin.

 Kosovarët na qesëndisin për gjuhën e njësuar, ne për të tjerat. Dy kokat e shqiponjës ende janë realisht larg me njëra-tjetrën. Paçka se koka e serbëve tash është ulur dhe, megjithëse ende nuk e njohin shtetin, nën rrogoz kanë filluar t’ia ndjejnë largimin Kosovës. Kur të fillojnë bisedat javën tjetër gjërat do jenë më të qarta, përpos kuptohet vulës së doganës, ku pala kosovare po mbrohet fort. E megjithatë gjërat po lëvizin. Qytetarët kanë kohë që e sfidojnë shtetin e tyre duke u përpjekur të marrin kursimet individuale që i kanë në banka të Serbisë, madje deri në vitin 1999. Dhe, matrapazët janë më të përfituarit në këtë drejtim. Ata japin 50% të kursimeve të tyre thjesht që t’i tërheqin pas nga ‘Jugobanka’ dhe ‘Beobanka’, ato që i ndajnë.
...
Akoma kosovarët nuk po e shohin realisht se pavarësia i ka dhënë një frymëmarrje që s’e kishin. Ndaj kur dikush më thotë se më mirë në koh t’shkjaut, më duhet ta shoh me dyshim për shëndetin mendor. Jo për atë që i dhemb atij dhe e derdh mllefin në këtë mënyrë, por për vendin tim, që ka lënë energji pafund, ka derdhur gjak dhe të tjera që Kosova t’ia arrijë kësaj dite. E, megjithatë, te kosovarët nderimi për Shqipërinë është ndryshe. Harroje luftën e ftohtë të komunistëve dhe, mbi të gjithë, atyre dhjetëra djemve të rinj që ndihmuan kundër fashizmit (në Kosovë, çuditërisht në masë, pushtimi fashist nuk konsiderohet aq i keq), ai është rrënjosur në moshat e mesme, që e dinë çdo të thotë të ishe nën represionin serb dhe kuptohet te Z. Berisha. Atij i drejtohen me lavde dhe, kur dikur ka thënë se do të bëj dhe hekurudhën, kosovarët s’janë mbajtur:

Ai është prijësi ynë. Për hir të së vërtetës, në ndonjë arkiv duhet të jenë variantet e hekurudhave, që kanë qenë që në kohë të ish-Federatës gati 40 vjet më parë. Një pensionist më thotë se ka qenë një linjë: Fushë Kosovë-Klinë -Prizren -Vermicë-Kukës dhe varianti i dytë Fushë Kosovë-Klinë-Kramovik-Gjakovë-Morinë, por që s’janë bërë. Tash, na takojnë t’i vendosim ne urat, më thotë. Nuk e di. Për mua dhe shumë të brezit të mi, Kosova ende s’mund të jetë shtet. Është Shqipëria shtet dhe një i vetëm, por bashkë me Kosovën. Kjo po. Këtë se deklaron dot fort, sepse nuk të lënë kinse pro-perëndimorët e këtej dhe matanë kufirit. E kujtoj në kthim këtë në një udhë që është zbardhur nga bora dhe ku pak makina tentojnë të kalojnë matanë...në vendin e ëndrrave të dikurshme për ta që quhej Shqipëri. Radioja e shoferit e ul përfytyrimin tim. Baronesha Ashton s’vjen në Kosovë, në këto ditë të fundit të marsit të vitit 2011.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama