Kosova e para per perdorimin e internetit ne Ballkan

Kosova e para per perdorimin e internetit ne Ballkan

Një lajm interesant na vjen nga një vrojtim në internet e ndërmarrë nga “World Stat”. Qytetarët kosovarë janë përdoruesit më të fuqishëm të internetit në Ballkan, sipas një vrojtimi botëror për navigimin në internet dhe në Facebook.

Vrojtimi i Internet World Stat, mbi përdorimin e internetit thotë se 76.6 % e 1.8 milionë banorëve të Kosovës përdorën internetin në vitin 2013, por Kosova është gjithashtu nga të paktat vende për të cilat mungojnë të dhënat mbi përdorimin e Facebook-ut. I dyti në Ballkan në përdorimin e internetit është Kroacia me 70.9 % të popullsisë. Gjithsesi, kroatët nuk duken shumë të interesuar për Facebook, për shkak se vetëm 1.6 milionë prej tyre e përdorin këtë rrjet të medias sociale.

Bosnje Hercegovina renditet e treta me 67.9 % të përdorimit të internetit. Pra 2.6 milionë nga një popullsi prej 3.8 milionë njerëzish kanë qenë përdorues. Numri i përdoruesve të Facebook-ut llogaritet 1.3 milionë, gjë që përbën gjysmën e përdoruesve të internetit. Maqedonia, ku 62.2 % e popullsisë përdor internetin, pozicionohet e katërta në listë. Rreth 1.3 milionë njerëz nga 2.1 milionë banorë janë përdorues. Një pjesë e madhe e tyre, 962 mijë, përdornin gjithashtu Facebook.

Sipas të dhënave të këtij studimi Shqipëria është nga vendet e mesit në listë me 60.1 % përdorues interneti. Kjo do të thotë se rreth 1.8 milionë nga 3 milionë banorë janë përdorues,  rreth 1.1 milionë kanë llogari në Facebook. Niveli i përdorimit të internetit në Serbi llogaritet 57 % ose 4.1 milionë banorë. Përdorimi i Facebook-ut këtu është gjithashtu i lartë me 3.3 milionë llogari. Në Malin e Zi norma e përdoruesve të internetit është 56.8 % ose 365 mijë banorë nga një popullatë prej 650 mijë vetësh. Rreth 300 mijë prej tyre janë përdorues të Facebook-ut.

Bullgaria, me popullsi prej 6.9 milionë banorë pati normë përdorimi në internet prej 53.2 % ose 3.6 milionë përdorues. Rreth 2.5 milionë prej tyre janë me profile në Facebook. E fundit në listë llogaritet Rumania me 49.8 % përdorues në internet. Rreth 10.8 milionë nga 22 milionë banorët e Rumanisë përdorin internet dhe nga këto, 5.3 milionë kanë llogari në Facebook. Lider në listën e vendeve Europiane për përdorim interneti janë Islanda me 96.5 % pasuar nga Norvegjia me 95 % dhe Suedia me 94.8 për qind.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama