Korrupsioni 36 dosje ne gjykim
- Botuar: 17 vite më parë
- Shkruar nga:
Lufta kundër korrupsionit, kryefjala e politikës shqiptare, por edhe kryedetyra e lënë prej partnerëve dhe institucioneve ndërkombëtare nuk duket të ketë të njëjtin intensitet me të cilin përdoret në fjalimet politike, edhe kur bie fjala për paditë që shqyrtohen në gjykatë. Megjithëse gjatë këtij viti vihet re një shtim i numrit të padive, ndaj zyrtarëve të korruptuar, apo atyre që kanë shpërdorur detyrën, sërish shifrat janë të ulëta krahasuar me akuzat dhe kundërakuzat që vijnë nga të gjithë aktorët, jo vetëm të politikës, por edhe të shoqërisë shqiptare.
36 dosje që lidhen me veprat penale të korrupsionit aktiv e pasiv të zyrtarëve shtetërorë, shkeljen e barazisë ndaj pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike, si dhe shpërdorim të detyrës janë gjykuar gjatë shtatë muajve të këtij viti në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet. Numrin më të lartë të proceseve në gjykim e zënë ato për veprën penale të shpërdorimit të detyrës me 22 çështje. Pas tyre vijnë paditë për veprat penale të korrupsionit aktiv e pasiv të zyrtarëve shtetërorë, apo personave që kryejnë funksione publike me 12 çështje. Sipas statistikave zyrtare të Gjykatës së Tiranës 18 çështje, pra gjysma e dosjeve të përgjithshme, janë të mbartura nga viti i kaluar.
Për sa i përket kohëzgjatjes së proceseve gjyqësore, ajo nuk është e lartë, pasi një pjesë e mirë e të pandehurve kanë preferuar formën e gjykimit të shkurtuar, duke përfituar edhe uljen e 1/3 së dënimit. Kështu, nga 14 çështjet e përfunduara gjatë 2008-ës për korrupsion, gjykimi i vetëm tre prej tyre ka zgjatur më shumë se një vit. Për një çështje janë dashur më shumë se 6 muaj për t‘u përfunduar dhe për 9 të tjera janë mbyllur brenda afatit 2-6 muaj. Kohëzgjatja jo e madhe e proceseve duket se lidhet me faktin që pjesa më e madhe e dosjeve vijnë të kopsitura dhe pa shumë hapësira për mbrojtjet, të cilat, të gjendura në situata të pashpresa, preferojnë gjykimin e shkurtuar për të përfituar uljen e dënimit. Përdorimi i metodave të gjurmimit dhe përgjimet e telefonike sipas prokurorëve kanë ndikuar shumë në këtë drejtim, pasi ato kanë vlerën e provave të pakundërshtueshme nga të pandehurit dhe jo në pak raste kanë ndihmuar në arrestimet në flagrancë të tyre, në momentet e marrjes së parave apo këmbimit të favoreve të tjera.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, proceset që janë gjykuar në Gjykatën e Tiranës me objekt korrupsionin janë më të larta. Gjatë shtatë muajve të vitit 2007, ishin shqyrtuar 25 dosje për korrupsion. Edhe gjatë këtij viti, numrin më të madh të çështjeve e kanë pasur ato për shpërdorim detyre, me 28 dosje. Gjithsesi, për specialistët e fushës, statistikat nuk tregojnë ndonjë rritje të konsiderueshme të luftës kundër korrupsionit. Nisur nga niveli i lartë i denoncimeve publike që bëhen si nga qytetarët, por edhe nga shoqata dhe organizata të ndryshme vendase e të huaja, numri i zyrtarëve të korruptuar duhet të jetë shumë më i lartë se sa numri i atyre që e kanë parë tashmë derën e gjykatës. Megjithëse krahët e politikës shqiptare vazhdojnë të përplasen në fushëbetejën e luftës kundër korrupsionit, Shqipëria vazhdon të renditet e para në rajon, por edhe ndër vendet e para në botë për nivelin e lartë të korrupsionit. Ndoshta ky realitet do të ndryshojë atëherë kur në dyert e gjykatave të vijnë më shumë zyrtarë të korruptuar që fatkeqësisht sipas raporteve të ndërkombëtarëve, nuk janë të paktë në administratën publike shqiptare.
Drejtësia
Në gjyq, prokurori "antikorrupsion" i paditur nga "Fiks Fare"
Këtë vit, në Gjykatën e Tiranës, është shtuar edhe një rast specifik i gjykimit për çështje korrupsioni. Një prokuror, i cili, përveç të tjerave, është i ngarkuar edhe me detyrën e luftës ndaj korrupsionit, është akuzuar për veprën penale të "Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë". Ai u filmua nga gazetarët e emisionit "Fiks Fare" duke i kërkuar ryshfet babait të një të pandehuri, në këmbim të një dënimi më të butë për djalin e tij. Musa Mulkurti ka qenë prokuror në Rrethin e Kavajës, ndërsa tashmë ndodhet në bankën e të akuzuarve.
Në shkurt të këtij viti, Zagoll Muça akuzoi publikisht prokurorin e Kavajës se i kishte kërkuar 5 mijë euro ryshfet për ndryshimin e akuzës dhe lehtësimin e dënimit për djalin e tij Selam Muça. Në bisedën e bërë publike nga emisioni "Fiks Fare", prokurori pohon se kishte marrë 2 mijë euro nga 5 mijë të tilla, të cilat i kishte kërkuar nëpërmjet avokatit të personit të arrestuar për shpërndarje dhe mbajtje droge. Dënimi i parashikuar nga ligji për të pandehurin ishte 15 vjet burg, mirëpo Mulkurti kishte premtuar se kundrejt ryshfetit do të kërkonte vetëm shtatë vite burg për të arrestuarin. Tri seanca e para të procesit gjyqësor ndaj ish-prokurorit janë shtyrë për motive të ndryshme.
Neni 135
Vjedhja e kryer, duke
shpërdorur detyrën
Në veprat penale të "Vjedhjes së kryer, duke shpërdorur detyrën" aktualisht futen edhe raste që nuk kanë lidhje me administratën shtetërore apo funksionet publike, por me sektorin privat. E megjithatë, në pjesën më të madhe, edhe kjo kategori krimi lidhet me korrupsionin e zyrtarëve. Sipas statistikave të Gjykatës së Tiranës, gjatë këtij viti, janë shqyrtuar 15 raste të kësaj vepre kriminale. Më shumë se gjysma e tyre lidhen me punonjës të administratës shtetërore, por jo në nivele të larta të saj. Bëhet fjalë për punonjës që, nëpërmjet veprimeve apo mosveprimeve të tyre, kanë përfituar vetë apo kanë favorizuar persona të tretë, që të përfitojnë shuma të ndryshme të ardhurash nga fondet publike. Për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ishin regjistruar 19 raste të gjykimit të këtyre lloj çështjeve.
Rastet
Ish-zyrtarët e ministrive ia "hodhën" me dënime të lehta
Nikolin Jaka dhe Spartak Gjini, gjyqet më të bujshme
Zyrtarët e akuzuar kërkuan që në fillim të proceseve gjykimin e shkurtuar, duke përfituar uljen e dënimit
Proceset ndaj ish-zyrtarëve të dy ministrive kanë qenë më të spikaturat ndër çështjet e gjykuara për korrupsion në Gjykatën e Tiranës. Grupi i parë i përkiste Ministrisë së Transporteve dhe kryesohej nga zëvendësministri i kësaj ministrie, Nikolin Jaka. Së bashku me të u gjykuan edhe Ilirjan Berzani, ish-drejtor i Përgjithshëm i Rrugëve, Arjan Sheti, ish-drejtori i Drejtorisë Juridike në Drejtorinë e Rrugëve, Bashkim Kamberi, ish-drejtor i Prokurimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, Xhevahir Muçogllava, ish-drejtor në Drejtorinë e Koordinimit në Drejtorinë e Rrugëve, si dhe biznesmenët Isuf Ukperaj e Skënder Bokçiu. Ata u arrestuan në shtator të një viti më parë gjatë operacionit të koduar "Duar të pastra" dhe u dënuan nga gjykata me një total prej tetë vjetësh burg. Kjo e fundit i gjeti ata fajtorë për abuzime me tenderët e rrugëve që duhej të zhvillonte Ministria e Transporteve. Pak kohë më vonë, një tjetër proces i bujshëm ishte ai ndaj zyrtarëve të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Ish-sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie, Spartak Gjini, së bashku me Llambi Tarkën, ish-drejtor i Prokurimeve në këtë dikaster dhe biznesmenin Fiqiri Pali u gjykuan dhe u shpallën fajtorë nga gjykata, duke u dënuar me një total prej pesë vjetësh heqje lirie. Ata u arrestuan në fund të vitit të kaluar pas një operacioni që, sipas prokurorisë, kishte rreth një muaj që përgatitej. Operacioni i koduar "Rikonstruksioni" ishte kryer pas denoncimit të një prej administratorëve të firmave humbëse të tre tenderëve të fundit të zhvilluar në Ministrinë e Punës. Të pandehurit u akuzuan se kishin skualifikuar firmat e tjera dhe ndihmuar firmën "Siret" që të fitonte tenderin për rikonstruksionin e një godine në qytetin e Durrësit. Për këtë veprim, ata kishin marrë ryshfet nga pronari i firmës.
Gazeta Shqip