Kopshti Zoologjik i Tiranës do t’u kthehet qytetarëve pas 4 vitesh degradimi, e do të shndërrohet në një hapësirë frymëmarrjeje për kryeqytetin e një kënd argëtues për fëmijët.
Ky është premtimi i kandidatit socialist për Tiranën, Erion Veliaj, i cili vizitoi sot ambientet e Kopshtit Zoologjik të lëna në harresë, i shoqëruar nga arkitekti i njohur anglez, Ray Hole, ekspert i fushës dhe kontribues në ndërtimin e kopshtit zoologjik të Londrës, për të parë mundësinë për rijetësimin e kësaj zone të Tiranës, e për ta kthyer atë në një oaz çlodhës për familjet dhe fëmijët.
Veliaj dhe Hole diskutuan mbi rigjenerimin dhe konceptimin e një kopshti zoologjik modern, qoftë në dizajn, arkitekturë, por edhe miqësor për kafshët që do të banojnë aty. “Kemi një shans për të kuptuar se ç’mund të bëjmë me këtë zonë, ku sot ndodhet kopshti zoologjik, një ndërmarrje e falimentuar e Bashkisë së Tiranës. Po shikojmë një model financiar ndryshe, ku bashkia është vetëm një nga aktorët, kurse qyteti bashkëpunon më shumë për ndërtimin e një mekanizmi financiar të qëndrueshëm”, u shpreh Veliaj.
Ai tha se, po shihet mundësia edhe për zgjerimin e hapësirës së kopshtit zoologjik, por edhe për t’i përdorur më mirë hapësirat aktuale. “Është një Kopsht Zoologjik unik, që mund ta kthejmë në një potencial fantastik për familjet dhe fëmijët. Ndaj, e shohim jo si një problem, por si një mundësi e mirë, që pas 21 qershorit ta çojmë edhe Kopshtin Zoologjik në drejtimin e duhur, si një hapësirë dhe frymëmarrje për një qytet, i cili ka më shumë nevojë për parqe se sa për beton”, u shpreh Veliaj.
Duke folur për projektin e ardhshëm të Kopshtit Zoologjik, arkitekti Ray Hole tha se zona ka një potencial të jashtëzakonshëm dhe mundësi të mëdha për realizimin e saj. “Këtu shoh një sfidë të madhe, por edhe potencial të madh. Ka nevojë për një strategji operacionale dhe një strategji për gjenerimin e të ardhurave, për të riinvestuar dhe për ta rikthyer këtë vend në një vend frymëzues dhe konservues të pjesëve të tjera të botës nga vijnë kafshët”, u shpreh ai.
Rijetësimi i Kopshtit Zoologjik është një nga pjesët e rëndësishme të programit të kandidatit Veliaj, i cili parashikon ta kthejë atë, nga një kopsht të trishtë që është sot, në një park zoologjik me standarde bashkëkohore. Numri i kafshëve do të rritet dhe kafshët nuk do mbyllen më në kafaze, por do të qëndrojnë në mjedise të hapura të ngjashme me habitatin e tyre natyror.