Konferenca e Pergjithshme e UNESCO ne Paris Kumbaro fjale per anetaresimin e Kosoves

UNESCO

TIRANË, 7 Nëntor/ATSH/.- Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, do të mbajë sot një fjalë në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s në Paris, për anëtarësimin e Kosovës.

Në një njoftim për shtyp të Ministrisë së Kulturës,bëhet e ditur se delegacioni shqiptar kryesohet nga ministrja Kumbaro, e cila do të mbajë fjalën për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Më 21 tetor, Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s përkrahu kërkesën e Shqipërisë dhe i rekomandoi Konferencës së Përgjithshme futjen e çështjes së pranimit të Kosovës në këtë organizatë në axhendë.

Sesioni i 38-të i Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s nisi të martën, 3 nëntor 2015, në Paris dhe do të zgjasë dy javë. Në mesin e shumë çështjeve do të konsiderohet është edhe rekomandimi i Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s për pranimin e Kosovës në këtë organizatë. Konferenca e Përgjithshme ka 195 anëtarë, nga të cilët 111 e kanë njohur Kosovën, e 84 jo, dhe rekomandimit i duhen dy të tretat e votave për të kaluar.

Ministrja e Kultures Mirela Kumbaro (ARKIV)Votimi për pranimin e Kosovës në UNESCO pritet të mbahet në seancën e 9 nëntorit.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, në një konferencë për media të mbajtur të martën, në 3 nëntor në Prishtinë, theksuan se Kosova duhet dhe e meriton të jetë anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), sepse ndan dhe beson në vlera të njëjta me misionin e kësaj organizate.

"Kosova duhet të jetë anëtare e UNESCO-s, sepse ndan dhe beson në vlera të njëjta me misionin e kësaj organizate, vlera të kulturës, arsimit, shkencës, komunikimit, të orientuara në ndërtimin e paqes dhe barazisë ndërmjet njerëzve, të bashkëpunimit, të dialogut ndërkulturor, në përgjithësi", theksoi Mustafa.

Kreu i qeevrisë kosovare u shpreh se "Kosova ka një popullatë të re, të etur për dije dhe për njohuri kulturore dhe për lidhje me botën. Janë këta të rinj të talentuar, janë shkencëtarët tanë që do të mund t'i kontribuojnë dijes globale, dhe të jenë pjesë e zhvillimeve shoqërore dhe të dijeve botërore".

Në prag të votimit në Asamblenë e Përgjithshme të UNESCO-s për anëtarësimin e Kosovës në agjencinë e OKB-së, janë shtuar zërat në përkrahje të Kosovës, ndërsa Serbia në anën tjetër zhvillon një fushatë të gjerë diplomatike institucionale kundër synimeve të Kosovës për anëtarësim./k.s./f.n/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama