Konferenca e Pergjithshme e UNESCO ne Paris Kumbaro Anetaresimi i Kosoves ne UNESCO i merituar

kumbaro7TIRANË, 7 Nëntor/ATSH/.- Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, theksoi sot në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s në Paris, se anëtarësimi i Kosovës në UNESCO është jo vetëm i nevojshëm, por mëse i merituar.

Gjatë fjalës së saj ministrja Kumbaro tha se "përsa i përket qasjes së tyre ndaj trashëgimisë kulturore autoritetet kosovare dhe elita e kosovës kanë treguar përgjegjësi institucionale dhe kulturore. Ata kanë reaguar njëzëri kundër dëmeve të shkaktuara nga trazirat e marsit 2004 ndaj kishave e manastireve ortodokse".

"Pjesa më e madhe e objekteve të dëmtuara nga trazirat e vitit 2004 janë restauruar dhe rindërtuar me financimet e qeverisë së Kosovës dhe të partnerëve ndërkombëtarë. Që prej fillesës së qytetërimit ballkanik trashëgimia kulturore në Kosovë ka qenë themeli i përbashkët i burrave e grave, të cilët kanë ndarë gjithçka, konfliktin dhe armiqësitë e një brezi madje edhe dy, e nuk mund të ndryshojnë çfarë përmban toka në thellësitë e saj kulturore dhe historike", nënvizoi Kumbaro.

Kisha ortodokse serbe, vijoi ajo, njihet në Kosovë, identiteti I saj, dhe te drejtat e saj, mbrohen nga Kushtetuta dhe ligjet e tjera te vendit.

Ministrja Kumbaro theksoi se nuk është thjesht një çështje anëtarësimi në UNESCO, por është e gjithë çështja e emancipimit të shoqërisë dhe të gjithë shoqërive të mendjes së hapur.

"Kosova me historinë , popullin, monumentet dhe kulturën e saj ka ruajtur një pjesë të mozaikut kulturor të Ballkanit .Të gjitha shtetet e tjera të rajonit janë anëtarë të UNESCO dhe do të ishte absurde , madje edhe qesharake që një anëtar i familjes së Ballkanit të mos jetë formalisht brenda organizatës më të madhe në aspektin kulturës dhe arsimit", u shpreh Kumbaro.

IMG_8161Kultura nuk njeh kufij administrativë, vijoi ajo, kultura nuk mbrohet duke përjashtuar tjetrin përkundrazi ajo pasurohet nga shkëmbimi dhe përfshirja. "Ky është thelbi i ekzistencës së UNESCO. Për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO nuk është e interesuar vetëm Kosova , por edhe fqinjët e saj Serbia, Shqipëria Maqedonia, Mali i Zi të cilët përfitojnë po aq shumë", tha Kumbaro.

"Nuk do të mund të mbrojmë dhe të promovojmë kulturën dhe trashëgiminë tonë kulturore pa mbrojtur atë të fqinjve. Për ne është shumë e rëndësishme që të kemi paqe e harmoni në Ballkan, do të ishte mirë që të bashkohemi të gjithë së bashku për të promovuar paqen kjo është në të mirë të të gjithëve", u shpreh Kumbaro.
Ministrja Kumbaro deklaroi se "është koha që Ballkani, i cili prej shumë kohësh mban në supe klishenë si "fuçi baruti në Europë", sot të kthehet në " fuçinë e Kulturës" në Europë. Ftojmë Serbinë ta kapë këtë mundësi për të dëshmuar se ka një shpirt bashkëpunues dhe të drejtë në raport me angazhimet e marra, të shkëpusë lidhjet me një të shkuar të errët dhe të shohë drejt një të ardhme europiane tek e cila serbët dhe shqiptarët duhet të shkojnë sëbashku.

"Ky është thelbi i Historisë dhe kjo do të jetë, pa asnjë dyshim, dhe një nga fitoret e shumta dhe të matura të Kulturës", vazhdoi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro tha se vendi im, Shqipëria, krenar që është anëtar i familjes së UNESCO-s, ka dëshmuar se ka vullnet të hekurt për të respektuar dhe ndjekur objektivin tonë të përbashkët në mbrojtjen e kulturave dhe zhvillimin e edukimit. Gjej rastin të falenderoj përzemërsisht Komitetin e Trashëgimisë Botërore, jo vetëm se u qëndron në krah institucioneve tona gjatë përpjekjeve të tyre për mbrojtjen e trashëgimisë, por edhe për mirëpritjen e përpjekjeve të ndërmarra nga shteti shqiptar për t'iu përgjigjur rekomandimeve të Komitetit".

Më 21 tetor, Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s përkrahu kërkesën e Shqipërisë dhe i rekomandoi Konferencës së Përgjithshme futjen e çështjes së pranimit të Kosovës në këtë organizatë në axhendë.

Sesioni i 38-të i Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s nisi të martën, 3 nëntor 2015, në Paris dhe do të zgjasë dy javë. Në mesin e shumë çështjeve që do të konsiderohet është edhe rekomandimi i Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s për pranimin e Kosovës në këtë organizatë. Konferenca e Përgjithshme ka 195 anëtarë, nga të cilët 111 e kanë njohur Kosovën, e 84 jo, dhe rekomandimit i duhen dy të tretat e votave për të kaluar.

Votimi për pranimin e Kosovës në UNESCO pritet të mbahet në seancën e 9 nëntorit. Në prag të votimit në Asamblenë e Përgjithshme të UNESCO-s për anëtarësimin e Kosovës në agjencinë e OKB-së, janë shtuar zërat në përkrahje të Kosovës, ndërsa Serbia në anën tjetër zhvillon një fushatë të gjerë diplomatike institucionale kundër synimeve të Kosovës për anëtarësim/k.s./f.n/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama