Rasti që do të publikojmë sot është një padi kundër kompanisë së sigurimit SIGAL UNIQA GROUP AUSTRIA. Dorina Tila, banuese në Tiranë, ka pësuar një aksident në korrikun e vitit të shkuar teksa po udhëtonte si bashkëudhëtare, me një makinë të tipit “Peugeot”. Automjeti rezulton i siguruar me përgjegjësi civile ndaj palëve të treta, pranë kompanisë Sigal. Për këtë arsye, Dorina Tila, edhe pse jo pronare, pretendon të drejtën e dëmshpërblimit nga kjo kompani. Në këtë aksident të ndodhur tek i ashtuquajturi rrethi i Saukut, paditësja ka pësuar dëme që hyjnë në kategorinë e dëmeve të rënda.
Pas aksidentit, sikundër përshkruhet në padi, qytetarja i ka dërguar kompanisë Sigal kërkesë me shkrim, bashkë më dokumentacionin që vërtetojnë dëmin e pësuar. Ajo i ka kërkuar dëmshpërblimin për aksidentin, por kompania nuk i është përgjigjur. Sipas asaj që rrëfehet në padinë e bërë në gjykatë, Dorina ka provuar të kontaktojë sërish me kompaninë por edhe këtë herë ka marrë si përgjigje vetëm heshtje nga kjo e fundit. Sipas dokumentacionit ligjor, kompania e sigurimit detyrohet të paguajë dëmshpërblimin e të aksidentuarit, në një afat 40 ditë pas aksidentit. Në rastin konkret, qytetarja ka pritur tre muaj për dëmshpërblimin dhe me 18.03.2011, i është drejtuar gjykatës me një padi kundër SIGAL UNIQA GROUP AUSTRIA.
Fabula e padisë është pagim dëmshpërblimi për dëmin pasuror dhe jo pasuror si dhe shpenzime të tjera të shkaktuara nga aksidenti i datës 13.07.2010. Ky proces gjyqësor vijon që prej 7 muajsh dhe çështja ende nuk është zgjidhur. 7 seancat gjyqësore, 3 prej të cilave të shtyra për arsye personale apo shëndetësore nga gjyqtarja e çështjes, nuk kanë mjaftuar për të zgjidhur “rastin Dorina”. Deri më tani gjithçka që ka arritur që bëjë gjykata ka qënë: Të provojë aksidentin dhe të provojë ekzistencën e dëmit të paditur.