Kalendari tashmë është hartuar. Do të nisë me repertor, vepra të vëna në pjesën e dytë të sezonit të shkuar. Për të vijuar më tej me dy premiera. Në skenën e teatrit Kombëtar, në muajt nëntor-dhjetor do të ngjiten veprat "Pamje nga ura" e Arthur Milerit, me regji të Albert Mingës dhe "Franku pestë" i Friedrih Durrenmatt, me regji të Arben Kumbaros. Por surprizat duket se vijnë në gjysmën e dytë të sezonit. Drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami, ka lidhur marrëveshje me dy regjisorë të huaj, që do të ngjisin në skenën e Kombëtarit antikitet dhe Shekspir. Bëhet fjalë për regjisorët Jorgos Qimuli dhe Ian Woodbridge. Gjatë këtij sezoni do të zërë vend edhe projekti i të rinjve, i cili parashikon shfaqjen e nëntë veprave, nga do të dalë edhe më e mira.
Ndërsa institucionet e tjera kulturore e kanë shpallur kalendarin e ri, ende nuk dimë asgjë nga teatri Kombëtar, ç'po ndodh ndërkohë?
Çdo vit sezoni i Teatrit Kombëtar fillon në fund të shtatorit, apo në fillim të tetorit, për shkak të përgatitjeve që bëhen në fillim të sezonit, por edhe për të pritur publikun, pas stinës së verës. Puna ka filluar kohë më parë. Bordi ka përzgjedhur dy pjesë të reja, që do të vendosen në gjysmën e parë të sezonit, pra gjatë 2007-ës dhe pritet që bordi të mblidhet përsëri për të vendosur për periudhën janar-qershor. Aktualisht po punojmë për xhirimin e tre pjesëve të repertorit, "Korbin e bardhë", "Berberin e Seviljes" dhe "Këmbanat e muzgut".
Kur do të hapet sezoni i ri dhe çfarë do të ngjitet në skenën e TK-së?
Sezoni do të hapet në datën 29 shtator me komedinë "Berberi i Seviljes", e cila është e ftuar nga Festivali Ndërkombëtar "Kosova Infest" në datat 4-5 tetor, ku do të prezantohet në skenën e Prishtinës. Menjëherë më pas vazhdojnë shfaqjet e repertorit që përmenda më sipër. Tashmë e kemi përfunduar kalendarin deri në fund të dhjetorit, kështu që shumë shpejt do ta publikojmë. Në të njëjtën kohë ka filluarpuna për dy premierat e reja, "Pamje nga ura" e Arthur Millerit, me regji të Albert Mingës dhe "Franku pestë" i Friedrih Durrenmatt, me regji të Arben Kumbaros. Puna jonë përfshin një sërë kombinimesh të disa komponentëve kryesorë siç janë regjia, skenografia, kostumografia, muzika, etj, që tashmë kanë përfunduar. Është zgjedhur një pjesë e stafit të aktorëve dhe po punohet për ta plotësuar më tej.
Ç'kriter ju udhëhoqi gjatë hartimit të kalendarit të ri?
Bashkë me bordin vendosëm që në skenën e Teatrit Kombëtar të ngjiten vepra me peshë nga dramaturgjia botërore. Mundësisht me shumë personazhe, ku të mund të aktivizohen sa më shumë aktorë të TK-së. ndërthuruarkëto edheme vepra të repertorit dhe që i përkasin kryesisht dramaturgjisë shqipe.
Pak ditë më parë, ishit në Greqi për lidhjen e një kontrate, përse bëhet fjalë?
Është e vërtetë. Sapo kam mbyllur dy marrëveshje me dy regjisorë me emër. I pari është Jorgos Qimuli, regjisor dhe aktor i njohur në Greqi, drejtor i Teatrit Bashkëkohor të Athinës. Një javë më parë, të ftuar prej tij, së bashku me aktorin Ndriçim Xhepa ndoqëm tragjedinë "Makbeth". Biseduam gjatë dhe thuajse kemi mbyllur një aktmarrëvehje për vënien në skenë të "Edipit tiran" ("Edipi mbret"). Është hera e parë që një vepër e tillë ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar. Është e nevojshme, pasi është test për skenën, për aktorët, për jetën artistike. Mendoj që do të jetë një ngjarje e madhe. Në këtë marrëveshje një ndihmë të veçantë na ka dhënë aktori shqiptar Laert Vasili, i cili me sa u informuam, po bën një karrierë të suksesshme në Teatrin Kombëtar grek dhe atë bashkëkohor. Mund të thuhet që është një nga aktorët e preferuar atje. Gjithashtu kemi lidhur një marrëveshje me regjisorin anglez Ian Wooldridge, që do të vërë në skenë një vepër të Shekspirit. Këto do të jenë dy vepra që e nderojnë Teatrin Kombëtar.
Edhe më parë është premtuar ardhja e regjisorëve të huaj, madje emri i Qimulit është përmendur edhe më parë, megjithatë kanë mbetur thjesht premtime…
Tashmë nuk ka më pikëpyetje. Nuk jemi në fazën e dyshimit nëse do të vijnë ose jo. Tashmë nga të dyja palët kanë filluar përgatitjet. Po kërkohen sponsorë që të na ndihmojnë, përpos buxhetit të TK-së. Në vizitën që bëmë në Greqi, pamë dëshirën shumë të madhe të regjisorit grek për të ardhur në Tiranë. Do të jetë vërtet një ngjarje e madhe. Qëllimi është që të vazhdojmë eksperiencën shumë pozitive që patëm me regjisorin francez Erc Vigner, pasi mendoj se është e nevojshme pjesëmarrja e regjisorëve të njohur në arenën botërore, me qëllim promovimin e Teatrit Kombëtar në arenën ndërkombëtare. Sigurisht me këtë nuk dua të anashkaloj punën e çmuar të regjisorëve shqiptarë, por ndërthurja me eksperiencën e huaj është e domosdoshme, pasi ata sjellin një mënyrë të re pune, një trajtim të ri. Gjithashtu kemi marrëdhënie zyrtare me Teatrin shqip të Shkupit, me të cilin vumë në skenë komedinë "Kali i karrocës" me regji të Gëzim Kames. Tashmë kemi rënë dakord që të zgjerojmë rrethin e bashkëpunimit në Tiranë-Shkup-Prishtinë dhe jemi në bisedime përnjë regjisore të njohur kroate, e cila mund të vijë në Tiranë javën që vjen për të konkretizuar marrëveshjen. E shoh si domosdoshmëri bashkëpunimin mes teatrove shqipfolës, pasi arti është ai që thyen barrierat edhe para politikës.
Kur do mund ta shohim Teatrin Kombëtar në programet e festivaleve të mëdha ndërkombëtare?
Them se do të jemi shumë shpejt pjesëmarrës në festivale të rëndësishme ndërkombëtare, që zhvillohen në Evropë. Ndoshta që në sezonin e ardhshëm. Hapja tashmë ka filluar. Teatri Kombëtar ka interpretuar në skenat e Serbisë, Maqedonisë, Kosovës, por ajo që na përfaqëson janë festivalet e mëdha, ku krijohet një rreth njohjeje ndërmet aktorëve dhe trupave. Kjo çon në përfshirjen në ëebsite dhe kalendare.
Në ambientet e TK-së shohim artistë të rinj, ç'po ndodh me Projektin e të rinjve?
Për herë të parë në këtë formë, Teatri Kombëtar, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, organizon Projektin e të rinjve. Kemi përcaktuar edhe kalendarin e shfaqjeve, që përfshin thuajse gjithë muajin tetor, në sallën e vogël. Do të kurorësohet me Javën e Teatrit të të Rinjve, që do të zhvillohet nga data 3 deri 11 nëntor. Janë 9 shfaqje, që janë bërë tashmë publike. Kështu që do të jetë një periudhë disi e ngjeshur, por kemi detyrim ndaj regjisorëve të rinj për t'i promovuar. Shoh që ata kanë zbatuar rekomandimet që ju dha juria dhe ndryshe nga viti i kaluar, edhe rolet luhen nga aktorë të rinj. Ky është një projekt për të rinj dhe nuk është normale që pjesët të luhen nga aktorë me emër.
Në edicionet e tjera ka ndodhur që edhe vepra të konsideruara të suksesshme, nuk janë ngjitur më në skenën e teatrit. Ekziston mundësia që ndonjë syresh të rikthehet në skenë?
Salla e vogël do tu ofrojë këto mundësi. Kemi planifikuar që të jepen 2-3 shfaqje fillimisht, përveç Javës së teatrit. Ndërkohë që kam bërë një marrëveshje me Teatrin e Durrësit, që këto pjesë të shfaqen edhe atje. Nëse do të ketë vepra të suksesshme, do të shohim mundësinë për të krijuar hapësirat e nevojshme, për tu shfaqur gjatë sezonit të teatrit, si repertor.
Alma Mile : Gazeta Shekulli











