Kokedhima Saliu e Nano xheloz per pasurite e mia. Berisha Ke bere krime ne mjedis

Kokedhima: Saliu e Nano xheloz per pasurite e mia. Berisha: Ke bere krime ne mjedis

Deputeti i Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima, ka reaguar sot në Kuvend pas akuzave të Partisë Demokratike se ka përfituar fonde publike për kompaninë e tij që nga shtatori i vitit 2013.

Nga foltorja e Parlamentit, deputeti socialist i qarkut Sarandë, ka thënë se nuk ka përfituar asnjë kontratë përfitimi që nga momenti që mori mandatin e ligjvënësit.

Kokëdhima, duke iu drejtuar Berishës, tha: “Jam shumë krenar për kompanitë e mia, tek të cilat kanë derdhur djersë me mijëra të rinj e të reja. Që nga dita që u shpalla deputet nga KQZ-ja dhe deri kur i shita kompanitë e mia, nuk kam bërë asnjë kontratë me institucionet shtetërore dhe me pushtetin vendor”.

“Saliu, vetëm me shpifjet ndaj meje, ka konsumuar në Parlament më shumë se 25 orë diskutime dhe kush e di sa rreshta të shkuara në gazeta me rrjete sociale, – vazhdoi Kokëdhima. – Unë jam pasuruar në qeverinë e Saliut dhe Fatos Nanos, duke qenë përherë kundërshtarë të tyre. Më luftuan, sepse të dy ishin xhelozë, më luftuan si botues, por unë i qëndrova besnik interesit publik, – shtoi Kokdhima. – Ndërsa ti Sali, erdhe në politikë i varfër dhe thirre edhe njerëzit e tu po të varfër për t’u pasuruar me pushtetin. Unë erdha në politikë i pasur dhe nuk erdha për të bërë pasuri për vete, por për popullin dhe qytetarët. Unë nuk kam frikë nga askush, ti ke frikë nga to që ke bërë në pushtet”.

Në fund, Kokëdhima, në replikën e fundit me Berishën, u shpreh: “Edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale në zonën time do humbasësh 5-0, sikundër në të gjithë Shqipërinë. Unë nuk bie kurrë në moçalin tënd të shpifjeve, ndaj dua të të them se je një plak i ulët”.

Reagon Berisha: U bëre deputet për të mbrojtur krimet në mjedis

Menjëherë pas fjalës së Kokëdhimës, ka reaguar ish-kryeministri Sali Berisha, duke e akuzuar sërish deputetin socialist se e ka marrë mandatin për të mbrojtur krimet në mjedis.

“Ke përvetësuar fonde publike në thyerje flagrante të Kushtetutës dhe e ke marrë mandatin për të mbrojtur krimet që ke kryer në mjedis. I ke sarajet 20 metra larg detit në Qeparo, për të mbrojtur pallatet e tua të ndërtuara në Tiranë, paudhësitë e tua në vend dhe ligjin e legalizimit të apartamenteve që u bë për bregdetin për të legalizuar kullat e tua në Himarë si dhe ndërtime të tjera të paligjshme”, – tha Berisha.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama