Kodi i Punes agjencite do ndermjetesojne punesimin e personave

Kodi i Punes, agjencite do ndermjetesojne punesimin e personave

Për herë të parë në Kodin e Punës parashikohen edhe agjencitë e punësimit të përkohshëm, të cilat do të shërbejnë si ndërmjetëse mes punëdhënësit dhe punëmarrësit. Në momentin që lidhet kontrata e punës, punëmarrës do të cilësohet jo vetëm personi që ka biznesin, por edhe agjencia që ka bërë ndërmjetësuesin. Një tjetër rol që ka agjencia e punësimit të përkohshëm është edhe ai i zbatimit të kushteve të punës dhe respektim të kodit nga të dyja palët.

 

Ditën e djeshme, ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, ka prezantuar disa shtesa në Kodin e ri të Punës gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve. Ai e ka vënë theksin tek agjencitë e punësimit të përkohshëm, të cilat parashikohen për herë të parë në Kodin e Punës. Sipas Klosit, është mjaft e nevojshme një ndërmjetësim i tillë, pasi një numër i madh kompanish të huaja që po afrohen në tregun tonë. “Është evidentuar se kompani të mëdha po afrohen tashmë masivisht në vendin tonë.

 

Ka shumë nevojë për një mekanizëm të ndërmjetëm për të realizuar punësimin masiv të punonjësve të kualifikuar shqiptarë. Veç kësaj, arsimi profesional vijon të mbetet një angazhim kryesor, punësimi i këtyre kuadrove të mesëm apo të lartë të kualifikuar mbetet një problem në raport me kompanitë e mëdha. Prandaj ky kod sjell për herë të parë konceptin e agjencive të punësimit të përkohshëm, e cila rregullon këto marrëdhënie dhe besoj se do të jetë një element shumë pozitiv në raport me kompanitë e mëdha që po afrohen në Shqipëri”, u shpreh ministri Klosi.

 

Gjithashtu, ai renditi edhe ndryshimet e tjera që janë bërë, si kontrata e punës vetëm në formë shkresore apo edhe parashikimi i telepunës. “Ndryshimet vijnë nga ligji i vitit 2003 dhe janë parë disa kërkesa që kanë të bëjnë me raportet midis punëdhënësve dhe punëmarrësve. Synimet e këtij kodi janë të shumta, por tri janë aspektet kryesore. Së pari, të rritet lufta kundër informalitetit. Rritja e partneritetit dhe dialogut social. Kontrata e punës do të jetë vetëm në formë shkresore për të zvogëluar informalitetin. Parashikimi i lejes prindërore, ku paguhet jo më pak se katër muaj. Mundësia e dhënies së lejes së lindjes edhe për babanë. Përcaktimi i grevës së përgjithshme”, shpjegoi ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi.

 

Veç kësaj, në komision pati edhe debate për sa i përket mbrojtjes së punonjësve të administratës, të cilët shkarkohen vetëm për arsye politike. Nga opozita u kërkua që të parashikohen në kod ndryshime në lidhje me mbrojtjen e punonjësve të administratës shtetërore, në mënyrë që të mos bëhen largime nga puna për arsye politike.

 

Në kod parashikohen edhe disa përcaktime të tjera që synojnë ndalimin e diskriminimit në punësimin dhe formimin profesional. Kështu, parashikohet lënia e barrës së provës punëdhënësit për marrjen e masave me qëllim respektimin e parimit të mosdiskriminimit. Ndër të tjera, parashikohet edhe përcaktimi i saktë dhe i plotë i rasteve të ‘ngacmimit seksual’ në mjedisin e punës. Tanimë Shqipëria do të ketë një Kod Pune të standardeve perëndimore, që u përgjigjet zhvillimeve të kohës.

 

Projektligji është një nismë e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe prek disa kapituj të Kodit të Punës, kryesisht ato që rregullojnë marrëdhëniet e punës mes punëmarrësit dhe punëdhënësit, disa elemente të rëndësishme të Acquis të BE-së për sigurinë dhe shëndetin në punë, ndalimin e diskriminimin, si dhe mbrojtjen e veçantë të grave dhe rekomandimet e Komitetit të Ekspertëve të së Drejtës Sociale të Këshillit të Europës.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama