Klima rrezikohen 177 milione persona ne bote

Klima, rrezikohen 177 milione persona ne bote

Deri në fund të shekullit nëse emëtimet e dioksidit të karbonit do të vazhdojnë në normat aktuale, rreth 177 milionë njerëz në të gjithë botën të cilët jetojnë në zonat bregdetare, do të goditen nga përmbytje shkatërrimtare të shkaktuara nga rritja e nivelit të deteve.

Shumica e vendeve më të rrezikuara nga përmbytjet janë në Azi. Në listën klasifikuese të 20 vendeve të para, janë edhe disa vende nga Europa. Informacioni bëhet i ditur nga një studim i një organizate për klimat, që parashikon rrezikun e emëtimeve të gazrave serë në atmosferë dhe ngritjen e nivelit të detrave. Sipas studimit një në 40 persona, jeton në vendet në botë ku parashikohen përmbytje për shkak të ndryshimeve klimaterike. Në përgjithësi, tetë nga dhjetë vendet më të rrezikuara janë në Azi, kryesisht kinezët nga 41 deri në 63 milionë banorë. Në 20 vendet më të rrezikuara janë përfshirë të gjitha kontinentet, përveç Australisë.

Në dhjetë vendet e para janë pozicionuar vende aziatike, përveç Holandës e cila qendron në vendin e tetë. Vendet evropiane më të rrezikuara janë Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia. Vendet e Ulëta, janë vendet absolutisht më të ekspozuara ndaj rrezikut (potencialisht e prekur 47% e popullsisë), por që gjithashtu zotërojnë sistemin e digave më të avancuara në botë. Sipas studiuesve kjo siguri ul nivelin e rrezikshmërisë nga përmbytjet.

“Climate Central”, thekson se efektet më katastrofike do të jenë në shumë vende që nuk janë të përgjegjshme në emëtimin e dioksidit të karbonit në atmosferë. Bazuar në studim 23,4 milionë persona në Vietnam do preken rregullisht nga përmbytjet, në Bangladesh 10,2 milionë, në Tajlandë 8,2 milionë dhe 6,2 milionë në Filipine. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vetëm 1% e popullsisë rrezikon të zhytet nën ujë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama