Kerkim per antibiotike ne fund te detit

Kerkim per antibiotike ne fund te detit
Shkencëtarët e disa universiteteve kanë ndërmarrë një ekspeditë që pritet të kushtojë rreth 13 milionë euro për të kërkuar antibiotikë të rinj në fund të oqeaneve. Një skuadër shkencëtarësh, të udhëhequr nga Universiteti i Aberdenit, beson se shumë kimikate ende të pazbuluara mund të gjenden mes jetës së zhvilluar larg dritës së diellit falë burimeve të ngrohjes së vullkaneve nënujore. Profesori Marcel Jaspars tha se skuadra e tij shpresonte të gjente kimikatet që do të shërbejnë për të krijuar një gjeneratë të re ilaçesh kundër infeksioneve.

Në botë është dhënë sakaq alarmi për një apokalips antibiotikësh, pasi antibiotikët e vjetër nuk bëjnë më punë ndaj viruseve që kanë fituar imunitet dhe se lloje të reja nuk po zbulohen dot më nga gama e kimikateve të disponueshme.

Shumë pak kampionë janë mbledhur nga fundi i oqeaneve, thellë nëpër luginat e ngushta në dyshemenë e detit, vende që gjenden deri në 11 kilometra nën sipërfaqe. Megjithatë shkencëtarët besojnë se aty ka një potencial të madh për të zbuluar antibiotikë në ato kushte ekstreme.

Jeta në këto mjedise jashtëzakonisht të ashpra është praktikisht pa lidhje me pjesën tjetër të jetës që ushqehet nga dielli dhe ka evoluar në drejtime të ndryshme. Ky fakt e bën kërkimin e kimikateve të reja më premtuese. Skuadra ndërkombëtare do të përdorë anije peshkimi për të lëshuar pajisje për marrjen e kampionëve dhe do të bazohet te kabllot e gjatë për të arritur te fundi i detit.

Shkencëtarët do të përpiqen pas kësaj të rrisin baktere dhe kërpudha unike nga kampionët e mbledhur, të cilët mund të ekstraktohen dhe rafinohen për të zbuluar antibiotikë të rinj.

Ekspedita do të nisë në vjeshtë në lindje të Oqeanit Paqësor pranë brigjeve të Kilit dhe Perusë, ndërsa do të financohet nga Bashkimi Europian. Kërkuesit do të lëvizin më tutje në ujërat e Zelandës së Re dhe të Antarktidës. Edhe ujërat e arktikut pranë Norvegjisë do të eksplorohen.

Përdorimi i tepruar i antibiotikëve ka bërë që infeksionet të fitojnë gjithnjë e më shumë rezistencë kundër tyre. Ekspertët kanë frikë se shumë shpejt bota mund të mos ketë më antibiotikë të vlefshëm për të luftuar një gamë të gjerë sëmundjesh infektive. Udhëheqësi i projektit, kimisti Marcel Jaspars, tha: “Nëse nuk bëhet asgjë për të luftuar këtë problem, ne do të shkojmë në epokën para antibiotikëve brenda dhjetë apo njëzet vjetësh, ku infeksione që janë sot shumë të thjeshta për t’u shëruar, do të bëhen vdekjeprurëse.”

Ai shtoi se nuk ka pasur asnjë antibiotik “tërësisht të ri” të regjistruar që nga viti 2003, pjesërisht si pasojë e mungesës së interesit nga kompanitë farmaceutike për të investuar, sepse antibiotikët nuk janë shumë fitimprurës.

“Zakonisht njerëzit e përdorin një lloj antibiotiku për vetëm disa javë dhe vetë ilaçi ka një jetë mesatare prej vetëm 5 deri në 10 vjet, rrjedhimisht kompanitë nuk shohin shumë leverdi në këtë fushë.”

Ai shtoi se shkencëtarët do të fillojnë punën me kampionët brenda 18 muajsh dhe nëse zbulohen mjekime të reja, mund të jenë gati për përdorim brenda një dekade.

Koordinatorja e projektit, dr. Camila Esguerra, nga Belgjika tha: “Ne do të testojmë kimikate unike nga këta kampionë detarë, të cilët nuk e kanë parë kurrë dritën e diellit, në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës. Kemi shumë shpresa se do të gjejmë ilaçe të reja atje.”

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama