Kenge shqiptare dhe austriake ne Berat

Kenge shqiptare dhe austriake ne Berat

Mexosopranoja Flaka Goranci çel nesër Festivalin Multikulturor në Berat. Takimet e para me muzikën ajo i ka pasur me pianon, në moshën 9-vjeçare në Gjakovë. Më vonë nisi që të angazhohet në festivalet e fëmijëve, derisa gradualisht filloi të ndiente edhe ngrohtësinë e publikut kur këndonte. Katër vjet kreu studimet e larta në Tiranë, vite që ende dhe sot i konsideron të arta. Por udhëtimi i saj në Tiranë nuk do të ndalte me kaq, sepse dhe rolin e saj të parë, tek opera "Berberi i Seviljes" nga Rossini, do ta luante në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Më vonë vazhdoi studimet për master në Izrael, ku do të mësonte të zbatonte një disiplinë shumë më specifike, diçka që nuk e kishte mësuar në shkollat shqiptare. Ajo së bashku me ansamblin “Dielli”, ka realizuar CD-në ndërkombëtare “Albanian Flowers”.

Flaka, fillimet e tua në muzikë i ke pasur në piano, më pas nise të këndoje. A të kujtohet si ka ndodhur ky kalim nga pianoja te kënga?

Mbaj mend, si 9-vjeçare, studioja për piano në qytetin tim të lindjes në Gjakovë. Ishte e hera e parë që do këndoja në një festival fëmijësh në Gjakovë. Këndova këngën "Ptu ptu lekëza" dhe fitova çmimin e parë. Publiku ishte shumë i ngrohtë dhe linjat që këndoja të ngjallnin një ndjenjë ndryshe nga loja që bëja në piano.

Më pas nise studimet e larta në Tiranë, nën kujdesin e profesoreshës Suzana Frashëri. Çfarë të kujtohet përgjatë atyre viteve?

Katër vitet e mia në Tiranë do t'i quaja të arta. Pata fatin të studioja me pedagogët më të mirë, dhe u mundova që gjatë gjithë studimit të merrja nga ata më të mirën. Natyrisht që nuk ishte çdo gjë e lehtë, por eksperienca e Shqipërisë më shërbeu dhe më shërben akoma.

Me çfarë pjese je prezantuar për herë të parë në skenë? A të kujtohen ato momente?

Pikërisht në fund të vitit të katërt në Akademinë e Arteve (sot UA), në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë fitova audicionin për rolin e Rozinës në operën "Berberi i Seviljes" nga Rossini. Kështu, si një 22-vjeçare debutova me këtë rol në opera.

Pas studimeve në Tiranë vazhdove 2 vjet master në Izrael. Nëse do të bëje një krahasim të shkurtër midis shkollës së Ballkanit dhe asaj të Izraelit, ku takohen dhe ndahen sipas teje?

Pas studimeve në Tiranë fitova bursën nga shkolla e Filarmonisë "Buchmann-Mehta school of Music" në Izrael, për të ndjekur dy vite studimi master në “Tel aviv”. Shkolla e Izraelit është shumë bashkëkohore, niveli dhe disiplina që kërkohen janë mjaft specifike. Këtu pikërisht mendoj që ekziston ndarja nga shkollat e Ballkanit në përgjithësi.

Më vonë angazhimet e tua vijuan në skenën ndërkombëtare, Gjermani, Itali, Zvicër, Hungari etj. Por cila është ajo skenë që ti nuk e ke prekur ende?

Ka shumë e shumë skena që nuk i kam prekur. Rruga është e gjatë dhe secila skenë ka rëndësinë dhe bukurinë e saj.

A ke një pjesë që do doje ta kishe në repertorin tënd?

Synimi im është që të kem një repertor të gjerë. Unë këndoj nga repertori i operës gjermane, i këngëve të tjera artistike, si dhe ai i oratorive. Ka edhe shumë role e pjesë të tjera që kam dëshirë të jenë pjesë e repertorit tim. E po ashtu më pëlqen të eksperimentoj dhe nga repertori jo klasik.

Ke dhënë kontribut dhe në regjistrimin e këngëve shqiptare në CD-i. Çfarë të bën që të kontribuosh në promovimin e këngëve shqiptare në tregun botëror?

Jam shumë e lumtur që bashkë me ansamblin "Dielli", i cili përbëhet edhe nga instrumentistë të Filarmonisë së Vjenës, kemi arritur të realizojmë CD-në internacionale "Albanian Flowers" (me këngë nga Shqipëria dhe Kosova) në Vjenë, me kompaninë e famshme austriake "Gramola". Promovimi i CD-së është bërë në maj të këtij viti në Vjenë dhe deri tani është pritur shumë mirë nga kritika austriake dhe gjermane. CD-ja është futur në tregun ndërkombëtar e pikërisht këtu qëllimi ka qenë, që në këtë treg të jetë dhe një CD-i serioze me këngë shqiptare, por të përpunuara.

A do të ketë një promovim të CD- së në trojet shqiptare?

Me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës në Kosovë dhe Shqipëri, si dhe ambasadës së Austrisë në Kosovë albumi "Albanian Flowers" do të promovohet në Prishtinë, Gjakovë dhe Tiranë, në muajin nëntor.

Në Festivalin Multikulturor në Berat me çfarë pjese do të prezantohesh?

Është kënaqësi e madhe për mua të jem këtë vit në Berat, sepse për herë të parë paraqitem më ndryshe. Kjo ndodhë pikërisht në skenën e Festivalit Multikulturor në Berat. Vij bashkë me një duo austriake. Do të interpretojmë këngë shqiptare, austriake të përpunuara në stilin klasik dhe jazz. Po ashtu do ketë dhe vepra të tjera të përpunuara, por pa dashur të shpalos surprizat për publikun.

Kush të përkrah më tepër në krijimtarinë tënde artistike?

Kam shumë miq nga vende të ndryshme, tashmë dhe adhurues nga të cilët kam një përkrahje shumë të madhe. Po ashtu familja ime, e cila është gjithmonë aty me mua, i falënderoj të gjithë. Është gjëja më e bukur që mund të marrë një artist.

Sa kohë i kushton vetes Flaka në kohën e lirë?

Gëzohem kur kam kohë të lirë, që të merrem me hobetë e mia. Zakonisht pikturoj, shkruaj, kompozoj, luaj në piano, lexoj, notoj, kaloj kohën me shoqërinë etj...

Dhe së fundmi, nëse nuk do të ishe mexosoprano, çfarë tjetër do të kishe dëshiruar të bëje?

Çdo gjë që ka lidhje me artin, do të kishte qenë një ide shumë e mirë.

Programi

Dita e parë 23 korrik

18:15 -18:30 Banda e qytetit

18:15 -21:00 Ekspozita e fëmijëve të qytetit (Pedonale)

18:30 - 22:00 Ekspozitë muzeu lëvizës (Pedonale, kurator Agron Polovina)

18:15 -19:15 Teatri i Kukullave të qytetit

18:15 - 24:00 Panairi i artizanatit, librit dhe biznesit (Pedonale)

18:30 - 19:30 Kënga qytetare Beratase (Pedonale)

19:00 - 20:00 Komedia e Zezë (Muzeu e Etnografik) CHWB

19:30 - 20:15 Traditional Flamenco Duo (Martha & Richard, Pedonale)

20:15 - 21:30 Trio Austriake Flaka Goranci, M.Tiefenbacher, A.Tausch (Ambasada e Austrisë, Pedonale)

21:45 - 24:00 DJ nga Tulla Center (Goricë)


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama