Ekspozita “Këndvështrime”, u hap dje në hollin e Kryeministrisë për të risjellë të shkuarën e vendit tonë, dhe për të nxitur kujtesën historike. 70-vjetori i Çlirimit iu servir publikut përmes artit pamor dhe instilacioneve të ndryshme, jo vetëm për të mbajtur gjallë kujtesën historike, por edhe për të folur në gjuhën dhe kulturën e së tashmes. Drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Artan Shabani dhe artisti Fani Zguro janë kuratorët e kësaj ekspozite. Në ceremoninë e hapjes ishin ftuar ministra, zyrtarë, ambasadorë, diplomatë, krerë të besimeve fetare dhe personalitete të tjera të vendit. Ekspozita sipas këndvështrimit kuratorial, ka për qëllim të tregojë mbi të kaluarën dhe të tashmen përmes imazheve dhe veprave. “Kjo ekspozitë prezanton të vërtetën historike të shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, ashtu edhe mbi evoluimin e gjuhës artistike dhe arteve pamore në dekadat që pasuan, por jo vetëm në Shqipëri. Është konceptuar për të prezantuar interpretime estetike të ngjarjeve dhe përjetimeve që lidhen si dualizëm dhe dialog”.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro e cilësoi ekspozitën si një forum, i cili tregon se si historia është përkthyer në gjuhën e artit. Aty janë të pasqyruara pjesë të vërteta të historive njerëzore, duke hedhur dritë mbi të fshehtat që mbart e kaluara, dhe konkretisht periudha e komunizmit. Pjesa e parë e saj sjell luftën çlirimtare, sipas këndvështrimit të ideologjisë së viteve që pasuan, duke lënë gjurmë që nuk u zhdukën, por që për 70 vjet më pas mbeten dëshmitarë të kontekstit historik, dhe shënjuan kujtesën artistike të një kombi, sepse arti është një formë komunikimi mes brezash, një dëshmi e lënë nga një brez, për t’u njohur më pas edhe nga të tjerët. Në këtë pjesë janë ekspozuar vepra nga fondi i GKA-së. Ndërsa pjesa e dytë e ekspozitës përqendrohet te vepra e artistëve shqiptarë dhe të huaj krijuar pas vitit 1990. “Ndërtuar si një mikrokozmos më heterogjen, me një arkitekturë më pak solide, kjo pjesë e ekspozitës paraqet mundësinë e një përballjeje stilistik me veprat e pjesës së parë”. Sipas kuratorëve, nëpërmjet një përballjeje stilesh dhe gjuhësh me veprat e pjesës së parë. “Publiku ka mundësinë të reflektojë mbi historinë, duke e parë bashkëjetesën e mediumeve dhe shprehive të ndryshme artistike, si një materializim të idesë së këndvështrimeve dhe qëndrimeve specifike historike, artistike dhe intelektuale, mund të qëndrojnë pranë njëri-tjetrit pa luftuar gjithmonë për dominancë monolite”, shpjegojnë kuratorët.
Përpara publikut në hollin e Kryeministrisë u shfaqën vepra të artistëve si: Brigitte Zieger, Bruno Muzzolini, Dina Danish, Edi Hila, Egle Budvytyte, Erik Bunger, Erjet Muçollari, Ervin Dauti, Esme Valk, Esmeralda Dalipi, Ferhat Ozgur, Francisco Camacho, Gazmend Leka, Jakup Ferri, Kajsa Dahlberg, Lubjana Dashi, Miha Erman, Pablo Helguera, Shingo Yoshida, Steve Piçolo, Vladimir Myrtezai-Grosha, Yllka Gjollesha, ndërsa janë përfshirë edhe vepra nga Muzeu Aero Solar dhe vepra nga fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve. Ekspozita do të vijojë të jetë e hapur për publikun deri më 5 dhjetor.
Parlamenti i Shqipërisë dhe Kryesia e Kuvendit hapin dyert për publikun
Parlamenti i Shqipërisë u kthye në një ekspozitë për publikun. Salla ku zhvillohen seancat plenare hapi dyert dhe u vizitua nga shumë qytetarë, që kishin interes për të parë nga afër vendin ku votohen ligjet. Ndërsa te Kryesia e Kuvendit, aty ku zhvillohen mbledhjet e komisioneve, u çel një galeri me fotografi dhe video me momente të ndryshme nga Lufta Nacional-Çlirimtare. U ekspozuan mjete personale ose punime në kujtim të dëshmorëve të rënë gjatë Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Në këtë ekspozitë u shfaqen foto, qëndisma, armë, por edhe vegla muzikore. Një kënd i veçantë i ishte kushtuar Qemal Stafës. Po ashtu kishte edhe fotografi dhe mjete personale të: Jani Dotit, Spiro Vetkos, Misto Mames, Jordan Misjes, Margarita Tutulanit dhe Bule Naipit.
Kumbaro: Lufta Nacional-Çlirimtare dhe lufta e diktaturës duhen parë të ndara
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro i kushtoi një vëmendje të veçantë ndarjes së periudhave para dhe pas diktaturës. Sipas saj, jo vetëm ekspozita “Këndvështrime”, por edhe historia të shihet e ndarë nga dy luftërat, nga ajo Nacional-Çlirimtare, dhe luftën e diktaturës së regjimit komunist. Sipas Kumbaros, pavarësisht se këto dy etapa janë të lidhura së bashku, ato duhet të shihen të ndara nga njëra-tjetra. Kjo, sepse edhe kujtesa për të dy këto etapa duhet të jetë e njëjtë për të mos harruar atë se çfarë ndodhi. “Harresa është vrastare, sepse fshin të kaluarën. Nuk duam të shkruajmë historinë, atë do e bëjnë historianët e së ardhmes”, tha ajo.