Kelmendi nje oferte bio edhe per diplomatet

Kelmendi, nje oferte bio edhe per diplomatet

Pasuritë natyrore turistike të Kelmendit dhe prodhimet tradicionale të kësaj zone janë prezantuar para një pjese të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, të cilët kanë pasur mundësinë të shohin nga afër bukuritë natyrore të Kelmendit, por dhe pasuritë kulturore e historike të tij. Ka qenë një nismë e Ministrisë së Jashtme, në bashkëpunim me Bashkinë e Malësisë së Madhe dhe shoqatën “VIZ ALBANIA”, ajo që ka sjellë në qendrën administrative të Kelmendit në Tamarë disa diplomatë, ndërsa të pranishëm ishin pesë anëtarë të qeverisë shqiptare, si ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni dhe ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito. Mes ambasadorëve të shumtë nuk mungoi edhe kryediplomati amerikan në Tiranë, Donald Lu.

Qëllimi i këtij aktiviteti ka qenë promocioni i vlerave turistike, kulturore e natyrore të kësaj zone dhe mundësia e realizimit të projekteve për zhvillimin e mëtejshëm të saj. Të pranishmit janë njohur nga afër me prodhimet tradicionale të zonës, me ushqimet e produktet bujqësore e blegtorale, të veçanta për vlerat e tyre, prodhime të artizanatit, ndërsa kanë shijuar dhe një koncert nga grupi artistik i Kelmendit. Natyra e peizazhi i mrekullueshëm i zonës, mundësia për turizëm, kulinaria e artizanati, kanë qenë ato që kanë tërhequr më së shumti vëmendjen e pjesëtarëve të trupit diplomatik në Shqipëri.

Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Donald Lu, por dhe të tjerë diplomatë, janë shprehur pozitivisht për mundësinë e zhvillimit turistik të Kelmendit, veçanërisht për vlerat e produkteve bio që zona promovon, ndërsa kanë provuar mjaft prej produkteve të kulinarisë së zonës. Për ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, kjo është një fundjavë e këndshme që i shërben promovimit të zonës, por dhe tërheqjes së vëmendjes për investime të tjera këtu. Tonin Marinaj, kryetar i bashkisë së Malësisë së Madhe, ka theksuar se zona e Kelmendit dhe ajo e Razmës, që shtrihen në territorin e kësaj bashkie, prezantojnë vlera të shumta e të gjithanshme që premtojnë për zhvillim të turizmit.

”Kelmendi, përveç bukurisë natyrore, prezanton dhe vlera kulturore e vizion për turizmin malor. Rruga deri në Tamarë është rikonstruktuar dhe kthyer në një rrugë me standarde bashkëkohore dhe përfundimi i saj deri në Vermosh do të sjellë shumë mundësi zhvillimi e punësimi”, tha Marinaj. Sipas tij, banorët e Kelmendit shquhen për kulturën e tyre në mikpritje, ushqim dhe prezantim të vlerave historike të zonës. “Projekte të tjera që shpresohet të gjejnë financim do t’i japin më tepër zhvillim kësaj zone, që së bashku me Razmën janë dy pika turistike malore të njohura. Promovimi dhe te të huajt, përmes pranisë së trupit diplomatik, është dhe qëllimi i këtij aktiviteti”, u shpreh kryetari i bashkisë.

Kelmendi, deri në 2500 metër

Tashmë Kelmendi i përket bashkisë së re të Malësisë së Madhe, ndërsa më parë ishte një njësi administrative më vete, e pozicionuar në skajin verior të Shqipërisë dhe në kufi me Republikën e Malit të Zi. Ajo shtrihej ndërmjet koordinatave gjeografike 42 gradë 24 min 22 sek Qafa e Kapës-Brojë e 42 gradë 39 min 45 sek maja e Zhihovës-Vermosh, gjerësi gjeografike veriore 19 gradë 30 min12 sek kufiri shtetëror, bregu i Cemit e 19 gradë 15 min 01 sek liqenet e Jezercës në gjerësi gjeografike lindore. Lartësia mbi nivelin e detit varion nga 210-2554 m. Brenda kufijve të vjetër, komuna Kelmend kishte një sipërfaqe 353 km2 që përbënte 33.5 % të Malësisë së Madhe dhe 16.4 % të Alpeve Shqiptare.

Katër janë luginat kryesore: lugina e Vermoshit dhe ajo e Lepushës, me lartësi mesatare 1134 m mbi nivelin e detit, si dhe lugina e Cemit të Selcës dhe ajo e Cemit të Vuklit, me lartësi 700 m mbi nivelin e detit. 45 nga 100 majat e maleve të zonës kapin lartësitë mbi 2000 metër mbi nivelin e detit. Kjo krahinë ka një reliev strukturor, karstik, akullnajor e lumor. Vihen re dukuri karstike, që prezantohen në 100 a më shumë shpella, si ajo e Tartashicave në Vukël, Gjaçkës në Nikç, Tamarë, etj.

Burimet karstike janë të shumta, si Vrijela në Selcë dhe Oberreti në Tamarë. Në lartësi mbi 1500 metër mbi nivelin e detit shfaqet peizazhi akullnajor, ku tipike janë lugina e Vermoshit dhe ajo e Lepushës. Peizazhi lumor shfaqet në luginat erozive të Cemit, duke krijuar ujëvara të bukura. Kelmendi ndodhet në zonën klimatike të ftohtë të vendit, me dimër të ftohtë e verë të freskët (mesdhetare, malore, veriore). Temperaturat mesatare janë në pellgun e Cemit 14º C, në luginën e Vermoshit 7º C, në male 5º C.

Muaji më i ftohtë është Janari 0º C në Cem, -3º C në Vermosh, -8ºC në male. Korriku është muaji më i nxehtë me temperaturë 18-20º C në Cem, 16.1º C në Vermosh dhe 12ºC në male. Kelmendi është ndër zonat më të lagështa të vendit. Reshjet vjetore janë 2308 mm në Cem, 2021mm në Vermosh, 2500- 3500 mm në male. Numri mesatar i ditëve me reshje në Selcë është 120 ditë, në Vermosh 140 ditë, në male 140 ditë. Muaji më i thatë është gushti me reshje: 78.9 mm në Selcë 85.3 mm në Vermosh dhe rreth 150 mm në male.

Kelmendi dallohet edhe për reshje të mëdha bore. Trashësia mesatare e dëborës në Cem është 25-50 cm, në Vermosh afro 100 cm dhe në male mbi 150 cm. Me shtresë bore vjetore Cemi mbulohet 20-60 ditë, Vermoshi mbi 100 ditë dhe malet rreth 140 ditë. Numri mesatar i ditëve me reshje vjetore në Selcë është 120 ditë, në Vermosh 140 dhe në male mbi 140 ditë. Pellgu i Cemit merr 2200 orë diellore në vit dhe Vermoshi 200 orë më pak.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama