Kater vjet nga Lumturimi i Nene Terezes

Katër vjet nga Lumturimi i Nënë Terezës

"Në emër të të varfërve e të dashurisë për Zotin" ishte motivi që mijëra besimtarë e dhjetëra personalitete mblidheshin në festimet organizuara në sheshin e Shën Pjetrit me këtë rast. Ceremonia e Lumturimit të Nënë Terezës i kalonte përmasat e të gjitha aktiviteteve, organizuar nga Selia e Shenjtë, madje edhe asaj të Lumturimit të Padre Pios. Pjesëmarrësit që mendohej të ishin mbi 300000, midis të cilëve 3000 të sëmurë dhe të pastrehë, të mbledhur nën autoritetin apostolik të Papës, festuan hapin e parë të hedhur drejt shenjtërimit të plotë të saj.

Ndoshta fjala dhe simboli shqiptar nuk ishte përmendur aq shumë dhe flamuri kombëtar nuk ishte ngritur aq lart në sheshin e Shën Pjetrit, ku një delegacion shqiptar zinte vendin e parë në tribunën e një ceremonie të shenjtë e të përbotshme. Në Shqipëri, viti 2003 u shpall nga qeveria shqiptare si viti i Nënë Terezës, vit kur të gjithë do të mendojnë rreth faljes, ngushëllimit e mirëkuptimit, kur të gjithë do të përcjellin mesazhin e Nënë Terezës, të mendojnë, të bëjnë më shumë për ata që kanë nevojë për ta.Tashmë 19 tetori është kthyer në ditën kur të gjithë ndihemi më pranë saj me lutjet, apo dashurinë për besimin. Sot të gjitha institucionet shtetërore në vend janë pushim dhe një sërë aktivitetesh do të kujtojnë figurën dhe kontributin e saj për paqe në botë.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama