Kater dite ne mrekulline ruse te San Pjeterburgut

Katër ditë në mrekullinë ruse të San Pjetërburgut
Kishte pak njerëz, kryesisht turistë, që ashtu si ne filmonin San Pjetërburgun me dritë natyrore edhe në ato orë të vona të natës. Praktikisht, vetëm për nja dy orë intensiteti i dritës u ul deri në nivelin e muzgut të zakonshëm europian, pastaj drita e gjallë u rikthye sërish e u bë ditë. Ndërsa ne lëviznim rrugëve, banorët e qytetit me siguri flinin. Për ata një fenomen i tillë është mëse i zakonshëm. Vetëm aty-këtu na zinte syri ndonjë rus tek lëvizte me shishen e votkës në një dorë e me shishen e birrës në dorën tjetër.

Nuk e di pse ata votkën e tyre të mrekullueshme e pinë të alternuar me birrën, por na ra në sy edhe në ditët në vazhdim i njëjti fenomen. Madje, edhe në orët e para të mëngjesit na qëlloi të shikonim ndonjë prej tyre, me shishet tashmë thuajse të boshatisura, tek lëviznin duke iu marrë këmbët e duke kënduar nën zë ato këngët karakteristike ruse. Nuk mund të them se dehja ishte një fenomen tipik, pasi edhe në gjendjen e tyre ata ishin aq të kthjellët sa të mos i hidhnin shishet boshe rrugëve duke ndotur qytetin, por i linin në ndonjë qoshe ku mund t’i merrnin ata që pastronin qytetin.

Duke lëvizur nëpër rrugë, një gjë na ra në sy menjëherë: ata që kanë ndërtuar qytetin nuk e kanë patur problem hapësirën. Të gjitha rrugët (qoftë edhe ato më të voglat) ishin shumë të gjera. Nuk ekzistonte problemi i parkimit, qoftë edhe në qendër të qytetit, gjë që është një incubo në vendet perëndimore, sidomos në Itali, ku ne jetojmë prej vitesh. Bulevardet, shëtitoret buzë Nevës e kanaleve të tjera të saj, sheshet, parqet e shumtë, ishin të hapësirave marramendëse. Projektuesit dhe ndërtuesit e qytetit kanë qenë largpamës në zgjidhjen e problemeve urbane aq sa problemi i trafikut edhe për shumë e shumë kohë nuk do të ekzistojë në këtë qytet. Mbase ai i zbatimit të rregullave të qarkullimit po, pasi vërehej njëfarë kaosi në lëvizje, gati si në Napoli, ku përparësinë e merr ai që hyn i pari në një kryqëzim e jo ai që i takon sipas rregullave. Fakti që projektuesit dhe ndërtuesit e kanë patur hapësirën pa kursim, reflektohet edhe në faktin që në pjesën më të madhe zotërojnë ndërtesat e ulta që arrijnë deri në 5-6 kate. Nuk ka grataçiela dhe hapësirën e zotërojnë kupolat e shumta e të praruara, karakteristike për kishen ruse e që e tërheqin menjëherë shikimin dhe vëmendjen e vizitorit. Më pëlqen ta filloj këtë reportazh mbi San Pjetërburgun nga Sheshi i Dekabristëve, pasi aty ngrihet monumenti i Pjetrit të Madh që është edhe themelues i këtij qyteti. I ngritur në një shesh të madh në breg të lumit Neva, ai është monumenti i parë skulpturor në Rusi.

I projektuar dhe realizuar nga skulptori francez Falconet dhe dy ndihmës të tij, monumenti ishte një nderim i veçantë që Katerina e dytë, ose Katerina e Madhe e Rusisë, i bënte themeluesit të qytetit në festimet e njëzetvjetorit të uljes së saj në fron, (më 7 gusht 1782). Po për herë të parë në realizimin e monumentit nuk u përdor piedestalli karakteristik, por u muar një masë e madhe shkëmbi (i quajtur shkëmbi bubullimë) dhe u gdhend në formën e një vale. Mbi të u lartësua monumenti prej bronzi, që u bë i njohur me emrin “Kalorësi i bronztë”, sidomos nga poezia me të njëjtin titull e Pushkinit që e merr frymëzimin nga ky monument. Pjetri i Madh është konceptuar me veshje të thjeshtë. Në vend të shalës së kalit, është lëkura e një kafshe të egër. Kurora me dafina në kokë dhe shpata në dorë japin idenë e luftëtarit që çliroi këtë pjesë të Rusisë nga pushtimi i gjatë suedez. Ndërsa dora tjetër e shtrirë përpara duket sikur është orientuar nga ishulli ku ai hodhi themelet e para të qytetit.

Suedezët e quanin atë “ishulli i lepujve”. Pikërisht aty Pjetri i Madh ndërtoi Kështjellën e Pjetrit e të Palit dhe pastaj erdhi duke e zgjeruar qytetin në të dyja anët e lumit Neva. E quajti kështjellën kështu, sepse Shën Pjetri është mbrojtësi i këtij qyteti. Me siguri edhe vetë Pjetri, me gjithë vizionin e tij të gjerë, nuk e kishte imagjinuar që San Pjetërburgu do të kishte një ditë shtrirjen, bukurinë dhe magjinë që ka sot.

Veprën e tij do ta vazhdonte e bija gazmore, Elisabeta. E ndjeshme ndaj bukurisë dhe finesës artistike në ndërtim, ajo iu kushtua stilit barok dhe gjatë 20 vjetëve që qëndroi në fron ndërtoi kryevepra, të cilat ia shtojnë aq shumë hijeshinë ish-kryeqytetit të veriut, siç quhej në ato kohë. Ajo ftoi në oborrin e saj arkitektë me talent, në mes të të cilëve italianin Rastrelli. Nga mendja dhe duart e tij doli një kryevepër si Pallati i Dimrit e pastaj plot të tjera që i kanë rezistuar kohës. Por shkëlqimin më të madh San Pjetërburgut ia dha një grua tjetër e bukur, energjike, ambicioze, inteligjente dhe e vendosur, Katerina II, e mbiquajtur më vonë me respekt Katerina e Madhe. Ajo kaloi me ëmbëlsi e elegancë nga stili barok në atë klasiçist. Shpirtit të fuqishëm të Pjetrit të Madh ajo i shtoi inteligjencën dhe shijen e saj të hollë dhe e bëri Europën të shikonte e habitur mrekullinë arkitekturore e artistike që po realizohej në San Pjetërburg. Dy personazhe të mëdhenj, dy emra të mëdhenj, që qëndrojnë të gdhendur pranë e pranë edhe në shkëmbin e monumentit në sheshin e dekabristëve. Një legjendë ruse thotë sesa kohë monumenti i Pjetrit do të qëndrojë në kembë, San Pjetërburgu nuk do të ketë mort. E koha ka treguar se ky qytet ka ditur t’u qëndrojë rrebeshëve të kohërave. Të qëllon të dëgjosh mes turistëve perëndimorë të thonë jo pa njëfarë tendence: “I bukur është San Pjetërburgu”, por vetëm 300 vjet histori ka. Është e vërtetë se qyteti në vitin 2003 festoi 300-vjetorin e themelimit të tij. Por, si për t’i treguar botës se rrënjët historike të kësaj pjese të Rusisë janë janë diku më thellë, Pjetri i Madh i kushtoi kujdes të veçantë nderimit dhe lartësimit të figurës së një pararendësi të tij legjendar, princit të Novgorodit, Aleksandër Nevskij.

Kur në vitin 1240 suedezët sulmuan e sunduan tokat në perëndim të Nevës, princi që kishte moshën 19 vjeç organizoi një qëndresë heroike dhe i mposhti armiqtë pikërisht në brigjet e Nevës. Në nderim të figurës së tij, në vitin 1710, Pjetri i Madh dha urdhër të ndërtohej një manastir me emrin “Trinia e shenjtë”, Aleksandër Nevskij u shpall shënjtori i dytë mbrojtës shpirtëror i qytetit përkrah Shën Pjetrit. Atij i është kushtuar edhe njera nga 300 urat më të mëdha të San Pjetërburgut. Ndërsa në njërën nga sallat e Pallatit të Dimrit është varri i argjendtë i këtij princi. Për ndërtimin e tij janë shpenzuar një ton e gjysmë argjent, aq sa arrinte të nxirrte në atë kohë për një vit një nga minierat e argjendit të Rusisë. Padyshim, padurimi i vizitorit kur vjen në San Pjetërburg është për të vizituar në radhë të parë Ermitazhin, një nga muzetë më të mëdhenj (në mos më i madhi) dhe më të pasurit në botë. I vendosur në sallat e Pallatit të Dimrit dhe të Ermitazhit të Vjetër e Ermitazhit të ri, që janë pjesë në vazhdim të të njëjtit kompleks arkitekturor, ai tërheq çdo ditë me mijëra e mijëra dashamirës të artit nga e gjithë bota. Impresionohesh që kur hyn në sheshin e paanë përpara pallatit. Kolona madhështore, por edhe aq fine e delikate e Aleksandrit, me lartësinë 47.5 metra, konsiderohet më e larta në botë. Harku gjigant i Shtatmadhorisë plot gdhendje e skulptura të mrekullueshme nga njëra anë dhe ndërtesat imponente e luksoze e pallateve që përbëjnë muzeun, formojnë një tërësi harmonike që në shikim të parë të lënë gati pa frymë. Por emocionet më të shumta i provon hap pas hapi duke kaluar njërën pas tjetrës sallat e shumta, ku luksi dhe bukuria e veprave të artit janë në konkurrencë e njëkohësisht në harmoni të pashoqe.

Ndodhesh përpara kryeveprave botërore si “Danaja” e Rembrandit, përpara veprave të autoriteteve të mëdhenj si Da Vinçi, Mikelanxhelo, Rafaello, Tiziano, Giorgione, Rubens, Van Gog, Goghen, Matis, Renuar, Kandinskij e mijëra të tjerë e të duket si ëndërr që ke mundësitë t’i soditësh nga afër. Në gjendjen e një dehjeje e gati trullosjeje totale kalon nga njëra te tjetra e të vjen keq që je nën morsën e kohës e detyrohesh t’u hedhësh vështrime fluturimthi. Autorët janë kaq të shumtë e numri i veprave është kaq i madh, sa edhe pse i kushtojmë një ditë e tërë nuk arrijmë t’ia shohim fundin. Autorë si Pikaso, Goghen, Matis e ndonjë tjetër janë të përfaqësuar në mënyrë më të plotë dhe punimet e secilit zënë 2-3 salla. Ndërsa Da Vinçit, edhe pse ka vetëm dy punime, i është lënë në dispozicion salla më e madhe e më luksoze e pallatit. Është pikërisht aty ku vizitorit i duhet të rrijë të presë në radhë për të soditur veprat e artistit të madh. Do të ishte e pakuptimtë të rrija e të ndalesha në emra veprash e autorësh, sepse nuk do të mjaftonin libra të tërë, por ndien një kënaqësi të papërshkrueshme kur shikon turmat e pafund të vizitorëve që formojnë radhët e gjata për të hyrë në muze. Ato vepra që i dhanë shkëlqim të veçantë botës e shpirtit njerëzor në kohën kur u krijuan, sot e kësaj dite vazhdojnë të transmetojnë pasuri të panumërta shpirtërore e materiale në dobi të brezave. E të mendosh se shumë nga autorët e këtyre veprave nuk e njohën luksin, madje shpesh punuan të privuar edhe nga mjetet më të nevojshme të jetesës! Por ata kishin forcën e pasurinë magjike të talentit të tyre që do të vazhdojnë t’ua transmetojnë brezave atë që asnjë forcë e madhe ekonomike nuk do të arrinte ta bënte sot. Kur mbyllet muzeu ka rënë mbrëmja, por është ende dritë.

Marrim urën më të afërt për të dalë në bregun tjetër të Nevës. Synimi ynë është të arrijmë te kryqëzori “Aurora” që hartat na tregojnë se gjendet nga ajo anë. Sapo kalojmë urën dhe ndodhemi tek ajo që quhet maja e ishullit Vasiljevskij, në pikën e bashkimit të Nevës së Madhe me Nevën e Vogël, bëhemi pjesëmarrës të një feste të vërtetë. Njerëz të gëzuar, kryesisht marinarë me uniformat e tyre të bukura, të rinj që blejnë suvenire, një podium i përgatitur për koncert, radioja që transmeton marshe e këngë tipike luftarake ruse, ambienti i zbukuruar me flamuj, banderola e afishe të shumta. Mësojmë se është festa e Flotës së Balltikut. Blejmë edhe ne ndonjë shall marinari si suvenir, përzihemi në turmën e gëzuar të rusëve që festojnë, pastaj ndalemi në një lokal për të bërë një pauzë me mendimin për të shijuar diçka nga kuzhina ruse. Lokali ishte mjaft i këndshëm, por me përjashtim të votkës së mrekullueshme, që nuk më kishte rënë rasti ta provoja tjetërkund kaq të mirë, nuk gjetëm asgjë tipike ruse që të na tërhiqte vëmendjen. Qoftë aty apo edhe në restorante të një niveli më të lartë, kureshtja jonë nuk u kënaq. Kudo kamerierët të sjellin menytë ku gjen prodhime të kuzhinës italiane, franceze e të vendeve të tjera perëndimore, që pastajjanë thjesht një surrogato e atyre kuzhinave. Ne që vijmë nga Italia natyrisht që nuk presim të gjejmë finesën e kuzhinës italiane në San Pjetërburg.

Por, si ne, edhe shumë turistë të tjerë jemi gati të provojmë gjëra karakteristike të kuzhinës ruse, edhe pse për momentin mbase mund të mos na shijojnë. Siç ndodhi më vonë me kvasin, që kishim lexuar se kishte shijen e bozës që bëhet në Shqipëri. Por edhe ajo ishte krejt tjetër gjë. Megjithatë e provuam. Vazhdojmë udhëtimin përgjatë bregut të Nevës. Diku prapa krahëve të Kështjellës së Pjetrit e Palit është muzeu i artilerisë së qytetit. Mbi trotuar, në hyrje të muzeut, dy-tre tanke pranë të cilëve njerëzit ndalen e bëjnë fotografi. Ndalemi edhe ne. Një çift të rinjsh rusë na afrohen e kërkojnë të bëjnë fotografi me ne, pasi e kuptojnë që jemi të huaj. Djaloshi është marinar. Kur ne duam të bëjmë foto me shallat e marinarit që kemi blerë, ai vjen drejt nesh e na ofron kapelen dhe shallin e tij. -Kjo është uniforma e vërtetë e marinarit rus, - thotë ai me krenari. E këtë krenari tipike ai do ta shfaqte në mënyrë simpatie edhe kur nderonte si ushtarak ndërsa dilte në fotografi me ne.

Arrijmë te kryqëzori “Aurora” me një emocion të madh, por na pret një zhgënjim i vogël. Ne prisnim të shikonim një anije të madhe, që me të shtënat e saj në vitin l917 dridhi botën duke goditur Pallatin e Dimrit e duke bërë që qeveria provizore të binte. Por ajo ishte diçka më e madhe se një anije e sotme peshkimi. Disa gryka të vogla topi, që me predhat e tyre bënë të fitonte Revolucioni i Tetorit, duke bërë atë kthesë të madhe në histori që do të çonte dalëngadalë në transformimin e një të gjashtës së globit në komuniste, duke e izoluar nga pjesa tjetër e botës. Megjithatë, anija është e mirëmbajtur. Ajo shërben sot si një relike e vendosur në këtë kthesë të lumit Neva dhe turistët e shumtë edhe këtu bëjnë foto e blejnë suvenire që lidhen pikërisht me kryqëzorin e famshëm.
Dita tjetër qëlloi e hënë dhe tërë muzetë ishin mbyllur.

Dolëm nëpër rrugë për të parë jetën e zakonshme të qytetit. Hymë në tregun e qytetit, ku, veç çmimeve të larta, asgjë tjetër nuk të bënte përshtypje. Shëtisim buzë kanaleve të ndryshme të Nevës, plot ura të zbukuruara me skulptura të ndryshme. Na kujtohet disi Venezia, por këtu përmasat janë gjigante. Ngado ndërtesa që tërheqin me arkitekturën e tyre. Rruga kryesore e qytetit Nevskij Prospekt është e mbushur në tërë gjatësinë e saj me ndërtesa të tilla. Ajo është edhe ndër më të populluarat dhe më të frekuentuarat nga turistët. Hipim në autobusët e vegjël, ku ti paguan por askush nuk ta zgjat biletën. Me taksitë duhet të kesh kujdes sepse të bëjnë të paguash të paktën dyfishin e asaj që kushton në të vërtetë. Vetëm kur iu drejtohesh në rusisht, atëherë janë gati të bëjnë pazar me ty e ta ulin çmimin. Në restorante është mirë të mbash përherë rubla të vogla me vete, sepse përgjithësisht nuk të kthejnë kusur e të mbajnë më shumë nga bakshishi që ke menduar ti të japësh. Natyrisht, në një qytet, që megjithëse është i dyti në Rusi për prodhim industrial, shumë veta jetojnë me turizmin, fenomene të tilla janë të kuptueshme e natyrisht nuk janë këto që mund të prishin kënaqësinë e qëndrimit në San Pjetërburg. Madje, kur i mendon pastaj të vjen vetvetiu një buzëqeshje.

Ndërtesat që na tërheqin më shumë vëmendjen janë kishat e katedralet. Shkojmë të vizitojmë disa prej tyre. Kisha e ringjalljes së Krishtit, një nga simbolet e San Pjetërburgut, të habit me shumëllojshmërinë e formave e të ngjyrave, që e bëjnë atë një monument unikal. Katedralja e Madonës së Kazanit, me kupolën madhështore e formën e harkuar të fasadës ballore, përbën një nga realizimet më të bukura arkitekturore të Nevskij Prospekt. Katedralja e Sant Isakut, me kolonat madhështore në të katër anët e saj, përbën një nga pikat më tërheqëse të qytetit. Katedralja e Manastirit Smolnij,e ndërtuar nga Rastrelli me porosi të princeshës Elizabeta, është nga realizimet më perfekte të këtij autori. Në fasadat e saj sikur shkrihen ngjyrat e kthjellta të qiellit me ato të ujërave të Nevës, në një transparencë gati kristaline, mbi të cilat ngrihen katër kupolat si të ndërtuara në qelq të brishtë e të praruar. Të vizituarit e këtyre objekteve, mjaft në distancë nga njëri-tjetri, kërkon shumë kohë. Por kërkon edhe t’i bësh llogaritë mirë. Në secilën prej tyre duhet të paguash si çmim bilete të njëjtin që paguan për Ermitazhin. E nëse do që të përdorësh edhe videokameran e makinën fotografike, duhet të paguash mbi 20 euro apo 30$ për secilin objekt. Kështuqë në morinë e monumenteve të mbetet veç të seleksionosh e të zgjedhësh ata më kryesorët që mund t’i përballosh për t’i vizituar edhe brenda. Në fakt vërejmë që mjaft turistë mjaftohen me ndonjë foto apo filmim të bërë nga jashtë e pastaj largohen.

Një kënaqësi më vete në San Pjetërburg përbën udhëtimi me metro. Impresionante kur fillon zbritjen në dhe me shkallën e lëvizshme, së cilës nuk i shihet fundi. Të duket sikur do të zbresësh në qendër të tokës si në romanet e Zhyl Vernit. Natyrisht, duhet të arrish nën nivelin e shtratit të Nevës që është lumë i thellë dhe i lundrueshëm. Vetëm duke kaluar nga stacioni në stacion, nëpër trenat ku nuk gjen vend për t’u ulur, e kupton sa e madhe është popullsia e qytetit dhe se çfarë gjallërie lëvizjeje ka. Stacionet janë të bukur e shumë të pastër. Kur je në shkallën e lëvizshme vëren se njerëzit vendosen në njërën anë të saj, duke e lënë gjysmën tjetër të shkallës bosh. Vetëm kur pamë se kishte plot nga ata që nxitonin dhe e konsideronin të ngadaltë lëvizjen e shkallës. Ata vraponin, shpesh duke i kapërcyer shkallët nga dy e nga tri. Nxitimi tipik i njeriut rus, që dikur më kishte bërë aq përshtypje te drama “Orët e Kremlinit”. Afër mesnatës po i afroheshim hotelit dhe u kujtuam të futeshim në një dyqan për të blerë votkë.

Kur i thamë shitësit, ai na tregoi një kartelë ku shkruhej se pas orës 23 ishte e ndaluar shitja e pijeve alkoolike. Në një kuptim na erdhi keq, por nga ana tjetër menduam se sa mirë do të ishte të vihej një ligj i tillë edhe në Itali, ku pijet alkoolike në diskoteka shiten deri në 3 të mëngjesit, duke bërë që në çdo fundjavë të ketë dhjetëra viktima të rinjsh nga aksidentet automobilistike gjatë kthimit nga diskoteka. Por keqardhja jonë qe vetëm për një çast, pasi shitësi na bëri shenjë të prisnim. Pasi mbaroi me klientët e tjerë, i tha dikujt që të mbyllte derën. “Sa shishe doni?” - na u drejtua pasi dera u mbyll. Morëm atë që deshëm të merrnim dhe dolëm. Njeriu që kishte mbyllur derën ishte me uniformë ushtarake. Mësuam se ai dhe shitësi ishin vëllezër dhe se administronin një numër dyqanesh përgjatë asaj rruge.

Ditën tjetër kishim vendosur të vizitonim muzeun e rezistencës së popullit të Leningradit (emri që mbajti për shumë vite San Pjetërburgu nën regjimin komunist) në periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Dihet nga historia se Leningradi luftoi për 900 ditë nën një rrethim të egër të nazistëve gjermanë, pasi Hitleri kishte vendosur ta zhdukte nga harta si qytet. Qëndresa qe e jashtëzakonshme në kushtet e një urie që çdo ditë merrte qindra jetë njerëzish. Para luftës, Leningradi numëronte 3 milionë banorë. Kur mbaroi lufta, kishin mbijetuar vetëm 600 mijë. U desh të kalonin mbi 30 vjet që ai të arrinte numrin e viteve të paraluftës. Ndërsa sot ka 4.5 milionë banorë. Hitleri nuk e zhduku dot Leningradin dhe banorët e tij nuk e lanë qytetin të binte në duart e armikut, duke ia prerë Hitlerit marshimin drejt Moskës. Na u desh shumë kohë gjersa ta gjenim muzeun. Mjaft nga ata që i pyesnim, megjithëse banorë vendës, dukej sikur nuk kuptonin se çfarë po kërkonim. Më së fundi, me ndihmën e hartave, arritëm dhe zhgënjimi qe total. Një ndërtesë e vogël dykatëshe e pamirëmbajtur, një kartelë ku mezi lexohej emri i muzeut dhe një portë e vjetër prej druri që dukej se do të binte nga çasti në çast. Pak vizitorë që vinin shikonin anash sikur i ndiqte ndokush. Muzeu administrohej nga dy gra të moshuara që dukej se ishin aty vetëm për t’i shtuar diçka pensionit të tyre. Brenda pak ambiente, pak stenda e pak relike. Me shumë pllakate e materiale të tjera të karakterit propagandistik. Një helmetë e shpuar me precizion në lule të ballit, që i ngjan më shumë një ekzekutimi se një rënieje në front, një racion bukë e përzier me tallash, 200 gramë, aq sa ishte racioni ditor i mbrojtësve të Leningradit.

Më tej një copë zami nga ai që përdorej për të ngjitur letrat në muret e dhomave. Edhe ai ishte pjesë e ushqimit ditor, bashkë me rripat e çdo gjë tjetër lëmurë që zihej e hahej. Banorët kishin arritur të hanin deri edhe torfën e kënetave për të mbijetuar. Mësojmë se pas luftës, në vitin l948, Stalini, në vazhdim të represioneve të tij, pushkatoi ish-drejtorin e këtij muzeu dhe e mbylli institucionin. 37 mijë reliket e tij u asgjësuan apo u shpërndanë. Synimi i Stalinit ishte të errësonte rezistencën heroike të 900 ditëve të Leningradit për të himnizuar betejën e Stalingradit. Kjo e shpjegon varfërinë e muzeut dhe ndrojtjen e pavullnetshme për ta vizituar atë. Vetëm pas rrëzimit të komunizmit, muzeu u hap në proporcione të zvogëluara me ato materiale që u dhuruan nga ish-mbrojtësit e Leningradit që i kishin shpëtuar represionit stalinist. Pas rrëzimit të komunizmit, San Pjetërburgu rifitoi emrin e tij dhe shkëlqimin e tij në sytë e botës. Presidenti Putin, që është nga ky qytet, ka këmbëngulur për t’i dhënë fonde që San Pjetërburgu të zhvillohet më tej. Gjatë fushatës elektorale për president, ai u bëri edhe një premtim tjetër bashkëqytetarëve: që ta ribënte San Pjetërburgun kryeqytet të Rusisë, siç ka qenë dikur. Por, siç dihet, pas fitores së zgjedhjeve shumë premtime elektorale harrohen, por populli nuk harron. Edhe atëherë kur fal.

Ndue Lazri   : Gazeta Albania

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama