Kanioni i Ngjipese hapesira e paeksploruara

Kanioni i Ngjipese hapesira e paeksploruara
Të shumtë janë udhëtarët që rrahin rrugët e bregut dhe të magjepsur nga bukuritë e natyrës nuk besoj se u ka mbetur jashtë vëmendjes që pikërisht midis Iliasit dhe Vunoit në krahinën e Himarës, aty ku lumi ka përshkuar pothuajse gjysmën e rrugës së tij, gjarpëron në një reliev të thyer e shkëmbor e pastaj futet në një luginë duke krijuar një nga kanionet më të bukura të vendit, kaninonin e Ngjipesë me një pamje magjepse për këdo që e shikon.

Kanioni s’është gjë tjetër veçse një luginë e thellë me faqe të thepisura, që mund të jetë formuar si rezultat i rrjedhjes së ujërave, lumenjve, përrenjve nga një proces i gjatë erozioni që me sa duket i është dashur mijëra vjet për të marrë këtë formë që ka sot.

Dhe me të vërtetë, i gjithë relievi ka marrë trajtën e një pellgu ujëmbledhës në rreze të maleve dhe pastaj ujërat nga të gjitha degëzimet bashkohen duke formuar një lum, që të paktën kështu quhet në këto anë, por që nuk i plotëson kushtet për ta emëruar si të tillë; sigurisht që bashkimi i tyre i bën ato më të rrëmbyeshme e më të furishme, veçanërisht në periudhën e dimrit, ku prurjet janë më të shumta e më të bollshme, të cilat kanë vepruar intensivisht duke gërryer e thelluar shtratin e tij e duke krijuar një luginë të thellë; ujërat në periudhën e verës janë më të pakta për arsye të mungesës së reshjeve dhe ato vijnë duke u shteruar në pikun e sezonit, përjashtuar të paktën periudhën e sivjetshme që shirat kanë qenë të shumta e të vonshme.

Kanioni ka një shtrirje në një gjatësi rreth 800 m, por në 400 m e fundit të tij evidentohen të gjitha parametrat e duhur si të mirëfi llta, ku faqet anësore ngrihen të thepisura në një lartësi që nuk i kalon të 250-300 m, si kuota më e lartë dhe me një dalje në det në formën e hinkës që s’mungojnë edhe epitetet e shumta për të, e që të befasojnë me një tablo ekzotike.

Banorët të tregojnë shumë gojëdhëna që janë interesante për çdo vizitor. Itinerari i ecjes mund të zgjidhet sipas dëshirës në të dyja drejtimet, por që paraqet vështirësi edhe për njerëz të stërvitur mirë.

Kanioni ju ofron mundësi edhe amatorëve të sportit të ngjitjes, të cilët mund të gjejnë vende me pjerrësi të lartë ngjitjeje dhe koefi cient të lartë vështirësie.

Ky kanion ka bukuri mahnitëse edhe për ekosistemin që ruan në vetvete, ku gjelbërimi në të dyja krahët është i përhershëm, me shkurre mesdhetare e me një bimësi të shumëllojshme si perrare, ilqe, mare, dafi në, shqopa, trëndafi la të egër, sqine, fsake, sherbelë.

Në dalje, si në çdo lumë tjetër, rrepet janë të shumtë e të madhërishëm si vetë terreni që i rrethon me një ngjyrim e gjallëri të veçantë…

Natyra, arkitektja më e madhe e të gjitha kohërave, nuk ka kursyer të na japë edhe këtu në shpatet e thepisura të të dyja anëve të kanionit disa masivë shkëmborë, por edhe shkëmbinj të veçuar si rezultat i veprimtarisë erozive të faktorëve të jashtëm, disa forma të çuditshme, por edhe të rralla në llojin e vet, që të krijojnë përshtypjen sikur janë të skalitura me mjeshtëri nga dora e njeriut. Kur futesh në brendësi dhe ngushtësia arrin në rreth 25-30 m, ndoshta dhe më pak, e kupton edhe më mirë se çfarë magjie përjeton.

Faqet anësore të thepisura kur i shikon nga shtrati i lumit të duken sikur lartësohen pafundësisht e takohen me qiellin që të jep përshtypjen e një çatie që e mbulon atë. Uji që gurgullon herë i rrëmbyer e herë i qetë sipas terrenit që përshkon e që krijon edhe disa ujëvara, petazma, jashtëzakonisht të bukura, por edhe shumë të vështira për t’u kaluar, ngaqë terreni është i thyer dhe shkëmbor.

Një erë e freskët që të ledhaton fytyrën e që të shoqëron gjatë gjithë rrugës, shpend dhe zogj nga më të ndryshëm e më të shumëllojshmit që harmonizojnë tingujt e tyre melodioz tamam si në një simfoni me të vërtetë natyrore e që fl uturojnë të qetë në mbretërinë e tyre. Një kolorit i pasur ngjyrash që të rrethon ngado, të hutojnë e të fusin në një botë tjetër, ku ëndrrat e ëmbla dhe të këndshme krijohen në mënyrë të natyrshme e të vetvetishme e nisin udhën e tyre, saqë s’ke dëshirë të dalësh prej andej.

Është me të vërtetë shumë e vështirë, por pse jo dhe e pamundur për të përshkruar ato emocione që përftohen nga këto bukuri të rralla, të cilat të relaksojnë e s’janë pa ndikim në gjendjen psiko-fi zike të njeriut edhe në vitet e mëvonshme të punës e të jetës. Natyrisht për të vizituar kanionin e për të shijuar këto bukuri që ka nuk është dhe një punë fort e lehtë, sepse të duhet të përballesh me sfi da që kërkojnë guxim dhe vullnet e përgatitje për t’i superuar e kjo e bën edhe më të këndshëm udhëtimin. Pasi ke dalë nga kanioni si papritur përballesh me një befasi të rrallë, faqet e malit fi llojnë e zgjerohen dhe të del përpara si në një fi lm, plazhi i Ngjipesë.

Lumi, pasi ka përshkuar një rrugë të gjatë e të mundimshme në këtë terren të thyer e shkëmbor ngadalësohet dhe qetësohet duke lënë mënjanë në të djathtë të tij, një sipërfaqe relativisht të vogël toke e pastaj humbet përfundimisht në det duke krijuar një deltë që e ndan pothuajse rërën në mes dhe ia shton bukurinë këtij mozaiku. Fatmirësisht në këto ditë të nxehta vere, si rezultat i shirave të shumtë që kanë rënë edhe këto muajt e fundit, kanë krijuar rezerva të mjaftueshme për të mos u tharë si zakonisht, duke e bërë këtë tablo më të plotë në të gjitha dimensionet e saj. Plazhi vetë, ndonëse jo shumë i madh, të mrekullon me bukurinë që ka. Ai përgjithësisht është i virgjër e i paeksploruar, çka e bën shumë të lakmueshëm për amatorët e turizmit. Në fakt, ai ka një shtrirje përafërsisht rreth 200 m i gjatë dhe 60- 70 m i gjerë.

I vendosur në këtë gji të mrekullueshëm, është shumë mirë, i mbrojtur nga erërat që fryjnë, me një rërë karakteristike dhe shumë të veçantë, e imët jashtëzakonisht që s’ka të dytë në detin Jon, por fatkeqësisht, fenomenet erozive kanë bërë punën e vet si pasojë e abuzimeve që janë bërë me shpërdorimin e saj pas viteve ’90, por edhe më parë. Ata që e kanë ruajtur mirë në kujtesë, banorëve të këtushëm e atyre të larguar për shkaqe të ndryshme, por edhe kujtdo që mund t’ia tregosh këtë fenomen patjetër që u dhimbset e habiten sesi makutëria dhe etja për fi time, i ka nxitur këta njerëz për të vënë dorë në një pasuri të tillë natyrore me vlera të mëdha turistike. Me të vërtetë të vjen keq…

Sidoqoftë edhe kështu rëra ruan cilësi të konsiderueshme, përqindja e jodit është shumë e lartë, rrezet janë përvëluese dhe nxirja aq e dëshiruar për të gjithë përftohet në një periudhë të shkurtër kohe e qëndrueshmëria e saj është më e gjatë. Veç kësaj, ajo ka edhe vlera të mëdha kurative për ata që kanë probleme të tilla, e për gjithë të tjerët natyrisht. Natyra të ofron pamje tërheqëse me një larmi ngjyrash e formash, syri ka hapësirë dhe ndeshet gjithmonë me gjëra të reja që ia largojnë monotoninë dhe i japin asaj një pamje madhështore.

Ambienti nuk është i zhurmshëm dhe i mërzitshëm e kjo e bën atë çlodhës. Këtu fatkeqësisht s’ka asnjë lokal apo diçka tjetër të kësaj natyre që t’u vijë në ndihmë pushuesve dhe ato që janë ndërtuar dikur, rreth 3-4 të tilla kryesisht për qëllime të mbrapshta sigurisht, policia ndërtimore nuk ka harruar për të bërë atë që ka bërë kudo, i ka shkatërruar e tani janë transformuar në rrënoja që ashtu si edhe simotra e saj në Jal, që ka tre vjet e ca, që s’ka vënë njeri dorë mbi to, të krijojnë një imazh jo të mirë se shteti nuk ka ide e projekte për ardhmërinë e këtyre zonave. Këtu makinat janë shumë të pakta, sepse rruga është e vështirë për t’u kaluar. Edhe uji i pijshëm është i domosdoshëm në këto ditë përvëluese vere, por mungesat janë serioze. Edhe një pus që ndodhet aty pranë është i pasigurt e i pakontrolluar e si rrjedhojë i papijshëm.

Mjedisi lë shumë për të dëshiruar si kudo në këto anë dhe kurrkush nuk përgjigjet, sepse në këtë fshat të duket paradoksale, por është e vërtetë, nuk ka kryetar komune e megjithëse zëri është ngritur disa herë, ato kanë rënë në vesh të shurdhër. Këtu shteti si ai qendror dhe vendor nuk ndihet dhe ky është një tregues se ligji nuk vepron dhe anarkia bën punën e saj. Turistët e huaj, që në këtë periudhë i tërheq ky vend, natyrisht të paktë në numër, nuk ngurrojnë ta pohojnë këtë fakt se efektet e ndotjes së ambientit në shëndetin e njeriut janë vrastare. Kanë të drejtë.

Deti të mrekullon dhe të jep kënaqësi të pafundme. Ai është i thellë, me përqindje të lartë të kripës në të, i ngrohtë, shumë i pastër dhe i kthjellët si kristal, që është i dukshëm edhe nga kodrat përreth. E kjo të bën mos të ndahesh kollaj me të… Deti përgjithësisht është i qetë, valët që kanë ca refl eksione të çuditshme nga rrezet e diellit, i afrohen rërës dhe e përkëdhelin atë me butësi, por edhe kur “egërsohen” këto ia shtojnë më tepër bukurinë e bëhen më dëfryese.

Një erë e lehtë që vjen si nga deti e herë nga mali ta ledhatojnë fytyrën e të japin një kënaqësi të patregueshme… Dikur në këto kopshte ishin kultivuar lloj-lloj pemësh: portokall, limona, mandarina, fiq, arra, bajame, rrush, nespule. Toka punohej dhe mbilleshin edhe produkte të tjera për nevojat e tyre. Tani çdo gjë është shkatërruar e janë lënë në mëshirë të fatit, askush s’interesohet për to. Gjithçka është lënë djerrë dhe të vetmen gjallesë që mund të shikosh është një lopë që kullot e patrazuar nga askush në punën e saj.

Ngjipeja, për vetë pozicionin që ka, i mënjanuar nga rruga automobilistike, larg vëmendjes së strukturave të shtetit, ka qenë vend i preferuar për kontrabandistë dhe trafi kantë. Shumë njerëz të detyruar nga kushtet ekonomike kanë rënë pre e këtyre kriminelëve me skafet e tyre, duke spekuluar me nevojat jetësore që kishin.

Ata ëndërronin dhe shpresonin për një jetë më të mirë e ndërmerrnin aventura të tilla që s’u dihej fati e s’dihet si kanë përfunduar në mos po si drama të dhimbshme e të trishtueshme që i dëgjon shpesh. Rruga e vetme për të vajtur në Ngjipe është ajo e Manastirit, që ka një tabelë për të orientuar, në fakt kjo është e mangët, sepse ajo që duhej është vendosur më tej në një vend të papërshtatshëm. Rruga deri në Manastirin e Shën Theodhorit është e asfaltuar, njëkalimëshe dhe me disa xhepa anësore për këmbimin e makinave, ndërsa deri në plazhin e Ngjipesë nuk është më shumë se 1.5 km që në total nuk shkon më tepër se 4 km.

Çdokush i lind me të drejtë pyetja: si ka mundësi që të bëhet një investim kaq gjysmak dhe për çfarë interesash? Si ka mundësi të lihen pa u asfaltuar perla të tillë të bregdetit tonë aq joshëse për këdo? Natyrisht që përgjigjja nuk është vështirë për ta dhënë, por më mirë t’ia lëmë kohës të na i tregojë të fshehtat e saj.

Pjesa e mbetur nga manastiri deri në plazh është në gjendje të keqe dhe e pakalueshme për makinat e vogla. Më të disponueshme janë fuoristradat që e kanë më të lehtë. Shteti komunist i ndërtoi këto rrugë për qëllime mbrojtëse, sigurisht që ato kanë rëndësinë e tyre, por investime kaq kapitale pa efektivitet si bunkerizimi, që dhe vetë koha tregoi se me ç’pasoja ishin, të lënë një shije të keqe, për vetë faktin se ato kanë rënduar shumë në buxhetin dhe nivelin e jetesës.

Është mundi dhe djersa e gjithë këtyre njerëzve që kanë sakrifi kuar jo pak, por shumë kontradiktore, që për çlodhjen e tyre në këto vise të mrekullueshme s’është bërë asgjë. Kjo s’ka se si të mos të të krijojë një keqardhje për ata njerëz që e kanë qeverisur këtë vend me marrëzi të tilla. Edhe nga deti, nga Jali apo Dhërmiu, me mjete lundruese është një mundësi e mirë për të parë edhe befasi të tjera të këndshme e anë të errëta që ofron ky bregdet, i cili është shkëmbor e në një pjesë të mirë dhe i thepisur, me plazhe dhe gjire të vegjël, guva, shpella, gurë të mëdhenj që formojnë ndonjë “ishull apo gadishull” të vogël, me të vërtetë të mahnitin. Këto përgjithësisht kanë emërtimin e vet, që është e lidhur me një histori disa herë edhe të dhimbshme, por që kanë mbetur në kujtesën e këtyre fshatareve edhe kur është rasti, për të shuar kureshtjen e pushuesve.

Peshqit në det kanë qenë të shumëllojshëm, por gjuetia e tyre me dinamit, që fatkeqësisht vazhdon edhe sot, ka bërë dëme të konsiderueshme, të cilat do të ndihen për shumë kohë nëse nuk do të merren masa për t’i parandaluar ato. Gjithsesi, duke e parë këtë mrekulli nga pika dominante e kanionit të duket sikur je në një ballkon, një tarracë natyrore me një pamje piktoreske nga toka dhe deti, me një gjelbërim që në periudhën e pranverës veçanërisht ka një aromë të këndshme, parfum natyror që të deh.

Vunoi me vetë strukturën e ndërtimit që ka, historinë e kulturën e tij, me kishat që s’janë të pakta dhe me vlera për afresket, portretet e shenjtorëve dhe vjetërsinë e tyre më se dy shekullore në disa prej tyre, plazhi i Jalit dhe ai i Ngjipesë me kanionin e tij, bokërimat si muze natyror, plantacionet me ullinj e malet përreth që i rrinë si kurorë dhe së fundmi mbrëmjet e netët e qeta e të magjishme, përbëjnë një ansambël unikal në llojin e vet, që duke afruar konceptet bashkëkohore për një turizëm të mirëfi lltë do ta bënin më të vizituar. Urojmë të ndodhë kështu…

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama