Kam dhene shpirtin ne krijimin e Adi Hiles

'Kam dhene shpirtin ne krijimin e Adi Hiles'

Në klasën e parë mësuesja e zgjodhi që të këndonte një këngë, por talenti i saj nuk i ra askujt në sy. Më vonë këndoi këngë të ndryshme, derisa dikush e spikati talentin e saj dhe këmbënguli fort që ajo ta provonte veten në fushën e muzikës. Kjo është Mishela Rapo, vajza 15-vjeçare nga Tirana, e cila do të përfaqësojë Shqipërinë në “Junior Eurovizon 2015” në Bullgari. E teksa çmimet me të cilat ajo është vlerësuar përgjatë rrugëtimit të saj artistik janë të shumta, dëshira e radhës është që të shpallet fituese e çmimit të madh në Bullgari. Mishela ndan me ne sot, punën që ka bërë për të arritur deri këtu, pa harruar që të vlerësojë ata që kanë besuar tek ajo.

 

Mishela, si ka lindur dëshira për të hyrë në botën e artit? 

 

Për herë të parë në klasën e parë, në festën e abetares, mësuesja më zgjodhi të këndoja një këngë. Edhe pse kur shikoj sot filmimet dhe them se e kam realizuar shumë bukur, as mamit dhe as babit në atë kohë nuk u bënte përshtypje se mund të kisha ndonjë talent artistik. Duke u rritur si çdo fëmijë, kisha qejf të shkoja te puna e mamit dhe aty, pa mendje, këndoja këngë të ndryshme. Për herë të parë më vlerësoi shoqja e mamit, të cilën unë e kam shumë të shtrenjtë, Ermelinda.

 

Të kujtohet kënga e parë që ke interpretuar në skenë? 

 

Isha vetëm 8 vjeç kur u ngjita në skenë dhe këndoja këngën “Jemi një, s’jemi dy”. Për herë të parë konfirmimin që unë kisha një zë të bukur dhe kisha elemente, si dhe që mund të mbizotëroja në një skenë, ma ka dhënë stafi organizator i Festivalit Mbarëkombëtar të Shkodrës me udhëheqës artistik Kujtim Aliaj. Në atë festival unë u vlerësova me çmimin “Debutuesja më e mirë”. Më pas, në moshën 9-vjeçare, kam konkurruar te “Gjeniu i vogël, 4”. Nuk doja të prisja të rritesha për të konkurruar më vonë, sepse u lidha shumë me skenën. Unë kaloja fazat e konkurrimit mes 400-500 konkurrentëve me moshë sa unë, por dhe më të mëdhenj se unë dhe prindërit ishin akoma dyshues. Ka qenë faza më e bukur dhe eksperienca më e mirë e imja.

 

Sa të ka ndihmuar fakti që bashkëpunon me kompozitorin Adrian Hila? 

 

Pas “Gjeniut” unë nuk mund të ndaloja më. E kisha kuptuar se çfarë doja. Prindërit filluan të më mbështesnin, sepse unë, përveçse kisha talent, punoja shumë dhe ky fakt më ka ndihmuar shumë. Në atë moment u kam kërkuar me këmbëngulje prindërve të mi dhe xhaxhi Adrianit të më bënin këngë për festival. Xhaxhi Adi më njihte mirë në çdo cilësi timen. “Me pati rritur vetë në skenë” dhe i dinte aftësitë e mia. Sukseset e mia në bashkëpunimet me të ia dedikoj tërësisht vetëm atij, sepse, në fund të fundit, çdo fëmijë këndon, por e rëndësishme është të dijë se çfarë po këndon dhe me sa cilësi po këndon. Ai nuk është vetëm një kompozitor i mirë, ai është një bashkëpunëtor i mirë dhe, më e rëndësishmja, është një kërkues i jashtëzakonshëm. Ai nuk ka tolerancë mbi cilësinë. Prandaj dhe unë kam pasur gjithmonë sukses, se kam dëgjuar çdo vërejtje të tij dhe kam dhënë shpirtin mbi krijimin e tij.

 

Sa krenare ndihesh që do të përfaqësosh fëmijët shqiptarë në “Junior Eurosong 2015” në Bullgari?

 

Festivali i fëmijëve në Tiranë ishte “live” dhe, të them të drejtën, më pëlqeu ky fakt. Vendosa të marr pjesë, sepse ishte hera e fundit pas një karriere 5-vjeçare në skenë që të konkurroja. E nëse doja të kisha sukses, dihej që duhej të më kompozonte një këngë xhaxhi Adi. Emocione shumë të mëdha, por përsëri një përgjegjësi e madhe, sepse këndoja një këngë të mrekullueshme dhe duhej të jepja maksimumin tim. Unë i falënderoj shumë dhe një herë ata që besuan tek unë. Emocioni më i madh ishte kur këndova këngën si fituese e festivalit dhe asnjë spektator nuk u ngrit të ikte, por duartrokisnin dhe këndonin këngën me mua.

 

Aktualisht Mishela vazhdon për kitarë në Liceun Artistik “Jordan Misja”, por ku e sheh nesër veten në raport me këtë instrument? 

 

Unë vazhdoj Liceun Artistik “Jordan Misja” për kitarë. Kitara dhe pianoja më kanë ndihmuar shumë për formimin tim artistik, kjo dhe falë punës së madhe me mësuesin tim të kitarës, Gerti Margariti. Ndoshta një ditë nuk do të bëhem instrumentiste e mirëfilltë apo thjesht një vokaliste, por unë dua të bëhem një artiste e kompletuar.

 

Deri më tani numëron disa çmime, por do të doja të dija se ku e mendon të ardhmen Mishela për sa i përket muzikës? 

 

Unë deri më sot kam fituar disa çmime, por çmimi që do të doja, jo vetëm për vete, por për të gjithë fëmijët shqiptarë, është të sjell “Junior Eurovision Song Contest 2016” në Shqipëri. Kjo është thjesht një ëndërr. Unë sot ndihem shumë me fat dhe shpresoj që ëndrra ime të vazhdojë të realizohet në Sofie të Bullgarisë.

 

Çfarë ndikimi ka familja jote në zgjedhjet dhe sukseset e tua? 

 

Gjatë gjithë viteve të mia më kanë ndihmuar shumë kritikat e vyera të mamit. Me ndihmën e prindërve të mi unë kam pasur gjithmonë një pamje fëminore të pëlqyeshme në skenë. Mami gjithmonë më ka ushqyer me frymën që të mos jem mendjemadhe, por të dal në skenë dhe të jap më të mirën time për të emocionuar publikun dhe për të marrë duartrokitje të merituara.

 

Kujt ia dedikon arritjet e tua? 

 

Arritjet e mia ia dedikoj së pari familjes sime, kompozitorit Adrian Hila. Jam me fat, sepse kam qenë e rrethuar gjithë jetën nga profesionistë shumë të mirë dhe, mbi të gjitha, nga njerëz të mirë.

 

Dhe së fundmi, çfarë u uron bashkëmoshatarëve për festën e 1 Qershorit? 

 

Unë u drejtohem të gjithë fëmijëve artistë që të mos mjaftohen me një çmim, sepse nuk është çmimi ai që ndriçon fëmijërinë tënde. Të mundohen që me talentin e tyre t’u lënë brezave këngë të bukura. Në murin e madh të kështjellës së artit për fëmijë kam vendosur 5 gurë të rëndë për të cilët ndihem krenare. Të gjithë fëmijëve u uroj pushime të gëzuara dhe i ftoj të kërcejmë “Dambaje” së bashku.

 

Biografia 

 

Mishela Rapo (2000) ka lindur në Tiranë. Aktualisht vazhdon shkollën në Liceun Artistik “Jordan Misja” për kitarë. Në vitin 2010 u shpall fituesja e çmimit “Debutuesja më e mirë” në Festivalin e 48-të të Këngës për Fëmijë, “Jemi një, s’jemi dy”, muzikë dhe orkestrim nga Klodian Qafoku. Në vitin 2011 te “Gjeniu i vogël, 4” renditet e 6-ta ndër 20 finalistë. Është shpallur fituese e çmimit të parë në Festivalin e 50-të Kombëtar të Fëmijëve në Shkodër. Ka qenë pjesëmarrëse në “Junior Fest Albania”, në RTSH, te “100 vjet Muzikë”. Është shpallur fituese e çmimit “Inva Mula” me këngën “Kam një ëndërr” etj.

 

"Festivali i kishte të gjithë komponentët" 

 

Kompozitorja e këngës së dytë fituese, “Nuk dua të rritem”, që u interpretua nga Elisa Gjipi, Eriona Rushiti, tregon, përpos emocioneve të çmimit, me të cilin u vlerësua, për nivelin artistik të muzikës që ka Festivali i Këngës për Fëmijë sot. Për të nuk është eksperienca e parë, sepse ka marrë pjesë edhe 2-3 herë të tjera në Festivalin e Fëmijëve. “Këtë vit ajo që më shtyu më tepër të marr pjesë në këtë Festival ishte fakti i bashkëpunimit të Qendrës Kulturore të Fëmijëve me RTSH-në.

 

Pra, besova që cilësisht do të kishte të tjera kërkesa dhe kështu ndodhi. Ishte një festival me shumë më tepër kualitet në të gjithë komponentët; regji, skenar, krijime dhe zëra. Po të ndiqje festivalin, kuptoje që fëmijët këndojnë shumë mirë “live” dhe mund t'u besosh gjithçka”. Kënga e Rushitit u realizua në bashkëpunim me orkestruesin Enis Mullaj, poeten Mimoza Tola dhe këngëtaren Elisa Gjipi, së cilës iu besua një këngë e vështirë, për sa i takon teknikës dhe shtrirjes vokale. Por, sipas kompozitores, kjo gjë u realizua me shumë sukses. “Vlen për t'u përmendur fakti që çmimet e këtij festivali ‘i rrëmbyen’ fëmijët e ‘Gjeniut të Vogël’.

 

Edhe unë aty ‘kërkova’ këngëtaren time. Pra, ‘Gjeniu’ u ka shërbyer fëmijëve si një shkollë ku mësohet të interpretuarit ‘live’. ‘Nuk dua të rritem’ u punua në çdo detaj: me Enisin (orkestruesin), që tingëllimi orkestral të ishte sa më pranë tingujve fëminorë; me Mozën (poeten) së cilës i sugjerova temën e një fëmije që ka ditëlindjen dhe që kupton se të rritesh do të thotë të largohesh nga lodrat e lodrimet dhe që Moza iu përshtat shumë bukur idesë dhe muzikës; si dhe Elisa, e cila ka një talent të lindur, muzikalitet e intuitë artistike që do ta çojnë shumë larg e lart në karrierën që e pret”. Vlerësimi dhe çmimi i dytë për kompozitoren Rushiti është një nxitje dhe detyrim për të. “Shpresoj që muza e frymëzimi të më çojnë në festivale të tjera e jo vetëm për fëmijë”, u shpreh ajo për “Shekulli”-n


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama