Kalaja e Rozafes do ti nenshtrohet restaurimit

Kalaja e Rozafes do t'i nenshtrohet restaurimit

Kalaja e Rozafës, si objekt me përmasa të mëdha dhe mure të larta, me prejardhje shumëshekullore, kërkon një ndërhyrje dhe mirëmbajtje të vazhdueshme për të siguruar qëndrueshmërinë e saj dhe evidentimin e vlerave që ndodhen brenda territorit të saj”.

Është ky apeli i Drejtorisë Rajonale të Kultuës Kombëtare Shkodër, e cila njofton gjithashtu se këto ditë DRKK Shkodër ka filluar të zbatojë projektin e restaurimit dhe konsolidimit të mureve rrethuese të kalasë, dhe më konkretisht në muret perëndimore dhe lindore.

DRKK Shkodër sqaron gjithashtu se gjatë procesit do të preket edhe një pjesë e murit verior.

Ndërhyrjet në kala do të konsistojnë kryesisht në plotësime të vogla të faqeve të brendshme dhe të jashtme të mureve rrethues.

Nga ana e jashtme e mureve të kalasë do të realizohet edhe heqja e vegjetacionit në mënyrë mekanike dhe më pas duke e trajtuar me pesticide, ndërsa pas heqjes së vegjetacionit do të bëhet mbushja e murit dhe fugatimi i plotë i tij.

Kalaja e Rozafës ndodhet në hyrje të qytetit të Shkodrës. Ajo dominon mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit, ndërmjet lumenjve Drin dhe Buna.

Kalaja ka një pozitë gjeografike strategjike, pasi kontrollon jo vetëm fushën përreth dhe hyrjen në qytetin e Shkodrës, por edhe kalimin në thellësi të Ballkanit.

Kalaja e Rozafës është një nga objektet historike dhe fortifikuese më të mëdha në vendin tonë, duke i patur të ruajtura mirë muret rrethuese, kjo kala përfaqëson një nga fortifikimet më të plota në Shqipëri.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama