Kajca kostoja e nje braktisjeje

Kajca, kostoja e nje braktisjeje

Askush s’do t’i thyente këto mikrokështjella solide, mbase përveç varfërisë por edhe sindromës së ikjes në kërkim të fatit gjetkë... Ikësit mundohen që para largimit t’i marrin pamjet të fiksuara në celuloidin e aparateve fotografike apo kamerave që kanë marrë nga emigracioni për t’ua treguar pasardhësve, të cilët do të rriten tashmë në treva të tjera dhe emrin e fshatit do ta marrin vetëm në identitetin e origjinës kur t’u thonë të tjerëve: Ne jemi nga Kajca.

FILLIMI I BRAKTISJES

Vetëm para pak vitesh këtu banonin 96 familje. Braktisja nisi fillimisht si bërthama e ortekut që vjen duke u zgjeruar e duke rritur shpejtësinë. Tani në fshat kanë mbetur 14 familje dhe, siç thonë vendasit, deri për vitin e ri edhe 4 të tjera janë në largim e sipër. Në shkollën 9-vjeçare “Refi Dervishi”, ku numri i nxënësve e kalonte shifrën 100, tashmë mësojnë vetëm 15 fëmijë të ndarë në tri klasa kolektive me tre mësues gjithsej. Fshati ndodhet përballë Malit të Trebeshinës në rrëzë të vendit të njohur tashmë në histori si vendi ku u zhvillua beteja e Tendës së Qypit. Megjithatë, ka njerëz në fshat që thonë se do të qëndrojnë. Mesa duket, traditat nuk zhduken dhe aq lehtë. Kur flasin për shumë të rinj që mund të bënin prokopi dhe në fshat më mirë se në Greqi e gjetkë, ata kanë të gatshme dhe argumentet që nuk është e lehtë të kundërshtohen. Ata thonë se shumë prej të rinjve punojnë në Greqi si çobejn dhe po të mbarështonin tufat e tyre në Kajcë, që është një vend ideal për blegtorinë, fitimet do t’i kishin shumë më të mëdha. Punën e tyre tani po e bëjnë pleqtë dhe ata po fitojnë më shumë se të rinjtë në Greqi.

RESURSET E FSHATIT

Vesel Bregasi ruan nëpër kullotat malore të Dëshnicës rreth 150 kokë dhi. Mendon se është 85 vjeç. Vetëm me qumështin që merr prej tyre, sipas bisedave të bëra me banorët, fiton rreth 3-4 mijë lekë në ditë. Shto më pas vlerën e kecave, të cilët në klimën e këtushme japin një prodhim mishi të cilësisë së parë, del që fitimi është shumë i madh. Duke llogaritur vlerën për një kec që mund të japë çdo dhi e tufës, si dhe vlerën në kohën e pikut të shitjes së kecave nga 5-7 mijë lekë për kokë, del se edhe ky profesion në vend ka rendiment të lartë. 85-vjeçari Asllan Hoxha gjatë beharit blen rreth 80 qengja të vegjël. I blen në muajin prill dhe i shet në shtator, duke siguruar një fitim të bollshëm. Vetëm mendimi se ai është një 85-vjeçar do të bënte të skuqej çdo i ri nga fshati që endet rrugëve të botës duke kërkuar punë në një kohë që burimet e fitimit i ka më të bollshme në fshatin e lindjes. Një tjetër blegtor i suksesshëm është edhe Adriatik Xhani (Muka) që punon e ruan bagëtitë.


Qemal Hoxha i rikthehet fshatit

Nuk thonë më kot që oficerët e kanë të vështirë t’i braktisin llogoret. Qemal Hoxha i larguar nga fshati që në moshen 13-vjeçare, kur u nis për në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, është rikthyer përsëri në fshat. Sidoqë ky kthim mund të quhet një kthim ndryshe, Qemali, tashmë një biznesmen, mbi themelet e shtëpisë së vjetër ku ka lindur ka ngritur një vilë moderne të pajisur me të gjitha orenditë e teknologjisë së fundit të qytetërimit modern të shartuara me arkitekturën tradicionale. I kanë rekomanduar fillimisht që ta ndërtonte në një vend që t’i afrohej makina, pasi rruga e vjetër ishte bllokuar dhe uji i pishëm nuk kalonte më pranë shtëpisë si dikur. - Do ta ngrej atje ku më ka rënë koka, - ka thënë Qemali dhe ka shtuar se do të afronte edhe ujin e se do të ndërtonte edhe rrugën deri te shtëpia e ringritur e babait të tij, Telhait. Pas ngritjes së shtëpisë, ai ka mbjellë në kopshtet e tij edhe 150 rrënjë lajthi si dhe 50 fidane arrash. Një mikroplantacion. Krahas kësaj ka kërkuar të bëjë një gjest filantropik. Duke parë fëmijët e fshatit të vet që për të shkuar në shkollën e mesme në qendër të komunës së Ballabanit duhet të udhëtojnë rreth 1 orë e gjysmë, ai i ka propozuar komunës të paguajë nëpërmjet bankës naftën e një furgoni si dhe një gjysmë page të shoferit të mjetit. Fshati Kajcë ndodhet në lartësi të maleve dhe ka një dimër të acartë. Zgjidhja e rrugëtimit të fëmijëve në kohë dimri për në shkollë është një investim i madh për shkollimin e të rinjve të cilin ai e vlerëson shumë, si mjetin më efikas për edukimin e tyre me atdhedashurinë e duhur, sidomos në këto kohë tepër të vështira.

Trimat e Kajcës

Ndonëse një fshat në tkurrje, banorët përpiqen t’i ruajnë traditat e trimërisë. Ata thonë se si në luftën për çlirim, ashtu dhe sot në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, djemtë e Kajcës kanë dhënë kontributin që s’duhet harruar. Ata përmendin me mburrje tre djem të tyre që në kuadrin e trupave komando kanë shkuar me shërbim nga dy herë në Irak dhe një herë në Afganistan. Dhe emrat ua shqiptojnë me mburrje: Afrim Bregasi, Eligert Xhaferri, Bledar Xhani. Me siguri po të vijmë ndonjëherë tjetër dhe të gjejmë njerëz të mbledhur për gëzim, me siguri që do të njihemi edhe me ndonjë këngë për ta. Edhe në të shkuarën heronjtë e baladave kanë qenë njerëz të thjeshtë e trima që kënga e popullit i ngriti mbi piedestalet e maleve të tyre dhe sot malet i mbajnë ato xhevahire folklorike thellë në zemra. Prandaj të duket se dhe nga çdo krua i kësaj krahine së bashku me ujin rrjedhin dhe balada... Ndaj mesa duket, ndonëse shtëpitë e fshatit po rrënohen, monumentin përkujtimor të themelimit të batalionit partizan “Dëshnica” banorët e paktë e kanë mirëmbajtur dhe e ruajnë me shumë kujdes. Madje, një fshatar e ka futur në rrethinat e oborrit të vet.

Mëngjesi i një fshati në perëndim të jetës

Mëngjesi i shtatorit në Kajcë është i rrallë. Mali i Trebeshinës lahet në ar ndërsa që nga Kajca të duket vetja sikur që nga një ballkon kundron lojën e diellit në agim me fshatrat poshtë si Pavari e Ballabani. Në sheshin e fshatit disa vendas përqafohen me bashkëfshatarë që kanë ardhur nga Tirana për të mbledhur e përgatitur rrushin për raki. Pemët janë plot, pjergulla me rrush dhe fletët e hardhive sa kanë filluar të zverdhen. Shumicën e vileve do ta thajë ngrica në degë. Arrat e derdhura nga pemët po kalben në dhe të patrazuara. Edhe makina në zbritje duket sikur rrëshqet mbi një re pikëllimi. Kur arrijmë në Ballaban kthejmë kokën pas nga ku fshati Kajcë duket tashmë sikur po derdhet në luginë për të zbritur drejt fushës e më tej. Lugina ku shtrihet sikur i ka dhënë formën e lotit. Është një lot i gjelbër malli për ata që banuan kaq vite dhe një ditë e lanë këtë fshat të bukur të Përmetit...

Mark Brunga : Gazeta Albania


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama