Kafeja e hidhur e Enver Hoxhes ne Berlin

'Kafeja' e hidhur e Enver Hoxhes ne Berlin
Dhe pse më 10 janar 1959 drekën e hëngri në “Kafe Tirana” në qytetin gjerman-lindor të Desaut, liderit komunist shqiptar, siç duket, nuk i pëlqeu, pasi afresket në të ishin “futuriste”. Po paraqesim faktin pak të njohur për ekzistencën e një kafeneje me emrin “Tirana” në një qytet të RDGJ, kartolina me pamje të saj, si dhe dy fotografi të pabotuara në shtypin shqiptar apo në albumet e diktatorit, që fiksojnë mikpritjen gjermane ndaj Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Ky i fundit atë ditë kishte 46-vjetorin e lindjes, që iu festua, si në rezidencën e delegacionit, po ashtu dhe në Café Tirana, ku bashkia e qytetit i dhuroi një palë dylbi, si amator gjuetie që ishte.

Fotot janë zbuluar në ankande ndërkombëtare on-line të vitit 2011, te disa  disa kartolina që kishin si diçiturë “Dessau- Café Tirana”, të vitit 1961. Ishte befasi që dhe pse “Café Tirana”, e cila para vitit 1959 quhej “Café Altmann”, aktualisht, “Café Ëassily”, vazhdon e “mbijeton” prej prej 52 vjetësh në një qytet gjerman. Nga ana tjetër, kjo kafene ka një histori me Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun, ku kanë drekuar më 10 janar 1959 dhe ku kanë marrë dhe dhurata.

Nisja

Javën e parë të vitit 1959, një pjesë e udhëheqjes më të lartë të regjimit komunist të Tiranës mori rrugën e largët të ish-Republikës Demokratike Gjermane, ku do të bënin një vizitë disaditore, me ftesë të Berlinit Lindor. Më 5 janar, një delegacion zyrtar i Partisë dhe të Qeverisë së Shqipërisë ku bënin pjesë Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, bashkëshortet e tyre Nexhmije dhe Fiqret, etj. u nis për në RDGJ. Pas një ndalese në Budapest, më 6 janar 1959, në orën 15,30, delegacioni u nis me tren të posaçëm për në Berlin. Më 7 janar 1959, në orën 9 të mëngjesit, shqiptarët mbërritën në Berlin. Në ditarin për përdorim të brendshëm të Enver Hoxhës, në kronikat e ATSH-së, librin me kujtime të Nexhmije Hoxhës “Jeta ime me Enverin”, botuar në vitin1998, jepen hollësira nga kjo vizitë.

Ditëlindja e Mehmet Shehut

10 janar 1959. Qysh në mëngjes herët, midis shqiptarësh, organizuan një festë të vogël. Mehmet Shehu atë ditë mbushte 46 vjeç. I uruan jetë të gjatë dhe suksese në punë. Një mesazh urimi i dërgoi Mehmetit edhe Ulbrihti që nga Berlini. Festa u bë edhe më e gëzueshme kur erdhi një grup studentësh shqiptarë që studionin në Lajpcig. Vizituan kombinatin elektrokimik të Biterfeldit. Punëtorët shfaqën një entuziazëm të madh për Shqipërinë. Në një nga repartet e uzinës u organizua një miting ku foli sekretari i parë i qarkut. Foli edhe Manush Myftiu. Vizituan një kooperativë bujqësore në Brema ku rriteshin kryesisht lopë dhe derra.

Mikpritja

Drekën, delegacioni i partisë dhe qeverisë e hëngri në “Kafe Tirana” në Desau (Dessau). Enver Hoxha nënvizon në ditar se “vetëm emrin kishte “Tirana” ky lokal, se pikturat në mur ishin futuriste. Kërkuan ndihmë nga ne për disqe me këngë karakteristike shqiptare”. Bie në sy se bashkëshortja e liderit shqiptar, Nexhmije Hoxha, në librin me kujtime, nuk e përmend fare vizitën në “Kafe Tirana”. Kurse ATSH-ja ndalet më gjatë: “Desau ndodhet në një nga rajonet me një industri mjaft të zhvilluar e të madhe. Gjatë luftës së Dytë Botërore qyteti u shkatërrua shumë. Mjafton të përmendim se 28 mijë godina u shembën për tokë. Pushteti popullor ndërtoi 18.400 godina të reja. Njëra nga godinat më të bukura të këtij qyteti është caktuar për çlodhjen e punonjësve dhe i është vënë emri “Kafe Tirana”. Ajo është një kafe shumë moderne dhe me komoditet të klasit të parë. Në këtë lokal u prit delegacioni në qytetin e Desaut. Mirëseardhjen delegacionit të partisë dhe qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë ia bëri sekretari i ri i partisë së qytetit, shoku Leva: “Fakti që ju përshëndesim këtu në këtë lokal të qytetit “Kafe Tirana” është një shenjë e miqësisë e popullit të qytetit tonë dhe e popullit të Republikës Demokratike Gjermane me popullin Shqiptar”. Shoku Enver Hoxha ngriti një dolli dhe mbajti një fjalim të shkurtër për miqësinë midis popujve tanë”.

Gazeta vendore

Në saj të shkrimtarit, piktorit, karikaturistit dhe fotografit gjerman, 60-vjeçarit Bernd Novak, me pseudonimin “Barry Noa” nga qyteti i Dessaut, është siguruar dhe faksimilja e një kronike të botuar në gazetën vendore “Dessauer Kulturspiegel” shkurt 1959, me titullin “Hohe Gäste der Volksrepublik Albanien im Dessauer Café “Tirana” (Miq të shquar nga Republika Popullore e Shqipërisë në kafe “Tirana” të Desaut)”. Kjo kronikë shoqërohet me dy foto krejt të panjohura në Shqipëri dhe që janë realizuar nga Radack. Gazeta vendore thotë se “Në një atmosferë të përzemërt dhe miqësore u prit në qytetin e Desaut më 10 janar 1959 në kafe “Tirana” një delegacion partie dhe qeverie i Republikës Popullore të Shqipërisë”. Delegacioni “ndaloi më 10 janar 1959, gjatë kalimit në qytetin tonë të Desaut. Në emër të banorëve të Desaut mysafirët e shquar i pritën në një atmosferë të përzemërt e miqësore kryetarja e bashkisë Maria Dank dhe sekretari i parë i udhëheqjes së rrethit të PSB, shoku Valter Lefa, në kafe “Tirana””. Në diçiturat që shoqërojnë dy fotot ekskluzive mësohet se “kryetarja e bashkisë së qytetit të Desaut, Maria Dank… pasi e uroi, i dhuroi shokut Mehmet Shehu për ditëlindje një palë dylbi, për pasionin e madh që ka për gjuetinë”.
 
Misteri i afreskeve “futuriste” të piktorit Carl Marx

Fakti që, sikurse pohon në Ditar Enver Hoxha, autoritetet vendore të qytetit “kërkuan ndihmë… për disqe me këngë karakteristike shqiptare”, flet për respektin e njerëzve të thjeshtë gjermanë për Shqipërinë. Madje, ATSH-ja shënon se “ Enver Hoxha ngriti një dolli dhe mbajti një fjalim të shkurtër për miqësinë midis popujve tanë”. Por diktatorit gjithsesi nuk kënaqet: “Vetëm emrin kishte “Tirana” ky lokal, se pikturat në mur ishin futuriste”.

Me sa duket, udhëheqësi shqiptar nuk kishte ndonjë haber nga piktura, përderisa përdor cilësorin “futuriste” për afresket që i quan “pikturat në mure”. Këtu cilësori “futuriste” ka një ngarkesë pejorative ideologjike me kuptimin e një “arti dekadent borgjezo-revizionist”, në kundërshtim me parimet e pikturës dhe skulpturës së “realizmit socialist”. Për sa i përket rrymës futuriste, si të tillë, në rastin e “Kafene Tiranës”, ajo nuk figuron në katalogë dhe në krijimtarinë e autorit të tyre piktorit nga Desau, Karl Marks [Carl Marx (1911-1991), nuk duhet ngatërruar me Karl Marksin (Marx), filozof dhe krijues i komunizmit shkencor]. Ndërkaq Barry Noa (shqiptarofil i thekur!), fqinj dhe nxënës i piktorit, shkruan: “Në Dessau, ka qenë Café Tirana (dikur Café Altmann, në ditët tona “Ëassily”), kafene shumë e këndshme, në të cilin ka qenë një shtyllë mozaiku interesant i piktorit nga Desau Carl Marx dhe afreske të bukura, që përshkruanin historinë e Shqipërisë. Desau kishte në të vërtetë marrëdhënie të veçantë me Shqipërinë, pasi Enver Hoxha, udhëheqës i Republikës Popullore të Shqipërisë, kishte qenë në vitet ’50 si mysafir në Desau. Ndoshta, historia pikturike e Shqipërisë, e paraqitur nga piktori gjerman nga Desau, Carl Marx, nuk i pëlqeu marksist-leninist-stalinistit Enver Hoxha.

Entusiazmi i vdekur, Hoxha i zemëruar me gjermanolindorët

Në stacion i pritën udhëheqësit e RD Gjermane me Sekretarin e Parë të Komitetit Qendror të Partisë Socialiste të Bashkuar Gjermane, Valter Ulbriht në krye. Binte borë dhe bënte ftohtë. Jashtë stacionit, përpara tribunës, ishte radhitur një kompani ushtarësh për të bërë nderimet e rastit dhe ca popull. U bënë ceremonitë e zakonshme. Foli Ulbrihti, foli dhe Enver Hoxha. Entuziazmi këtu kishte vdekur, mundet edhe pse bënte ftohtë, shkruan jo pa mllef diktatori. Sidoqoftë, nga çdo pikëpamje ftohtë ishte, do të shkruante në ditar diktatori shqiptar. Shqiptarët i kishin vënë të banonin në në Pankov dhe aty afër banonte dhe Presidenti i RDGJ, Vilhelm Pik. Shefin e Tiranës e kishte rrëmbyer frymëzimi dhe patetizmi, teksa shkruan: “Simfoni e bardhë bore mbi Berlin”. Delegacioni i bëri vizitë protokollare Ulbrihtit në Komitetin Qendror. Bisedimi ishte i shkurtër, i përgjithshëm, i ftohtë. Ulbrihti thumboi qëndrimin e shqiptarëve ndaj jugosllavëve. Edhe miqtë iu përgjigjën me të njëjtën monedhë.

Nga Libknehti te Gëringu

Veprimtaritë vazhduan me vendosje kurorash në varret e revolucionarëve të njohur gjermanë Karl Libkneht, Roza Luksemburg, Ernest Telman. Pastaj filluan bisedimet. Enver Hoxha u bëri gjermanëve një ekspoze të pikëpamjeve shqiptare mbi problemet ndërkombëtare, theksoi mbështetjen e vendosur mbi të gjitha aspektet e problemit gjerman, çështjen e paqes e të çarmatimit etj. U foli për pikëpamjet e tij ndaj “revizionizmit jugosllav”; situatën e brendshme në Shqipëri, çështjet ekonomike, u parashtroi edhe kërkesat për një kredi. Në këtë seancë gjermanët dëgjuan me vëmendje. Ata do të flisnin më vonë. Delegacioni vizitoi Presidentin e famshëm Pik. Ishte shumë i plakur. Ndenjën afër tij, u shtrëngonte dorën, dolën në fotografi, po nuk fliste dot. Ndërkaq u organizua një mbrëmje nga ana e udhëheqësve gjermanë në sallën e madhe të kryeministrisë në Berlin, ish-pallati i kriminelit nazist Gëring.

Takim me Lambercin

Më 8 janar 1959, shqiptarët shkuan në Potsdam, ku vizituan shtëpinë ku më 1945 u mbajt Konferenca e udhëheqësve aleatë etj. Për drekë u kthyen në Berlin. Vizituan uzinën e tornove “Berkman”. Në mbrëmje shkuan në Operën Shtetërore të Berlinit, panë baletin “Gajane” të kompozitorit armen-sovjetik Haçaturian (1903-1978).

Më 9 janar, delegacioni shkoi në Lajpcig, ku vizitoi uzinën e makinave automatike, muzeun “Dimitrov” etj. Me makinë i hodhën një vështrim qytetit dhe u kthyen në rezidencë, ku patën një bisedë të gjatë me udhëheqës të qytetit. Këtu Enver Hoxha u takua me albanologun e njohur Lamberc, të cilin shqiptarët e kishin dekoruar për shërbimet e mira që u ka bërë gjuhës dhe Shqipërisë. Ai fliste edhe vetë shqip. E ftuan për pushime në Shqipëri.

Nga kronika në gazetën lokale gjermane

Në një atmosferë të përzemërt dhe miqësore u prit në qytetin e Desaut më 10 janar 1959 në kafe “Tirana” një delegacion partie dhe qeverie i Republikës Popullore të Shqipërisë.

Fotoja paraqet Kryetaren e bashkisë Maria Dank që i dhuron një libër-kronikë të re të qytetit të Desaut Sekretarit të Parë të KQ të Partisë së Punës të Shqipërisë, Enver Hoxha.

Në foto në të djathtë është shoku Valter Lefa (Ëalter Leva), sekretari i parë i udhëheqjes së rrethit të Partisë Socialiste të Bashkuar [(PSB) Gjermane]. Një delegacion i partisë dhe qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë, ndaloi më 10 janar 1959, gjatë kalimit në qytetin tonë të Desaut. Në emër të banorëve të Desaut mysafirët e shquar i pritën në një atmosferë të përzemërt e miqësore kryetarja e bashkisë Maria Dank dhe sekretari i parë i udhëheqjes së rrethit të PSB, shoku Valter Lefa, në kafe “Tirana”. Në delegacionin e partisë dhe qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë bëjnë pjesë edhe Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, shoku Enver Hoxha dhe kryetari i Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore të Shqipërisë, shoku Mehmet Shehu. Fotografia paraqet kryetaren e bashkisë së qytetit të Desaut, Maria Dank, e cila, pasi e uroi, i dhuroi shokut Mehmet Shehu për ditëlindje një palë dylbi, për pasionin e madh që ka për gjuetinë.

Ngulitja e toponimisë komuniste-lindore

Është tejet e pashpjegueshme pse një rajon të tërë në Tiranë vazhdojnë ta quajnë ende në thjeshtligjërim, por edhe në media dhe në letërkëmbim zyrtar, “21 dhjetori” (pakkush e di që është data që shënon lindjen e diktatorit sovjetik J.V. Stalin), ndërkohë që këtë emër e ka mbajtur në vitet 50-60 një ndërmarrje ndërtimi. Në Durrës, një shëtitoreje bregdetare, afër portit, vazhdojnë t’i thërrasin “Vollga”. Emri i lumit të famshëm rus e mori një hotel i ndërtuar në kohën e pushtimit italian. Pas prishjes me sovjetikët, hotelit iu ndërrua emri me “Iliria”, por “Vollga” ka “përmbytur” zonën. Edhe në Tiranë, afër Sahatit ka qenë një hotel “Vollga”. I vunë emrin “Drini”, por vazhdoi në zhargon “Vollga”. Një ndërtese të paraçlirimit në Durrës, vazhdojnë t’i thërrasin “Danubi”, ndonëse kafe-restoranti nuk ekziston dhe aty ndodhen dyqane.

Në kohën e ish-Traktatit të Varshavës dhe kampit socialist, ku bënte pjesë edhe Shqipëria deri në vitin 1961, ishte bërë modë vënia e emrave të udhëheqësve, ngjarjeve, toponimeve të njërit vend në tjetrin. Në Shqipëri Kuçovës iu vu emri “Qyteti Stalin”, sikurse dhe kombinatit të tekstileve në Tiranë. Patëm fermë “Dimitrov”, fabrikë këpucësh “Klement Gotvald”, hidrocentral “Lenin”, “Mao Ce Dun” etj.

Po ashtu dhe nga ish-Gjermania Lindore trashëguam emrin “Ernest Telman” në fabrikë konservimi peshku, “Vilhelm Pik” në kooperativë bujqësore, “Karl Marks” dhe “Frederik Engels” në hidrocentrale.

Në këtë “linjë” ishte dhe emri i kafenesë “Tirana” në qytetin gjerman-lindor të Desaut. Pak vjet pas prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me Traktatin e Varshavës, iu hoq emri “Tirana” dhe iu vu “Hotel Dessau”, kurse tani quhet “Ëassili”, siç duket, në kujtim të piktorit rus Vasili Kandinski (1866-1944) që ka jetuar në Desau.

Kronika e ATSH-së

Desau ndodhet në një nga rajonet me një industri mjaft të zhvilluar e të madhe.

Gjatë luftës [së Dytë Botërore] qyteti u shkatërrua shumë. Mjafton të përmendim se 28 mijë godina u shembën për tokë. Pushteti popullor ndërtoi 18.400 godina të reja.

Njëra nga godinat më të bukura të këtij qyteti është caktuar për çlodhjen e punonjësve dhe i është vënë emri “Kafe Tirana”. Ajo është një kafe shumë moderne dhe me komoditet të klasit të parë. Në këtë lokal u prit delegacioni në qytetin e Desaut.

Mirëseardhjen delegacionit të partisë dhe qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë ia bëri sekretari i ri i partisë së qytetit, shoku Leva:

“Fakti që ju përshëndesim këtu në këtë lokal të qytetit “Kafe Tirana” është një shenjë e miqësisë e popullit të qytetit tonë dhe e popullit të Republikës Demokratike Gjermane më popullin Shqiptar”.

Shoku Enver Hoxha ngriti një dolli dhe mbajti një fjalim të shkurtër për miqësinë midis popujve tanë. Prej këtu delegacioni u nis për në Berlin.

3.

Nga Ditari për përdorim të brendshëm i Enver Hoxhës

Gjermanët kërkuan disqe me këngë shqiptare

10 janar 1959. Qysh në mëngjes herët, midis nesh, organizuam një festë të vogël. Mehmeti sot mbush 46 vjeç. I uruam shokut tonë të dashur jetë të gjatë dhe suksese në punën e tij të madhe për çështjen e Partisë e të popullit tonë. Një mesazh urimi i dërgoi Mehmetit edhe Ulbrihti që nga Berlini. Festa jonë u bë edhe më e gëzueshme kur na erdhi një grup studentësh shqiptarë që studiojnë në Lajpcig. U uruam suksese dhe i porositëm që me qëndrimin, sjelljet e zellin e tyre në mësime të mbajnë lart emrin e mirë të popullit e të Partisë sonë.

Vizituam kombinatin elektrokimik të Biterfeldit. Punëtorët shfaqën një entuziazëm të madh për vendin tonë. Në një nga repartet e uzinës u organizua një miting ku foli sekretari i parë i qarkut. Foli edhe shoku Manush [Myftiu].

Vizituam një kooperativë bujqësore në Brema ku rriteshin kryesisht lopë dhe derra. Kudo borë e madhe. Pritja e mirë.

Drekën e hëngrëm në “Kafe Tirana” në Desau. Vetëm emrin kishte “Tirana” ky lokal, se pikturat në mur ishin futuriste. Kërkuan ndihmë nga ne për disqe me këngë karakteristike shqiptare.

U kthyem në Berlin me automobil nëpërmjet autostradës së mrekullueshme. Na thanë se autostrada mund të shërbente edhe si pistë avionësh dhe se ishte “e vetmja gjë e mirë që bënë nazistët” (natyrisht për luftë e bënë) e që kushtoi rrëke të tëra gjaku.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama